spot_img
HomeBUJKUBlegtoriFaktorët që ndikojnë në prodhimin dhe cilësinë e qumështit

Faktorët që ndikojnë në prodhimin dhe cilësinë e qumështit

spot_img

Lopa si bazë e prodhimit të qumështit

Prodhimtaria e qumështit në realitet paraqet përpunimin e qumështit në organizmin e lopës dhe shndërrimin e tij në prodhim me vlerë të lartë ushqyese për njeriun – qumësht. Për të realizuar atë prodhimtari njeriu duhet të organizoj procesin e prodhimit dhe t’i plotësoj kushtet që ajo pa pengesa të zhvillohet. Për një organizim të tillë duhet njohur proceset fiziologjike të lopës dhe të krijoj mundësi të tillë të ambientit që të realizohet kjo prodhimtari. Lopa është tërësi komplekse më karakteristika anatomike dhe fiziologjike dhe në mes lopëve çdo herë është e pranishme vetia e variabilitetit, që për këtë arsye edhe kapaciteti prodhues është i ndryshëm për çdo krerë.

Mu për këtë arsye çdo lopë si njësi prodhuese kërkon kushte të jashtme specifike për trupin e saj si uzinë biologjike. Kjo tërësi dhe kërkesë në fermë është shumë e vështirë të realizohet dhe për këtë arsye formohen gupe të lopëve tek të cilat elementi riprodhues dhe prodhues përafërsisht është i njëjtë.

Statusi i lopës si bazë e njësisë prodhuese më së shumti është i shprehur në fermat me prodhimtari të lartë të qumështit dhe në ato me nivel më të ulët të prodhimit. Si përfundim mund të themi se tretmani individual ose ai grupor në fermë mund të zbatohet vetëm sipas mundësive teknike dhe llogarisë ekonomike. Sipas të dhënave të literaturës, në vetitë elementare biologjike (anatomike dhe fiziologjike) të krerëve në prodhimtarinë e qumështit përfshihen:

a. Vetitë e specifike – ku hyjnë, kapaciteti prodhues i lopës, proceset specifike

fiziologjike dhe të metabolizmit, ndërtimi anatomik i gjirit, proceset e tajitjes së qumështit, ndërtimi i eksterierit të lopës, etj.

b. Vetitë e karakterit jo specifik – ndërtimi konstitucional, kondicioni i lopës, jetëgjatësia, pjelloria apo reproduksioni, mosha, etj.

Kapaciteti prodhues i lopës

Me kapacitet prodhues të lopëve nënkuptojmë atë prodhimtari që lopa mund të japë gjatë 305 ditëve prodhuese e cila fillon me pjelljen dhe vazhdon në kushte normale të ushqimit, kujdesit, mbrojtjes shëndetësore dhe ndikimit negativ që mund të ketë qumështi në shëndetin e saj. Sipas kësaj, kapaciteti prodhues i përgjigjet nivelit të prodhimit tek i cili lopa mbetet e shëndoshë, pjellore dhe e aftë për prodhimtari në një periudhë sa më të gjatë jetësore. Për dallim nga kapaciteti normal (optimal) i prodhimit, është e mundur që me organizim të teknologjisë më të mirë të mbarështimit dhe sigurimit të ushqimeve më cilësore, lopës t’i ndihmojmë që deri në një shkallë ta rris kapacitetin prodhues deri në kufirin e sajë biologjik. Kjo mundësi e shfrytëzimit “dhunimit” të potencialit prodhues të lopës shkakton stres me pasoja negative, si janë: shkurtimi i kohës së shfrytëzimit, zvogëlimi i shkallës së riprodhimit, etj.

Kapaciteti prodhues është në funksion të vlerave trashëguese dhe ndikimit të faktorëve të jashtëm të cilët ndikojnë në procesin e formimit të kapacitetit prodhues.

Këtë raport mund ta shprehim me anë të formulës:

KP = Bgj + Fe

KP – kapaciteti i lopës për prodhimin e qumështit.

Bgj – baza gjenetike e lopës për prodhimin e qumështit.

Fe – faktorët ekologjik në realizimin e kapacitetit prodhues.

Kapaciteti prodhues, në realitet është mundësia e lopës për të prodhuar në kohën kur edhe rritja dhe zhvillimi trupor i sajë është përfunduar. Kjo do të thotë se kapaciteti prodhues i lopës me avancimin e moshës së sajë, rritet deri në përfundimin definitiv të rritjes dhe pastaj vjen duke u ulur. Për të realizuar prodhimtarinë maksimale të qumështit nuk mjafton të posedojmë vetëm kapacitetin prodhues, por duhet siguruar edhe kushte të caktuara që do të mundësojnë realizimin e kapacitetit prodhues në dhënien e qumështit.

Për këtë arsye, prodhimtarinë e qumështit mund ta paraqesim në funksion të kapacitetit prodhues (KP) dhe kushteve të mjedisit (ambientit) në prodhimtarinë e qumështit.

PQ = KP + Km

PQ – prodhimtaria e qumështit

KP – kapaciteti prodhues

Km– Kushtet e mjedisit.

Sa më optimale që të jenë kushtet e prodhimtarisë atëherë edhe kapaciteti prodhues do të shfrytëzohet më mirë. Rritja e prodhimtarisë së qumështit nga lopa arrihet edhe me masa seleksionuese. Prodhimtaria e qumështit, në realitet shumë rrallë e arrin kapacitetin prodhues. Ajo zhvillohet në nivel diç më të ulët, e që është rezultat i ndikimit të kushteve të mjedisit në prodhimtari dhe raporteve ekonomike.

Ndikimi i madhësisë trupore në kapacitetin prodhues për qumësht

Me rritjen e madhësisë së lopës rritet edhe masa e sajë biologjike, e cila paraqet mundësi për një prodhimtari më të lartë të qumështit. Ky raport nuk është linear pasi që me rritjen e masës trupore nuk rriten proporcionalisht edhe organet të cilat janë të kyçura në prodhimtarinë e qumështit. Kjo praktikisht do të thotë që lopa me masë trupore 700 kg nuk ka kapacitet prodhues të dyfishuar krahasuar me lopën me masë trupore 350 kg.

Në përgjithësi, është e kuptueshme se lopët e mëdha mund të japin më shumë qumësht se ato të voglat (pasi që masa e jep masën), mirëpo në kuadër të një race, lopët e vogla janë efikase në prodhimtarinë e qumështit duke marrë parasysh peshën dhe shndërrimin e ushqimit në qumësht.

Duke pasur në konsiderim raportin në mes të madhësisë së lopës dhe prodhimit të qumështit, respektivisht efikasitetin e lopës në prodhimtarinë e qumështit dhe duke vërejtur shndërrimin e ushqimit në qumësht dhe sasisë si njësi të prodhuar sipas normës trupore në prodhimtarinë e qumështit, duhet favorizuar lopët e mëdha por jo edhe tepër të mëdha (jashtë normativave racore). Lopët e vogla, edhe pse kanë efikasitet më të lartë në prodhimtarinë e qumështit, nuk kënaqin me sasinë e përgjithshme të qumështit të prodhuar.

Ndikimi i eksterierit në kapacitetin prodhues për qumësht

Përmes eksterierit të lopës në masë të madhe mund të përfundojmë për ndërtimin trupor të sajë. Ndërtimi trupor paraqet formën biologjike të masës dhe të kapacitetit prodhues të qumështit ku edhe ekzistojnë disa raporte. Mirëpo me ndërtimin trupor të lopës nuk mund të definojmë funksionalitetin i cili manifestohet nëpërmjet rrugës së prodhimit të qumështit. Mu për këtë kapacitetin e lopës për prodhimin e qumështit mund ta përcaktojmë në mënyrë të saktë përmes matjes (përcjelljes së prodhimtarisë).

Në praktikë shpesh ndodhë që të mos vërehen elementet prodhuese dhe këtë mund ta bëjmë përmes eksterierit të tipit të gjedhit.

Me rastin e vlerësimit të konstitucionit dhe të tipit të gjedhit përdoret vlerësimi subjektiv dhe matja e përmasave trupore. Te vlerësimi subjektiv i tipit, formës dhe gjirit duhet njohur karakteristikat e pamjes së tipit qumështor të lopës. Kështu, është e dëshirueshme që koka të jetë fisnike dhe e thatë, qafa e ngushtë, forma karakteristike e trupit në formë të trekëndëshit, thellësia e pjesës së pasme të trupit, me gjerësi të duhur të gjoksit, gjiri mirë i zhvilluar dhe i shprehur, me gjymtyrë të fuqishme dhe të thata, bisht të hollë, me skelet tërësisht të hollë dhe të veshur me muskulaturë mesatare.

Masat trupore ndihmojnë në caktimin e aftësisë prodhuese të qumështit në bazë të eksterierit, dhe këtu duhet cekur pikat kryesore të formatit trupor, si janë: lartësia e xhidavisë dhe gjatësia e trupit. Korrelacioni më i lartë në mes lartësisë së trupit dhe gjatësisë së tij, në masë të madhe përcaktojnë elementet e madhësisë së skeletit, që kjo paraqet bazën për përcaktimin e masës biologjike në prodhimin e qumështit.

Sipas shumë hulumtuesve raporti në mes të lartësisë së xhidavisë dhe dhënies së qumështit si dhe gjatësisë së trupit dhe dhënies së qumështit sillet në korrelacion nga i ulëti e deri te ai më i buti. Përcaktimi i dhënies së qumështit sipas tipit është subjektiv dhe këtë masë në raport me dhënien e qumështit mund ta konstatojnë zooteknikët me përvojë, në mënyrë që vlerësimi i përcaktuar i dhënies së qumështit të jetë sa më i përafërt.

Ndikimi i konstitucionit në lartësinë dhe zgjatjen e prodhimtarisë së qumështit

Konstitucioni është aftësia e përgjithshme e organizmit dhe reagimit të suksesshëm të tij nga ndikimi negativ i faktorëve të mjedisit. Vetitë e konstitucionit organizmi i fiton nga trashëgimi, ndërsa realizohen në kushtet e caktuara të faktorëve të jashtëm. Krerët me konstitucion të mirë më lehtë i përballojnë faktorët negativ të cilët lajmërohen në prodhimtari dhe mu për këtë arsye në prodhimtari duhet shfrytëzuar krerët me konstitucion të fuqishëm të cilët për një periudhë më të gjatë japin prodhimtari të lartë, pa paraqitje të sterilitetit, ulje drastike të prodhimit, sëmundje të gjymtyrëve, gjirit, etj. Edhe pse konstitucioni është shprehje komplekse fiziologjike, ai në masë të madhe mund të vlerësohet edhe nga vrojtimi i jashtëm i drejtpërdrejtë i lopës. Mu për këtë arsye ekzistojnë shprehjet e konstitucionit të fuqishëm, vrazhdë, delikat dhe limfatik (i butë).

Ndikimi i kondicionit trupor në prodhimin e qumështit

Gjatë prodhimtarisë së qumështit, gjegjësisht gjatë fazës së laktacionit, lopa humbë energji të madhe dhe mu për këtë në periudhën e tharjes parashihet që të ushqyerit të jetë sa më i kompletuar, me mbajtje të lopëve në formën lëvizëse dhe në ajër të pastër, në mënyrë që lopa të fitoj kondicion dhe rezerva të caktuara, sidomos lëndët proteinike, minerale dhe vitamina. Në rastet kur lopa hynë në fazën e pjellës me kondicion të dobët, do të ketë prodhimtari të dobët të qumështit dhe ulje të laktozës në qumësht.

Kapaciteti i lopës, në mënyrë më praktike, më së miri mund të rregullohet në fazën e tharjes, meqenëse gjendja e kënaqshme mund të arrihet me mbarështim të mirë dhe ushqim cilësor edhe gjatë periudhës së laktacionit. Është konstatuar se periudha më e volitshme e fazës së tharjes është koha prej 40-70 ditë para pjelljes. Zgjatja më e madhe e fazës së tharjes nuk ka treguar efekte pozitive dhe përdoret vetëm në rastet kur lopa ka kondicion tepër të dobët dhe është e nevojshme që të ndërmerren masa ordinere, apo në rastet kur dëshirojmë të përmirësojmë gabimet e bëra me futjen e parakohshme të mështjerrave në reproduksion. Në këto raste atyre u nevojitet më tepër kohë për të përmirësuar kondicionin.

Përndryshe, gjendja e kondicionit lidhet me kondicionin e frytit dhe prodhimin e qumështit, e më së paku me zhvillimin e masës biologjike të saj. Kjo dukuri më së shumti është e shprehur te kafshët me prodhimtari të lartë të qumështit. Sipas hulumtimeve të shumta është vërtetuar se periudha më e gjatë e tharjes, në laktacionin vijues ka më shumë reagime tek lopët e reja se sa tek ato të vjetrat.

Ndikimi i pjellorisë së lopëve në prodhimin e qumështit

Reproduksioni i gjedheve paraqet bazë materiale të prodhimit të qumështit. Edhe pse lopa mund të jep sasi më të vogla të qumështit për 2-3 vjet dhe në ndërkohë të mos pjellë, për prodhimtari të kënaqshme të qumështit është parakusht që lopa rregullisht të pjellë. Diferenca ideale e pjelljes së lopës me veti të kombinuara është rreth 12 muaj, që do të thotë pjellje për çdo vit. Për lopët me prodhimtari të lartë të qumështit, diferencë ekonomike dhe e kënaqshme e pjellës është koha prej 13 muajve. Në këtë rast laktacioni zgjat rreth 335 ditë. Ndryshimet në prodhimin e qumështit si rezultat i mos pjelljes së rregullt, duhet shikuar si humbje financiare e prodhimtarisë.

Ndikimi i moshës në prodhimin e qumështit

Është e njohur se me rritjen e krerëve, në mënyrë permanente rritet edhe kapaciteti prodhues i tyre. Kapaciteti maksimal i lopës arrihet me rritjen përfundimtare të tërë trupit dhe të gjitha organeve. Me arritjen e funksionimit maksimal të organeve, prodhimtaria e qumështit arrin kapacitetin më të madh të saj. Intensiteti i rritjes së sasisë së qumështit është veti e caktuar gjenetike dhe dallohet në mes racave të ndryshme, që do të thotë se sa më qumështore të jetë raca, ka edhe intensitet më të lartë të dhënies së qumështit. Kështu p.sh. raca Holshtajn frizis prodhimtarinë maksimale e arrin në moshën 5-6 vjeçare (laktacioni 4-5). Sipas hulumtimeve amerikane, lopët e racës Holshtajn frizis, maksimumin e prodhimtarisë së qumështit e arrijnë në moshën 6 vjeçare.

Tabela 3. Prodhimi i qumështit të racës Holshtajn frizis, varësisht nga mosha Mosha në vite %
3 79,7
4 92,3
5 96,5
6 100

Ndikimi i stinës së pjelljes në prodhimin e qumështit

Stina e vitit kur ndodhë pjellja, respektivisht qëndrueshmëria e disa periudhave brenda vitit, kanë ndikim të madh në prodhimin e qumështit. Kjo ndryshueshmëri e periudhave të caktuara vjetore shihet nga aspekti i kushteve klimatike, ndryshueshmëria në përdorimin e ushqimeve, kushtet e mbajtjes dhe përkujdesja. Sipas shumë hulumtimeve periudhat me temperatura të larta në mënyrë negative ndikojnë në dhënien e qumështit, e posaçërisht në përmbajtjen e yndyrës në qumësht. Kufijtë e lejuar për lopën që pjellë janë në mes temperaturës 5-23oC. Nëse temperatura ulet nën 5oC, nuk do të ketë ndikim negativ, me kusht që të sigurohet ushqim cilësor dhe kujdes më i mirë. Temperatura 14oC nën zero (-14oC ) mund të ketë ndikim negativ të theksuar në prodhimtarinë e qumështit. Racat e mëdha, në laktacion u përballojnë temperaturave të ulëta më mirë krahasuar me ato të imtat.

Me uljen e temperaturës vjen deri te rritja e përmbajtjes së yndyrës dhe materieve të thata jo yndyrore në qumësht. Nëse temperaturat janë të larta, atëherë në mënyrë lineare vjen deri te rritja e dhënies së qumështit dhe komponentëve të materieve të thata në qumësht (mbi 35oC). Nga ndikimi i temperaturave të larta rritet marrja e ujit, rritet temperatura trupore dhe rritet ritmi i frymëmarrjes. Ndaj temperaturave të larta racat e imta (p.sh. raca Xherzej) janë më të qëndrueshme krahasuar me racat e mëdha (Holshtajn frizis).

Kur flasim për ndikimin e stinës së pjellës në prodhimin e qumështit duhet pas parasysh edhe mundësitë tekniko teknologjike të cilat mund të kenë rol pozitiv në faktorët e lartshënuar./Gazeta Bujku 

Libri: “Blegtoria e Veçantë”

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme