spot_img
HomeBUJKUDobitë e arrës

Dobitë e arrës

spot_img

Arra është një dru frutor që përmirëson kushtet e mjedisit. Në zonat ku kultivohet krijon një mjedis të freskët e tepër jetësor. Rrënjët e saj ashtu siç frenojnë erozionin e tokave, shërbejnë edhe për të mbajtur lagështinë në tokë, sidomos në zonat me verë të thatë. Të gjitha pjesët e arrës, si: trugu, frutat, rrënjët,  kanë vlera cilësore drusore, ushqyese, mjekësore, etj.

Rrënjët e arrës janë nga më të mirat për prodhimin e mobiljeve. Rimesua dhe mobiljet më të shtrenjta prodhohen me drurin e rrënjëve të arrëve. Nga rrënjë perfitohen edhe një lëndë etro-vajore me erë të këndshme që përdoret në parfumeri. Në mjekësinë popullore nga rrënjët prodhohet një  pluhur laksativ.            

Druri i arrës, është një nga drutë më cilësorë për prodhimin e rimesos për mobiljet. Përdoret në bërjen e dyshemeve cilësore me variacione ngjyrash e të forta. Gjen përdorim për pjesët e drunjta të armëve dhe vepra arti si skulptura, sepse është i qëndrueshëm dhe rezistent. Për përgatitjen e instrumentave muzikore, si piano, kitara , violina, etj., që jo vetëm prodhon një muzikalitet të veçantë e të mahnitshme, por instrumentet kanë dhe një paraqitje të bukur. Në Luftën e Parë Botërore druri arrës përdorej për të bërë pajisje për aeroplanët. Ikonostaset e kishave janë të gdhendura nga dru arre. Në shtëpitë e banimit, në qoshet e tavanëve, në mese apo musandrat shpesh gjenden  zbukurime të gdhendura me dru arre. Kjo ndihmonte dhe për mënjanimin  e dëmtimeve nga drungrënësit.

Me dru arre bëheshin dhe pajisje të ndryshme, si trupi parmendës dhe zgjedha që u vihesh në qafë qeve të punës. Gjithashtu druri arrës përdorej për të bërë korita(vaska)  që pinin ujë bagëtia ose shpendët, magje për mbrujtjen e bukës, bucela, kade, plloska, havanë apo këpucë druri, nallanet për brenda shtëpisë. Nga druri i arrës bëheshin edhe fyejtë, longaret si dhe kërrabat e gdhendura të çobanëve apo çibuqet deri dhe kuti duhani.

Në ndërtime, druri arrës përdorej për të bërë kandalin e dhe rrotën që vinte në lëvizje mullirin e blojes me ujë, si dhe pajisjet e madanës e dërstilës që shërbenin për të përpunuar rrobat e leshta. Përdorej si prevaze(pllakoma) në dyert dhe dritaret e shtëpive, sepse është dru i fortë dhe kompakt, e nuk prekej nga krymbi.  Gjithashtu përdorej për të bërë brezat antisizmikë në meset e mureve  të banesave, dyert e jashtme të banesave, petavra për çatitë e shtëpive dhe rrallë dhe për trenjtë e dyshemeve. Dhoga e arrës ishte nga më të mirat dhe e lakmuar për ndërtime. Druri i arrës nuk shquhet si dru zjarri i mirë. Lëkura ose zhapa është përdorur nga mjekësia popullore për të luftuar aneminë, diarrenë dhe për parandalimin e rënies së flokëve, etj. Lënda e drurit nga një arrë e rritur sot në bote vlerësohet 1500 $.

Gjthet e arrës, nuk shërbejnë si ushqim për bagëtinë, haen pak,  sepse përmbajnë toksina, por nuk janë shfaqur si helmuese për to. Studimet shkencore të kohëve të fundit kanë vërtetuar se gjethet e arrës përmbajnë 69 lloje vajra esenciale që janë gjetur te përshtateshme për tu përdorur për dhimbjen e dhëmbëve, reumatizmit dhe infeksioneve fungale. (Paudel, Maharjan & all 2013; Deshpande, 2011). Në mjekësinë popullore çaji i përqendruar me gjethe të arrës në formë lavazhi ose banjash ndihmon në mjekimin e acarimit të rrugëve gjenitale, morthit,  ekzemës, plagëve të qelbëzuara, etj.  Me çaj të përgatitur nga  gjethet  mund të bëhen gargara për problemet e frymëmarrjes dhe të fytit, si kollës kronike, astmës, shtrëngimit të gjoksit, hemoragji, etj. Me gjethet e arrës ngjyroset rrobat e pambukta me ngjyrë jeshile, degë me gjethe përdoren për ti vënë midis rrobave për te luftuar molën. Gjethet e arrës mund të zëvendësojnë sapunin për larjen e duarve. Arra  ka një histori të gjatë për luftimin e kancerit në mjekësinë popullore.

Disa nga ekstraktet bimore të përfituare nga arra kanë patur një veprim rezultativ  antikancerogjen (Duke. J. A. and Ayensu. E. S. Medicinal Plants of China Reference Publications,  1985).

Me  ekstrakte të gjelbëra nga  arra është prodhuar një akaricid  me efektivitet  98%  ndaj  Tetranychus cinnabarinus (Wang YN, etj. J Econ Entomol. 2009)

Lulet e arrës, i tërheqin mjaft bletët, mjalti prodhuar nga këto lule ka ngjyrë kafe të errët.

Fruti i arrës si ushqim, ka përmbajtje të larta kalorish dhe yndyrash, prandaj ajo mund të konsiderohet si një ushqim super për njeriun,  është e pasur në vitamina, duke përfshirë B1, B2, B3, B5, B6 dhe acid folik. Ajo gjithashtu është e pasur në hekur, magnez, kalium, zink, etj.  Arra konsumohet si frut ose gjen përdorim në shume receta  të kuzhinës për përgatitjen e ushqimeve të ndryshme.

Arrat janë të pasura me acide yndyrore si acid oleik, linoleik, etj. Studimet e kryera në SHBA, Spanjë, Izeael, etj. tregojne se ngrënia e 2-3 arrave në dite stabilizon kolesterolin ul tensionin e gjakut  dhe  parandalon sëmundjet e arteries koronare, zvogëlon rrezikun e mpiksjes së gjakut që mund të shkakëtojë atakun e zemrës.

Arrat përmbajnë shumë substanca kimike si melatonin, acid ellagic, vitaminë E, carotenoide dhe komponime të polifenolit(omega 3) të cilat kanë një veprim kundra kancerit, sidomos atij të prostatës dhe gjirit, si  dhe plakjes. Ato kanë sasi të larta anti-oxidantësh  dhe mbajnë sistemin imunitar në gatishmëri e të  shëndetshëm për të parandaluar fazat fillestare të sëmundjeve. Këto substanca ndihmojnë gjithashtu në shëndetin e trurit, kujtesën, stresin, depresionin dhe për të pasur një gjumë të mirë.

Arrat janë një burim  të pasura me vitaminën E, e cila është një antioksidant i fuqishëm, i nevojshëm për mbrojtjen e membranës qelizore të qelizave të mukusit dhe të lëkurës nga radikalet e dëmshëm të oksigjenit të lirë. Arrat përmbajnë vitamina B komplekse të grupeve të shëndetshëm si acid folik, riboflavin, thiamin, etj. Këto janë shumë të nevojshme për fetusin e një gruaje shtatzëna.

Arrat janë të mira për menaxhimin e peshës trupore. Pavarësisht se është e pasur në kalori mund të ndihmojë në humbjen e peshës sepse nuk përmban yndyra dhe ka përmbajtje të lartë të fibrave që realizojnë ngopjen.

Ushqimi i përditshëm me 75g. arra mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së spermës. Hulumtuesit kanë vërtetuar se njerëzit që kanë zbatuar këtë diete kanë patur përmirësim të vitalitetit të spermës, në lëvizshmërinë, dhe morfologjinë e saj. Pavarësisht se ka kaq shumë përfitime për shëndetit është mirë të bëjmë kujdes në sasinë dhe shpeshtësinë e konsumit të arrave, për shkak se  përmban sasira të larta oksalatesh  të cilat kontribuojnë në formimin e gurëve në veshka.

Vaji arrës ka veti të shkëlqyera si astringent, ndihmon për të mbajtur lëkurën të butë. Është përdorur me sukses si ilaç në terapinë tradicionale të lëkurës me masazh  si dhe nga industria farmaceutike dhe atë kozmetike.

Vaji i përfituar nga presimi arrave gjen një përdorim të gjerë. Egjiptianët e Lashtë, vajin e arrës e përdoronin për të bërë mumjet, në Francë përdorej si i shenjtë për kandilat në kisha, në Evropë përdorej për  ndriçim dhe për ngrohje. Piktorët e përdornin si tretës për bojërat e ndryshme. Në sasira të vogla mund te përdoret edhe në sallatë.  Përdoret gjithashtu në prodhimin e bojërave te vajit, vernikut për ngjyrosjen e drurit, në kozmetikë për prodhimin e  parfumeve, sapunit, etj. Nga arra nxirret  tanina që përdoret për regjien e lëkurëve.

Pluhuri i përgatitur nga thërmimi i guajadës së brendshme të arrës, në lashtësi përdorej për mbushjen e dhëmbëve. Sot ky pluhur ka gjetur përdorim të gjere si pastrues (polerues) i butë i metaleve, bizhuterive për t’ju dhënë shkëlqim, gjatë përdorimit nuk len pasoja për shëndetin. Gjithashtu përdoret për pastrime në objektet plastike, ato prej  gome dhe për përdorim shtëpiak. NASA e përdor këtë pluhur si izolant termik në pajisjet e reketaave. Guajada përdoret për të ngjyrosur rrobat e leshta me ngjyrë të verdhë, ndërsa guajada e jashtme(sharku) për ti ngjyrosur ato ngjyrë kafe.

Në kuzhinë përdoret për të bërë ëmbëlsirat tradicionale si: dhiplë, bakllava, kadaif ose në petat e dërrasës për Krisht-Lindjet, gjithashtu dhe shumë ëmbëlsira të tjera si keke, akullore, llokume, etj.  Arrët e coptuara duke i përzier me kanellë hidheshin dhe në ashure, ose  grurin e zier. Të shtypura në havan me hudhra, bëhej skordham, duke i shtuar pak vaj ulliri e kripë hahej si ushqim i koncentruar. Arrat e shtypura në havan me hudhra, duke u shtuar pak uthull përdoren për t’i dhënë shije paçeve ose gatimeve të tjera si thierza, fasule, etj.

Autor: Koço Mosko

Gazeta Bujku e boton me leje te http://bota-bujqesore.blogspot.com/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme