spot_img
HomeBUJKUPjeshka

Pjeshka

spot_img

Historiku dhe përhapja 

Prejardhja e pjeshkës konsiderohet Kina ku dhe sot gjenden forma të egra të saj. Nga Kina u shtri në Persi dhe Azinë e vogël dhe më vonë grekët dhe romakët e përhapën në vendet mesdhetare. Në vendin tonë njihet qysh prej 300 vjetësh p.e.s dhe ka përhapje të madhe sidomos në zonën e ulët. Ajo kultivohet kryesisht në zonën bregdetare, por edhe në Shqipërinë e mesme.

Sot është përhapur kudo në botë, sidomos në vendet me klimë të ngrohtë. Pjeshka zë vendin e tretë në shkallë botërore midis specieve drufrutore (pas mollës dhe dardhës). Evropa ka peshën më të madhe të prodhimit të pjeshkës e sidomos Franca, Italia, Greqia, Turqia etj.

Vlerat ushqyese

Frutat kanë vlera të larta ushqyese pasi përmbajnë 9-10% sheqerna, 0.3% acideorganike, vitamina, 0.1% lëndë azotike dhe 82-95% ujë. Frutat përdoren të freskëta dhe të përpunuara si komposto, lëngje e reçelra.

Klasifikimi botanik

Pjeshka bën pjesë në familjen trëndafilore (Rosaceae), në gjininë Prunus dhe specien P.persica me 2n=16 kromozome. Pjeshka e zakonshme mund të gjendet në bibliografi dhe me emrin Persica vulgaris. Pjeshkë të tjera janë:

a) Davidiana

b) Ferghanensis

c) Kansuensis

d) Andersoni 

Kushtet ekologjike për kultivimin e pjeshkës 

Pjeshka është bimë e zonës eukrate që kërkon klimë të butë me temperaturë minimale që nuk shkon nën 15⁰C dhe maksimale jo mbi 35⁰C. Pjeshka kultivohet mirë në zonat e ullirit dhe të hardhisë me lartësi 700-800 m mbi nivelin e detit. Në zona me lagështi të lartë luftimi i gjethepërdredhëses, monilias dhe korinës është i vështirë. Temperatura gjatë verës nuk duhet të jetë më e lartë se 35⁰C pasi bie cilësia, frutat mbeten të vegjël dhe vitin e ardhshëm formohen fruta binjakë.

Në temperaturën -17⁰C shkatërrohen sythet frutore që janë në qetësi relative megjithëse pema mund të rezistojë deri – 25⁰C. Rënia e menjëhershme e temperaturës deri në -5⁰C në Nëntor, para  se sythet të futen në qetësi mund të sjellë shkatërrimin e tyre. Meqenëse lulëzon herët në pranverë në zonat e larta rrezikon të dëmtohet nga ngricat e hershme.

Ngricat e pranverës shpesh dëmtojnë rëndë prodhimin prandaj është e këshillueshme që zonat me ngrica me shumë se një herë në 5 vjet duhet të evitohen.

Shumica e kultivarëve të pjeshkës kërkojnë 700 deri më shumë orë me temperaturë nën 7⁰C gjatë dimrit për ndërprerjen e qetësisë biologjike. Pjeshka ka shumë nevojë për ujë gjatë verës prandaj nuk mund të mendohet pjeshkore pa ujitje. Pjeshka shkon mirë në toka rano-lymore dhe jo të rënda të cilat ndikojnë keq në cilësinë e frutave dhe jetëgjatësinë e pemës. Në tokat e rënda vërehet klorozë e përgjithshme që shkaktohet nga lagështia e lartë ajrore e keqe e tokës. Ujërat nëntokësore duhet të jenë nën nivelin e 1.5 m thellësi. Tokat kalcike (me gëlqere aktive mbi 7-8%) nuk janë të përshtatshme për pjeshkën pasi shkaktojnë mungesë të ndjeshme të hekurit në bimë.

Pjeshka kur rimbillet në të njëjtin vend nuk shkon mirë, ndaj në këto raste ose duhet që toka të mbillet pas 10 vjetësh qarkullim ose duhen përdorur nënshartesa rezistente si GF 677 (bajame x pjeshkë) dhe MRS 2/5 (kumbull). Gjithashtu tokat kalcike duhet të evitohen. /Gazeta Bujku

Pemëtaria Speciale / Zyra bashkëpunuese MASHT/DANIDA

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme