spot_img
HomeEKONOMIZonat ekonomike në Kosovë nuk kanë dhënë rezultatet e pritura; pse?

Zonat ekonomike në Kosovë nuk kanë dhënë rezultatet e pritura; pse?

spot_img

Për të nxitur zhvillimin ekonomik të Kosovës në vitet e fundit kanë filluar të krijohen zona ekonomike. Por këto zona ekonomike nuk kanë krijuar ndonjë efekt pozitiv për ekonominë e Kosovës. Për më tepër njohësit e fushës së ekonomisë kanë kundërshtuar hapjen e zonave ekonomike në shumë qytete të Kosovës, pasi që nuk janë të nevojshme për një treg të vogël siç është Kosova. Ata thonë se nëse shikohet në aspektin territorial, Kosova do të mund të funksiononte edhe vetëm si një zonë e lirë ekonomike.

Shumica nga këto zona ekonomike janë themeluar pa ndonjë analizë ekonomike paraprake në raport me tregun ndërkombëtar, në raport me investimet e jashtme dhe në raport me liberalizimin tregtar në përgjithësi.

Zonë e lirë ekonomike është një territor që ka një status të veçantë ekonomik. Ligji për zonat ekonomike në Kosovë parasheh katër lloje të zonave të lira ekonomike: zonat ekonomike apo parqet industriale, parqet teknologjike si dhe qendrat inovative.

Krijimi i zonave të lira ekonomike në Kosovë nga përfaqësues të institucioneve të vendit në vazhdimësi ishte theksuar si një përparësi për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.

Por, pavarësisht krijimit të këtyre zonave të lira ekonomike, ekspertët e fushës thonë se Kosova vazhdon të mbetet një nga ekonomitë më të pazhvilluara në rajon me një rritje ekonomike jo më shumë se 4 për qind dhe më shkallë të lartë të papunësisë mbi 30 për qind.

Zonat ekonomike kanë dështuar edhe në thithjen e investimeve të huaja në Kosovë

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se Kosova është njëra ndër vendet të cilat kanë nevojë më tepër për komponentë të cilat do të ndihmonin në krijimin e hapësirave te reja të punë.

Ai thotë se zonat ekonomike në Kosovë veprojnë sipas Ligjit të Zonave ekonomike, ku përkufizimi i “Zonë ekonomike” nënkupton një zonë gjeografike në kuadër të territorit shtetëror, që ka një status të veçantë ekonomik, e krijuar për qëllime të promovimit, zhvillimit të bizneseve.

“Zonat Ekonomike të krijuara në Kosovë nuk kanë ofruar përfitime të mjaftueshme për rritjen dhe zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve. Për më tepër ato kanë dështuar edhe në thithjen e investimeve të huaja në Kosovë, ashtu siç u promovuan në fillim. Po të shohim trendin e Investimeve të Huaja në Kosovë, do të shohim se ajo është në rënie e sipër që nga viti 2007”, thotë Beqiri.

Ai mendon se trendi i krijimit të zonave të reja ekonomike është më shumë politike se sa për qëllime të zhvillimit të bizneseve kosovare, shembull është krijimi i zonës ekonomike në Gjakovë për bizneset amerikane, pastaj tendenca për të krijuar zonë ekonomike në Malishevë e Vushtrri, pra zonat ekonomike nuk kanë dhënë efekt pozitiv dhe për rrjedhojë nuk do të duhej hiç të ekzistonin pasi që Kosova është vend i vogël dhe treg relativisht i vogël për të pas mbi 10 zona ekonomike.

“Pushtetarët e kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës pikërisht me zona ekonomike, ende nuk është kompletuar asnjë park i biznesit të gjitha investimet e deritashme kanë shkuar huq”, thotë Beqiri.

Aktualisht zonat ekonomike të cilat veprojnë në Kosovë janë: parku i biznesit në Drenas pastaj në Mitrovicë, parku teknologjik në Skenderaj, zona industriale në Suharekë, parku industriale holandez në Prizren, parku i biznesit në Vushtrri, parku teknologjik në Shtime, zona ekonomike në Gjilan si dhe zona ekonomike në Ferizaj. /tesheshi.com/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme