spot_img
HomeBUJKUDëmtuesit e bletëve

Dëmtuesit e bletëve

spot_img

Nga Nehru Salihu – Bletarë

TEJA (krimbi i dyllit)

Prodhimet e bletëve i dëmtojnë disa lloje të tejës. Dëmet më të mëdha i shkakton teja e madhe e dyllit (lat. Galleria mellanella) si dhe teja e vogël e dyllit (Achroea grisella Fabr). Këto dy lloje të tejës sulmojnë mjaltin, dyllin dhe pjalmin. Nëse gjatë verës zgjoi i bletëve mbetët pa mëmën e bletëve dhe dobësohet apo për ndonjë arsye tjetër kosherja mbetët pa bletë, do të vërejmë se për një kohë relativisht të shkurtër të gjitha hojet në koshere do të shndërrohen në një masë të dendur si fijet e merimangës dhe me mbeturina të jashtëqitjes së tejës dhe larvat e tyre.

Larvat e Tejës

Në SHBA vlerësojnë se teja shkakton dëme më të mëdha se sa shkakton pesta amerikane. Këto dëme janë të konsiderueshme që i shkaktohen bletarisë dhe ekonomisë në përgjithësi. Teja e rritur është flutur e natës dhe jo aq e lëvizshme. Femra e tejës ka gjatësi rreth 2.cm. dhe ka ngjyrë më të errët, krahasuar me mashkullin e saj, të cilët janë edhe më të vegjël se ajo. Madhësia e tejës varet në masë të madhe nga disa faktorë, si: kohëzgjatja e lindjes së tyre e në çka ndikon begatia e ushqimit të larvës së saj dhe temperaturave të ulëta. Teja lind nga veza për 4 javë e gjer 6 muaj (varësisht nga ushqimi dhe temperatura). Femra e tejës lëshon 300 e gjer mbi 600 vezë. Në temperaturë 30 – 32 °C, femra e mbarësuar e tejës jeton gjerë 7 ditë, ndërsa në temperatura më të ulëta ato jetojnë dukshëm më gjatë. Vezët i lëshon në zgavrat e ndryshme në koshere apo dysheme, por edhe në hoje aty ku nuk ka bletë. Ajo i lëshon vezët në grumbuj gjer 150 vezë.

Kur janë temperaturat 29 – 35 °C, pas 3 – 5 ditë dalin larvat, kurse në temperatura më të ulëta ky zhvillim ndodh pas 35 e më tepër ditësh. Pas lindjes ato e kanë formën e krimbit me ngjyrë të bardhë dhe janë mjaft të lëvizshme. Nëse gjenden në koshere ushqehen me prodhimet e bletëve.

Luftimi i Tejës (krimbit të dyllit)

Luftimi i suksesshëm i tejës bëhet: nëse jemi të kujdesshëm me mirëmbajtjen e kosheres e sidomos dyshemenë e kosheres. Në pranverë dyshemenë duhet ta pastrojmë mirë si dhe zgjojet e bletëve të jenë të shëndetshme dhe të forta. Sepse, siç dihet, tek zgjojet e dobëta shumë lehtë mund të paraqitet ky dëmtues, prandaj preferohet që në koshere (jashtë sezonit të bujshëm) të lëmë vetëm aq korniza sa mund t`i mbulojnë bletët. Hojet të cilat i largojmë nga kosheret mund t`i mbrojmë me temperatura të ulëta si dhe me preparate kimike, acide të ndryshme (uthull, maja uthullës, acid oksalik, acid formik e tj) dhe me gaz.

Gjatë kontrollit të koshereve që janë të sulmuara nga teja, të gjitha mbeturinat i djegim kurse kosheret të cilat janë të sulmuara më shumë, edhe ato i asgjësojmë – i djegim, sepse ato përsëri do të sulmohen nga teja dhe vazhdimisht do të jenë vatër e sëmundjes. Nëse i gjejmë tejat e gjalla i mbysim me ndrydhje apo mënyrë tjetër. Nëse kemi hoje që janë të dëmtuara pjesërisht, ato me më shumë tenjë i djegim, kurse sasinë e mbetur e shkrijmë në dyllë.

Hojet e përdorura dhe prodhimet e bletëve (mjalti, pjalmi, dylli) më së miri mbrohen me temperatura të ulëta.

Morri i bletëve

Morri i bletëve i takon grupit të insekteve dykrahësh, edhe pse ai nuk ka krah. Morri i bletëve shumë i përngjan rriqrës së bletës – varoës. Kjo ngjashmëri e morrit me varoën ka sjellë shumë dëme në vende të ndryshme për shkak të mos identifikimit të varoës, për të cilën shumë bletarë kanë menduar se kanë të bëjnë me morrin e bletëve. Por ka ndodhur edhe e kundërta: në raste kur bletarët duke e parë morrin kanë menduar se është rriqra – varoa, por duhet ditur se kanë ngjyrë të njëjtë, andaj edhe hutia në identifikimin e morrit dhe varoës nuk është e lehtë.

Forma e trupit të morrit i është përshtatur jetës parazitore, nuk ka krah dhe sy, ndërsa antenat i ka shumë të vogla, është në formë thuaja se të rrumbullakët me ngjyrë të kuqe të mbyllët, ka gjatësi afërsisht 1,5 mm dhe gjerësi afërsisht 1 mm.

Femrat e morrit vezët i lëshojnë nën shtresën e dyllit me të cilën bletët e vulosin mjaltin dhe pjalmin, pasi ato të lindin ushqehen me dyllë dhe pjalm nga mbulesa e vulosjes së hojeve. Këtë dëmtues e gjejmë tek bletët punëtore dhe tek brumbujt, por me së shumti i hasim në trupin e mëmave të bletëve. Në raste kur zgjoi është i sulmuar shumë, në trupin e mëmës së bletëve mund të hasim edhe në 20 e më tepër morra. Ata ushqehen me mbeturinat e ushqimit në gojën e bletëve e nga të cilat më së shumti i përgjigjet qumështi i mëmës, për atë edhe më së shumti e sulmojnë mëmën e bletëve, sepse atë e ushqejnë bletët e reja me qumështin e mëmës, e që kjo e zvogëlon sasinë e ushqimit që e merr mëma, ajo shqetësohet dhe i çrregullohet puna e saj dhe si pasojë lëshon më pak vezë. 

Luftimi i morrit të bletës

Për luftimin e morrit të bletës duhet të kemi parasysh se gjatë kohës së vjeshtës së vonshme dhe dimrit, vezët e tija të cilat janë në mjaltë, nuk lindin dhe se të gjithë morrat e lindur gjendën në trupin e mëmës së bletëve dhe në bletët punëtore, prandaj preferohet luftimi i tij me preparate kimike.

Preparatet më të preferuara janë: FENOTIAZIN, FOLBEX, TIMOL dhe NAFTALINA; të gjitha këto preparata kanë dhënë rezultate të mira nëse janë përdorur sipas udhëzimeve të prodhuesve. Vlen të përmendet se të gjitha këto preparata njëherit e luftojnë në masë të caktuar edhe akarozën dhe varoën – rriqrën e bletëve.

Thnegla (buburreci)

Bletët i dëmtojnë disa lloje të thneglave. Thneglat jo vetëm se e “vjedhin” mjaltin, por i shqetësojnë dukshëm zgjojet e bletëve e nëse janë në numër të madh këto shqetësime ndodh që të rezultojnë edhe me shkatërrimin e komplet zgjoit. Në rastet kur e vërejmë se bletët janë të sulmuara dukshëm nga thneglat – buburrecat, më së miri është që në rreth prej 100 metrash ta gjejmë vendqëndrimin e tyre – çerdhen dhe ta asgjësojmë atë. Edhe ata është mjaft vështir që t`i asgjësojmë, por megjithatë këtë mund ta bëjmë në disa mënyra:

Çerdhen e tyre e përvëlojmë me një sasi të konsiderueshëm të ujit të vluar;
Nëse në afërsi kemi më shumë çerdhe të thneglave atëherë përgatisim një tretje si në vijim: 100 litra ujë, 1. kg sapun të grimcuar mirë dhe në ujë e sapun shtojmë 1 litër vajguri, këtë tretje e përziejmë mirë, e hapim çerdhen dhe në te hedhim një sasi të tretjes së përgatitur. Këtë e përsërisim në të gjitha çerdhet;

Çerdhen e hapin dhe pastaj në të hedhim një sasi nafte apo benzine dhe pastaj me kujdes atë e ndezim. Këto ishin disa mënyra të luftimit të thneglave, por preferohet që kohë pas kohe pjesën e poshtme të bazamenteve ta lyejmë me vaj të djegur makinash. Për bletarët që kanë numër më të vogël të zgjojeve dhe në bazamente nga metali, ndoshta do të përgjigjej që këmbët e bazamenteve t`i vendosin në enë të vogla metali dhe në to të hedhin një sasi vaji makinash të djegur.

Grerëzat dhe arëz

Grerëzat dhe arëzat paraqesin një problem mjaft të madh për bletët, sepse ato nëse shumëzohen në numër të madh mund të paraqesin një rrezik serioz për zgjojet e bletëve. Grerëzat ushqehen me trupin e bletëve dhe shpesh herë ato mund t`i hasim rreth koshereve dhe nganjëherë edhe brenda koshereve, kurse arëzat janë më të vogla dhe paraqesin rrezik më të vogël për vetë bletët, sepse ato ushqehen me prodhimet e bletëve, por sidomos në kohën e vjeshtës kur temperaturat ulën nën 15°C edhe ato sjellin dëme të mëdha tek zgjojet e bletëve e shpeshherë ato janë shkaktarë që të nxitet grabitja tek bletët.

Luftimi i grerëzave dhe arëzave

Tek grerëzat dhe arëzat dimërojnë vetëm femrat, më së lehti është që në pranverën e hershme t`i gjejmë çerdhet e tyre dhe me ndonjë preparat kimik apo me zjarr t`i asgjësojmë ato. Mënyra tjetër e preferueshme që t`i mbrojmë zgjojet tona është, që në ndonjë pemë afër zgjojeve të bletëve, në bletishte të varrim një shishë plastike të cilën do ta mbushim në masë rreth 30% me ndonjë lëng të ëmbël dhe në te të hedhim një sasi të vogël uthull. Uthulla do të ndikojë që në atë shishe mos të hyjnë bletët, kurse në anën tjetër do t’i tërheq grerëzat dhe arëzat.

Armiqtë e bletëve miu

Miu llogaritët si një armik serioz i zgjojeve të bletëve për shkak se ai di të sjellë dëme mjaft të mëdha tek zgjojet e bletëve e nganjëherë ai i shkatërron në tersi ato. Me hyrjen e miut në koshere gjatë kohës së dimrit, bletët shqetësohen sa janë në tufën për dimërim dhe me lëvizjen e tyre ato ftohën por edhe bien nga tufa dhe vdesin, kjo dukuri mund të sjellë edhe barkqitjën e bletëve. Miu në koshere hyn në vjeshtën e vonshme apo gjatë dimrit, kur ulën temperaturat dhe bletët janë të ngjeshura në tufë. Me qëllim që të hyjnë në koshere ata shpeshherë e zgjerojnë hyrjen në koshere, e sidomos në kosheret me kate të vendosura më larg vendbanimeve apo në male. Miu ushqehet me mjaltë, pjalm, me bletë të vdekura dhe të gjalla. Ata vendosën mes hojeve që i dëmtojnë dhe aty e formojnë çerdhen e vet e që bletari këtë e vëren zakonisht gjatë kontrollit pranveror ku në dysheme vërejmë mbeturinat e bletëve, hojeve të dëmtuara dhe jashtëqitjet e miut. Hojet e mbetura e të dëmtuara marrin erën e pakëndshme karakteristike të miut, e në të cilat mëma nuk lëshon vezë dhe bletët nuk merren me përpunimin e tyre.

Mënyrat e luftimit të miut

Në vjeshtë i ngushtojmë hyrjet në koshere ose i mbrojmë me krehër metalik apo nga plastika me qëllim që ta pengojmë hyrjen e miut në koshere. Nëse kemi vërejtur prezencën e numrit të madh të minjve në atë pjesë, atëherë vendosim kurtha – laqe të ndryshme apo ndonjë lloj helmi kundër tyre, por gjithmonë duke pasur parasysh që mos të vijnë në kontakt me helmin shpezët apo ndonjë kafshë shtëpiake. Në të njëjtën mënyrë i ruajmë edhe hojet dhe mjetet e tjera të punës që i kemi në ndonjë objekt. Nëse kemi vërejtur se miu ka hyrë në ndonjë koshere, atëherë në ditët e para me temperatura të përshtatshme e hapim kosheren dhe e eliminojmë nga aty, duke i kontrolluar të gjitha kornizat në koshere, hojet e dëmtuara i largojmë nga kosherja (pasi që ato nuk do t`i punojnë bletët) dhe nëse kemi, atë hapësirë e plotësojmë me hoje të tjera dhe e pastrojmë dyshemenë. Preferohet, nëse është konstatuar prezenca e një numri më të madh të minjve në bletishte apo rreth bletishtës, të digjet me kujdes bari i thatë në bletishte dhe nëse kemi mundësi rreth koshereve të derdhim hi zjarri.

Iriqi

Ndër armiqtë më serioz të bletëve të gjalla, sidomos gjatë muajve korrik dhe gusht, llogaritet iriqi. Bletët gjatë muajve me vapë, me qëllim të krijimit të temperaturave të përshtatshme në zgjua ku gjendet mbarësimi, gjatë natës bletët dalin në verandë dhe aty e krijojnë një tufë e të cilën bletarët shpeshherë e quajnë mjekra e bletëve. Ky veprim i bletëve ka për qëllim që të ruajnë mikroklimen e nevojshme brenda në koshere. Duke pasur parasysh që iriqi ushqehet edhe me insekte të ndryshme, ai i rrezikon dhe ushqehet me bletët që kanë dalë në verandë, kjo ka si pasojë zvogëlimin jashtë mase të bletëve punëtore çka sjellë dobësimin e zgjoit, çrregullimin e gjeneratave dhe reflektohet në mjaltë mbledhje.

Masat mbrojtëse

Preferohet që nëse vërejmë iriq në bletishte apo rreth saj që ata t`i eliminojmë dhe sidomos gjatë natës kohë pas kohe të kontrollojmë në bletishte se mos rastësisht është futur ndonjë iriq.

Ariu

Posaçërisht në viset malore ariu shpeshherë di të shkaktojë dëme të mëdha në bletishte, e nganjëherë e shkatërron komplet bletishten. Ariut i pëlqen mjalti dhe hojet me mbarësim, por edhe bletët si insekte. Ariu bletët i sulmon zakonisht gjatë natës. Pas “vizitës” së parë, zakonisht pas 7- 10 ditësh vjen në “vizitën” e dytë dhe kështu sa ta asgjësoi tërë bletishtën.

Në raste kur “vizita” e pare është e suksesshme, vështirë është që të mbrohemi nga ai. Mbrojtja më e mire është që të kujdestarojmë apo të improvizojmë një rrethojë me fije metalike teli e cila do të furnizohej me energji elektrike nga ndonjë bateri me tension të ulët. Nëse nuk kemi mundësi të mbrohemi në mënyrat e lartshënuar, preferohet që bletishten ta transferojmë në një lokacion tjetër ku nuk është e rrezikuar nga ariu, duke pasur parasysh se ariu bie në grupin e kafshëve të egra e të rralla e për të cilën arsye është edhe i mbrojtur me ligj dhe nuk guxon të vritet.

Shpezët

Dihet mirëfilli se shpezët ushqim kryesor i kanë insektet e ndryshme, e për fat të keq në këtë mes hyjnë edhe bletët. Disa nga to i kanë me ëndje edhe bletët. Në mesin e shpezëve që u sjellin dëme të konsiderueshme nëse gjendën afër bletishteve janë: pikthi, laraska, e nganjëherë edhe trumcaku, harabeli, dallëndyshja etj.

Bletarët janë dashamirë të mëdhenj të natyrës e në kuadër të saj edhe të shpezëve të ndryshëm e që ato janë edhe një stabilizator dhe mbajnë baras peshën biologjike në natyrë, duke e zvogëluar dukshëm masën e insekteve të ndryshëm e në këtë mënyrë shndërrohen në ndihmës të njeriut në luftë kundër llojeve të caktuara të insekteve e që janë dëmtues të kulturave të ndryshme.
Andaj çdo luftim i shpezëve të ndryshëm, përveç se nuk është human, por edhe për disa lloje është i kundërligjshëm, prandaj duhet të përpiqemi dhe të gjejmë mënyra me të cilat do të arrijmë që në momente të caktuara, kur është e nevojshme, t’i mbrojmë bletët tona.

Do të përmendim disa mënyra që janë treguar të suksesshme, si: pijetoret e ujit të freskët të bletëve preferohet që të vendosën pak më larg zgjojeve, në një vend ku nuk do të kenë qasje zogjtë e ndryshëm. Gjatë dimrit nëse bletët i rrezikon pikthi, atëherë preferohet që në një pemë në bletishte të vendosim ndonjë lëkurë të ndonjë kafshe me çka do ta tërheqim vëmendjen e pikthit e ai do të largohet nga zgjojet. Bletëve dhe prodhimeve të tyre dëme u sjellin edhe disa gjallesa të tjera si insekte dhe kafshë të ndryshme, por ato sjellin dëme në masë minimale, andaj nuk u kemi kushtuar vëmendjen tuaj. /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme