spot_img
HomeBUJKUOrigjina, historia e kultivimit të arrës

Origjina, historia e kultivimit të arrës

spot_img

Është shumë e vështirë të flasësh për origjinën e arrës pasi  ende është shumë e debatuar në rrethet studiuesve. Këtë e vështirëson përhapja dhe kultivimi i saj që në agim të historisë. Gjetjet arkelogjike në jug të Francës, Zvicër dhe Itali tregojnë se evropianët i kanë shijuar frutat e arrës të paktën 8000 vjet më pare, të cilat përbëjnë një fakt, por dhe një enigmë.  Në periudhën antike nuk ka të dhëna se arra rritej ose kultivohej në këto vende. Deri tani si vend-origjinë e arrës (J. regia) mendohet të jetë zona që shtrihet si një rrip i gjerë nga Ballkani deri në faqet e maleve Himallaja, ku rritet në gjendje natyrale. Pyjet të mëdha arrash gjenden në Azinë Qendrore, Kirgistan.

Historia e hershme, ajo që njohim, tregon se arra u shfaq në Persinë e lashtë 4000 vjet më parë, ku përmendet si ushqim për mbretër dhe në ligjet që rregullonin ushqimin, vërtetuar edhe nga gjetjet arkeologjike në Irak. Arra citohet në Dhjatën e Vjetër nga Mbreti Solomon, por ka dyshime për përkthim jo të saktë, ndoshta bëhet fjalë për bajamen, pasi në Izeael nuk ka kushte dhe kaq të përshtatshme për arrën.

Në atë periudhë arrat nga Persia filluan te përhapeshin e të tregtoheshin nëpër Azi deri ne Kinë, nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit dhe përmes Detit Mesdhe në brigjet e tij. Në disa enciklopedi botërore kultivimi arrave i atribuohet Grekëve të Lashtë, por ka dyshime se këta e kanë marrë nga Persët, pasi siç thuhet, “Arra Greke ishte me trup të vogël. Në shekullin e IV para Krishtit Aleksandri i Madh, sipas Teofrastit, e ka prurë arrën Persiane në Ballkan  e cila u emërtua “Arra Greke”, dhe që këtej u shpërnda në brigjet evropiane të Mesdheut.

Shumë studiuesve vendas e te huaj (Çiçi, 1973; Demiri, 1981; Jalas & Suominen, 1976, etj.) dëshmojnë se arra në Ballkan është vendase dhe ishte e domestikuar dhe e kultivuar shume kohë më parë se kur ushtarët e Aleksandrit të Madh e sollën Arrën Persiane në Ballkan. Arra Persiane kishte epërsi ndaj arrës vendase sepse ishte me kurorë dhe kokërr më të madhe, prandaj u përhap me shpejtësi nga banorët dhe i zëvendësoi arrët vendase. Në Shqipëri, agronomi mirënjohur Abedin Çiçi thotë se: “Në rritje natyrale tek ne, e butë dhe e egër duhet të jetë vendase dhe shumë e lashtë, bile para se sa të çohej në Greqi dhe të merte emrin Arra Greke.” Gjatë kësaj periudhe dëshmohet se romakët dhe të tjerët i blinin shtrenjtë arrat nga grekët dhe ilirët. Këtë e dëshmojnë gërmimet arkeologjike si edhe gjetjet në shumë anije të mbytura në brigjet e mesdheut në atë periudhë.

Në Siujdhesën e Apenineve dhe Spanjë, arra është shfaqur pas shekullit te dytë apo të tretë të erës sonë, atëherë kur romakët të djegur, plaçkitur e nënshtruar e sundonin Ilirinë. Në Francë dëshmohet se është përhapur në shekullin e IV.  Kushtet klimaterike të Evropës Veriore nuk janë dhe kaq e përshtatshme për rritjen dhe kultivimin e arrës. Sipas Enciklopedisë Britanike mbërritja e bimëve të arrës në Britani mban datën 1567, datë e cila mund te shënoje dhe shpërndarjen e saj në të gjithë Evropën.

Në Kontinentin Amerikan, arra evropiane (J. regia, sepse në gjendje natyrale ishte një lloj tjetër arre, J. nigra),  është sjellë nga kolonët e parë spanjollë në shek XVII. Fillimisht nuk pati sukses për shkak të kushteve klimatiko-tokesore jo të mira, pasi u mboll në shtetet Masaçuset, Konektikat, etj. Në Kaliforni ku gjeti kushte mjaft të mira, në fillim të shekullit XX ajo konkurronte në të ardhura agrumet dhe u përhap me shpejtësi nga fermerët vendas. Sot aty prodhohen rreth 99% të nevojave për SHBA-të, ose rreth 1/5 e prodhimit botëror te arrave.

Rajonet e rëndësishme për kultivimin e arrave në Evropë ndodhen sot në Francë, Serbi, Greqi, Bullgari, Rumani dhe Hungari. Në Azi, në Kinë dhe vendet e Azisë Qendrore, në Amerikën e Veriut në Kaliforni dhe në Kili në Amerikën e Jugut. Kohët e fundit, kultivimi i saj është përhapur në Zelandën e Re dhe juglindje të Australisë.. Arra është e kultivuar edhe si një pemë e bukur dekorative në parqe dhe kopshtet e mëdha, në Angli ka fituar Çmimin Mbretëror të Kopshtarisë.

Luftërat e një-pas-njëshme në gjysmën e parë të shekullit që kaloi, nuk i kanë lënë shqiptarët të mendojnë e të punojnë për kulturën e arrës. Në vitin 1930 ka filluar grumbullimi, seleksionimi dhe shtimi i varieteteve dhe llojeve të vendit e të huaja. Që në ato vite është futur kultivari Italian “Sorento” dhe përgatitja e fidanëve në fidanishten e Laprakës. Pas Luftës Dytë Botërore në fidanishtet e Korçës, Lushnjës, Fierit, Gjirokastrës, etj. janë prodhuar fidanë nga arrë të Nepravishtës, Oçishtit, si dhe llojet “Tetovarja”,  “Burreli”, “Durishti”,  etj.

Pavarësisht se gjatë viteve te diktaturës  në Shqipëri u mbollën mijëra rrënjë arrë, por ashtu si në shumë vende të botës, Azi, Evropë dhe Amerikë, edhe në Shqipëri, me që druri i arrës është i pa zëvendësueshëm për prodhimin e mobilieve dhe rimesos cilësore, është shfrytëzuar pa kriter duke zhdukur edhe pyje të tëra.

Autor: Koço Mosko

Gazeta Bujku e boton me leje te http://bota-bujqesore.blogspot.com/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme