spot_img
HomeBUJKUZija Keshi - Fermeri që s'i gjendet shoqi në Shqipëri!

Zija Keshi – Fermeri që s’i gjendet shoqi në Shqipëri!

spot_img
Zija Keshi nga fshati Majtarë i trevës së Dibrës, duke e parë se kultivimi i aronisë është mjaftë fitimprurës, me forca tërësisht të veta ka ngritur një plantacion me këtë bime me vlera të jashtëzakonshme ushqyese e mjekuese.
Aronia është frut i cili përveç përdorimit si ilaç, është bërë pjesë e ushqimit të shëndetshëm të kategorisë së parë në ditët e sotme. Ajo mund të konsumohet si e freskët (apo e ngrirë), e terur, ose nga frutat e saj mund të prodhohen lëngje, komposto, marmelata, xhem, çaj, sallatë etj.
Nga kultivimi i aronisë, Zijahu nuk ndihmon vetëm familjen e tij por edhe komunitetin të cilët përfitojnë materialisht duke u angazhuar me vjeljen e frutave.
Përveç kultivimit te aronisë, Zijahu në fermën e tij kultivon edhe shumë lloje frutash nga më të ndryshme si: boronica, goji berry, rrush serezi, molla e dardha të varieteteve siberiane, kubane, japoneze, lajthi turke e shumë pemë tjera.
Çdo vit që shkoj për pushime në llixhat e Peshkopisë (në fillim të muajit shtator), rregullisht i bëj vizitë edhe Zijahut në fermën e tij që gjendet në kilometrin e njëzetë të rrugës Peshkopi -Dibër. Këtë vit madje isha dy herë radhazi dhe sa herë që shkoj aty më kënaqet syri dhe shpirti kur shoh dhjetëra varietete të pemëve e perimeve të kultivuara me përkushtim nga duart e arta të këtij njeriu që është shembull dhe duhet të merret model nga të gjithë bujqit tjerë në Shqipëri dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët!
Zijahu është shumë kërkues dhe këmbëngulës. Çka i sheh syri atij i bën dora. Janë me qindra eksperimentime që ka bërë me dru frutorë dhe ia ka dalë që të kultivojë pemë e bimë të ndryshme dekorative për herë të parë në tokat shqiptare.
“Eksperimentin” e nisur dy vite më parë për kultivimin e mollës siberiane, një varietet i veçantë i mollës që karakterizohet me ngjyrë të kuqe si jashtë ashtu edhe brenda, Zija Keshi e kishte realizuar me shumë sukses dhe nga ky vit do të nxjerr në treg fidane të reja të kësaj molle!
Në parcelën ku kryen eksperimente, këtë vit kishte ngritur edhe një bletishte model dhe krahas prodhimit të mjaltës këto bletë do të kryejnë edhe procesin e nevojshëm të polenizimit!
Më bëri përshtypje edhe një gjë. Në kohën kur nuk ka ngelur artikull pa u shtrenjëtuar, Zijahu jo vetëm që nuk e ka ngritur çmimin e aronisë por përkundrazi e ka zbritur!!!
Këtë punëtor të vyeshëm po e shqetëson fakti se të rinjtë çdo ditë po e braktisin vendin dhe po u vazhdua me këtë ritëm nuk do të ketë kush të punojë e as t’i konsumojë prodhimet!
Në pyetjen time nëse gëzon ndonjë mbështetje nga shteti për punën që bën, Zijahu u përgjigj se gjithëçka e bën me forca të veta. Ai madje kishte aplikuar për subvencionim për hapjen e një linje për prodhimin e çajit të ftohtë nga aronia dhe përkundër faktit që i ka plotësuar të gjitha kriteret, nuk i është dhënë subvencioni!
Punëtorë të tillë do të duhej të përkraheshin nga institucionet e shtetit por përkundrazi për fat të keq ata po injorohen!
Më duhet ta theksoj edhe faktin se Zijahu është edhe patriot i dëshmuar i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë luftërave çlirimtare të UÇK – së në Kosovë e Iliridë, për ç’gjë edhe është vlerësuar me mirënjohje nga Shoqata e Veteranëve të kësaj ushtrie të lavdishme!
Përgatiti: Demir Reshiti – Peshkopi, 8 shtator 2022
spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme