spot_img
HomeBUJKUDëmtuesit e lakrës

Dëmtuesit e lakrës

spot_img

Tenja e lakrës (Plutella xylostella)

Tenja e lakrës dëmton jo vetëm lakrën por edhe bimët e tjera të kryqoreve dhe është e përhapur pothuajse në të gjitha pjesët e vendit ku kultivohet lakra. Insekti i rritur në krahët e përparmë ka një brez valorë me ngjyrë të verdhë e cila vërehet sidomos kur insekti është në qetësi. Femra vezët i vendos në anën e poshtme të gjetheve në grupe 2-4 copë. Vemjet e dala dëmtojnë gjethin duke u ushqyer me indet e saja ku formojnë galeri. Kështu vazhdon për dy deri tre ditë, pastaj dalin jashtë galerisë dhe brejnë pjesën e poshtme të gjethes duke lënë të pa prekur shtresën e sipërme kutikulare. Vemjet janë shumë të lëvizshme, në qoftë se i prek ato marrin menjëherë formën e patkoit ose bien poshtë duke qëndruar lirisht gjithmonë me një fije të hollë. Zhvillimin e plotë vemjet e arrijnë brenda dy javëve.

Dëmet i shkaktojnë vemjet të cilat ushqehen me gjethe e poashtu duke i ndotur me jashtëqitjet e tyre. Vemjet në fillim i minojnë gjethet e më vonë i gëlltisin të tërat. Koha e thatë dhe me temperatura të larta favorizon paraqitjen masovike të këtij dëmtuesi. Në kohën e formimit të kokës futen në brendi dhe ulin vlerën tregtare.

Dimëron në fazën e nimfës në vende të ndryshme e në disa raste dimëron edhe insekti i rritur. Brenda vitit formon tri deri katër gjenerata.

Masat e luftimit

Nga masat agroteknike në luftimin e dëmtuesit rekomandohet, lëvrimi i thellë, grumbullimi i mbeturinave bimore dhe asgjësimi i tyre si dhe krijimi i kushteve të volitshme për rritjen dhe zhvillimin e bimëve.

Masat kimike rekomandohen atëherë kur gjatë kontrollit të fushave me lakra gjinden mesatarisht 0.5 vemje/ bimë. Para depërtimit të vemjeve në kokë rekomandohet aplikimi i preparateve kimike sikurse janë: Basudin 40, Reldane super, Fastac 2,5 EC, Sumialfa etj.

Pleshtat e lakrës (Phyllotreta spp.)

Pleshti i lakrës është dëmtuesi më i rrezikshëm i kësaj kulture si në fazën e rritur ashtu edhe në fazën larvare. Dëmtuesi dimëron në fazën e rritur nën mbeturinat e ndryshme bimore, në të çarat e mureve të shtretërve tënxehtë dhe në vende të tjera. Herët në pranverë, fillon të ushqehet, migron nga një ngastër në tjetrën dhe më vonë vendos vezët në sipërfaqen e gjetheve. Pas 6-12 ditëve prej tyre dalin larvat, të cilat depërtojnë në brendi të gjetheve ku ushqehen dhe shkaktojnë dëmtime karakteristike në formë të vrimave në gjethe të cilat përfshijnë pothuajse tërë sipërfaqen e gjethit.

Dëmet janë të larta sidomos derisa bima të formoj 6-8 gjethe e sidomos në fazën e fidanit. Kur është intensiteti i sulmit i madh brenda dy ditëve mundë të shkatërrohen një numër i madh i bimëve të reja. Janë aktiv sidomos gjatë kohës së nxehtë dhe kërcejnë mirë.

Formon një gjeneratë brenda vitit dhe më së shumti prek lakrat e vonshme.

Masat e luftimit

Rëndësi të madhe në luftën kundër pleshtave të lakrës në kuadër tëmasave agroteknike kanë: punimi i thellë i tokës, prashitja, zhdukja e barërave të këqija, etj.

Me preparate kimike, luftimi i këtij dëmtuesi bëhet atëherë kur 10% e sipërfaqes së gjethit të jetë e përfshirë nga vrimat. Preparatet që mundë të përdoren janë: Basudin 40, Radotion E-50, Actellic 50, Fastac 10 SC, Sherpa 20 EC, Decis EC-2,5, Karate 2,5 EC etj.

Krimbi i Lakrës (Mamestra brassicae)

Dëmtuesi është prezent në të gjitha vendet ku kultivohen lakrat. Flutura ka ngjyrë të përhimët në kafeje dhe në krahët e parë ka disa njolla karakteristike me breza tërthorë. Vemjet e reja kanë ngjyrë të gjelbër kurse ato të moshuarat ngjyrë gështenje. Dimëron në fazën e nimfës në tokë. Brenda vitit zhvillon dy gjenerata ku ajo e para paraqitet në maj kurse e dyta në muajin gusht. Femrat vendosin vezët në grumbuj prej 30-80 copë në kundërfaqe të gjethit.

Vemjet e reja futen në kokë dhe kërcell ku ushqehen rreth 2 muaj dhe më pas lëshojnë bimën dhe futen në tokë në thellësi prej 10 cm ku shëndrrohen në nimfë.

Masat e luftimit

Masat e luftimit janë të njëjta si te Tenja e lakrës ndërkaq mund të përdoret edhe paraziti i vezëve Trichogramma evanescens, për luftimin biologjik të këtij dëmtuesi.

Flutura e lakrës (Pieris brassicae)

Insektet e rritura kanë krahë të bardhë dhe tek femrat me dy njolla të zeza në krahët e përparmë dhe janë të përhapur kudo ku kultivohet lakra.

Insektet e rritura paraqiten në fund të prillit dhe janë aktiv gjatë ditës duke u ushqyer me nektarin e bimëve të ndryshme. Femrat i depozitojnë vezët në grumbuj në kundërfaqe të gjethit. Dëmtuesi duke u ushqyer shkakton dëme mjaft të mëdha dhe pas 2-4 javëve shëndrrohen në nimfë. Brenda vitit zhvillojnë 2-3 gjenerata nga ku gjenerata e parë ushqehet me bimët e vetëmbira të familjes së lakraveDëmtuesi shkakton vrima nëpër gjethe duke u ushqyer kurse me kalimin e kohës shkatërrojnë tërë gjethin.

Masat kimike

Në sipërfaqe të vogla mundë të bëhet mbledhja dhe shkatërrimi mekanik i tyre. Qarkullimi bimorë me kultura të familjes tjetër, mbjellja e varieteteve imune, etj. poashtu luajnë rol të rëndësishëm në luftimin e këtij dëmtuesi.

Në vendet e zhvilluar përdoren bioinsekticidet sikurse janë Bactospein, Biobit, Baturat dhe Thuricide etj. Preparatet kimike rekomandohen atëherë kur me rastin e monitorimit konstatohen përafërsisht 1 larvë / bimë. Nga insekticidet mund të përdoret Triklorfoni (Dipterex 50) , Diazinoni (Basudin 40) , Cipermetrini (Sherpa 20 EC), etj.

Dëmtuesit e tjerë të cilët prekin lakrën por me intensitet më të vogël janë:

  • Miza e lakrës (Chortophilla brassicae)
  • Morri i lakrës (Brevicoryne brassicae)
  • Krimbat tokësorë (krimbat tel, krimbat e murrmë dhe krimbat e bardhë).

Sëmundjet e lakrës

Vrugu i lakrës (Peronospora parasitica)

Patogjeni sulmon bimët e fam. Brassicaceae duke ju shkaktuar dëme të mëdha. Paraqet rrezik sidomos për fidanët dhe bimët e reja. Në gjethet e sëmura paraqiten simptomat në formë të njollave klorotike të cilat më vonë marrin ngjyrë të mbylltë.

Në kundërfaqe të gjethit vërehet një shtresë miceliare me ngjyrë hiri që në të vërtetë paraqet organet e riprodhimit të patogjenit- konidit me konidiofore.

Gjethet e prekura deformohen thahen dhe bien nga bima kurse bimët e reja mundë të vdesin të tërat.

Masat e luftimit

Masat agroteknike- Mbjellja jo e dendur e fidanëve në lehë të ngrohta, rregullimi i lagështisë relative të ajrit dhe tokës, ajrimi etj.

Masat kimike- Spërkatja e fidanëve çdo javë me preparatet në bazë të bakrit, cinebit, duke ju shtuar materie ngjitëse kurse më vonë përdorimi i preparateve sistemike si metalaksil (Ridomil ), oksadiksil (Sandofan), Al-fosetil (Ridomil ), etj.

Hiri i lakrës (Erysiphe crucifearum)

Hiri paraqitet në disa lokalitete të vendit tonë edhe atë vetëm në kultivarët e ndjeshëm. Simptomat e sëmundjes paraqiten së pari në gjethe në formë të një shtrese me ngjyrë të bardhë hiri e cila zakonisht përfshin kundërfaqen e gjethit por më vonë përfshin edhe sipërfaqen e gjethit.

Nga veprimi i patogjenit gjethet zverdhohen, sipërfaqja asimiluese zvogëlohet, shkaktohen çrregullime në proceset fiziologjike të cilat reflektohen edhe në cilësinë dhe sasinë e rendimentit.

Kërpudha dimëron në mbeturinat bimore në formë kleistoteceve ose në vendet me klimë të butë me konide. Gjatë vegjetacionit patogjeni përhapet me anë të konideve kurse sëmundja është mjaftë intensive gjatë motit të nxehtë dhe të thatë.

Masat e luftimit

Masat agroteknike- qarkullimi bimor, zhdukja e bimëve të infektuara, kultivimi kultivarëve rezistent, lëvrimi i thellë i tokës, plehërimi i balancuar me N, P dhe K etj.

Masat kimike- preparatet e sulfurit, dinokap, triadimefon, bitertanol, fenarimol, bupirimat, tridemorf etj.

Njollosja e zezë e lakrës (Alternaria brassicae)

Kërpudha është e përhapur në të gjitha vendet ku kultivohet lakra. Dëmet janë të larta sidomos në prodhimtarin e farës. Në gjethet e lakrës paraqiten njolla koncentrike me ngjyrë të mbylltë kafeje me diametër 5-12 mm.

Patogjeni dimëron në formë të micelit në mbeturinat bimore në fushë.

Infeksioni mundë të bëhet edhe përmes farës apa micelit i cili ndodhet në farë.

Në këtë rast dëmtohet hipokotili dhe bimët shtrihen kurse sporet e formuara në këto bimë përhapin sëmundjen.

Masat e luftimit

Masat agroteknike – zhdukja e mbeturinave bimore, qarkullimi bimorë, mbjellja e farës së shëndoshë dhe rregullimi i regjimit të lagështisë.

Për luftimin e micelit dhe të konideve që gjenden në brendi të farës ose në mbështjellës bëhet dezinfektimi termik i farës me ujë të nxehtë në kohëzgjatje 30 minuta në temperaturë 50 0C ose dezinfektimi kimik me fungicidet në bazë të tiramit apo kaptanit.

Gjatë vegjetacionit rekomandohen preparatet në bazë të bakrit dhe të propinebit.

Hernia e krucifereve (Plasmodiophora brassicae)

Sëmundja paraqitet si në fidanë poashtu edhe në bimët e vjetra. Simptomat paraqiten në rrënjë në formë fryrjesh apo gungash me madhësi të ndryshme si rezultat i infektimit nga sëmundja.

Bimët e sëmura në fillim kanë rritje normale mirëpo më vonë me përparimin e sëmundjes ngadalësohet rritja e tyre. Gjatë ditës duken si të vyshkura mirëpo gjatë natës pakëz përmirësohen. Fidanët shumë shpejt vdesin por edhe nëse fillojnë të jetojnë nuk formojnë kokë.

Infeksionin e bimëve e shkaktojnë zoosporet përmes rrënjëzave ose lëndimeve të cilat futen brenda bimës dhe nxisim qelizat e amvisit të ndahen dhe të rriten shumë shpejtë duke u formuar fryrjet.

Patogjeni dimëron në tokë i cili mund të qëndroj në tokë 5-6 vite dhe në kushte të volitshme ka aftësi të mbinë dhe të shkaktojnë infeksionin.

Patogjeni mbin në tokë me lagështi mbi 50% dhe temperaturë optimale 27-30 0C. Në mungesë të lagështisë nuk ka infeksion sepse zoosporet lëvizin vetëm në ambient të lagësht.

Masat e luftimit

Masat agroteknike- qarkullimi bimorë dhe zhdukja e mbeturinave bimore, kultivimi i lakrës në tokat me reaksion të dobët alkalik etj.

Masat kimike- Fumigimi i tokës dy javë para mbjelljes si dhe trajtimi i bimëve me benomil.

Sëmundje tjera të lakrës por me intensitet më të vogël janë:

  • Kalbëzimi i hirtë (Botritis cinerea),
  • Ndryshku i lakrës (Albugo candida),
  • Kalbëzimi i thatë i lakrës (Phoma lingam)
  • Ramja e fidanit (Pythium spp., Rhizoctonia solani, Olpidium brasicae etj). etj./keshilabujqesore.com
spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme