spot_img
HomeLAJMET E FUNDITNdotja e ajrit, ujit, tokës dhe ndikimet në shëndet nga ndezja e...

Ndotja e ajrit, ujit, tokës dhe ndikimet në shëndet nga ndezja e gomave

spot_img
Me themelimin e Organizatës për mbrojtjen e Mjedisit si dhe funksionalizimin e sektorëve përgjegjës, çështja e mbrojtjes së mjedisit është ngritur në mënyrë të vazhdueshme përmes aktiviteteve konkrete dhe duke u ballafaquar direkt me problematikat që rezultojnë me ndotje dhe degradim. Prandaj duke qenë të vetëdijshëm lidhur me problematikat jo të vogla në vendin tonë, ne kemi marrë përsipër trajtimin e këtyre dukurive në mënyrë shumë serioze.
Njëra ndër dukuritë brengosëse, është edhe ndezja e gomave, dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj. Edhe përkundër ekzistimit të Ligjit për mbrojtjen e ajrit “Ligji nr. 03/l-160 Për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja”, i cili ndalon rreptësishtë djegien e gomave, si dhe ndëshkimeve me ligj, ku çdo person dënohet nëse kryen një veprim të tillë, prapë se prapë kjo praktikë po përsëritet. Ne si sektor mbi mbrojtjen e Ajrit, Ujit dhe Tokës jemi munduar që përmes këtij shkrimi të pasqyrojmë një koncept të qartë të kërkesave tona që kanë të bëjnë me mbrojtjen e këtyre resurseve natyrore.
Qëllimi
Në vijim do të paraqesim disa informacione në lidhje me emisionet në ajër nga djegja e gomave të përdorura hedhurinë dhe efektet shëndetësore të atyre emisioneve të shkaktuara nga djegja e atyre gomave, si dhe do ta trajtojmë shkurtimisht problemin e ndotjes nëntokësore që rezulton nga djegja e këtij lloj materiali. Alternativat se si kjo mbetje, nëse trajtohet siç duhet, mund të shndërrohet në një produkt me vlerë dhe aspak ndotës, së bashku me rekomandimet do të jepen në pjesën e fundit
Ndotja e ajrit
Shkarkimet në ajër nga djegia e gomave janë një kërcënim serioz për shëndetin e njeriut. Në mënyrë të veçantë, emetimet nga ndezja e gomave janë me nivel të lartë mutagjenik (më shumë mutagjene se emetimet nga djegia e të gjitha materialeve të tjera, pra pjesa më e madhe e materialeve tjera që hulumtuesit kanë testuar deri më tani). Emetimet nga ndezja e gomave përmbajnë sasi të konsiderueshme të agjentëve të njohur si kancerogjene njerëzorë, të paraqitur si në vijim: benzeni, 1,3-butadieni, dhe benzo [a] pyreni.
Emetimet në ajër nga zjarret e gomave në ambient të hapur janë treguar të jenë më toksike (p.sh. mutagjene) se ato të një shpenzimi me djegie që vjen nga një karburant tjetër. Emisionet e zjarrit të gomave në ambient të hapur përmbajnë: grimcat ndotëse, monoksidin e karbonit (CO), oksidet e squfurit (SO2), oksidet e azotit (NOx), dhe komponimet organike të paqëndrueshme (VOC). Ato gjithashtu përfshijnë ndotësit e rrezikshëm të ajrit të tilla si hidrokarburet aromatike policiklike (PAH), dioksinat, furanet, klorurin e hidrogjenit, benzenin, Polikloruret e difenilit (PCB); dhe metalet siç janë: arseni, kadmiumi, nikeli, zinku, merkuri, kromi, dhe vanadiumi. Prandaj këto emetime të shkaktuara nga zjarri i gomave në ambient të hapur mund të jenë shkaktar potencial të rrezikut për sëmundjet akute (afatshkurtër) dhe kronike (afatgjatë) edhe për zjarrfikësit dhe banorët aty pranë. Në varësi të kohëzgjatjes dhe shkallës së ekspozimit, këto efekte shëndetësore mund të përfshijnë acarim të lëkurës, syve, dhe mukozës, efekte në organet e frymëmarrjes, sistemit nervor qendror, depresioni, dhe kancer. Zjarrfikësit dhe të tjerët që punojnë pranë një zjarri të madh të gomave duhet të jetë e pajisur me respiratorë të ajrit dhe mbrojtës të lëkurës.
Këtu do të paraqesim të dhënat e emisioneve të liruara të një studimi nga një program testues laboratorik për djegien e pakontrolluar të pjesëve të gomave si dhe monitorimin e ambientit të hapur nga zjarri i shkaktuar nga ndezja e gomave. Të dhënat mutagjene të emetimeve nga djegia e hapur e gomave hedhurinë janë krahasuar me llojet e tjera të emetuara nga djegia e karburanteve të tjerë. Emetimet e zjarrit të gomave në ambient të hapur vlerësohet të jenë 16 herë më shumë mutagjenë se sa ato që lirohen me djegiet e drurit në vendbanimet që ngrohen me ngrohëse zjarri, dhe 13.000 herë më mutagjenë se emetimet nga shfrytëzimi i qymyrit me efikasitet të mirë djegie dhe që kanë kontrollet shtesë.
Analizat laboratorike të këtyre emisioneve (shkarkimet e gazrave)
Një program testimi i kontrolluar me anë të simulimit është projektuar për të identifikuar dhe kuantifikuar produktet organike dhe inorganike të emetimit gjatë djegies së gomave hedhurinë (të përdorura) të simuluar në ambient të hapur e cila u krye nga EPA (Ryan, 1989) dhe më tej dokumentuar në një letër të Asociacionit të quajtur “Air and Waste Management Association” [(AWMA) Lemieux dhe Ryan, 1993]. Ky studim i rëndësishëm është përmbledhur në detaje më poshtë.
Nga pasqyrimi i rezultateve të programit të testimit të mostrave të marra në pozicione të ndryshme dhe, secila e mostruar në periudha të ndryshme gjatë djegies, rezulton se Benzeni është emetuar në sasi të mëdha. Shumica e emisioneve organike të paqëndrueshme (lehtë të avullueshme) janë komponimet alifatike, olefinike, ose acetilenike- aromatike të zëvendësuara. Alkanet ciklike, alkenet, dhe dienet ishin gjithashtu të pranishëm. Butadienet, një përbërës i madh i procesit të fabrikimit gomave ishte gjithashtu i pranishëm….
Të dhënat e emisioneve të komponimeve PAH (Hidrokarburet aromatike policiklike) janë paraqitur gjithashtu, ku 16-PAH përfshijnë disa komponimeve të njohura të cilët paraqiten të jenë kancerogjene. Në veçanti, prania dhe madhësia e benzo (a) pyrene (BaP) është një shqetësim i madh. BaP është shpesh komponim shumë i shqyrtuar dhe analizuar gjatë vlerësimit të proceseve të djegies, për shkak të potencës së lartë ndaj kancerit….
Një sistem i veçantë i koleksionimit të grimcave është përdorur për të analizuar 17 metale që gjenden në mbetjet e hirit të gomave të ndezura. Rezultatet e analizës së metaleve tregojnë se nga emisionet e analizuara u karakterizuan vetëm metalet e plumbit dhe zinkut.
Mutagjenët janë shqetësuese sepse “induksioni i dëmit gjenetik mund të shkaktojë një incidencë në rritje të sëmundjeve gjenetike në gjeneratat e ardhshme dhe të kontribuojnë në sëmundjet e qelizave somatike, duke përfshirë kancerin, në brezin e sotëm “(Amdur, 1991)…. Autorët arritën në përfundimin se djegia në ambient të hapur të gomave, drurit, dhe plastikës rezultojnë në faktorë jashtëzakonisht të lartë të emetimit të mutagjenëve.
Përfundimet e nxjerrura të raportit të testimit na shërbejnë si një paralajmërim potencialisht serioz:” a) Duke marrë parasysh një potencë relativisht të lartë mutagjene të grimcave organike, (b) faktorë të lartë mutagjene të emetimit, dhe (c) prania e shumë mutagjenëve / karcinogjenëve, sidomos PAH-ve, në rrymën e tymrave të liruar nga djegia e hapur e gomave, djegiet e tilla përbëjnë një rrezik të vërtetë mjedisorë dhe shëndetësorë “(Lemieux dhe DeMarini, 1992).
Ndotja e tokës dhe ujit
Përveç kësaj, studimi ka theksuar edhe një ndikim tjetër nga ndezja e gomave: lirimin në tokë dhe në ujërat nëntokësor të substancave të rrezikshme. Çfarë vijon është një citim nga studimi:
Përveç emisioneve, sasi të konsiderueshme të substancave të lëngshme dhe të ngurta përmbajnë kimikate të rrezikshme që mund të jenë gjeneruar nga shkrirja e gomave gjatë ndezjes. Këto produkte mund të ndotin tokën, ujërat sipërfaqësore dhe ujërat nëntokësore dhe duhet të ketë kujdes të shtuar sepse duhet të merren për t`u menaxhuar siç duhet këto ndikime.
Konkludimet
Meqë studimet e kryera tregojnë se ndezja e gomave në ambient të hapur është dukuri e rrëzikshme, e konfirmuar se prodhon gazra toksike që mund të paraqesin rreziqe shëndetësore, atëher ne këtu do të mundohemi të paraqesim alternativat se si kjo mbeturinë duke u trajtuar me metoda të cilat janë miqësore dhe familjare me ambientin dhe natyrën do të mund të shëndërrohen në produkte shumë të kërkuara për nevojat industriale.
Lista e impianteve industriale, që mund të përdorin gomat e vjetra hedhurinë si lëndë djegëse alternative është mjaft e gjërë, dhe është paraqitur si më poshtë:
Në furrat e Impianteve të Çimentos
Në furrat e Impianteve të Gëlqeres;
Në furrat e Impianteve për shkrirje të metaleve;
Në furrat e Impianteve që shfrytëzojnë thëngjillin;
Në furrat e Impianteve për shkrirje të xeheve dhe mineraleve;
Në furrat e Impianteve për prodhimin e energjisë dhe kaldajave industriale.
Indeksi i metodave moderne të menaxhimit të gomave mbeturinë është paraqitur në Tabelën si më poshtë:
Rekomandimet
Si rekomandim i përgjithshëm është krijimi i një baze të qëndrueshme juridike për mbrojtjen e Mjedisit në nivel lokal dhe atë qendror në mënyrë që të jetë i përballueshëm dhe në përputhshmëri me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë.
Rekomandimet në vazhdim, të Sektorit të Mbrojtjes së Ujit, Ajrit dhe Tokës (UAT) i cili operon në kuadër të Organizatës “GJETHI”, për këtë lloj të mbetjes e cila konsiderohet mjaft e dëmshme për mjedisin nëse nuk trajtohet si duhet dhe të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e keq shfrytëzimit apo keq menaxhimit të tyre duke u administruar përmes Udhëzimeve dhe Ligjeve përkatëse janë:
– Gomat e vjetra hedhurinë duhet të përfshihen në legjislacionin tonë aktual dhe të parashihet e drejta e shfrytëzimit nga industritë e lartë cekura si lëndë djegëse alternative;
– Të mundësohet shfrytëzimi i tyre si lëndë djegëse alternative dhe si lëndë e parë ose edhe si bashkë-djegies i proceseve në djegien e mbeturinave në Impiante;
– Produktet e lëngëta të nxjerra prej procesit të riciklimit pas trajtimit të mundë të shfrytëzohen si hidrokarbure të lëngëta të naftës ( të një kualiteti më të dobët) për mjetet motorike në bujqësi;
– Të bëhet subvencionimi i nënprodukteve që dalin nga distilimi i tyre dhe të i ‘u ofrohet mundësia prodhuesve të kësaj industrie që këto nënprodukte të shndërrohen në produkte të gatshme për tregun;
Rekomandojmë gjithashtu që të përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e personave fizik dhe juridik për sigurimin e kushteve dhe masave për mbrojtjen dhe përparimin e kushteve të Mjedisit duke përfshirë detyrimin dhe përdorimin me përgjegjësi të resurseve natyrore, me qellim të realizimit të së drejtës së qytetarëve për një Mjedis të shëndetshëm dhe njëkohësisht zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Çështja mjedisore është çështje e ardhmërisë sonë dhe nuk guxon të anashkalohet në asnjë pjesë që përkon me pikëpamjen mjedisore, prandaj duhet shtohen përpjekjet nga institucionet tona që të zbatohen ligjet dhe të respektohen kërkesat e normave ndërkombëtare të mbrojtjes së parametrave ambental, të cilët janë shumë esencial për shëndetin e qytetarit tonë./Gazeta Bujku
—–
Autor: Valdet Teneqja, Msc Udhëheqës i Sektorit për Mbrojtjen e Ujit, Ajrit dhe Tokës (UAT) Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit GJETHI – OMMGJ
spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme