Kjo sëmundje parazitore për herë të parë është vërejtur në vitin 1904 në ishullin Java. Shkencëtari A.C. OUDEMANS e ka emëruar sipas hulumtuesit JACOBSON. Në Evropë janë hasur në vitin 1958 tek bletët në viset e ish BRSS, në pjesët ku lidhet me kontinentin e Azisë, nga ku ka filluar të shpërndahet në tërë Evropën. Varooza është një sëmundje shumë e rëndë dhe e rrezikshme e bletëve. Shkaktari i kësaj sëmundjeje është rriqëra VAROA DESTRUKTOR, e cila mundë të shihet edhe me sy, pa mjete zmadhuese, e cila ka gjatësi 1 – 1,7 dhe gjerësi rreth 1,6 mm, ka kryesisht ngjyrë kafeje, ka formë ovale të shtypur në anën e sipërme, kurse në pjesën e poshtme është e rrafshët. Trupi i saj është i mbuluar me pusht (qime të vogla). Varroa lëviz përmes katër palë këmbëve. Aparati i gojës së parazitit është i përshtatur që të therë lehtë trupin e bletës dhe të thithë hemolimfën – gjakun e bletës.
Nga bleta në bletë bartet me kontaktin e bletëve në mes vete, por edhe gjatë punës së bletarit me bletë, sidomos gjatë transferimit të kornizave me bletë dhe mbarësim nga njëra në kosheren tjetër. Femrat e këtij paraziti jetojnë në trupin e bletëve dhe ushqehen me hemolifën e bletëve (gjaku i bletës), kurse vezët i lëshojnë në qelizat ku zhvillohet mbarësimi i bletëve, prandaj prezenca e varroës mund të shihet si tek bletët e lindura ashtu edhe në larva të hapura dhe mbarësim në mbyllur.
Duke pasur parasysh se ky parazit i varroas (rriqrës), i sjell dëme të mëdha bletarisë, është e nevojshme që të përcjellët zhvillimi i tij dhe të luftohet. Se si duhet të trajtohen bletët për tu mbrojtur nga ky parazit, do të mësoni nga eksperti i bletarisë Nehru Salihu. /Gazeta Bujku / Landwirt.com