spot_img
HomeIntervistaKUJDES ME UJIN!

KUJDES ME UJIN!

spot_img

Intervistë me ekspertin e ujërave Baton Begolli

Kosova ka deficit të rezervave ujore në dispozicion dhe të reshurave, krahasuar me vendet e rajonit.

Gjendja është mjaft serioze, sepse nuk po kuptohet mjaftueshëm rëndësia gjeo-politike dhe gjeo-strategjike e ujërave, ndonëse ekspertët e fushës paralajmërojnë ujin si faktor stabiliteti dhe mundësi të shkaktimit të krizave globale.

Mbi 92 % e popullatës së Kosovës llogaritet se kanë qasje në furnizim me ujë të pijshëm prej sistemeve qendrore dhe vetanake. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës uji me të cilin furnizohen qytetarët është sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Për të kuptuar a ka Kosova ujë të mjaftueshëm, cilat janë kërkesat, sfidat dhe arritjet e sektorit portali motilokal.com intervistoi ekspertin për menaxhimin e ujërave z. Baton Begolli, këshilltar për politika ujore pranë Qeverisë së Kosovës.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Z. Begolli, a ka Kosova ujë të mjaftueshëm?

Më lejoni që të filloj se sa ka ujë, në të vërtetë, në botë. Nga e gjithë sasia e ujit në në Tokë vetëm 2.5% konsiderohen ujëra të ëmbla, e nga to më shumë se gjysma është në akullnaja. Më pak se 1 % janë të disponueshëm, e nga këto më pak se 0.01% janë në lumenj dhe liqene. Pra uji në nivel global është i kufizuar. Në fakt, një shtet, i cili ka më pak se 1700 m3 për kokë banori për vit, konsiderohet të ketë stres ujor, pra mungesa e ujit në dispozicion për të përmbushur kërkesat e shtetit, përfshirë në raste të kufizimeve si thatësia apo ndotja. E tash sa ka Kosova? Diku rreth 1600 m³ për kokë banori për vit! Domethënë Kosova ka mungesë të ujit. Në krahasim me rajonin, mesatarja e së cilës është 9805 m3/b/v, Kosova ka më së paku ujëra.

Sipas kësaj, gjendja qenka mjaft serioze?

Po, nuk është fshehtësi se uji është resurs me rëndësi gjeo-politike dhe gjeo-strategjike për cilindo shtet në botë. Keni dëgjuar dhe gati të gjithë e thonë se luftërat e ardhshme do të bëhen për ujëra. Nuk po i hyj kësaj, se a qëndron a jo. Kurrë mos ndodhshin. Por kjo tregon se uji si resurs ka vlerë dhe duhet mbrojtur nga keqpërdorimet si dhe duhet kursyer. Gjendja po bëhet serioze me ndryshimet klimatike e ne këtë po e vërejmë me shfaqjen më të shpeshta të periudhave të thatësisë. P.sh. ju kujtohet thatësia e vitit 2007 ku as Mirusha nuk pikonte e Lumbardhi i Pejës nuk rridhte, e mandej thatësia e viteve 2013-2014 që e solli Prishtinën e Gjilanin në kriza serioze me ujë të pijes, e tani thatësia të cilën po e përjetojmë, efektet e së cilës po i përjeton më së keqi Gjilani, ku kompania e ujësjellësit është detyruar të bëj restriksione serioze disaorëshe për të kursyer ujin. Kjo thatësi e kombinuar me ndotje ka bërë të pamundur varësinë e Kamenicës në ujërat sipërfaqësore dhe furnizimi me ujë është stopuar në tërësi atje duke obliguar kompaninë që të hap puse dhe të mbështetet në ujëra nëntokësore që sado pak t’u ofrojë ujë qytetarëve të saj.

A ka zgjidhje për Kosovën? Pse duhet të kemi përballje me sfida të njëjta p.sh. në rastin e Gjilanit?

Patjetër, por po ia nisi njëherë nga pjesa e fundit. Së pari, ne nuk mundemi të parashikojmë thatësinë, ndonëse kemi nisur të krijojmë mekanizma për paralajmërim të hershëm. Së dyti, sot kemi thatësi në tërë Kosovën, por që kompanitë e tjera kanë burime të mjaftueshme ujore ose zgjedhje alternative. P.sh. e vetmja arsye që ne sot në Prishtinë nuk po e përjetojmë krizën e vitit 2013/2014, ndonëse intensiteti i thatësirës është më i lartë, është se në ndërkohë Prishtinës i është shtuar edhe një resurs, përmes kanalit të Ibër-Lepencit dhe fabrikës së re të ujit në Shkabaj, ne tani përfitojmë nga liqeni i Ujmanit, të cilin atëherë nuk e kishim të disponueshëm. Pra, tani vijmë te ajo zgjidhja – e kjo është zhvillimi i resurseve të reja. Rajoni i Gjilanit, i Ferizajt dhe Kosova qendrore janë rajone të thata në përgjithësi. Zgjidhja për këto rajone, por jo vetëm për to, është ndërtimi i akumulimeve të reja me shumë qëllime. Kosova sot ka më pak se 300 m³ për kokë banori në krahasim me shtetet e rajonit, mesatarja e të cilave është 700 m³ për kokë banori. Vetëm Serbia dhe Kroacia kanë më pak ujë të akumuluar, por kjo është sepse ata kanë mjaft ujë në dispozicion.

Ne i ndajmë ujërat me shtetet fqinje, atëherë përse ne kemi mungesë të ujit?

Po, ujërat e Kosovës janë ndërkufitare. Që ta sqarojmë ne kemi 4 – 5 pellgje nëse dëshirojmë të jemi korrekt gjeografikisht dhe e konsiderojmë edhe një pellg të vogël, Plava. Pra, pellgu Drini i Bardhë derdhet në Shqipëri dhe më pas në detin Adriatik, pellgjet Ibër dhe Morava e Binçës derdhen në Serbi dhe më pas në Detin e Zi, dhe pellgu Lepenc në Maqedoni dhe më pas në detin Egje. Në fakt, vetëm 5% të ujërave vijnë nga jashtë, kurse 95% të ujërave tona burojnë në Kosovë dhe më pas derdhen në shtetet fqinje. Pra ne jemi lartë rrjedhjes dhe lumenjtë tonë nuk arrijnë të krijojnë sasi të mjaftuar sepse territori ynë është i vogël. As nuk arrijnë që të derdhen në ndonjë liqe. Krejt liqenet që i kemi janë artificiale, përjashtimit prej liqeneve malore të vogla, p.sh. në Rugovë. Kurse, i shohim dhe lakmojmë lumenjtë në shtetet fqinje janë më të mëdha, kanë më shumë ujë.

Më herët e potencuat gjendjen kritike në Kamenicë ku është ndërprerë i tërë furnizimi me ujë nga ujërat sipërfaqësore? Në përgjithësi cila është gjendja e resurseve ujore?

Kur fola më herët se nuk kemi mjaft ujë tentova ta faktojë këtë gjë, e tani paramendoni sa është e rëndësishme mbrojtja e këtyre resurseve. Fatkeqësisht, menaxhimi i resurseve ujore mbetet hallka më e dobët e qeverisjes së ujërave në përgjithësi në Kosovë. Gjendja e tyre lë shumë për t’u dëshiruar. Nuk kemi mbrojtje të mjaftueshme të zonave ujore; nuk ka menaxhim të përmbytjeve dhe erozionit; shfrytëzimi i ujërave në shumtën e rasteve nuk paguhet, e as shkarkimi i ujërave të ndotura; nuk kontrollohen shkarkimet industriale; shumica e operatorëve me ndikim në resurse ujore nuk kanë leje ujore; mungon monitorimi i ujërave nëntokësore; regjimi ujor rrezikohet nga hidrocentralet, e sfida të tjera. Ka edhe zhvillime pozitive sidomos në aspektin e politikave, kornizës ligjore dhe zhvillimit të institucioneve, ndonëse zbatimi i tyre çalon.

Cilat janë arritjet e sektorit?

Ka plot, por kur zgjidhet një problem, fokusi shkon te problemet e mbetura. Ekziston një thënie se si matet suksesi – duke shikuar problemet e vitit të kaluar a i kemi akoma ato sivjet? Pra ato që i përmenda janë probleme që vazhdojnë t’i kemi. Kurse arritjet janë të shumta, sidomos në sektori e shërbimeve të ujit, pra furnizimi me ujë, kanalizim dhe trajtimin e tyre. Kosova sot ka mbulueshmërinë më të madhe me shërbime të ujit në rajon. Qasja e popullatës në ujësjellës publik dhe kanalizim është mbi 80 dhe 70% respektivisht. Në trajtimin e ujërave kemi pas ngecje, por që tani janë në proces të zhvillimit të impianteve për trajtimin e tyre në gjitha kryeqendrat dhe në një periudhë pesëvjeçare pritet që më shumë se gjysma e ujërave të ndotura të trajtohen.

A e kemi të sigurt ujin e pijes? Kush i monitoron ujërat dhe çfarë është çështja e rrezikut nga gypat e asbestit?

Unë e pi ujin në çdo qytet dhe e parapëlqej shumë më shumë se ujin e ambalazhuar. 15 vite kam jetuar jashtë dhe gjithnjë jam lavdëruar se në Kosovë ujin e kemi të mirë dhe e pimë pa merak. Uji i ambalazhuar ka qenë një koncept i huaj për tryezën tonë. Sot të obligohet në restorante e kafe, e të thuhet se uji nuk pihet, etj. Gabim! Absolutisht e pavërtetë! Uji i pijes monitorohet nga Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik në nivel qendror dhe përmes zyrave rajonale, e gjithashtu në vazhdimësi monitorohet nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve. Mbi 99.8% e rezultateve janë në përputhje me standardet e BE-së. Kurse uji natyror monitorohet nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. Sa i përket rrezikut nga gypat e asbestit duhet pasur parasysh se asbesti është i rrezikshëm për frymëmarrjen, pra pluhuri i azbesti për punëtorët e ujësjellësit paraqet rrezik gjatë rehabilitimit të rrjetit dhe kësisoj duhet të jenë të mbrojtur. Ndërsa uji që bartet përmes këtyre gypave nuk është i rrezikshëm. Asnjë institucion për cilësi të ujit dhe shëndetit publik nuk e thotë që është kancerogjen. Ka gypa të tillë kudo në Evropë dhe nuk janë çuar për t’i zëvendësuar, përpos kur bëhet ndryshimi i rrjetit dhe atë kryesisht për shkak të vjetërsisë dhe humbjeve të ujit. /Motilokal.com

Z. Begolli, ju faleminderit.

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme