spot_img
HomeBUJKUBlegtoriMurciana Granadina - raca e dhive autoktone spanjolle

Murciana Granadina – raca e dhive autoktone spanjolle

spot_img

Raca e dhive mursiana-granadina (njihet edhe si mursia-granada, Murciano- Granadina etj.) e ka a prejardhjen nga rajonet gjysmë të thata (gjysmë shkretëtirë) të mediteranit në pjesën
juglindore të Spanjës, më saktë në provincën e Mursias, e cila i përfshin rajonet e qyteteve Mursia, Almeria, Granada dhe Alikante. Tradita e kultivimit të dhive në rajonin e Mursias ka
rrënjë të thella, ku njëkohësisht është krijuar edhe një nga racat autoktone më të rëndësishme në Spanjë. Raca shkakton interes të madh si në nivel nacional ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Ajo ka aftësi të përkryer për mbajtjen e qëndrueshmërisë (perzistencë) së prodhimit solid të qumështit në kushte të thata klimatike, si dhe në rajonet të cilat janë të varfra dhe të pamjaftueshme me kullota. Me fjalë të tjera mund të kultivohet në rajonet ku lloje dhe raca të kafshëve vendase nuk do të mund të kultivohen ose do të ishte e vështirë të kultivohen. Për këto arsye, është importuar në rajone të ndryshme të botës (Amerika Latine, Afrika e
Veriut dhe në shumë rajone të Evropës).

Raca mursia-granada, posedon karakteristika gjenetike për cilësi të mirë të qumështit, i cili në Spanjë përdoret kryesisht për prodhimin e djathit. Është krijuar në nga dy popullata lokale:
mursiano e cila ka lëkurë me qime të shkurtra me ngjyrë kafe (mahagon) dhe granadina e cila ka, gjithashtu, lëkurë me qime të shkurtra, por me ngjyrë të zezë.

Shoqata themelore qëllimi i të cilës është popullarizimi, kultivime dhe shpërhapja e racës është shoqata “AKRIMUR” (ACRIMUR) selia e të cilës është në qytezën Humilja (Jumilla), qytet i vogël me rreth 22.000 banorë, që gjendet në pjesën qendrore të Mursias. Kjo shoqatë
ka formuar qendra riprodhuese, me qëllim që të shesë këtë racë në pjesët e tjera të Spanjës, por dhe për eksportim të saj në Evropë dhe në pjesët e tjera të botës.

Libri i parë i amzës (i a.q. flok-buk – Flock Book) për këtë racë të dhive në Spanjë është nga
viti 1934, duke përfaqësuar kështu një prej librave amzë më të vjetër, në krahasim me
racat e tjera të dhive në Spanjë.

Gjendja në numra dhe shpërhapja e racës

Mursiana-granadina është një racë dhish me shpërhapje të madhe, përkatësisht distribuim të madh gjeografik, me një numër të përgjithshëm prej 400.000 kokësh në të gjithë Spanjën, prej të cilave mbi 125.000 janë dhi të regjistruara në librin amë (Flock Book).

Ky numër dhish prej 125.000 kokësh i cili gjendet në një numër të caktuar a.q. nukleusë të kontrolluar, të cilët e formojnë Librin zyrtar gjenealogjik të racës, duke e formuar kështu bazën e programit kultivues për përmirësimin e racës. Kusht për formim të një nukleusi
të kontrolluar është fakti që ai të përfshijë rreth 800 dhi me minimum prej 30 dhish në një kope, përkatësisht baxho.

Kjo racë, nga rajoni i saj amë i kultivimit, gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë është transferuar edhe në Amerikën Veriore dhe Jugore, kështu që sot kultivohen në Argjentinë, Brazil, Venezuelë, Meksikë dhe shtete të tjera. Prej vendeve afrikane këtë racë e gjejmë në Algjeri, Marok, Tunizi, Senegal, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, kurse në Evropë mursia-granada gjendet në Portugali, Francë, Greqi, Rumani,
Shqipëri etj.

Shpërhapja e madhe e kësaj race dhish i dedikohet para së gjithash aftësisë së saj të madhe për përshtatje dhe aklimatizim, si dhe faktit se qumështi i saj ka një vlerë jashtëzakonisht të lartë, si rezultat i përqindjes së lartë të materieve të thata (yndyrë dhe proteina).

Karakteristikat prodhuese të kësaj race

Madhësia e laktacionit te raca mursia- granada është më shpesh 225 ditë. Duke marrë parasysh se në Spanjë kecat izolohen prej nënave menjëherë pas lindjes, kjo periudhë mund të konsiderohet lirisht si periudhë për mjelje.

Laktacioni standard te dhitë në laktacionin e parë (për kecin e parë) është 150 ditë, kurse te dhitë në laktacionin e dytë edhe mandej (keci i dytë dhe më tepër keca), është 210-240 ditë. Në raste të caktuara gjatësia e laktacionit te disa dhi më të rritura mund të arrijë edhe deri në 260 ditë.

Prodhimi mesatar i qumështit te kjo racë dhish është rreth 350 kg te dhitë në laktacionin e parë, kurse tek ato në laktacionin e dytë dhe mandej, prodhimi i qumështit lëviz nga 450-600 kg. Te disa dhi (a.q. rekordere), prodhimi mund të arrijë edhe deri në 1200 litra në laktacion.
Prodhimi ditor i qumështit, te kjo racë është në kufijtë e 1,5-2,5 litra, kurse përmbajtja e yndyrave të qumështit dhe të proteinave në qumësht lëviz nga 4,9 – 5,6%, përkatësisht 3,2-3,8%. Te kjo racë dhish theksi i përzgjedhjes vendoset te niveli i proteinave, prandaj ajo karakterizohet me një nivel më të lartë të kësaj përbërjeje të qumështit, kështu që
qumështi ka një renditje jashtëzakonisht të lartë në prodhimin e llojeve të ndryshme të djathit.

Raca u takon racave të dhive të lehta për mjelje, kështu që gjatë përzgjedhjet një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe kinetikës përkatësisht rrjedhjes së qumështit gjatë mjeljes.

Çmimi mesatar për një litër qumësht dhie, sipas fermerëve të cilët i vizituam, lëviz nga 70-80 euro centë ose kjo lëviz nga 42 deri në 50 denarë.

Sipas praktikës së fermerëve spanjollë, prodhimi i mishit të kecit te kjo racë dhish, ka rëndësi dytësore. Kecat i ndajnë menjëherë pas lindje, kurse kolostrumin u jepet nëpërmjet një sistemi përkatës për pirje, pas një trajtimi termik të tij, që të mbrohen nga CAEV (Caprine
Arthritis Encephalitis Virus).

Kecat theren kur të kenë mbushur 30-40 ditë, me peshë 8-10 kg peshë e gjallë (a.q. Choto keca). Rendimenti i këtyre kecave është midis 45-55%. Kjo do të thotë se dhitë fillojnë të milen 2-3 ditë pas lindjes së kecave (menjëherë pas pastrimit nga qumështi kolostrum).

Nga ajo që arritëm të shohim dhe mësojmë në këtë periudhë të shkurtër kohore të qëndrimit në Spanjë, mund të nxirret përfundimi se raca mund të përshtaten në kushtet të cilat ekzistojnë në R. Maqedoninë, megjithatë fermerët potencialë, mbarështuesit e kësaj race,
do të duhet të bëjnë ndryshime të caktuara në teknologjinë e kultivimit, e cila është mjaft e ndryshme nga ajo të cilën e kanë përdorur fermerët deri tani.

Kjo do të thotë kalim nga mënyrë ekstensive në mënyrë gjysmë intensive dhe deri në intensive të mbarështimit, që nënkupton mbarështim në stallë, me kullotje ditore në kullotat më të afërta, maksimum 4-5 orë në ditë. Me fjalë të tjera përkrah ushqimit të cilin do ta përdorin nga kullotat përreth, gjatë periudhës së dhënë kohore, ato duhet të ushqehen
me ushqim shtesë çdo ditë (gjatë gjithë vitit) me përbërje të koncentruara në sasi prej 1 kg/ditë, përkatësisht ushqim kaba në sasi prej 1,2-1,5 kg në ditë, në varësi nga faza fiziologjike në të cilën gjenden dhitë.

Puna rentabile në këtë degë të blegtorisë me siguri do të varet edhe nga çmimi, të të dy prodhimeve kryesore (qumështi dhe mishi i kecit), sidomos nga qumështi i dhisë
dhe prodhimet e qumështit, të marra nga ai.

Çmimi i deritanishëm i qumështit të dhive prej 15-20 denarësh për litër, thjesht nuk do të mund të sigurojnë punë rentabile, sipas teknologjisë së re të propozuar për mbarështimin e kësaj race dhish.

Duke pasur parasysh fuqinë e dobët blerëse të konsumatorëve tanë, ndoshta plasman për këto prodhime me çmime të larta do të duhet të kërkohet edhe në tregjet e tjera, si nëpër Evropë
ashtu edhe nëpër botë, ku sipas të gjitha anketave dhe informacioneve ekziston një kërkesë e lartë për prodhime dhie cilësore, organike dhe të shëndetshme, të prodhuara sipas standardeve evropiane. Për këtë gjithsesi do të na duhet organizim shumë më i mirë në suazat e kësaj fushe.

Shkruan: prof. dr. Nikolla Pacinovski

Burimi: Revista “Toka Ime”

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme