spot_img
HomeBUJKUNjihuni me disa nga kultivarët e dardhës

Njihuni me disa nga kultivarët e dardhës

spot_img

Sot në të gjithë botën gjenden mbi 5000 kultivarë, gjithsesi duhet pranuar se rëndësi praktike kanë 150-200 kultivarë.

Klasifikimi i kultivarëve bazohet në formën e frutit, qëllimin e përdorimit, kohën e pjekjes së frutit, kohën e lulëzimit.

Sipas kohës së lulëzimit: 

a) lulëzim të hershëm (Gentile bianco, Coscia, Butira xhifard)

b) lulëzim të mesëm (Abate Fetel, Buona Luiza, Passe Crassane)

c) lulëzim të vonët (William, Prekoce e Morettinit, Favorita)

Sipas kohës së pjekjes: 

a) Kultivarë të hershëm (Elberore, Gentile bianco, Butira xhifard)

b) kultivarë të mesëm (Williams, Butira hardy, Abata Fetel)

c) kultivarë të vonë (Passe Crassane, Decana)

Kultivarë të hershëm (verorë) 

Elberore 

Pema: është e fuqishme me prodhim të rregullt. 

Fruti: është i vogël me formë të zgjatur dhe me bisht të gjatë. Fruti është i verdhë me nuancë të kuqe në pjesën e ekspozuar nga dielli me tul të bardhë, të shkrifët, të lëngshëm dhe aromatik. 

Pjekja: futi piqet në fillim të Qershorit dhe përdoret për konsum të freskët. 

Veçori biologjike: kultivari është prodhues, por kombinimi i tij me kultivarë të tjerë është pozitiv. 

Gentile Bianco (Labinoti) 

Pema: është e fuqishme e shartuar mbi dardhën e egër dhe goricën, me prodhim të rregullt. Me nënshartesat e ftoit nuk ka afinitet të mirë.

Fruti: është i vogël deri mesatar me formë të zgjatur tipike të dardhës. Fruti është me ngjyrë të verdhë të artë, cipëhollë me pikëzime, me tul të bardhë, të lëngshëm pak kokrrizor dhe aromatik.

Pjekja: Fruti piqet në mes të Qershorit deri në 10 Korrik dhe përdoret për konsum të freskët.

Coscia (Koshia)

Pema: është e fuqishme me prodhim të rregullt.

Fruti: është i vogël me bisht të gjatë. Fruti është i verdhë me pikëzime jeshile me tul të bardhë të verdhë, të lëngshëm, kokrrizor, të ëmbël dhe aromatik.

Pjekja: futi piqet në mes Korrikut përdoret për konsum të freskët dhe nuk ruhet në frigorifer.

Veçori biologjike: kultivari është vetështerpë, pllenohet me B. P Morettini, Cakonika B. Hardy.

Butira Gifard (gjalpore 4) 

Pema: është me zhvillim mesatar, me lulëzim të mesëm dhe pjalmëzues i mirë. 

Fruti: është i vogël deri mesatar në formë tipike të dardhës. Fruti është me ngjyrë të verdhë në të gjelbër, me tul të bardhë në të verdhë, të lëngshëm pak kokrrizor dhe aromatik.

Pjekja: futi piqet në fund të Qershorit deri ne fillim të Korrikut dhe përdoret për konsum të freskët.

Buttira P. Morettini (gjalpore 20) Ky kultivar është hibrid i B.C.Williams x Coscia

Pema: është e fuqishme, me lulëzim të mesëm dhe shumë prodhuese. Nuk ka afinitet të mirë me ftoin dhe nuk i qëndron të ftohtit.

Fruti: është i madh, me ngjyrë të verdhë, me sipërfaqe jo uniforme dhe rrëzohet lehtë pas pjekjes. Fruti ka tul të bardhë në të verdhë, të lëngshëm pak kokrrizor dhe aromatik.

Pjekja: futi piqet në fillim të Gushtit, përdoret për konsum të freskët dhe nuk ruhet gjatë në frigorifer.

Veçori biologjike: është kultivar autosteril (vetështerpë) dhe pllenohet me Coscia, Butira Hardy, Buona Luiza etj.

Favorita Kllap (Lëngë-shtore)

Pema: është mesatare, me lulëzim të mesëm deri në të vonë dhe prodhuese.

Fruti: është mesatar, me ngjyrë të verdhë si të kashtës dhe me pikëzime. Fruti ka tul të bardhë në të verdhë, të lëngshëm, të shkrifët dhe shumë të ëmbël.

Pjekja: futi piqet në fillim të Gushtit, përdoret për konsum të freskët.

Veçori biologjike: është kultivar diploid, autosteril (vetështerpë) dhe pllenohet me Butira Hardy, Williams, Abate fetel, Conference etj.

Kultivarë me pjekje të mesme (vjeshtorë)

Williams (Gushtakë)

Ky kultivar ka disa nënkultivarë (shpërthime) nga të cilat më të rëndësishme janë:

a) Williams i gjelbër qe është më i përhapuri dhe nuk ka afinitet me ftoin.

b) Williams i kuq që nuk ka gjetur përhapje të madhe.

c) Klonet P.415 dhe PI 277940 që kanë afinitet me ftoin.

Williams i gjelbër është kultivar i njohur për fruta të mëdhenj dhe shumë të përshtatshëm për konservim.

Pema: është me zhvillim mesatar dhe shumë prodhuese. Nuk ka afinitet të mirë me ftoin dhe është e ndjeshme ndaj Pear decline. Për këtë arsye rekomandohet shartimi i ndërmjetëm me Beurre Hardy.

Fruti: është i madh në formë ftoi, me bisht të trashë me ngjyrë të verdhë në të gjelbër.

Fruti ka tul të bardhë të shkrifët dhe aromatik si moskat.

Pjekja: futi piqet në fund të Gushtit, përdoret për konsum të freskët dhe përpunim industrial.

Veçori biologjike: është kultivar autofertil (vetëpjellor) ose autosteril (vetështerpë) në vartësi të ambientit ku kultivohet. Në zona me temperature të ulëta në kohën e lulëzimit është autofertil, kurse në zona me temperature të larta në kohën e lulëzimit është autosteril. Pllenohet me kultivarë që lulëzojnë vonë si Santa Maria, Passe Crassane, Kaiser Alexander, Decana del Comizio, General Leclerc dhe Highland.

Butyra Hardy (gjalpore e fortë)

Pema: është e fuqishme dhe shumë prodhuese.

Fruti: është mesatar vezake, cipëtrashë me ngjyrë të gjelbër në të verdhë me njolla ndryshku. Fruti ka tul të bardhë, të lëngshëm, pak kokrrizor, i ëmbël dhe aromatik.

Pjekja: futi piqet në fund të Gushtit.

Veçori biologjike: është kultivar diploid por ka nevojë për pllenim të kryqëzuar me Williams, P. Crassane, Favorita etj.

Abate Fetel (qafëgjata)

Pema: është me zhvillim të fuqishëm me prodhim të rregullt dhe pjalmëzues i mirë i kultivarit P. Crassane. Frutifikon kryesisht në degëzat e shkurtra. Ka mospërputhshmëri me nënshartesat e ftoit (EMA, EMB) ndaj kryhet shartim i ndërmjetëm me B. Hardy. Shkon mirë me klonin BA 29.

Fruti: është i madh me qafë të gjatë tipike me ngjyrë të verdhë me pikëzime ndryshku, me tul të bardhë në të verdhë, të lëngshëm dhe aromatik. Ruhet mirë në frigorifer.

Pjekja: futi piqet në fund të Shtatorit.

Veçori biologjike: A.Fetel është kultivar triplod dhe pjalmohet mirë nga P.Crassane, William, Buona Luisa etj.

Curato (vjeshtore)

Pema: është me zhvillim mesatar, me prodhim të rregullt kryesisht të vendosura në degëzat e shkurtra.

Fruti: është i madh me formë tipike të dardhës së zgjatur në qafë dhe bisht të pjerrët. Fruti ka ngjyrë të verdhë me pikëzime të hiret, me një vijë karakteristike ngjyrë ndryshku që e përshkon frutin në të gjithë gjatësinë e tij. Tuli është i bardhë, pak kokrrizor. i lëngshëm dhe i ëmbël. Ruhet mirë në frigorifer.

Pjekja: futi piqet në Shtator.

Veçori biologjike: është kultivar triploid dhe pjalmohet mirë nga P. Crassane, William etj.

Kultivarë me pjekje të vonë

Passe Crassane

Pema: është me zhvillim të kufizuar dhe me prodhim mesatar. Frutifikon kryesisht në degëzat e shkurtra dhe torbeste. Ka përputhshmëri me nënshartesat EMA, EMB dhe BA 29.

Fruti: është i madh sferik, i shtypur me cipë të trashë të ashpër me ngjyrë të gjelbër në ndryshk, me tul të bardhë, kokrrizor, të lëngshëm majhosh dhe aromatik. Ruhet mirë në frigorifer dhe prodhon fruta të përshtatshme për komposto.

Pjekja: futi piqet në mes të Tetorit dhe konsumohet në Dhjetor-Janar.

Veçori biologjike: është kultivar diploid dhe pjalmohet mirë nga A. Fetel, William dhe Kaiser Alexander.

Decana (dimërore)

Pema: është me zhvillim mesatar me prodhim të rregullt. Frutifikon kryesisht në degëzat e shkurtra. Ka mospërputhshmëri me nënshartesat e ftoit (ndaj kryhet shartim i ndërmjetëm).

Fruti: është i madh në formë vezake i shtypur në majë me cipë të ashpër me ngjyrë të gjelbër në të verdhë me pikëzime ndryshku. Tuli është i bardhë në të verdhë, i lëngshëm dhe aromatik.

Pjekja: futi piqet në tetor dhe konsumohet dhjetor dhe mars.

Veçori biologjike: është kultivar diploid dhe pjalmohet mirë nga P. Crassane, William dhe Kasair Alexander.

General Leclerc

Ky kultivar ka përhapje të mirë kohët e fundit pasi paraqet cilësi të mira.

Pema: është mesatare me prodhim të rregullt. Nuk ka përputhshmëri të mirë me nënshartesat e ftoit.

Fruti: është i madh me formë tipike dardhe me ngjyrë të verdhë në të gjelbër me pikëzime ndryshku, me tul të bardhë në të verdhë, të lëngshëm dhe aromatik. Ruhet mirë në frigorifer deri në Janar.

Pjekja: futi piqet në fund të Shtatorit.

Veçori biologjike: pjalmues të përshtatshëm janë William, Decana del Comozio dhe Conference.

Highland

Ky kultivar është hibrid i William dhe Decana del Comizio. Filloi të përhapet qysh në vitin 1974.

Pema: është me zhvillim të fuqishëm dhe shumë prodhuese.

Fruti: është i madh në formë dardhe ose ftoi me ngjyrë të verdhë në të gjelbër me tul të bardhë, të lëngshëm dhe të ëmbël. Përdoret për konsum të freskët dhe për konservim. Ruhet mirë në frigorifer.

Pjekja: futi piqet në fund të Shtatorit.

Veçori biologjike: pjalmues të përshtatshëm janë William, General Leclerc, Decana del Comozio dhe Conference.

Kultivarë të tjerë janë: Conference, Anjou, Winter etj.

Kultivari Conference

Doyanne du comise

Kultivarë aziatikë: janë Shinseiki, Kosui, Hosui, Chojuro, Njitaka, Njisseiki, Shinko, Okusankichi.

/Gazeta Bujku

Pemëtaria Speciale / Zyra bashkëpunuese MASHT/DANIDA

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme