spot_img
HomeLAJMET E FUNDITVlerat shëndetësore dhe kurative të gështenjës

Vlerat shëndetësore dhe kurative të gështenjës

spot_img

Pema e gështenjës ka një ndikim të madh në ekosistemin agro-pyjor të kodrave dhe maleve tona. Përmirëson kushtet dhe parametrat mjedisorë e tokësorë, rrjedhimisht edhe jetesën së njeriut. Ndikon në rritjen e  popullatave të kafshëve të egra, shpendëve  dhe gjithë gjallesave të tjera. Përmirëson strukturën dhe pjellorinë e tokave, përmbajtjen e ujit, etj. Përdoret dhe si dru zbukurues anës rrugëve.

Druri gështenjës ka një përdorim të gjithanshëm si: në ndërtime për trarë dhe çati banesash, në miniera, orendi shtëpijake, mobilje, veglat e punës, voza të ndryshme, instrumenta muzikore, objekte artistike, etj. Pëlqehet për të bërë gardhet rrethuese të jashtme sepse duron gjatë si dhe shtylla të ndryshme.  Druri gështenjës është dhe një dru zjarri i mirë si dhe me të prodhohet qymyr druri. Druri dhe lëvorja e gështenjës përmbajnë 6-14 % lëndë regjëse e cila përdoret për regjien e lëkurëve.

Gjethet e gështenjës janë një ushqim i mirë për bagëtinë. Përmban sasira të larta të vitaminës K dhe konsiderohet si një rezervë e mirë për përfitimin e kësaj vitamine. Nga gjethet dhe zhgualli e gjelbërt i frutit përfitohet ngjyra kafe e përhimtë dhe ngjyra e zezë. Në mjekësinë popullore me gjethet e gështenjës të thara të përgatitura në formë çaji përdoren kundra gëlbazës, qetësimin e kollës sidomos kollës së bardhë, kundër reumatizmave dhe dhimbjeve të tjera. Gjen përdorim dhe në kozmetikë për shampo, etj. Sipas disa studimeve gjethet e gështenjës mund të prodhojnë disa biokimikate që kanë veti fitotoksike për disa bimë të tjera që mund të rriten në afërsi.

Lulet e gështenjës janë shumë të pasura në polen dhe nektar për prodhimin e mjaltit nga bletët dhe insekteve të tjera. Mjalti gështenjës ka ngjyrë të zezë dhe një aromë të veçantë. Sipas disa studimeve  portugeze mjalti gështenjës sjell efekte pozitive tek njeriu në sistemin e frymëmarrjes dhe atë të tretjes.

Fruti gështenjës është pjesa më me vlerë qe i jep rëndësi të veçantë kësaj bime. Gështenjat sot vlerësohen si një ushqim i shëndetshëm dhe me interes. Vlera kalorifike e gështenjë është e lartë, 100 gr fruta gështenjë të freskëta kanë 213 kalori. Përmban: niseshte rreth 44 %; sheqerna 25,4 %; karbohidrate 45, 5 %, fibra 3%, proteina afërsisht 6 %, yndyra rreth 2-3 %, e mbushur me vitaminë B(62 mcg./100gr), vitaminë C(43 mg./100 gr), Vitamina A, etj. Gështenjat janë të pasura gjithashtu në K, P, Mg, Na, si dhe gjenden sasira më të vogla Fe, Ca, Mn, Zn, Cu, etj.

Konsumi i frutave të gështenjës bëhet i freskët, të ziera, të pjekura dhe të bluara.. Përdoren në nxjerrjen e miellit te gështenjës, të acidit citric, vitaminës B12, proteinave  dhe yndyrave… etj. Mielli i gështenjës, në krahasim me miellin e grurit, përmban dy herë më tepër yndyra dhe amidonin e ka plotësisht të tretshëm. Mielli përdoret gjithashtu për përgatitjen e tortave, biskotave, akulloreve, pastave, çokollatave, niseshtesë, etj.

Një dietë e pasur me gështenja të freskëta ose produkte të industrisë ndihmon në përmirësimin e shëndetit të njeriut si dhe për parandalimin ose shërimin e disa sëmundjeve. Përmbajtje e lartë e vitaminave dhe mineraleve, tek fruti i gështenjës përmirëson shëndetin e njerëzve sidomos tek ata me dobësi të përgjithshme fizike dhe intelektuale, në periudhën pas një trajtimi mjekësor, tek të moshuarit dhe fëmijët.

1. Gështenjat janë jashtëzakonisht të pasura me vitaminën C. Kjo vitaminë  është e nevojshme për formimin e zmaltit tek dhëmbët, kockat dhe enët e gjakut. Së bashku me përmbajtjen e lartë të manganit, ndihmon në shërimin më të shpejtë dhe mbrojtjen kundër dëmit që shkaktojnë radikalet e lira, duke zvogëluar kështu rrezikun nga disa lloje kanceresh dhe sëmundje të zemrës.

2. Frutat e gështenjës kanë përmbajtje të lartë të karbohidrateve komplekse të cilat treten ngadalë. Kjo bën që niveli energjisë që ato japin të qendrojë kostante për një kohë të gjatë.

3. Gështenjat kanë përmbajtje të lartë si: hekur, kalcium, magnez, mangan, fosfor dhe zink, si dhe një sasi shumë të mirë të kaliumit (518 mg / 100 g). Kaliumi ndihmonnë uljen e hipertensjonit,  hekuri ndihmon në parandalimin e anemisë. Magnezi dhe fosfori janë komponentë të rëndësishëm të metabolizmit kockave.

4. Gështenjat janë të pasura në vitamina B-komplekse. Folatet luajnë një rol të veçantë në parandalimin e defekteve neurologjike në fetus, duke u bërë kështu një zgjedhje ideale për gratë shtatzëna.

5. Gështenjat janë të pasura në acid oleik (18: 1), acide palmitoleic (16: 1), etj. Përdorimi si ushqim ditor ndihmon të ulet LDL (kolesteroli i keq) dhe të rriitet HDL (kolesteroli i mirë) në nivelet brenda gjakut. Antioksidantët ndihmojnë gjithashtu në parandalimin e sëmundjeve koronare arterie dhe tru, duke shëndetsuar profilin e lipideve të gjakut.

6. Gështenja, lajthitë dhe bajamet nuk përmbajnë gluten. Prandaj  këto janë një nga përbërësit në përgatitjen e ushqimeve gluten-free të destinuara për t’u përdorur nga pacientët që kanë alergji ndaj ushqimeve me përmbajtje gluteni.

Autor: Koço Mosko

Gazeta Bujku e boton me leje te http://bota-bujqesore.blogspot.com/

 

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme