spot_img
HomeBUJKUZgjedhja e vezëve për çelje

Zgjedhja e vezëve për çelje

spot_img

Përqindja e vezëve të çelura si dhe kualiteti dhe vitaliteti i zogjve të çelur, varen nga këta faktorë që duhet t’i plotësojnë vezët për inkubacion:

Fekondimi – është njëri nga faktorët kryesorë dhe të domosdoshëm i cili ndikon në rezultatet e inkubacionit dhe preferohet që vezët për çelje të kenë një fekonditet jo më të ulët se 93-95%.

Masa e vezëve – rezultate më të mira fitohen nga vezët me masë mesatare. Te pulat masa mesatare e vezëve për çelje preferohet të jetë 55-65 g, max.70 g; te pulat e detit 75-85 g; te rosat 75-95 g; kurse te patat: për racat e mëdha 150-190 g, e për racat e vogla 120-140 g. Te vezët me masë më të ulët ose më të lartë do të vijë deri te disproporcioni në mes sipërfaqes së vezës dhe vëllimit të saj.

Forma – vezët për inkubacion duhet të kenë formë normale, gjegjësisht forma e tyre duhet të jetë ovale – karakteristike për vezën. Te vezët e pulave indeksi i formës duhet të jetë 1.32-1.40. Vezët me formë jo normale, si ato të zgjatura apo të rrumbullakëta dhe me deformime tjera kanë mortalitet më të lartë të embrionit dhe në këtë mënyrë edhe rezultate të dobëta të çeljes në përgjithësi.

Lëvozhga – duhet të jetë e plotë, uniforme, me sipërfaqe të lëmuar, e pastër dhe pa asnjë dëmtim. Kurrsesi nuk vijnë në shprehje vezët me lëvozhgë të thyer ose sadopak të plasur.

Dhoma e ajrit – duhet të jetë e vendosur në pjesën e gjerë të vezës e jo në pjesën e ngushtë apo në pjesët anësore. Te vezët e pulave për inkubacion ajo duhet të ketë diametër 15-17 mm dhe lartësi 1.6-2.0 mm.

E verdha – duhet të jetë e vendosur në qendër, mirë e pigmentuar dhe nëse e hapim vezën e verdha duhet të ketë formë sferike me mbështjellës (strajcë viteline) të fortë dhe elastike. Disku embrionalë duhet të shihet mirë dhe indeksi i të verdhës të jetë jo më pak se 0,45-0,50.

E bardha – te veza e hapur duhet të dallohen mirë shtresat përbërëse të së bardhës dhe kalazet.

Pesha specifike – vezët për inkubacion duhet të kenë peshë specifike prej 1.080-1.090 e jo më të ulët se 1.075.

Freskia – vezët për inkubacion duhet të jenë sa më të freskëta sepse në të kundërtën, sado të përshtatshme të jenë kushtet e konservimit, ato pësojnë ndryshime në strukturën e tyre dhe si rezultat sjellin uljen e përqindjes së çeljes dhe kualitetin e vitalitetin e dobët të zogjve të çelur. Kështu p.sh. është konstatuar se për çdo ditë të konservimit masa e vezëve ulet për rreth 0,2%. Prandaj rekomandohet që vezët për inkubacion mos të jenë më të vjetra se 2-7 ditëshe.

Po ashtu për inkubacion nuk duhet të merren vezët e përlyera as nuk duhet pastruar ato, por duhet zgjedhur vezët e pastra dhe ato që fitohen nga prindërit e shëndoshë, sepse përmes vezëve mund të barten sëmundjet e ndryshme.

Në fund duhet përmendur edhe atë se vezët duhet grumbulluar rregullisht nga objekti (preferohet çdo 2 orë) sepse gjatë vendosjes së disa pulave në të njëjtin furrik vije deri te ngrohja dhe ftohja e shpeshtë e vezëve që ndikon negativisht në efektet e çeljes. /Gazeta Bujku / Blegtoria e Veçantë

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme