spot_img
HomeBUJKUKultivimi i sallatës së gjelbër, spinaqit dhe karotës

Kultivimi i sallatës së gjelbër, spinaqit dhe karotës

spot_img

Sallata jeshile, spinaqi dhe karota janë bimë shumë të rëndësishme të dietës së njeriut. Përmbajtja e lartë e disa lëndëve specifike (karotenoideve) e bën në mënyrë të veçantë karotën shumë të rëndësishme për mirë rritjen  e fëmijëve. Ndonëse bëjnë pjesë në familje të ndryshme, këto bimë kanë shumë gjëra të përbashkëta, si lidhur me kërkesat e tyre për tokë dhe klimë, ashtu edhe në mënyrën e kultivimit të tyre.

Që të tri, këto bimë janë të qëndrueshme ndaj temperaturave të ulëta. Ato durojnë ulje të temperaturës deri në -5, -60C. Për këtë arsye në zonat e ngrohta ato kultivohet në fushë të hapur edhe gjatë dimrit.  Ndërkohë, sidomos sallata jeshile dhe spinaqi kanë kërkesa të mëdha për dritë.  Kur ato mbillen dendur, ose në bashkëshoqërim me bimë të tjera që i hijezojnë, formojnë bimë të dobëta, ta pazhvilluara mirë dhe pa shije.

Sallata jeshile dhe spinaqi janë bimë të ditës së shkurtër. Kur dita zgjatet mbi 12 orë nxjerrin kërcejtë lulorë dhe lulëzojnë. Kjo është arsyeja, që këto bimë duhet të mbillen në vjeshtë, ose herët në pranverë. Kohët e fundit janë krijuar megjithatë kultivarë sallate që mund të rriten pa lulëzuar edhe gjatë verës.

Kërkesat për ujë, tokë dhe plehra të sallatës, spinaqit dhe karotës janë të mëdha. Në kushtet e mungesës së ujit, gjethet e sallatës mbeten të vogla dhe të ashpra, kurse frut rrënjorët e karotës të parritur dhe të deformuar. Ato kërkojnë toka të lehta, të pasura me lëndë organike dhe që e ruajnë mirë lagështinë, të përgatitura mirë dhe të punuara thellë. Sallata dhe spinaqi zhvillojnë masë të madhe vegjetative kur plehërohen me plehra azotike. Por shpërndarja e tyre duhet bërë me kujdes sepse teprica e tyre në tokë bën që në gjethet e bimëve të grumbullohen me shumicë lëndë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Për të parandaluar këtë rrezik, plehërimet me plehra azotike ndërpriten 3-4 javë përpara fillimit të vjeljes.

Teknologjia e kultivimit të sallatës

Për përgatitjen e tokës, bëhen një ose disa punime. Këto bëhen të mekanizuara, ose edhe me krahë në kushtet e serave pa mundësi mekanizimi. Toka këshillohet të përgatitet në formën e vllajave të ngritura dhe mbjellja në formën e lentave.

Sallata mund të mbillet me farë direkt në vendin e përhershëm. Në këtë rast kërkohet përgatitje shumë e mirë e tokës dhe fara hidhet në brazda të cekëta, zinxhir. Pas mbirjes së plotë, bimët rrallohen duke i lënë në distancat e paracaktuara, ndërsa shërbimet e tjera janë të njëjta me ato të sallatave të kultivuara me fidanë.

Image result for green salad plants

Ndonëse, mbjellja me fidanë me rrënjë të zhveshura është mënyra më e përhapur, rezultate më të mira arrihen nëpërmjet shfrytëzimit të kubikëve. Prodhimi i fidanëve në këtë rast realizohet në kaseta polisteroli, ose plastike me dendësi 400-500 fidanë/m2. Fidanët e sallatës bëhen të gatshëm për mbjellje, 25-30 ditë pas mbjelljes, kur kanë formuar 4-5 gjethe. Në rastet e mbjelljes së fidanëve me rrënjë të zhveshura, rrënjët priten lehtësisht dhe banjëzohen, kurse gjethet e bimëve duhet të lihen të pa prekura. Distancat e mbjelljes së bimëve këshillohet të jenë 30-40 cm midis rreshtave dhe 15-20 cm midis bimëve, në varësi nga pjelloria e tokës, kultivari dhe koha e mbjelljes.

Rritja e sallatës jeshile mund të përshpejtohet në mënyrë të konsiderueshme, prodhimi të rritet dhe cilësia e saj të përmirësohet, nëse mbjellja bëhet në tokë të mulciruar me polietilen. Në këtë mënyrë rritet temperatura e tokës, pengohet rritja e barërave të këqija dhe pakësohen nevojat për ujitje. Nëse për këtë qëllim do të përdoreshin fletë polietileni dyngjyrëshe (bardhë dhe zi), do të ishte edhe më mirë, sepse ndërsa ngjyra e errët pengon mbirjen e barërave të këqija, ngjyra e bardhë e sipërfaqes së tij pasqyron dritën e diellit dhe përmirëson prodhimin dhe cilësinë e sallatës jeshile.

Falë ciklit të shkurtër vegjetativ dhe shumëllojshmërisë së kultivarëve e karakteristikave të tyre biologjike mbjellja e sallatës mund të bëhet pothuajse në çdo kohë të vitit. Mbjellja e saj mund të bëhet edhe e bashkëshoqëruar me kultura të tjera intensive (domate, spec, patllixhan), për arësye se gjatësia e ciklit vegjetativ, thellësia e shtrirjes së sistemit rrënjor dhe lartësia e bimëve janë krejt të ndryshme nga ato të kulturave bazë.

Shërbimet që i kryhen sallatës gjatë vegjetacionit janë të thjeshta. Ato konsistojnë në zëvendësimin e bimëve që nuk kanë zënë, apo janë dëmtuar, 1 ose 2 dy prashitje, ujitjet dhe plehërimet. Ujitjet duhet të jenë të shpeshta, por me doza të vogla uji. Ato duhet të kryhen në orët e para të ditës dhe mundësisht në ditë me diell, në mënyrë që gjethet e bimës të jenë të thata gjatë orëve të natës. Një masë e tillë është shumë e rëndësishme nëse ujitja e bimëve bëhet në formë shiu.

Teknologjia e kultivimit te spinaqit

Spinaqit mund të mbillet si në fushë të hapur, ashtu edhe në sera. Në teknologjinë e kultivimit të spinaqit rëndësi e veçantë i kushtohet mbirjes së shpejtë dhe të njëkohshme të farave dhe më pas sigurimit të njëtrajtshmërisë në ritmet e zhvillimit të bimëve. Për këtë vëmendja përqendrohet në përgatitjen e mirë të shtratit rrënjor, nëpërmjet kryerjes në kohë dhe me cilësi të punimeve.

Related image

Mbjellja e spinaqit bëhet me farë, në rreshta 25-30 cm larg nga njëri-tjetri, në thellësi 1-1.5 cm. Mbjellja bëhet me makina mbjellëse dhe në sipërfaqe të vogla me dorë. Për mbjellje përdoren 20-25 kg/ha farë.

Spinaqi ashtu si perime të tjera gjethore, falë vegjetacionit të shkurtër, krijon mundësinë e shfrytëzimit të serave në periudha të lira nga kulturat intensive. Më të zakonshme mbjelljet e spinaqit në sera janë në vjeshtë, në periudhën Shtator-Nëntor dhe shfrytëzimi i tyre me spinaq deri në prag të mbjelljeve të kulturave intensive pranverore. Megjithatë, në tunele të vegjël apo në mjedise të tjera të ngjashme me ata, mbjellja e spinaqit mund të bëhet edhe në pranverë, në periudhën Janar-Shkurt dhe vjelja e tij në periudhën Prill-Maj. Ndonëse, këto mbjellje korrespondojnë me mbjelljet pranverore të spinaqit në fushë të hapur, rendimenti dhe në mënyrë të veçantë cilësia e prodhimit janë shumë më të mira. Gjithsesi, mbjelljet e vonuara në pranverë nuk janë të këshillueshme, sepse bimët rrezikohen nga lulëzimi i parakohshëm, si pasojë e zgjatjes së ditës. Në raste të tilla bimët formojnë vetëm një numër të vogël gjethesh, prodhimi është i ulët dhe cilësia e tij e keqe.

Në mbirje spinaqi është shumë i ndjeshëm kundrejt mungesës së ujit në tokë. Për këtë arsye, pas mbjelljes së tij janë të domosdoshme disa ujitje të lehta për të realizuar mbirje të shpejta dhe të njëkohshme. Është e këshillueshme që ujitjet e para të bëhen me impiante shi hedhëse, ndërsa më vonë ato mund të kryhen edhe nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika, apo mënyra të tjera të ujitjes. Spinaqi, gjatë mbirjes është gjithashtu shumë i ndjeshëm ndaj formimit të kores që formon toka pas ujitjeve apo shirave të rrëmbyera. Për të parandaluar këtë fenomen, në shumë raste këshillohet të kryhet para ujitja e tokës në vend të ujitjeve për mbirje pas mbjelljes. Në çdo rast ujitjet duhet të bëhen me norma të vogla uji, por të shpeshta, në mënyrë që përmbajtja e ujit në tokë të jetë sa 60-70% e kapacitetit të saj ujëmbajtës. Mbjellja e spinaqit me fidane te parapergatitur ne kaseta polisteroli eshte nje praktike pak e njohur, por gjithsesi shume efektive ne shfrytezimin intensive te tokes ne mjedise te mbrojtura. 

Fidane spinaqi në kaseta polisteroli

Pas mbirjes së plotë dhe daljes së gjetheve të vërteta, spinaqit i bëhet bëhet një capitje e lehtë e shoqëruar me rreth 1 kv/ha plehra azotikë, për të favorizuar rritjen e shpejtë të bimëve. Njëkohësisht me to bëhet zëvendësimi i boshllëqeve me bimë të pambira në rresht dhe rrallimi i bimëve të dendura, duke i lënë ato 5-7 cm larg nga njëra tjetra. Pas plehërimit të parë, në varësi nga pjelloria e tokës dhe gjendja e bimëve, bëhen edhe 1-2 plehërime të tjera plotësuese me plehra azotike, por gjithmonë jo më vonë se 3-4 javë përpara vjeljes së bimëve.

Teknologjia e prodhimit të karotës

Në teknologjinë e prodhimit të karotës, përgatitja e mirë e tokës është gjithashtu e një rëndësie të veçantë. Ajo ka fara të vogla dhe që mbijnë me vështirësi, kështu që ajo kërkon toka të përgatitur shumë mirë.  Mbjellja e karotës mund të kryhet në kohë të ndryshme të vitit, por afatet më të zakonshme janë në pranverë (Janar-Shkurt) dhe vjeshtë (Gusht-Shtator). Mbjellja bëhet në rreshta, me dorë në sipërfaqe të vogla, ose e mekanizuar. Meqenëse karota ka farë të imët, ajo përzihet me rërë, për ta shpërndarë më lehtë dhe uniformisht. Farat e tyre mund të përzihen gjithashtu edhe me farë sallate, e cila meqenëse mbin shpejt, shërben si shënues i rreshtave të bimëve ende të pambira.

Image result for carrots plant

Midis shërbimeve pas mbjelljes tre janë më të rëndësishmit; ujitja, rrallimi dhe lufta kundër barërave të këqija. Ujitja është e domosdoshme për sigurimin e mbirjeve. Duhen disa ujitje në formë shiu, çdo 2-3 ditë, derisa të fillojë mbirja e bimëve. Ujitjet vazhdojnë edhe gjatë vegjetacionit, por gjithmonë me norma të vogla uji dhe pa lejuar të formohen vatra uji mbi tokë. Në të kundërt bimët preken rëndë nga sëmundjet kërpudhore.

Rrallimi është proces shumë i rëndësishëm për sigurimin e numrit optimal të bimëve. Ai kryhet në fazën e 2-3 gjetheve, duke lënë vetëm 150-200 bimë/m2 Moskryerja e rrallimit, ose kryerja me vonesë e tij e ul prodhimin dhe dëmton cilësinë e frut rrënjorëve. Luftimi i barërave të këqija është jetik për bimët e porsambira. Luftimi i tyre bëhet duke i trajtuar tokën para, ose gjatë mbjelljes me herbicide me natyrë selektive. Luftimit të barërave të këqija i shërbejnë gjithashtu prashitjet periodike, të cilat në përgjithësi shoqërohen me plehra kimike. Karota reagon shumë mirë ndaj fosforit kur është në moshë të re. Për këtë arsye, plehërime shoqëruese me azot dhe fosfor janë shumë të dobishme për mbjelljet e hershme të karotës./Këshilluesibujqësor

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme