spot_img
HomeLAJMET E FUNDITPrerja ilegale dhe zjarret në pyje vazhdon të jetë problem në Kosovë

Prerja ilegale dhe zjarret në pyje vazhdon të jetë problem në Kosovë

spot_img

Një ndër sfidat mjedisore me të cilat po përballet bota në dekadat e fundit është norma e lartë e shpyllëzimit dhe shkatërrimit të pyjeve, e cila po kontribuon drejtpërdrejtë në përkeqësimin e fenomenit të ngrohjes globale.

Kësaj nuk i ka shpëtuar as Kosova, ku pyjet janë ndër asetet natyrore. Dëmtimi i tyre bëhet në mënyrë të vazhdueshme, kryesisht me prerjen ilegale dhe zjarre, shpeshherë të qëllimshme.

Shumë familje të shtyra nga gjendja e rëndë sociale, prerjen ilegale të pyjeve dhe shitjen e tyre e kanë si të vetmin burim të mbijetesës.

Një sfidë tjetër mbetet zjarret në pyje, ku sipas të dhënave të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, vetën këtë vit (2021) rreth 2653 hektarë pyje dhe toka pyjore janë dëmtuar si pasojë e zjarreve.

Pyjet në Kosovë mbulojnë 481.000 hektarë, ose 45% të sipërfaqes së përgjithshme. Rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.6 milion metra kub dru në vit, që nënkupton se ka mundësi të mëdha për prerje, me kusht që ajo të jetë e kontrolluar.

Për t’u kuptuar më shumë rreth gjendjes së pyjeve në Kosovë, motilokal.com realizoi një intervistë me Bekim Hoxha, zëvendëskryeshef i Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Intervistoi: Shkelzen Rrecaj

Prerja e pyjeve llogaritet të jetë një ndër sfidat kryesore të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës. Cilat janë veprimet konkrete të APK-së për parandalimin e prerjeve ilegale?

Prerja ilegale e pyjeve është një nga problemet kryesore të pyjeve, me të cilën ballafaqohen institucionet që merren me menaxhimin e pyjeve. Ju njoftoj, se sipas Ligjit për Pyjet, se që nga 1 korriku i vitit 2010, mbrojtja dhe shfrytëzimi i pyjeve është përgjegjësi e deleguar te komunat. Shërbimi i rojeve të pyllit është i organizuar nga komunat, dhe rojet e pyllit janë punëtorë të komunave. Ne si Agjenci Pyjore e Kosovës, kemi Drejtoratin Qendror të Inspektoratit të Pyjeve dhe Gjuetisë, i cili po ashtu punon për luftimin e prerjeve ilegale të pyjeve dhe dukurive tjera negative në pyje dhe toka pyjore. Sidoqoftë, aktualisht, kemi vetëm 11 inspektorë, që padyshim është numër i vogël. Kohëve të fundit me vendim të Qeverisë është themeluar Task Forca për mbrojtjen dhe shfrytëzimin ligjor të pyjeve, ku bëjnë pjesë edhe institucionet tjera si: Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Policia, Gjykatat, Prokuroritë, Asociacioni i Komunave etj, dhe Task Forca e cila udhëhiqet nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka aprovuar edhe Planin e Veprimit për parandalimin / zvogëlimin e prerjeve ilegale, ku janë paraparë një numër i konsiderueshëm i masave dhe veprimeve për parandalimin e prerjeve ilegale në pyje.

Po ashtu një problem tjetër mbeten zjarret. Nga kush po shkaktohen më shumë dhe cili është apeli që kjo mos të ndodh?

Një nga problemet e vazhdueshme që paraqitet në pyje janë edhe zjarret pyjore, që shkaktojnë dëme të konsiderueshme jo vetëm ekonomike por edhe mjedisore. Zjarret shkaktohen nga faktorë të ndryshëm, sikurse që është pakujdesia e njerëzve, mirëpo ka gjithashtu edhe zjarre të shkaktuara me qëllim. Me hetimin e shkaktarëve të zjarreve pyjore merret policia. Këtë vit po ashtu kemi pasur zjarre pyjore të cilat kanë dëmtuar gjithsejtë 2653 hektarë pyje dhe toka pyjore.

Në cilat komuna më së shpeshti dëmtohen pyjet dhe cilat janë më të rrezikuara?

Pyjet janë të dëmtuara në shumë komuna, mirëpo në bazë të sasisë së masës drunore të konfiskuar, komunat me më së shumti prerje ilegale rezultojnë: Podujeva, Leposaviqi, Ferizaj, Kaçaniku, Skenderaj etj.

Në cilën periudhë të vitit më së shumti dëmtohen pyjet?

Dëmet në pyje shkaktohen gjatë gjithë vitit, por më të theksuar janë në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar përdorimin e thëngjillit në institucionet publike. A ka ndikuar kjo në shtimin e kërkesës për drurë?

Duhet pasur parasysh se njerëzit drurin e përdorin më së shumti për ngrohje, dhe mungesa e alternativave tjera për ngrohje, gjithmonë e rritë presionin në pyje.

Sa është numri fletëparaqitjeve të cilat janë lëshuar gjatë kësaj periudhe të vitit dhe sa është dënimi i tyre?

Numri i fletëparaqitjeve për dëme në pyje të cilat janë bërë në periudhën janar- shtator 2021 është 1572 fletëparaqitje:

Pyllëzimi i sipërfaqeve të reja sigurisht se është një nga prioritetet e APK-së. Sa sipërfaqe planifikoni të pyllëzoni gjatë periudhës së ardhshme?

Këtë vit kemi pyllëzuar gjithsejtë 309 hektarë, përkatësisht 773 250 fidane, kurse për vitin e ardhshëm jemi në proces të planifikimit të pyllëzimeve të sipërfaqeve të reja./Motilokal.com 

https://motilokal.com/lajmet/7865/prerja-ilegale-dhe-zjarret-ne-pyje-vazhdon-te-jete-problem-ne-kosove

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme