spot_img
HomeBUJKUTenja e domates (Tuta absoluta)

Tenja e domates (Tuta absoluta)

spot_img

TENJA E DOMATES (TUTA ABSOLUTA) NJË INSEKT SHUMË I DËMSHËM NË KULTURËN E DOMATES

Tenja e domates (Tuta absoluta) është një dëmtues shumë i rrezikshëm për  kulturat Solanace,e sidomos për domaten. Infekton sythet, gjethet, lulet dhe frutat duke shkaktuar humbje të prodhimit deri në 70 %.Tenja e domates është një lepidopter i familjes Gelechiidae. Në Evropë, tenja u zbulua për herë të parë në Spanjë në vitin 2006. Pas kësaj prania e tij është raportuar me shpejtësi në thuajse të gjitha vendet mesdhetare, duke u shndërruar praktikisht në një kërcënim serioz për prodhimin e domates. Ekzistenca e saj në Shqipëri pranohet që nga viti 2009.

Ky dëmtues tashmë është e përhapur edhe në Kosovë, sidomos në  serra dhe duke pas parasyshë dëmtimet e mëdha që i shkaktonë në prodhimtarinë e perimeve fermerët duhet të jenë shumë të vëmendshëm në identifikimin dhe zbulimin  në faza sa më të hershme të paraqitjes së tij, me qëllim të marrjes së masave të ndryshme mbrojtëse nga ky dëmtues i rrezikshëm. Bima kryesore që prek është domatja, por ai mund të prekë edhe pataten, patëllxhanin, specin dhe barërat e këqija të familjes solanore. Insekti dëmton si në fushë të hapur ashtu edhe në mjedise të mbrojtura.

Përshkrimi

Insekti i rritur ka gjatësi 10 mm, ka ngjyrë të argjendë në gri, është i pajisur me disa njolla të errëta në krahë të sipërm. Veza ka formën e një voze të vogel 0.2-0.4 mm.

Larvat e rritura mund të arrijnë madhësinë deri në 8 mm. Në pjesen e sipërme të kokës duket lehtë një shirit i hollë i errët.

Nimfa(pupa) është me ngjyrë nga e gjelbërta në gështenje dhe ka madhesinë 4 mm.

Cikli biologjik

Tenja e domates ka një riprodhim shumë të lartë, 10-12 brezni në vit, në temperaturën 30 oC vezët çelin pas 4 ditësh. Larvat kalojnë 4 stade larvare. Nimfa (pupa)  ndodh në tokë.

Cikli i zhvillimit të dëmtuesit/tenja e domates
Temperatura oC Stadi i zhvillimit (ditë)
Veza Larva Nimfa Insekti i rritur Totali
30 4 11 5 9 29
15 10 36 20 23 89

Vrojtimet në fushë

Insektet e rritura janë indiferente ndaj ngjyrës së kurthit terheqës. Fluturimet e insekteve të rritura kanë prirje të bëhen në nivele të ulta në afërsi të tokës. Këto të dhëna shërbejnë për vendosjen korrekte të kurtheve tërheqëse.

Përdorimi i produkteve si sapunet e buta potasike, xhelatina dhe vajrat minerale, mendohet se kufizojnë zhvillimin e vezëve dhe të formave të rritura.

Në disa kultura ku është bërë trajtimi me nematocid me pika, duke përdorur produkte me bazë oksamili, infeksionet nga tenja janë më të ulta.

Kontrolli i tenjës së domates. Ndonëse është i vështirë ka mënyra të ndryshme për të mbajtur në kontroll tenjën e domatës (Tuta absoluta).

Metodat fizike

Mbrojtja e tuneleve dhe serrave me rrjete antiinsekte.

Vendosja e rrjetave antiinsekte, për të mbuluar të gjithë hyrjet në serra me qëllim të pengimit të hyrjes së insektit

Metodat agronomike

Përdorimi i materialit të pastër për mbjellje

Eliminimi me kujdes i barërave të këqija, sidomos i atyre të familjes solanaceae, brenda dhe jashtë serrës

Heqja e organeve të infektuara dhe shkatërrimi i menjëhershëm i tyre

Pastrimi dhe djegia e mbeturinave bimore të domates në fund të sezonit

Qarkullimi bujqësor me kultura tjera jo të familjes solanaceae

Menaxhimi dhe eliminimi i organeve të prekura të bimës

Niveli i infeksionit Masat që duhen marrë
Niveli 0 Asnjë simptomë, nuk ka larva të gjalla Rreziku i ulët ose i mesëm:

Hiqen organet e prekura, ose shkulen bimët e prekura rëndë. Bëhet djegia e tyre brenda ditës.

Niveli 1 Prekjet janë të lokalizuara në zonat me rrezik (afër portave, dritareve, etj).

5-25% e bimëve e prekur

(me një larvë të gjallë)

Niveli 3 25-50% e bimëve e prekur Rrezik i lartë:

Në serra dhe tunele:

Trajtohen bimët dhe më pas shkulen e digjen jashtë serrës ato që janë të prekura rendë.

Në fushë të hapur:

Trajtohen bimët e prekura rëndë, shkulen brenda 10 ditësh dhe digjen.

Niveli 4 Më shumë se 50% e bimëve me një larvë të gjallë
Niveli 5 Më shumë se 50% e bimëve me më shumë se një larvë të gjallë

Metoda bioteknike/Përdorimi i feromoneve:

Monitorimi. Shfrytëzimi i kurtheve me feromone është një metodë e përshtatshme për zbulimin  e prezencës së insektit, kur popullata e tij është ende në numër të vogël. Në këtë mënyrë ato shërbejnë si mjete paralajmëruese për masat që duhen marrë për  parandalimin e dëmtimeve nga tenja. Natyra e feromoneve që shfrytëzohen për qëllime monitorimi duhet të ndryshojë në varësi me përmasat e popullatës së insektit.

Kurthet masivë/kapja masive (mass trapping). Kurthet me ferromone mund të shfrytëzohen edhe si kurthe masive për luftimin e tenjës së domates, sidomos në mjedise të mbrojtura. Në këtë rast ato ndihmojnë në pakësimin e popullatës së insektit në serrë, sidomos në qoftë se në këto të fundit përdoren rrjetat për mbylljen e dritareve të ajrimit dhe nuk lejojnë hyrjen e insekteve të rritura brenda tyre.

Kurthet massive janë një teknikë që funksionon, nëse përdoret një numër i madh kurthesh, të vendosura në pozicione të ndryshme. Ato tërheqin dhe ndihmojnë për të eliminuar një numër të madh insektesh meshkuj nga popullata e dëmtuesit dhe më këtë mënyrë pakësojnë shanset për çiftëzim të insekteve femra dhe zvogëlojnë në mënyrë të konsiderueshme numrin e vezëve fertile, që lëshohen nga këto të fundit. Kurthet masive janë një mundësi potenciale për mbrojtjen e prodhimit edhe në fushë të hapur. Sidoqoftë, për arsye praktike, mundësia e suksesit është më e madhe kur ato  përdoren në mjediset e mbrojtura. Shanset e suksesit rriten nëse, përdorimi i feromoneve shoqërohet me trajtime selektive me insekticide specifike.

Kontrolli biologjik. Janë një seri agjentësh biologjikë që mund të shfrytëzohen për të mbajtur në kontroll tenjën e domates.  Midis tyre mund të përmenden;

1. Trichogramma  pertiosum

2. Trichogramma  achaeae

3. Macrolophus  pygmaeus

4. Nesidiocoris  tenuis

5. Nabis  pseudoferus

Parazitoidi i vezëve, Trichogramma achaeae, konsiderohet si një ndër  kandidatët më të përshtatshëm për kontrollin biologjik të tenjës së domates. Në kushte  serre, me lëshimin e  30 insekteve të rritur për bimë (=75 insekte të rritur për m2) çdo 3-4 ditë, ,  është arritur të pakësohet dëmi në bimë me 91.74% .

Po ashtu, lëshimi në kushte serre i 8-12 larvave/bimë të Nabis pseudoferus  është shqoëruar me një zvogëlim nga  92 në 96%, të vezëve të tenjës së domates.

Kontrolli mikrobik. Bacillus thuringiensis var. kurstaki ka dëshmuar efekt të kënaqshëm kundër infektimit larval të tenjës së domatës. Është vënë re që një përdorim i kombinuar i Trichogramma pertiosum dhe Bacillus thuringiensis  e ka ulur masën e dëmtimit të frutave nga tenja e domates në vetëm 2%.

Kërpudha entomopatogje  Metarhizium anisopliae mund të shkaktojnë vdekshmëri deri në 37.14% të insekteve femra, ndërkohë që studime të ndryshme laboratorike kanë provuar që Beauveria bassiana mund të shkaktojë vdekshmëri të larvave në masën deri 68%.

Insekticidet bimore. Ekstrakti i farave të një bime (neem; një pemë gjithmonë e gjelbër me origjinë nga India, por që gjendet dhe në vende të tjera të pjesës juglindore të globit), Azadirachtin, vepron si insekticid kontakti dhe sistemik kundër tenjës së domates. Është provuar se trajtimi i tokës me këtë ekstrat ka shkaktuar ngordhjen e 48.9 deri në 100% të larvave të tenjës së domatës. Përdorimi i vajit të neemës në sipërfaqen e sipërme të gjetheve ka shkaktuar ngordhjen e 57 deri në 100% të larvave.

Kontrolli kimik. Kontrolli kimik është masa kryesore kundër tenjës së domates. Për shkak të numrit të lartë të trajtimeve kimike, shumë shpesh është vërejtur krijimi i racave të qëndrueshme. Kështu p.sh, janë raportuar raste të qëndrueshmërisë së tenjës kundrejt abamectinës,  deltamethrinës methamidophosit dhe permethrinës.

Sidoqoftë, ekzistojnë përbërës aktivë që janë të efektshëm kundër larvave të tenjës së domates. Imidaclopridi, indoxacarbi dhe spinosadi janë për momentin kimikatet më efektivë për kontrollin e saj. Në shumë raste deltametrina është gjithashtu efektive në luftimin e insekteve të rritura.

Së fundi, ‘Syngenta’ rekomandon një produkt të ri (Afirm), si shumë efikas për kontrollin e tenjës së domatës.

Praktikat e mira bujqësore. Praktikat e mira bujqësore për kontrollin  e tenjës së domates përfshijnë, qarkullimet bujqësore me bimë jo-solanore, punimin  e tokës, përdorimin e plehrave të përshtatshëm, asgjësimin e bimëve të infektuara dhe copëtimin e bimëve pas vjeljes. Shkulja e bimëve, apo së paku heqja selektive e pjesëve bimore të infektuara, janë të praktika kontrolli të rëndësishme që ndihmojnë në kontrollin e këtij dëmtuesi në serra.

Një mundësi tjetër kontrolli është spërkatje e tokës dhe e bazës së kërcellit të bimëve me mbetjet e përpunimit të vajit të ullirit. Ky i fundit ngjit krahët e fluturave dhe paralizon aktivitetin e tyre.

Një tjetër mundësi është shfrytëzimi i llambave ultraviolet për tërheqjen e fluturave drejt kurtheve ku asgjësohen fizikisht. Për këtë qëllim, në varësi të fuqisë së llambave, shfrytëzohen 10-15 llamba për hektar. Këto të fundit duhet të jenë me fuqi 60-80 Wat dhe vihen në punë gjatë orëve të natës.

Strategjitë e integruara për luftimin e dëmtuesit. Strategjitë e kontrollit të integruar duket të jenë mënyra më efektive për të mbajtur në kontroll tenjën e domates. Shumë përbërës aktivë mund të përdoren të kombinuar me teknikat bio. Metodat e rekomandura të luftës së integruar përfshijnë sipas radhës;

  1. kurthe masive përpara mbjelljes,
  2. pastrimi i tokës nga mbeturinat bimore,
  3. përdorimi i imidacloprid në ujin e përdorur për ujitje 8-10 ditë pas mbjelljes,
  4. përdorimi i spinosad apo i indoxacarb në qoftë se vihen re individë rastësorë të tenjës së domates
  5. eliminimi i pjesëve të mbetura të bimës menjëherë sapo të vilen frutat e fundit

Në rast se kurthet kapin më pak se dhjetë insekte të rritur në javë për çdo kurth, trajtimet rekomandohet të bëhen kryesisht me produkte bio, siç janë Bacillus thuringensis dhe Azadirachtina. Në rast se kurthet e feromoneve kapin më shumë se dhjetë flutura në javë për çdo kurth, këshillohet që trajtimet të bëhen duke kombinuar insekticidet bio me insekticidet kimikë.

Në popullata me dendësi të ulët, kapja masive e dëmtuesve me kurthe ujore ku si karrem përdoren feromonet, ka treguar të jetë një masë e efektshme kontrolli. Për këtë qëllim nevojitet një mesatare prej  30-40 kurthe ujore me feromone për çdo hektar serrë. /Iadk.org

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme