Search

Kosova ka importuar 3.2 miliardë derisa ka eksportuar 474 milionë euro në 2020

77

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit gjatë vitit 2020.

Në këtë publikim të statistikave të tregtisë së jashtme të mallrave janë dhënë më gjerësisht shumë sqarime në të detajuara për atë se çka eksporton vendi ynë në tregun e jashtëm dhe çka importon nga tregu i jashtëm.

Tregtia e mallrave në vitin 2020 kishte në vlerë prej 2.8 miliardë Euro, që tregon për një deficit tregtar më të ulët për (-9.4%), krahasuar me vitin 2019.

Totali i eksporteve në këtë vit ishte 474.8 milionë Euro, ndërsa importi 3.2 miliardë Euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 14.4%.

Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat kosovare gjatë viti 2020 me atë të vitit 2019, shifrat tregojnë se është një rritje vjetore për 23.8%. Rritje, e cila ka edhe më tutje bilancin negativ tregtar të Kosovës.

Eksportet sipas sektorëve në këtë vit kishin rritje në këto grupe: artikuj të ndryshëm të prodhuar në vlerë rreth 49.7 milionë Euro (krahasuar me 20.0 milionë Euro, ose 10.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 148.9%); produkte të industrisë kimike në vlerë rreth 18.7 milionë Euro (krahasuar me 8.1 milionë Euro, ose 4.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 130.2%); produktet bimore në vlerë rreth 31.7 milionë Euro (krahasuar me 22.9 milionë Euro, ose 6.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 38.3%); tekstil dhe artikuj tekstili, në vlerë rreth 15.2 milionë Euro (krahasuar me 11.5 milionë Euro, ose 3.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 32.3%); metale bazë dhe artikuj prej tyre, në vlerë rreth 173.9 milionë Euro (krahasuar me 134.3 milionë Euro, ose 36.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.4%); mjetet e transportit në vlerë rreth 5.1 milionë Euro (krahasuar me 3.9 milionë Euro, ose 1.1% e eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 29.3%); artikuj prej guri, allçie, prodhim qeramike dhe qelqi, në vlerë rreth 10.4 milionë Euro (krahasuar me 8.5 milionë Euro, ose 2.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 23.0%); makineri, pajisje mekanike dhe elektrike, në vlerë rreth 20.3 milionë Euro (krahasuar me 16.8 milionë Euro, ose 4.3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 20.7%); plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, në vlerë rreth 57.1 milionë Euro (krahasuar me 50.8 milionë Euro, ose 12.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12.5%); ushqime të përgatitura, pije, pije alkoolike dhe duhan, në vlerë rreth 43.5 milionë Euro (krahasuar me 39.8 milionë Euro, ose 9.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 9.4%); letër dhe artikuj prej letre, në vlerë rreth 4.5 milionë Euro (krahasuar me 4.3 milionë Euro, ose 1.0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 3.6%).

Gjatët kësaj periudhe, kishte rënie të eksporteve në këto grupe: lëkurë dhe artikuj prej saj, në vlerë rreth 4.1 milionë Euro (krahasuar me 6.5 milionë Euro, ose 0.9% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 36.9%); produktet minerale, në vlerë rreth 26.0 milionë Euro (krahasuar me 40.0 milionë Euro, ose 5.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 34.8%); druri dhe artikuj druri, në vlerë rreth 5.4 milionë Euro (krahasuar me 5.7 milionë Euro, ose 1.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 5.6%).

Trend pozitiv të rritjes së eksporteve nga 2010-2020, kanë pasur këto grupe të sektorëve: plastika, goma dhe artikujt prej tyre, nga 8.1 milionë Euro në 57.1 milionë Euro; artikujt e ndryshëm të prodhuar, nga 1.9 milionë  Euro në 49.7 milionë Euro; ushqimet e përgatitura, pijet, pijet alkoolike dhe duhani, nga 11.5  milionë Euro në 43.5 milionë Euro; produktet bimore nga 12.2  milionë Euro në 31.7 milionë Euro.

Të  dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës në vitin 2020 kanë shënuar një rënie vjetore rreth (-5.7%), duke krahasuar me vitin paraprak, 2019.

Rritje te importet sipas sektorëve janë vërejtur në këto grupe: produktet e industrisë kimike, në vlerë rreth 283.9 milionë Euro (krahasuar me 246.9 milionë Euro, ose 8.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 15.0%); yndyrat, në vlerë rreth 32.1 milionë Euro (krahasuar me 30.0 milionë Euro, ose 1.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 6.9%); instrumentet optike, mjekësore, fotografike, muzikore etj., në vlerë rreth 45.1 milionë Euro (krahasuar me 43.0 milionë Euro, ose 1.4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4.8%); produktet bimore, në vlerë rreth 163.9 milionë Euro (krahasuar me 160.5 milionë Euro, ose 5.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1%); plastika, goma dhe artikujt prej tyre, në vlerë rreth 224.5 milionë Euro (krahasuar me 220.8 milionë Euro, ose 6.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.7%); makineria, pajisjet mekanike dhe elektrike, në vlerë rreth 434.9 milionë Euro (krahasuar me 431.7 milionë Euro, ose 13.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 0.8%); ushqimet e përgatitura, pijet, pijet alkoolike dhe duhani, në vlerë rreth 422.2 milionë Euro (krahasuar me 420.4 milionë Euro, ose 12.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 0.4%).

Ndërkaq, rënie të importeve kishte te këto grupe: produktet minerale (lëndët djegëse), në vlerë rreth 353.8 milionë Euro (krahasuar me 517.6 milionë Euro, ose 10.7% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej  31.7%); lëkura dhe artikujt prej saj, në vlerë rreth 7.2 milionë Euro (krahasuar me 10.4 milionë Euro, ose 0.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 30.9%); veshmbathjet (këpucët dhe pjesët e artikujve të tillë), në vlerë rreth 35.0 milionë Euro (krahasuar me 43.5 milionë Euro, ose 1.1% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 19.5%); artikujt e ndryshëm të prodhuar, në vlerë rreth 87.6 milionë Euro (krahasuar me 99.9 milionë Euro, ose 2.7% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 12.4%); letër dhe artikuj prej letre në vlerë rreth  në vlerë rreth 47.1 milionë Euro (krahasuar me 52,5 milionë Euro ose 1.4% e importeve të përgjithshme me rënie prej 10.2%), mjetet e transportit të ndryshëm  në vlerë rreth 288,8 milionë Euro (krahasuar me 314,7 milionë Euro ose 8.8% e importeve të përgjithshme me rënie prej 8.2%), metale bazë dhe artikuj prej tyre, në vlerë rreth 351.1 milionë Euro (krahasuar me 371.4 milionë Euro, ose 10.7% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 5.5%); tekstili dhe artikujt prej tij, në vlerë rreth 163.1 milionë Euro (krahasuar me 173.2 milionë Euro, ose 4.9% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 5.9%); druri dhe artikuj nga druri, në vlerë rreth 80.6 milionë Euro (krahasuar me 83.4 milionë Euro, ose 2.4% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 3.3%); artikujt prej guri, allçie, prodhim qeramike dhe qelqi, në vlerë rreth 112.5 milionë Euro (krahasuar me 115.6 milionë Euro, ose 3.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 2.7%); kafshët e gjalla, produktet me origjinë kafshe, në vlerë rreth 147.2 milionë Euro (krahasuar me 148.7 milionë Euro, ose 4.5% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 1.1%).

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 163.4 milionë Euro, ose rreth 34.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermani (9.3%), Italia (6.0%), Holanda (4.6%), etj.

Sipas kapitujve, pjesëmarrje më të lartë nga vendet e BE-së kanë këto grupe të eksporteve: hekur dhe çelik, 35.6 milionë Euro, ose rreth 21.8%; plastika dhe artikujt prej saj, 28.3 milionë Euro, ose rreth 17.3%; mobilieritë: krevatet, dyshekët, mbajtëset e dyshekëve dhe shtresa të ngjashme të mbushura, llambat dhe pajisjet e ndriçimit (jo të përfshira diku tjetër), 10.0 milionë Euro, ose rreth 6.1% etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 1.5 miliardë Euro, ose 45.8% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-12.0%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0%), Italia (5.6%), Greqia (4.2%), Sllovenia (3.2%) dhe Polonia (3.1%), etj. Vendet e BE-së mbulojnë pjesën më të madhe të importeve të përgjithshme të Kosovës.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin te kapitujt: mjetet e transportit të ndryshëm, 238.2 milionë Euro, ose rreth 15.8%; lëndët djegëse minerale dhe vajrat minerale, produktet e destinimit të tyre, 172.4 milionë Euro, ose rreth 11.4% etj.

Gjatë vitit 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 210.7 milionë Euro, ose 44.4% të eksporteve të përgjithshme, ku kishte rritje prej 27.8%. Partnerë kryesorë për eksport në vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (23.2%), Maqedonia e Veriut (9.3%), Serbia (6.4%) dhe Mali i Zi (3.9%).

Sipas kapitujve, pjesëmarrje më të lartë nga vendet e CEFTA-s kishin këto grupe të eksporteve: hekuri dhe çeliku, 55.8 milionë Euro, ose rreth 26.5%; artikujt prej hekuri dhe çeliku, 30.6 milionë Euro, ose rreth 14.6%; pijet, pijet alkoolike dhe uthulla, 20.7 milionë Euro, ose rreth 9.8% etj.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në vitin 2020 arritën në 615.3 milionë Euro, ose 18.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22.4%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin:  Shqipëria (5.8%), Maqedonia e Veriut (5.7%), Serbia (5.3%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin te kapitujt: hekuri dhe çeliku, 120.3 milionë Euro, ose rreth 19.6%; kripërat, sulfuret, oksidet, gurët, materialet suvatuese, gëlqerja dhe çimentoja, 55.8 milionë Euro, ose rreth 9.1% etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100.6 milionë Euro, ose 21.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (8.2%), SHBA (5.0%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 1.1 miliardë Euro, ose 35.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.4%) dhe Kina (9.8%). /Gazeta Bujku