spot_img
HomeBUJKUPlehërimi i mjedrës dhe manaferrës

Plehërimi i mjedrës dhe manaferrës

spot_img

Të ushqyerit përkatës të bimës, është njëri nga faktorët themelor për rritje të mirë, prodhim të leverdishëm, me cilësi standarde të frutave të mjedrës dhe të manaferrës. Plehërimi i këtyre kulturave varet nga: tekstura e tokës, reaksioni i pH së tokës dhe prania e materies organike në pemishte. Para mbjelljes, duhet të bëhet analiza e tokës me anë të së cilës caktohet prania e çdo njërit makro dhe mikro element në tokë, si dhe reaksioni i pH së tokës. Po ashtu, gjatë periudhës së vegjetacionit, duhet të bëhet analiza e gjetheve për caktimin e lëndëve ushqyese në bimë, si dhe për të konstatuar gjendjen e shpëlarjes së azotit dhe kaliumit në tokë.

Në këtë mënyrë, caktohet sasia e nevojshme e lëndëve ushqyese që duhet përdorur për mjedrën dhe manaferrën. Fuqia rritëse dhe habitusi i bimës, trashja e lastarëve, madhësia dhe ngjyra e gjethes, janë indikatorë të gjendjes shëndetësore të bimës, por edhe i nevojës së plehërimit. Mjedra dhe manaferra, zakonisht plehërohen me plehra në kombinim të katër metodave: përdorimi i plehut të stallës, shpërndarja e plehrave minerale në formë kokrrash, me plehra të tretshëm në ujë, me kristalore në sistem të ujitjes dhe me përdorim të mikro elementeve, përmes trajtimit të gjetheve. Pjesa më e madhe e plehërimit nga të gjitha metodat varet nga përmbajtja e lëndëve ushqyese në tokë, plleshmëria natyrore e tokës dhe potenciali ekzistues i sistemit për ujitje. Në rast se nuk ekziston sistemi ujitës, plehërimi mund të bëhet me shpërndarjen e plehut të stallës dhe shpërndarjen e kokrrave të plehut artificial.

Plehërimi me pleh stalle

Meqenëse plehu i stallës është më i vlefshëm dhe gjendet lehtë, por me përmbajtje të ulët me materie ushqyese, rekomandohet të përdoret në sasi një tonelatë në 0.10 ha dhe paraqet një program shumë të rëndësishëm plehërimi. Përmbajtja e materieve ushqyese në pleh të stallës ka një raport të çrregullt në mes të azotit, fosforit dhe kaliumit (N-P-K). Përveç kësaj, plehu i stallës vepron në mënyrë të ngadalësuar. Në mbështetje të hulumtimeve, plehut i tillë vepron në periudhë deri në tri vite. Në vitin e parë shfrytëzohet 50%, në vitin e dytë 30% dhe në vitin e tretë 20%. Prandaj duke ndjekur praktikën e zakonshme në pemishtet me mjedër dhe manaferrë, plehu i djegur i gjedheve duhet të përdoret çdo të tretin vit në sasi 1 – 2 tonelata në 10 ari, në varësi nga plleshmëria e tokës.

Plehu i pularive me përmbajtje të madhe të azotit, rekomandohet të përdoret në sasi 0.5 – 1.0 tonelatë për 10 ari. Nëse plehu i stallës është i përgatitur sipas të gjitha kritereve, përdorimi i tij mund të bëhet në çdo kohë gjatë sezonit. Rekomandohet vetëm përdorimi i plehut të djegur mirë të stallës. Gjatë përdorimit të plehrave organike, veçanërisht të plehut të pa djegur të stallës i cili nuk është inaktivuar, përmban materiale jostrukturore, i njëjti është vështirë të shpërndahet në hapësirën e rendeve. Përveç kësaj, plehu i padjegur i stallës përmban fara të barojave të ndryshëm si dhe shumë dëmtues dhe patogjenë shkaktarë të sëmundjeve. Plehu i djegur i stallës, me materie organike të zbërthyera në shkallë të duhur, shumë lehtë mund të shpërndahet me lopatë ose tërfurk dhe ka ndikim të shumëfishtë: përmirëson dhe ruan strukturën e tokës, zmadhon plleshmërinë e tokës, stimulon zhvillimin e mikroorganizmave të dobishëm, etj.

Hulumtimet kanë treguar se një tonelatë e plehut të djegur të stallës i përdorur në pemishte me mjedër dhe manaferrë përmban 2 kg azot efektiv. Komposti dhe kashta të përzier me plehun e stallës, paraqet plotësim të vlershëm të materies organike në tokë, por kanë më pakë vlerë ushqyese në krahasim me plehun e pastër të stallës.

Në pemishtet e mjedrës dhe manaferrës, materia organike në formë të plehut të stallës hidhet në vjeshtë, pas mënjanimit të lastarëve që kanë dhënë fruta. Plehu i tillë ndikon në shtimin e lëndëve ushqyese në tokë dhe në ngrohjen e bimëve gjatë periudhës së dimrit. Plehu organik mund të përdoret në atë mënyrë që në të dy anët e rendit hapen brazda të cekëta, në distancë 45 cm nga lastarët, e këto mbushen me pleh dhe në fund këto mbulohen me dhe. Gjatë përgatitjes së tokës për ngritjen e pemishtes me mjedër dhe manaferrë, komposti ose plehu duhet të hidhet në rende ose në lehe të ngritura, para mbjelljes, në thellësi 10 cm. Plehu i stallës mund të përdoret edhe pas mbjelljes, në kohën kur bimët arrijnë lartësinë 8 cm. Plehërimi me pleh stalle duhet të përdoret një herë në vit në pemishtet me mjedër dhe manaferrë, por nuk duhet të jetë burim i vetëm i materieve ushqyese. Përveç plehut të stallës, rekomandohet edhe përdorimi i plehrave minerale dhe atyre të tretshëm në ujë.

Plehërimi me plehra minerale me formë kokrrash

Më të rëndësishëm për mjedrën dhe manaferrën janë tre elemente: azoti (N), kaliumi (K), dhe fosfori (P). Për rritjen e këtyre kulturave, pavarësisht nga lloji i rritjes, në vitin e parë duhet përdorur përafërsisht 3.5 kg azot për 0.10 ha. Mirëpo përdorimi i plehrave minerale në vitin e parë duhet evituar, deri në shfaqjen e lastarëve. Ngase bimët e reja të mjedrës dhe të manaferrës, janë shumë të ndjeshme dhe mund të dëmtohen nga përqendrimi i shtuar i kripërave në tokë. Në vitet e ardhshme për llojet dyvjeçare të mjedrës dhe të manaferrës, duhet përdorur azot (N) në sasi 7.5 kg/0.10 ha, ndërsa për llojet njëvjeçare të këtyre kulturave përdoret azot 11 kg/0.10 ha. Fosfori duhet të përdoret për çdo vit në sasi 2.5 – 3 kg/0.10 ha. Po ashtu edhe kaliumi duhet të përdoret për çdo vit, por në sasi 5 – 6 kg/0.10 ha. Plehërimi i llojeve të mjedrës dyvjeçare duhet të bëhet dy ose tri herë në vit. Më mirë është një plehërim të bëhet në pranverë, kur fillojnë rritjet e reja, i dyti pas muajit maj ose në fillim të qershorit dhe i treti në mes të muajit korrik. Në këtë rast duhet të merret në konsideratë edhe përdorimi i plehut të stallës, në mënyrë që të zvogëlohet sasia e plehut mineral.

Nëse përdoret plehu i djegur i stallës, në këtë rast sasia e përshtatshme e azotit është 50%, por nëse përdoret plehu i freskët i stallës sasia e përshtatshme e azotit mund të jetë 90%. Gjatë përdorimit të plehrave minerale, ky moment duhet të merret në konsideratë. Plehërimi me plehra minerale bëhet në rende në distancë 25 – 30 cm larg bimëve dhe futet në dhe në thellësi 5 – 10 cm. Plehërimi i mjedrës dhe manaferrës bëhet në kombinim: NPK 10:20:30, 10:12:26; KAN dhe URE. Për çdo vit përdoret plehu i stallës me 400-600 kg/ha NPK, e në vite kur nuk përdoren plehrat organike sasia e plehrave minerale shtohet në 600-700 kg/ha. Plehërimi pranveror paraqet plehërim suplementar dhe bëhet me plehra minerale azotike, me KAN ose me URE, në sasi 200 – 300 kg/ha. Sipas nevojës, mund të bëhet plehërimi i dytë suplementar me qëllim të mënjanimit të shfaqjes së simptomave të mungesës së azotit, me KAN ose URE, në sasi 150 – 200 kg/ha.

Fertirigacioni – plehërimi përmes ujitjes

Para mbjelljes së mjedrës dhe manaferrës mund të përdoren për plehërim afro 25% e sasisë së përgjithshme të plehrave të azotit, fosforit, kaliumit dhe e plehrave me mikroelemente. Sasitë e mbetura të plehrave me N, P, K mund të përdoren gjatë periudhës së vegjetacionit përmes sistemit të ujitjes. Me anë të këtij sistemi mund të bëhen korrigjime si dhe përdorimi i sasisë së mbetur të N, P, K, në qoftë se këta nuk janë përdorur në formë kokrrash (granulash) ose të përziera me plehun e stallës. Në ngastra më të mëdha, mund të përdoret azoti i pastër në sasi 3-5 kg/0.10 ha, fosfor i pastër 1.5 – 2.0 kg/0.10 ha dhe kalium i pastër në sasi 3 – 4 kg/0.10 ha. Këto plehra duhet të përdoren në mes të fazës së rritjes së lastarëve në pranverë dhe në fazën e vjeljes. Nuk bën të përdoret azoti pas mesit të muajit gusht. Në toka të pasura me materie organike, tërë sasia e N, P, K mund të përdoret me anë të sistemit të ujitës, që siguron rritje të suksesshme dhe prodhim të mirë. Më së paku 50% e azotit duhet të jetë në formë të nitratit. Rezultate më të mira në sasinë dhe cilësinë e frutave të mjedrës arrihen nëse N dhe K përdoren përmes sistemit të ujitjes ose në formë kokrrash. Gjatë përdorimit të plehrave minerale në këtë mënyrë, frekuenca e përdorimit të tyre pak ka rëndësi, në krahasim me sasinë e plehut që përdoret . Përdorimi i sasisë më të vogël të plehut disa herë me anë të sistemit ujitës, në të shumtën e rasteve mund të ndikoj në zvogëlimin e djegieve të gjetheve nga sasia e madhe e përqendrimit të lartë të kripërave në tokë. Plehrat e tretshëm në ujë përdoren në kohëzgjatje 1-2 orë në ditë ose çdo të dytën ditë, në fazën e lulëzimit dhe të formimit të frutave. Plehrat komercial të tretshëm në ujë, më shpesh përbëhen nga azoti (N) dhe kaliumi (K). Plehrat e përqendruar më lehtë, përdoren në kohë shumë të shkurtër, tokës i shtohen sasitë e materieve ushqyese. Gjatë përdorimit të plehrave minerale me ujitje, duhet të evitohen rastet e zënies së sistemit, ndërsa plehrat që përdoren në këtë mënyrë duhet të jenë të tretshëm në ujë. Në qoftë se gjatë ujitjes përdoren disa materiale, plehrat minerale në kombinim nuk duhet të reagojnë në mes veti. Komponimet e tjera kimike që përdoren në këtë mënyrë duhet të jenë të përputhshëm kompatibil me elementet tjera që përdoren përmes sistemit të ujitjes. Plehrat e tillë me pH të lartë ose të ultë, janë korozive për bakrin, zinkun, legurat e bronzit dhe pjesët tjera metalike të sistemit të ujitjes. Për këtë arsye komponentet e sistemit të ujitjes që bien në kontakt me përzierjet korozive të plehrave, duhet të prodhohen nga çeliku që nuk korodohet, plastika ose nga materialet tjera.

Plehrat që përdoren me anë të sistemit të ujitjes janë: urea, nitrati i kaliumit, fosfati i amonit. Fosfori në tokë ka lëvizje të rëndësishme nëse përdoret më anë të sistemit për ujitje në sasi më të vogël. Mjedra dhe manaferra kryesisht herët kanë nevojë për fosfor, prandaj është me rëndësi që ky element të përdoret në mbjellje ose menjëherë pas mbjelljes. Plehrat me bazë fosfori të përdorura përmes sistemit të ujitjes, mund të reagojnë me kaliumin në ujë dhe sajojnë forma të patretshme, e që si pasojë ndodh mbyllja e vrimave të gypit. Por, nëse veprohet sipas rregullave të përdorimit të plehrave të tillë, përmes sistemit të ujitjes, ky problem mund të evitohet me sukses. Zgjidhja e këtij problemi mund të jetë acidifikim i acidit fosforik në magazinë, përzierje me acidin sulfurik ose injektimin e acidit sulfurik menjëherë pas injektimit të acidit fosforik. Injektimi i tretjeve acidike në ujë për ujitje, eviton fundërrimin e fosforit, por pa efekte të dëmshme në tokë.

Përdorimi përmes gjetheve i plehrave me mikroelemente

Afati i përdorimit të plehrave foliar me përmbajtje të mikroelementeve është shumë limitues. Për këtë arsye mund të shkaktohen më tepër lëndime në kulturën e mjedrës dhe manaferrës, nëse këta përdoren në sasi të madhe. Në qoftë se në mbështetje të analizave caktohet mungesa e ndonjë mikro elementi, përdorimi i drejtë i mikro elementit të caktuar përmes trajtimit të gjetheve mund të jetë i mjaftueshëm për mënjanimin e çrregullimeve të konstatuara. Trajtimet e tilla me mikro elemente mund të bëhen çdo 10 ditë, deri në eliminimin e tërësishëm të simptomave të shkaktuara nga mungesa e tyre. Plehrave të formuluar me mikro elemente u shtohet mjeti për lagie, nëse këto nuk përmbajnë materie të tilla. Plehrat për trajtim të gjetheve nuk përdoren në fazën e lulëzimit të mjedrës dhe manaferrës, sepse mund të kenë veprim fitotoksik në lule. plehrat me mikroelemente në formë kokrrash që përdoren për trajtimin e tokës, nuk e kanë efektin e mjaftueshëm sikurse plehrat me mikroelemente që përdoren për trajtimin e gjetheve.

Analiza e gjethit

Për adaptimin e mirë të programit të plehërimit, kultivuesit e pemëve për çdo vit duhet të kontrollojnë përmbajtjen e materieve ushqyese në bimë të mjedrës dhe manaferrës. Në përputhshmëri me rezultatet e analizave të indeve, është e nevojshme ndërmarrja e masave të plehërimit të kulturave. Për caktimin e saktë të këtyre parametrave duhet të analizohen gjethet e këtyre kulturave. Për këtë qëllim nga çdo bimë merren 5 gjethe të pjekura së bashku me bishtin dhe në këtë mënyrë formohet mostra reprezentuese për analizë. Pa dyshim bimët e zgjedhura nga të gjitha pjesët e pemishtes duhet të analizohen në mënyrë që të konstatohet se shfaqjet jonormale kanë lidhshmëri me materiet ushqyese. Sasia optimale, sasia nën atë optimale dhe maksimale janë paraqitur në tabelën 2. Rënia e prodhimit mund të ndodh nëse sasia e materieve ushqyese është nën nivelin optimal ose mbi këtë nivel.

iadk.org

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme