spot_img
HomeBUJKUMasat agropomoteknike për kultivimin e dardhës 

Masat agropomoteknike për kultivimin e dardhës 

spot_img

Sistemi i pemëtores

Në pemëtoret e vjetra dardhës i jepet formë piramidale ose kupore dhe sistemi i mbjelljes ishte katror ose rombik me nënshartesë dardhë e egër, me distance 6-8m x 6-8m që siguronte 200-250 pemë/ha. Ky sistem ka kosto të ulët në fillim pasi numri i rrënjëve për hektar është i vogël, por ka kosto të lartë të prodhimit sepse pemët futen vonë në prodhim, janë të larta dhe vështirësohet agroteknika e kultivimit.

Sistem më i përshtatshëm për mekanizmin dhe uljen e kostos së prodhimit është ai i mbjelljes në rreshta 3-4m distancë ku nënshartesa është ftua dhe pemët formohen palmetë me krahë të pjerrët dhe me mbështetje. Numri i pemëve është 1000- 1400/ha. Në këtë sistem dardha futet herët në prodhim, vitin e 3-4të dhe në prodhim të plotë vitin e 7-8të. Kostoja fillestare është më e lehtë se në sistemin klasik, kurse kostoja e prodhimit është më e ulët.

Pemëtoret intensive të dardhës kanë jetëgjatësi më të shkurtër se ato klasiket (25vjet) dhe kjo nga disa është quajtur si dobësi, por në të vërtetë kjo i jep mundësi prodhuesit që të rinojë pemëtoren dhe të aplikojë teknika të reja më efikase.

Zgjedhja e kultivarit që do të vendoset bëhet me kritere kohën e pjekjes, cilësinë e frutit, mundësinë e ruajtjes në frigorifer dhe tregtimin e produktit si dhe rendimentin për hektar të pemëtores. Vendosja e pjalmuesve është e domosdoshme në shumicën e kultivarëve të dardhës që paraqesin vetështerpësi dhe që kanë nevojë për pllenim të kryqëzuar në mënyrë që të sigurohet prodhim i lartë. Kultivarët pjalmues duhet të jenë të tregëtueshëm pasi ato zënë rreth 15-33% të pemëtores.

Krasitja prodhuese

Tek dardha aplikohet e njëjta krasitje prodhuese si tek molla pasi kanë të njëjtat organe frutifikuese. Në kultivarët që prodhojnë kryesisht në degëzat e holla duhet kryer rrallimi i tyre në mënyrë që të sigurohen fruta të madhësisë së përshtatshme për treg.

Lidhja e frutave

Frutifikimi i dardhës bëhet në degëza të shkurtra, torbeste dhe ato të holla. Në shumicën e kultivarëve dardha kërkon pllenim të kryqëzuar i cili kryhet nga insekti (bleta) kur në pemëtore është vendosur kultivari pllenues sipas skemash të caktuara (rombike, katrore etj) ose në rresht.

Zgjedhja e kultivarit pjalmues duhet të plotësojë këto kritere:

– Të ketë lulëzim të njëkohshëm me kultivarin kryesor duke mbuluar 70-90% të kohës së tij të lulëzimit

– Pjalmuesi dhe kultivari kryesor të ketë afinitet në pllenim

– Kultivari pjalmues të jetë i tregëtueshëm

– Frutifikim i kënaqshëm tek dardha konsiderohet kur 5% e luleve japin frutë.

Plehërimi i dardhës 

Plehërimi me azot duhet të jetë i kufizuar për kultivarët e fuqishëm dhe ata të ndjeshëm ndaj fuzikladit dhe më i plotë kur nënshartesa e pemës është ftoi ose klonet e tij. Pemët në prodhim të plotë kanë nevojë për 200-500 njësi azoti/ha.

Fosfori aplikohet njëherë në 3-4 vjet, por me sasi sa ½ e azotit dhe kaliumi një herë në 3 vjet sa ½ e azotit. Mungesa e Fe plotësohet me aplikim në tokë atëherë kur ka mungesë të tij, kurse mungesa e Mg dhe Zn me plehërim gjethor me spërkatje. Mungesa e B shkakton tharje të lulërisë që mbetet në pemë, ndërsa në fruta plasaritje të lëvores dhe tapëzim. Kjo mënjanohet me aplikim të borit në tokë (30-50kg/ha).

Ujitja 

Ujitja e dardhës kryhet në varësi të kushteve të klimës, prodhimtarisë, nënshartesës, moshës së pemës dhe sistemit të kultivimit. Për kultivarë të shartuar mbi nënshartesa klonale çdo 15-20 ditë.

Nënshartesat për dardhën 

Dardha shtohet me shartim të kultivarit të dëshiruar mbi nënshartesë të prejardhur nga fara ose me shtim vegjetativ. Gjithashtu mund të shtohet direkt kultivari me copa në fidanishte.

Nënshartesat e dardhës ndahen në dy grupe:

a) Nënshartesa farore 

  1. Dardha e egër (P.Nivalis) ka afinitet me kultivarët e dardhës, jep jetëgjatësi, transmeton cilësinë prodhueshmërisë. Ajo adoptohet mirë në mjedise të papërshtatshme tokësore dhe klimatike. 
  1. Dardha e butë (P.Communis) është e përshtatshme vetëm për toka fushore, të thella dhe kur zbatohet agroteknikë e nivelit të lartë. Kjo nënshartesë ka afinitet të mirë me gjithë kultivarët e dardhës me përjashtim të Williams dhe në këtë rast kryhet shartim i ndërmjetëm me Beurre hardy. 
  1. Gorica (P.amygdaliformis) transmeton mbishartesë me jetëgjatësi prodhuese dhe prodhueshmëri të lartë. Kjo dardhë është rezistente ndaj thatësirës, tokave skeletike dhe të varfra në lëndë ushqyese.
  1. Murizat (Crataegus exyacantha dhe Crataegus Azarolus) janë nënshartesa farore me vlera për mjedise të vështira tokësore.

Me shfaqjen e djegies bakteriale (Erwinia Amylovora) u provuan nënshartesa farore të dardhës aziatike si P. pyrofolia, P. ussuriensis, P. calleryana dhe P. beatulifolia.

Nga këto u konstatua se tre të parat i rezistonin mirë sëmundjes, por kultivarët e shartuar mbi P.pyrifolia dhe P.ussuriensis paraqesin nxirrje të kurorës së frutit. Më vonë u krijuan hibride të kultivarëve Old Home (OH) dhe Farmingdale (F), pra (OHxF) që ishin rezistente ndaj bakterit Erwinia amylovora.

Ndaj sëmundjes tjetër të rëndësishme të dardhës që quhet Pear decline (thyerja e pemës në pikën e shartimit) e cila shfaqet si rezultat i mungesës së afinitetit, mykoplasmës ose nga viruse nënshartesa rezistente ndaj P.beatulifolia dhe hibridi OHxF. Në tabelën e mëposhtme jepen kërkesat që kanë farat për ndërprerjen e qetësisë biologjike (letargjisë) para mbjelljes në vllaja të fidanishtes:

Tab. Kërkesat e farave për temperature të ulëta për ndërprerjen e qetësisë biologjike

Nënshartesat e prejardhura nga fara japin bimë të fuqishme, por që futen vonë në prodhim pas 5-7 vjetësh dhe në prodhim të plotë pas 12-15 vjetësh.

b) Nënshartesa vegjetative (klonale)

Në Europë përdorimi i nënshartesave vegjetative dhe kryesisht i ftoit filloi të përhapet qysh nga 1667 dhe meqenëse të gjitha qendrat përdornin dhe emëronin subjektivisht klonet e ndryshme u bënë përpjekje për një klasifikim të tyre. Stacioni East Malling (EM) i emërtoi ato duke përdorur 7 germa të alfabetit si A, B, C, D, E, F dhe G. Nga këto EM A dhe EM B rezultuan nënshartesa më të mira. /Gazeta Bujku

Pemëtaria Speciale / Zyra bashkëpunuese MASHT/DANIDA

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme