spot_img
HomeBUJKUBimëNjihuni me sherbelën shqiptare

Njihuni me sherbelën shqiptare

spot_img

Është e përhapur kudo, nëpër shkëmbinjtë gëlqerorë dhe faqet e maleve, si në Alpe, Korab, Pukë – Mirditë, Leskovik, Sarandë, etj. Zë një sipërfaqe prej 500 km2. Në zonën e Lezhës, bimët kryesore mjekësore zënë këto sipërfaqe: Sherbela mbi 2600 ha (Kakarriqi 1600, Vela 635 ha, Molunge 635 ha); trumza afro 1800 ha (Kakarriqi 907 ha, Vela 436 ha, Molunge 436 ha); lisra/zhumbrica mbi 310 ha (Kakarriqi 240 ha, Vela 67 ha, Molunge 6 ha), etj. Sherbela është bimë me kërkesa të pakta për tokën; përshtatet në çdo lloj toke, sidomos në ato malore, shkëmbore e gurishtore. Më mirë zhvillohet në toka gëlqerore, në vende të ngrohta e të mbrojtura nga erërat. Preferon klimën mesdhetare ko- drinore dhe malore. I përdoren gjethet e njoma dhe të thata. Eshtë bimë e rrezikuar (Kategoria III). Kur kultivohet, vitin e parë mund të merren 16 kv/ha, të dytin 18 dhe të tretin 30 kv/ha. Eshtë bima kryesore aromatikomjekesore, që zë peshën më të madhe si në eksportet tona kombëtare, ashtu edhe rajonale.

Kushtet klimatiko-tokesore kanë përcaktuar që Shqipëria të ketë privilegjin të jetë furnitori kryesor i sherbelës në tregjet ndërkombëtare, duke eksportuar çdo vit rreth 2/3 e sasisë së përgjithshme të këtij produkti.

Sherbela shqiptare është shumë e kërkuar. Sipas të dhënave, zë 70 % të tregut të sherbelës në SHBA. Ajo përdoret kryesisht në vendet e Mesdheut e sidomos në Itali. Italianët më së shpeshti e përdorin në gatimet me mish dhe shpendë, për t’u dhënë shije pjatave, ashtu si edhe rozmarinën, pasi kanë shije të përafërta.

Saltimbocca ala Romana është ndoshta gjella më e famshme, ku ajo përdoret më shpesh; biftekët e viçit skuqen bashkë me kripën (prosciutto crudo) dhe gjethe të freskëta. Po ashtu, sherbelë e skuqur në gjalpë, derisa gjalpi merr ngjyrë kafe. Përgatitet edhe salcë, për t’u ngrënë me gnocchi italian. Speciet nga Amerika Qendrore e Jugore zakonisht kanë aromë shumë të ëmbël dhe të pranueshme. Ato rriten më shpesh si zbukurime, për lulet e tyre të mëdha dhe me ngjyra.

Vaji esencial i sherbelës ka vlera të jashtëzakonshme kundër mykut, mikrobeve, baktereve, inflamacionit dhe toksinave, por luan edhe rol nxitës/ stimulues, për të gjitha organet e trupit. Sherbela është një nga emrat më të dëgjuar në industrinë e kozmetikës, veçanërisht në përkujdesjen ndaj lëkurës. Produkte të panumërta bukurie kanë në përmbajtjen e tyre vaj sherbele. Përveç rolit që luan në kozmetikë, ky vaj i jashtëzakonshëm ka vlera të tjera shëndetësore, të pakrahasueshme. Përdoret kundër një sere sëmundjesh të lëkurës, plagëve, të prerave, apo irritimeve të rrezikshme, si dhe kundër infeksioneve të veshit, hundës, grykës, syrit, organeve gjenitale, zorrës së trashë, etj. Vaji i sherblës përdoret gjerësisht në trajtimet kundër plakjes. Ai është i pasur me antioksidantë, që shkatërrojnë radikalet e lira në organizëm, të cilat shkaktojnë edhe plakjen e parakohshme. Antioksidantët ngadalësojnë plakjen dhe parandalojnë formimin e rrudhave, varjen e lëkurës, humbjen e tonalitetit të muskujve, humbjen e shikimit apo çrregullime të tjera nervore.

Vaji i sherebelës lufton majisjen/inflamacionin e lëkurës dhe lëndët helmuese që futen në gjak. Përdoret gjithashtu për të ulur impaktin e lëndëve narkotike në organizëm, si dhe për tretjen e ushqimeve me shumë kripë apo erëza, etj. Ky vaj përdoret edhe kundër problemeve që dalin nga dhimbjet e stomakut, kraharorit dhe zorrëve, siç janë konvulsionet ose ngërçet, lehtëson stomakun dhe përmirëson funksionet e të gjithë sistemit tretës shkaktuar nga aciditeti i tepërt. Vaji i sherbelës neutralizon acidet në stomak

dhe në qarkullimin e gjakut dhe mbron nga ulçera apo sëmundje të tjera, që shkaktohen nga rritja e nivelit të aciditetit në gjak.

Vaji esencial i sherbelës përshpejton largimin e toksinave nga gjaku nëpërmjet djersitjes dhe pastron gjakun, duke shërbyer kështu si pastrues efikas i organizmit. Luan rol dezsinfektues kundër mykut, baktereve dhe mikrobeve. Ky vaj ndihmon femrat gjatë ciklit menstrual, pasi aktivizon disa hormone, si estrogjeni dhe ofron lehtësim nga probleme të tilla si dhimbjet e kokës, të vjellat, dobësia, lodhja, depresioni, luhatjet e humorit dhe simptoma të tjera të shkaktuara gjatë ciklit.

Vaji esencial i sherebelës përdoret kundër kollës, të ftohtit dhe infeksioneve në aparatin e frymëmarrjes. Vlera më të mëdha ka rolin nxitës/stimulues për trurin, sistemin nervor, mëlçinë, shpretkën, qarkullimin e gjakut. Vlera të tjera janë: kundër herpesit, psoriozës, astmës, bronkitit, paralizës cerebrale, depresionit, dhimbjeve të shkaktuara nga nervi shiatik, dhimbjet e mesit…

Meqë vaji i sherebelës nxit nervat, ata që vuajnë nga epilepsia, histeria ose simptoma të ngjashme me to, duhet ta evitojnë atë plotësisht. Po ashtu, vaji i sherbelës nuk duhet të merret gjatë shtatzanisë, pasi përmban dy lëndë me natyrë toksike. 

Burimi: Revista “Kurora e Gjelbër”

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme