spot_img
HomeIntervistaMeteorologu Rugova: Ndryshimet klimatike po ndodhin, temperatura në nivel global është rritur

Meteorologu Rugova: Ndryshimet klimatike po ndodhin, temperatura në nivel global është rritur

spot_img

Të gjithë duam të dimë se si do të marrë moti për ditën e parë të javës, fundjavë apo në ndonjë ditë të veçantë të jetës. Por fare pak na intereson ndryshimi i motit, teket e tij, ndikimet në të, kushtet klimatike, ndryshimet klimatike, ngrohja globale, ndotja dhe cilësia e ajrit, etj.

Lidhur me ndryshimet e motit dhe ndryshimet klimatike portali motilokal.com zhvilloi një bisedë me meteorologun Mendim Rugova – Koordinator Nacional për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Muaji shtator dhe sidomos tetori ishin më të nxehtë se zakonisht. A është normale kjo apo kemi të bëjmë me diçka të pazakontë?

Në nivel global shtatori dhe tetori kanë qenë ndër muajt më të ngrohtë se zakonisht. Sa i përket Kosovës ka pasur një anomali, që do të thotë se ka qenë më ngrohtë se mesatarja. Mirëpo nëse i krahasojmë me temperaturat e viteve të kaluara nuk ka qenë më ngrohtë, pasi në vitin 2011 shtatori ka qenë më i nxehtë për 2 gradë më shumë se tani. Muaji tetor ka qenë më anomalik. Ka pasur temperatura më të larta sa i përket vlerave maksimale. Ndërsa sa i përket vlerave mesatare, tetor më të ngrohtë ka pasur edhe në vitet e kaluara, ku në vitin 1966 temperatura mesatare ka qenë 14.6 °C, kurse në vitin 2004 është regjistruar temperatura 14 °C, ndërsa këtë vit ka qenë 13.5 °C, të dhëna këto që vlejnë vetëm për qytetin e Prishtinës. Është interesante se tetori ka pasur diell më shumë, po të krahasojmë me vlerat mesatare të këtij viti, i cili ka pasur 40 % më shumë diell dhe vranësirat kanë qenë më të pakta. Në përgjithësi këta dy muaj sipas matjeve meteorologjike të këtij viti kanë qenë më anomalikë në krahasim me vlerat mesatare. Po edhe në aspektin e të reshurave ka pasur më pak reshje në këta dy muaj. Duhet theksuar se edhe vjeshta e vitit të kaluar ka qenë më e thatë dhe me më pak reshje. Edhe ky vit po vazhdon më të njëjtin trend dhe po i kemi këto probleme me liqenet akumuluese që kanë filluar të shteren nga mungesa e të reshurave, sidomos liqeni i Përlenicës, por edhe i Batllavës dhe Badovcit që kanë rënie të nivelit të ujit. Por tani varet edhe prej periudhës dimërore se si do të marrë, a do ketë më shumë të reshura?

A do të jetë edhe dimri në vazhdimësi të këtij apo pritet të jetë në ‘rolin’ e vet?

Parashikimi afatgjatë i dimrit është më problematiku dhe kjo stinë është një sfidë për të gjithë sinoptikanët. Zakonisht, jemi mësuar me disa tituj gazetash që ky dimër do të jetë më i ftohti në 100 vitet e fundit, e shpesh ndodh e kundërta. Nuk mund të jap ndonjë parashikim se si do të jetë ky dimër, por ka disa faqe që merren me parashikimin e motit siç është Accuweather që jep parashikime sezonale. Sipas parashikimit të tyre dimri do të jetë më i butë dhe më i thatë, por shpresoj të mos jetë ashtu, se siç e përmenda liqenet nga të cilat furnizohemi me ujë janë duke u shterur nga mungesa e reshjeve.

Vera e këtij viti ishte më e ngrohta, ku shumë qytete, përfshirë këtu edhe Prishtinën regjistruan temperatura rekorde. A janë këto temperatura si pasojë e ngrohjes globale apo nuk është kështu?

Stina e verës në shumë vende ka thyer rekorde si në Francë dhe Gjermani për temperaturat e nxehta. Në vendin tonë nuk ka pasur temperatura ekstreme, p.sh këtë vit në Prishtinë temperatura më e lartë e regjistruar ka qenë 36 °C, që është normale me mesataret shumëvjeçare, por në krahasim me vitin e kaluar, temperaturat kanë qenë pak më të larta. Në vitin e kaluar maksimumet kanë arritur rreth 32 °C, d.m.th vera ka qenë më e ftohtë, ku edhe pati më shumë reshje që ishte anomali për stinën e verës. Këtë vit ka pasur reshje përreth vlerave mesatare, ku temperaturat nuk kanë qenë edhe shumë të larta, sikur në pjesët e Europës Perëndimore. Për qytetin e Prishtinës temperaturat maksimale që mund të arrijnë janë 39 °C. Në vitin 2007 në aeroportin e Prishtinës është regjistruar temperatura më e lartë 40.6 °C, e cila merret si vlera më ekstreme e lartë, që në përgjithësi në atë vit në gjithë rajonin janë regjistruar temperatura të larta, vende-vende edhe mbi 40 °C.

z. Rugova, a mund të na sjellni për lexuesit tanë ndonjë të dhënë se si kanë qenë temperaturat në të kaluarën në katër stinët. A ka regjistrime të motit ekstrem në periudha të ndryshme?

Sa i përket temperaturave në territorin e Kosovës vlen të përmendet se temperatura më e ulët që është regjistruar ka qenë në janar të vitit 1985, – 27 °C, mandej në vitin 2000 që është matur në aeroportin e Prishtinës ka qenë – 29 °C dhe kjo është temperatura më e ulët. Në nivel të Kosovës nëse nuk gabohem në Kamenicë ka qenë – 32 °C në vitet 60-ta. Ndërsa sa i përket ekstremeve më të larta si temperatura maksimale është regjistruar në Prizren në vitet 1987-88, 40.7 dhe 40.8 °C, këto janë dy vlerat më ekstreme që janë arritur.

Pothuajse në shumë vende të botës mesatarja e temperaturave në rangun global është rritur. Si është situata në vendin tonë?

Ne si zyrë e Koordinatorit për Ndryshime Klimatike kemi përpunuar shënime që kemi mundur t’i gjejmë në vjetarët meteorologjik të ish-Jugosllavisë dhe të pas-luftës në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovë, ku vërehet që ka një rritje të temperaturave sidomos pas viteve 2000 që vjen një rritje pak më e lartë. Po flas për stacionin e Prishtinës, temperatura mesatare për periudhën 61-90 është 9.9 °C. Ndërsa viteve të fundit kemi temperatura mbi 11.5 °C, e temperatura mesatare në periudhën 2001-2018 ka rritje për 1.4 °C, që do të thotë se ky trend i rritjes së temperaturave në nivel global po vërehet edhe te ne. Në nivelin global temperatura është rritur 1 °C, tek ne është rritur më shumë 1.4 °C.

Jemi dëshmitarë të një thatësie të ngjashme me atë të vitit 2013. A ka shënime për vitet më të thata dhe me më shumë reshje në Kosovë?

Si pasojë e vitit të kaluar që nuk ka pasur shumë reshje gjatë muajve të vjeshtës, ka evoluar kjo thatësi që po e shohim edhe në këtë stinë të vjeshtës. Mirëpo situatë të tillë kemi edhe më parë siç ishte në vitet 2011-2012 dhe 2013 që eskaloi situata në dimër dhe pranverë të 2014-ës.

Periudha të thatësisë ka pasur edhe më herët gjatë viteve 2000 dhe 2007, por duhet theksuar në bazë të shënimeve të të reshurave, një periudhë e thatësisë më e madhe është regjistruar në vitet 1993-94, ku edhe në bazë të pamjeve satelitore vërehet që liqenet akumuluese kanë qenë në nivele shumë të ulëta. Nga shënimet që kemi gjetur për të reshurat, prej viteve të 20-ta të shekullit të kaluar, vërehet që ekziston një cikël sa i përket të reshurave, por periudha prej viteve 80-të deri në vitet 93-94 është një periudhë e thatësisë, që do të thotë të reshurat kanë qenë deficitare dhe kjo situatë bëhet më e rëndë në vitet 94-95, kur liqenet bien nën nivel të normales, sidomos liqeni i Badovcit bie përgjysmë. Pas vitit 2000 ka pasur një trend gradual të rritjes së të reshurave, e pas vitit 2010 sasia e të reshurave ka luhatje të mëdha, në disa vite reshjet ishin më të pakta, e në disa më të mëdha. Sidoqoftë, ky vit sa i përket të reshurave është deficitar, ka të reshura më pak, e të shohim si do të marrë muaji dhjetor, se a do të ketë reshje për të krijuar balancin.

Sa i përket reshjeve më të mëdha që janë regjistruar në Prishtinë është viti 1937, që kanë rënë 1124 litra shi që është viti që ka pasur më shumë të reshura e që është anomalik me mesataren e Prishtinës që zakonisht regjistron deri në 600 milimetra. Në përgjithësi në atë vit i gjithë rajoni ka pasur të reshura. Në bazë të rikonstruktimit të klimës nga modele të ndryshme del që edhe në vitin 1915 ka pasur të reshura, por që në atë kohë në Kosovë nuk kemi pasur stacione matëse, kështu që nuk mund ta vërtetojmë sasinë e reshjeve.

A mundet që klima, ashtu si moti, të jetë subjekt i ndryshimeve të papritura?

Moti është gjendja momentale e atmosferës për një periudhë afatshkurtër, ndërsa klima është gjendja e motit për një periudhë më afatgjate, që zakonisht merret për periudhat 20 deri në 30 vjet. A mund të ndryshojë aq shpejt sa moti, nuk mundet të ketë ndryshime të papritura, mirëpo në bazë të grafikoneve shihet që pas vitit 2000 klima ka filluar të ndryshojë.

A po ndodhin më të vërtetë ndryshimet klimatike në Kosovë?

Po ndërlidhem me shënimet që i përmenda më herët të temperaturës. Po! Ka ndryshime klimatike në Kosovë dhe ato vërehen sidomos në rritjen e temperaturave. Po ashtu te shpërndarja e të reshurave që është një indikator që ka pësuar ndryshime. Si do të ndikojnë në Kosovë ndryshimet klimatike? Mund të ketë periudha të thatësisë më të gjata dhe bllokime atmosferike, kur anticiklonet e pamundësojnë reshjet e shiut dhe kjo e krijon një periudhë të thatësisë. Pas vitit 2000 ndryshimet po vërehen, dhe po i përjetojmë edhe vetë këta indikator të ndryshimeve klimatike që po ndodhin në Kosovë dhe duhet të jemi të përgatitur për të ardhmen.

A mund ta shpjegoni rritjen e ekstremeve të motit, jo vetëm të mesatares globale që rezulton nga ndryshimet klimatike?

Në nivel global rritjet e ekstremeve të motit po i shohim, siç janë ciklonet, uraganet e fuqishme në shumë vende të botës si në Amerikë, Afrikë dhe Azi. Ndërsa në Evropë cikloni i fundit solli përmbytje në Itali, Kroaci dhe disa vende tjera, sidomos në Venedik që sipas të dhënave kjo nuk ka ndodhur në 50 vitet e fundit. Natyrisht këto ekstreme të motit po vërehen në nivel global. Kosova është territor më i izoluar dhe nuk po mund të vërehen shumë, mirëpo kohë pas kohe vërehen edhe te ne.

Cilat janë ndikimet e ndryshimit të klimës në planet dhe si do të preken njerëzit nga ky ndryshim?

Nëse i referohemi asaj që përmenda më lart ndryshimet e klimës po vërehen si në periudha të gjata të thatësisë që po përballen disa vende të botës, të cilat edhe ashtu kanë qenë të thata, por sot ato janë edhe më të thata, e që po ndikojnë në prodhimtarinë bujqësore të atyre vendeve dhe rritjen e varfërisë, mosushqyerjen e mirëfilltë, etj. Në disa pjesë kemi përmbytje, vërshime të lumenjve që ndikojnë tek banorët që jetojnë përgjatë këtyre rrjedhave. Sidomos rritja e nivelit të deteve dhe oqeaneve po ndikon të ato vende që janë bregdetare. Siç po parashihet zonat rreth Indisë, Bangladeshit mund të përmbyten dhe banorët duhet të largohen nga ato pjesë d.m.th flitet për zhvendosje të qindra miliona njerëzve.

Ndikimi tjetër i ndryshimeve klimatike do të jetë edhe uji i pijshëm në zonat e thata.  Mungesa e ujit mund të çojë edhe në situata konflikti, pasi një pjesë e njerëzve tentojnë të largohen nga ato vende ose një pjesë mund të ketë probleme për shkak të burimeve të ujit dhe kështu ato më të paraqesin shkëndija të konflikteve ose edhe luftërave. Janë edhe disa teori që konflikti në Siri ka nisur, pas një periudhe thatësie ndërmjet viteve 2006-2009, ku fermerët nga zona rurale iu është dashur të migrojnë përreth zonave urbane dhe kjo gjendje ka çuar në revoltat ndaj qeverisë. Njerëzimi patjetër që do të preket nga ky ndryshim i klimës.

Si mund të parandalohet ndryshimit i klimës dhe a ka vend për panik?

Parandalimi i ndryshimeve klimatike është pak më problem. Së pari duhet vullnet nga mbarë njerëzimi dhe shtetet. Marrëveshja e Parisit është një hap shumë i mirë, mirëpo tani SHBA si një ndër emetuesit më të mëdhenj të gazrave serë, po kërkon të tërhiqet prej asaj marrëveshje.

Për të parandaluar, njerëzimi duhet të përparojë edhe në aspektin e teknologjisë që mos të varemi vetëm prej burimeve fosile, të cilat lirojnë gazra serë që ndikojnë direkt në ngrohjen globale. Kështu që duhet një zhvillim goxha i madh në këtë aspekt. Nëse nuk ndalet emisioni i gazrave, atëherë mund të rritet temperatura e planetit, ngrohja globale të jetë edhe më ekstreme, por le të shpresojmë që kjo të mos ndodh. Ka raste që po shfaqet panik, por ndryshimi i klimës nuk vërehet aq shpejt sa të përhapet paniku. Në përgjithësi njerëzit duhet të bëhen gati për çdo gjë që mund t’i pret.

Sapo i afrohemi stinës së dimrit fillon edhe ndotja e ajrit dhe shpeshherë krahasohemi me qytetet e Indisë. Sipas jush cilët janë faktorët që ndikojnë në ndotjen e ajrit dhe çfarë duhet të bëhet për të përmirësuar ketë gjendje?

Si faktor kryesor i ndotjes së ajrit është stina e dimrit, moti i ftohtë dhe sidomos fenomeni i inversionit termik që po ndodh mbi rajonin tonë në përgjithësi. Këtë unë e konsideroj si faktor kryesor. Emetimi i amvisërisë, djegia e qymyrit për ngrohje, automjetet, të gjitha këto po ndikojnë në rritjen e ndotjes gjatë periudhës së dimrit.

Siç e përmenda ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në rritjen e ndotjes së ajrit, nëse sjellin bllokimin anticiklonik për periudha më të gjata mbi rajonin tonë, pasi rajoni ynë ndikohet nga anticikloni i Siberisë që mund të sjellë ndotje edhe më të madhe. Këtu ndërlidhen ndryshimet klimatike me ndotjen e ajrit. Kjo ndotje në Kosovë ka ekzistuar edhe më parë ndoshta automjete ka pasur më pak, por djegia e qymyrit, termoelektranat kanë ndikuar në ndotje. Sa më shpejt që do të gjendet një zgjidhje për ngrohjen e qytetarëve në qendrat urbane, ndotja do të jetë më e vogël.

Nuk mund të themi që ndotja do të eliminohet tërësisht gjatë stinës së dimrit. Personalisht nuk pajtohem me ketë, prandaj edhe përmenda me herët anticiklonin që ndikon në rajonin tonë, që në përgjithësi Evropa Lindore është më e ndotura e sidomos rajoni ynë. Evropa Perëndimore ka më shumë qarkullim të cikloneve nga Atlantiku.

Dhjetori i vitit 2016 në Kosovë ka qenë më i ndotur sesa viti 2017, kur kanë kaluar tri deri në katër ciklone mbi rajon, që kanë ndikuar në qarkullimin e mjaftueshëm ajror dhe ka pastruar ajrin në një farë mënyre.

Theksoj që duhet të gjendet një zgjidhje sa i përket ngrohjes, siç është shtrirja e kogjenerimit apo gazit që pritet të kalojë nëpër rajon, e kjo mund të ndikojë në rënien e nivelit të ndotjes.

Termoelektrana është një ndotës që prodhon edhe gjatë verës, por ndotja nuk është aq e madhe sa është gjatë dimrit. Sipas matjeve të stacioneve të Institutit Hidrometeorologjik, edhe nëpër qytete të tjera ndotja është më e lartë, e që nuk ndodh vetëm prej termoelektranave të Obliqit.

Ndryshimet klimatike, periudha e thatësirës gjatë verës mund të ndikojnë edhe në rritjen e ndotjes, p.sh nëse digjen malet, hamullorët, etj.

Në pjesën e dytë të muajit tetor të këtij viti kemi pasur ndotje më të madhe nga djegia e tokave bujqësore në Vojvodinë dhe rajon, djegia e pyjeve në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Të gjitha këto vatra të zjarrit kanë ndikuar që të rritet ndotja e ajrit, mirëpo pas kalimit të frontit të ftohtë në fund të muajit është shënuar rënie e ndotjes. /Motilokal.com

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme