Search

Botohet libri ‘Kultivimi i Mjedrës’

561

Është botuar libri ‘Kultivimi i Mjedrës’ nga autoret Dr. sc. Kujtim Lepaja, Prof. dr. Agim Zajmi, Dr. sc Lavdim Lepaja.

Libri ‘Kultivimi i Mjedrës’, i pari i këtij lloji në botimet në gjuhën shqipe, jep një informacion të plotë mbi kultivimin e kësaj bime, e trajton atë qoftë në planin shkencor dhe në atë praktik, për të gjithë ata që duan të thellohen në këtë kulturë bujqësore.

Ky libër është një përmbledhje e plotë dhe e përgatitur me shumë detaje për të gjithë ata që duan të studiojnë, të merren apo të investojnë në kulturën e mjedrës, bimë me vlera të larta ushqimore për konsumatorin dhe me interes ekonomik për Kosovën.

Libri trajton me detaje te gjitha fazat e kultivimit të saj, duke e orientuar lexuesin në aspekte të ndryshme si veçoritë e bimës dhe kultivarët e saj, kushtet e mjedisit që favorizojnë kultivimin e saj, agroteknika e duhur nga ngritja e pemëtoreve deri në vjeljen e frutave dhe tregtimin e tyre, mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit etj. Jepet, gjithashtu, informacion ekonomik për rentabilitetin e kësaj kulture.

Veç përmbajtjes shkencore dhe këshillave praktike që jepen në të, libri është pasuruar me një numër të madh fotografish dhe skicash të një cilësie të lartë, e cila, së bashku me elegancën e formatimit, ka bërë që të dalë një botim i dobishëm dhe i këndshëm për lexuesit e interesuar në këtë fushë.

Libri është shkruar bazuar në përvojën praktike në mbikëqyrje të plantacioneve me mjedër, nga pjesëmarrja në konferenca të shumta shkencore, ditë fushore dhe punëtori të ndryshme të organizuara nëpër Evropë si dhe shumë raporte, punime e libra nga vendet ku e kanë të zhvilluar këtë kulturë bujqësore. /Gazeta Bujku