spot_img
HomeBUJKUOrigjina dhe prodhimi i dardhëve

Origjina dhe prodhimi i dardhëve

spot_img

Dardhët dhe gorricat përmblidhen në gjininë Pyrus L. (Dardhë). Në këtë gjini  sipas autorëve të ndryshëm bëjnë pjesë 20-75 specie, nga këto rreth 23 janë të egra(gorrica) gjysma të cilave gjenden në Evropë dhe rreth brigjeve të Detit Mesdhe me dardhën e egër evropiane(P. communis L.). Ndërsa gjysma tjetër gjenden në Azi me dardhët aziatike(P. pyrifolia). Vend origjina e dardhëve nuk është e përcaktuar saktësisht por, dardha konsiderohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të Evropës.  Studiuesit (Vavilov, etj. 1951) mendojnë se ka 3-4 qendra të zbutjes ose të domestikimit të dardhëve. Sipas shumë autorëve dardha është domestikuar ose është zbutur rreth 3000 vjet më parë pothuajse njëkohësisht në Azi dhe Evropë. Nuk ka të dhëna ose dëshmi se ka qenë e kultivuar para kësaj periudhe. Për gjininë Pyrus L. supozohet se e ka origjinën në Kinën Perëndimore ultësirën Tian Shan dhe Azinë Qëndrore. Para mijëra vjetëve këto lloje u përhapën në lidje e perëndim të këtyre vatrave(Watkins, 1976). Pyje me dardha të egra mijëra vjet para Antikitetit besohet se ekzistonin në kodra të shpërndara nga Azia Perëndimore deri në Evropën Jugore(A. de Candole, D. Sugar, 2005).

Që në kohë të lashta me lëvizjen e popullsisë dardhët e egra janë shpërndarë në të gjithë Euro-Azinë dhe pas shekullit 16-të edhe në Kontinentin Amerikan e në gjithë botën.

Të dhënat e para për dardhën na vinë nga Homeri në shek. 9-të PK. tek poema epike e tij “Odisea” ku dardhën e ka cilësuar “një dhuratë e Perëndive” dhe rritej në kopshtin e  Mbretit të Fenikasve së bashku me shegën, rrushin,  fikun, etj. Këtu fillon dhe historia e kultivimit të dardhëve në Evropë. Më pas Teofrasti(370-286) PK është i pari që përshkruan llojet e dardhëve të egra si dhe  tri lloje të kultivuara për të cilat rekomandonte të kishin emra të veçantë dhe, si duhen të kryheshin disa shërbime.

Sipas J. Janick dardhët kanë qënë frutat më të admiruara nga njerëzit që nga lashtësia e deri ne kohën e sotme. Në shekullin e IV PK., sipas historianëve, në qendrën e domestikimit dhe përmirësimit të dardhëve evropiane, siç e përmendin Greqinë Antike, shfaqet e fuqishme “Mbretëria e Dardanëve” që ishte një nga fiset Ilire. Sipas gjuhëtarëve dhe historianëve “Dardani” ose, greqisht, siç gjendet edhe në shkrimet e vjetra Δαρδανία”, në shqip do të thotë “Dardhëri” ose, fjala “Dardan” në shqipen e sotme nënkupton “darthëtar”. Pra, sipas të gjitha gjasave këta që mbanin këtë emër duhet të ishin dhe kultivues të mirë të dardhëve në atë periudhë ndoshta, dhe të parët në Evropë sepse, ky fis Ilir këtë emër ka të dhëna se e ka patur shumë më herët, që para ose gjat periudhës së Luftës së Trojës. Nga autorët e asaj kohe Dardania, Kosova e sotme, përshkruhej një territor i mbuluar me dardhë. Hisoria e ka të pa njohur domestikimin e dardhëve në Evropë.

Kur Romakët e mposhtën Mbretëreshën Teuta dhe e kishin të pushtuar Ilirinë(229 PK.), Cato(235-150 PK) përshkruan 6 kultivarë dardhësh që rriteshin nën kujdesin e shtëpiakeve dhe skllevërve, ndoshta Ilirë. Plini, plaku( 23-79 ER.) që i referohen shumë studiues, në veprat e tij voluminoze i ka përshkruar gjerësisht llojet e dardhëve që kultivonin romakët në atë periudhë. Midis tyre gjenden dhe emërtime që tingëllojnë si në gjuhën shqip ose, të përkthyera e të përshtatura në gjuhën latine, lloje dardhësh që në Shqipëri janë përcaktuar si vendase e disa mbajnë këto emëra dhe sot, si: “Narden” (nga shqip e thartë, lëng kumbullash i thartë); “Laurea”( Laurë, figurë mitologjike shqiptare), “Horderia”(përshtatur, elbërore), “Mirapia”(dardhë mirë), “Cucurbitina”(përshtatur, pagure), etj. Origjinën e disa dardhëve që romakët i kishin të panjohura i përcaktonin me origjinë barbare si lloi “Barbarica” ose “Veneria”(Hedrick, etj. 1921). Me një studim të mirëfilltë e serioz (përkthim më i mirë nga origjinali)  mund që të hidhet dritë për kontributin e shqiptarëve në këtë drejtim.

Në literaturën botërore grekët dhe më pas romakët njihen si kultivuesit e parë dhe përhapës të dardhëve në Evropë. Gjatë periudhës së Perandorisë Romake nga autorë të ndryshëm të kohës janë përshkruar më se 40 varietete të dardhëve si dhe teknologjia e kultivimit të tyre.

Në Francë thuhet se dardhët janë shfaqur në vitin 800 por, është e pa njohur origjina e tyre, disa përmendin grekët, disa romakët dhe të tjerë thonë se dardhët në Francë vinë nga faktorë të pa njohur. Lidhur me këtë etnologu francez Gavraniç(1995) në studimet e tij thotë se origjina e dardhëve që kultivohen sot në Evropë është Ilire dhe, jo vetëm dardhët. Kujdesi për kultivimin e dardhëve nga greket dhe romaket gjatë mesjetës u shpërngul në qendër të Evropës. Një kopshtar francez që quhet dhe “babai bujqësisë franceze”, Oliver de Serres(1539-1619) në librin e tij “Theatre d’Agriculture”(1608) shkruan:

 “Nuk ka asnjë pemë që të ketë  aq shumë llojshmëri të frutave sa dardha, llojet e të cilave janë të pa numurta e me cilësi të mrekullueshme. Fillojnë prodhimin që gjatë muajit maj dhe përfundojnë në muajin dhjetor. Ato kanë formë, madhësi, ngjyrë, shije, e aromë të ndryshme, të cilat të bëjnë të adhurosh krijuesit e tyre…Me një fjalë një kopsht nuk do të kishte vlera në qoftë se nuk do të lulëzonin pemët e dardhëve në të.”

 Në vitin 1500 dardha kultivohej gjërsëshit edhe në Angli e rrjedhimisht në të gjithë Evropën. Në vitet 1600-1800 kultivimi dardhëve në Evropë mori një zhvillim të madh. Gjatë shekullit të XVII për një kontribut në krijimin e llojeve të reja të dardhëve përmenden francezët, anglezët, belgët, gjermanët, etj. Evropianët kanë dhënë një kontribut të madh në kultivimin e dardhëve, pas vitit 1600 në Evropë janë përshkruar mbi 1600 kultivarë.

Në Kontinentin Aziatik dardhë janë shfaqur 2500-3000 vjet më parë. Në mesjetë përshkruhen rreth 150 lloje dardhësh kino-japoneze si rrjedhoje e zbutjes ose kryqëzimit të dardhëve të egra aziatike si: P. pyrifolia Burn., P. ussurienis Maxim. etj. Në praktikën e përditshme dardhët ndahen në dardhët me origjinë evropiane dhe dardhët me origjinë aziatike ose kino-japoneze. Tek dardhët aziatike frutat e tyre kanë më shumë lëng, janë pak majoshe dhe të forta në ngrënie ndërsa, dardhët evropiane kanë tul të shkrifët si gjalpë, shpesh aromatike dhe janë më të ëmbla.

Në Kontinentin Amerikan nuk ka patur gorrica të egra ato që janë sot  janë sjellë nga evropianët. Dardha në këtë kontinent është sjellë nga francezët dhe anglezët rreth viteve 1629 fillimisht në Nju Igland, pjesën verilindore të Amerikës, dhe në Amerikën Qendrore, si Meksikë, etj. nga spanjollët. Fillimisht erdhën dardhët evropiane dhe mbjellja bëhej me farë, si rrjedhojë pati një ndryshueshmëri të madhe gjenetike e u krijuan genotipe të cilat nuk mund të përshtateshin më kushteve evropiane nga kishin ardhur. Edhe në SHBA si nënshartesë në shek. 19-të përdorej gjerësisht gorrica për të patur bimë më të qëndrueshme ndaj kushteve të mjedisit dhe sëmundjeve.

Në kontinentin Australian dardhët janë mbjellë për herë të parë në vitin 1767, fidanat u muarrën në qytetin Kep Taun të Afrikës së Jugut. Dardhët në këtë kontinent sot kultivohen më shumë në pjesën Jug-Lindora dhe Jug-Perëndimore të tij. Kurse në Zelandën e Re si datë e mbjelljes së dardhës dhe mollës së parë është viti 1819.

Sot dardha është një nga kulturat drufrutore më të kultivuara në të gjithë botën. Numërohen gjithsej rreth 5000 varietete dardhësh por, rreth 100-150 janë të rëndësishme e kultivohen gjerësisht për prodhim.  Ndër variete më të kultivuara janë 10-15 të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit botëror. Këto janë varietetet si: Williams (Bartlett), Bosc, Anjous (Beurre d’Anjou), Comice, Nashi (Asian), etj.

Prodhimi botëror i dardhëve sipas të dhënave që ka FAO, ka ardhur duke u rritur. Në vitin 2012 u prodhuan 23,5 milion ton dardhë, duke zënë vendin e 4 ose të 5-të në prodhimin e përgjithshëm botëror të frutave.

Ndërsa në Shqipëri ndonëse që nga vitet 1930 e në vazhdim janë mbjellë shumë rrënjë dardhë, prodhimi nuk ka qenë ai i pritshëm. Grafiku i prodhimit tregon se për këtë kulturë nuk është treguar vëmendja e duhur. E kultivuar qysh në lashtësi në Shqipëri dhe Kosovë, dardha ka kushte shumë të përshtatshme për kultivimin e saj në faqet e kodrave dhe maleve. Duhet të zënë vendin që i takon në prodhimin e përgjithshëm të frutave dhe prodhimit bujqësor në tërësi në zonat paramalore dhe malore sepse është një mundësi që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik e social të tyre, që sot po kalojnë një gjendje të rëndë e shoku.

Autor: Koço Mosko

Gazeta Bujku e boton me leje te http://bota-bujqesore.blogspot.com/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme