spot_img
HomeEKONOMICentët që vlejnë miliona: si mblidhen dhe ku shkojnë

Centët që vlejnë miliona: si mblidhen dhe ku shkojnë

spot_img

Nga Shkelzen Rrecaj

“S’kam pesë centë, a bën një krem banane?”. Kjo është shprehja që klientët jo rrallë herë e dëgjojnë nga arkat e marketeve kosovare, ndërsa nuk bëhet fjalë për kusur me 1 cent apo 2 cent. E gjitha kjo me arsyetimin se arkat e marketeve nuk kanë para të imëta.

Për këtë “mungesë” shpeshherë bankat komerciale akuzojnë Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) që nuk lëshon monedha të tilla.

Mirëpo, Besnik Kada, zëdhënës i bankës Qendrore të Kosovës, në një prononcim për tesheshi.com tregon se bankat komerciale furnizohen vazhdimisht nga BQK-ja dhe janë bizneset ato që mund të furnizohen në çdo kohë nga këto banka.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për sigurimin e një furnizimi të duhur të Kosovës me kartëmonedha dhe monedha euro, për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme në ekonomi”, shpjegon Kada.

Sipas tij, BQK është përgjegjëse lidhur me operacionet dhe menaxhimin e parave të gatshme.

“Meqë euroja është valuta kryesore e lejuar për përdorim në Kosovë, përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me operacionet dhe menaxhimin e parave të gatshme kanë të bëjnë me euron”, thotë Kada.

Qytetari nga Prishtina, Arbër Vitia, mungesën e parave të imëta e sheh me shumë si problem nga vetë konsumatori sesa si mungesë reale të tyre.

“Shpeshherë kur shkoj në market, përtoj edhe t’i marr centët, për arsye se ma ngarkojnë edhe xhepin”, thotë qytetari Vitia.

Ndërsa, qytetarja Valbona Ajeti, thotë se shpeshherë arkat nuk ia kthejnë centët për mungesë të tyre. “Sa herë që blej në markete shpesh me ndodh që arkëtarët nuk më kthejnë centët”, ankohet ajo.

Për njohësin e ekonomisë Albert Spahiu, konsumatorët vetë duhet të jenë këmbëngulës që t’u marrin kusur edhe paratë e vogla.

“Secili biznes është i detyruar që të ketë para të imta, prandaj dhe kusuri sado që të jetë i pakët duhet t’i kthehet konsumatorit”, deklaroi Spahiu për tesheshi.com. Ai tregon sesi bizneset nga moskthimi i centëve po fitojnë para të mëdha në kurrizin e qytetarit.

“Për shembull, një biznes nga moskthimi i kusurit prej 1 cent, nëse brenda një dite shet 10 mijë artikuj me një çmim prej 99 centësh, në fund të ditës ai biznes del me një akumulim të hollash me shumë prej 100 euro. E njëjta gjë vazhdon për një vit të tërë, pra biznesi fiton ‘ilegalisht’ 36,500 euro nga mos kthimi i vetëm të 1 centi”, shpjegon Spahiu.

Selatin Kaçaniku, kreu i organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve ‘Konsumatori’, moskthimin e kusurit të imët nga ana e bizneseve e sheh si të jashtëligjshëm.

“Të gjitha bizneset e kanë detyrim ligjor, profesional, por edhe etik, që qytetarit t’ia kthejnë komplet kusurin, pavarësisht a bëhet fjalë për 2, 3 centë apo edhe më pak. Moskthimi i kusurit, nga ana e bizneseve, është i jashtëligjshëm”, tregon Kaçaniku.

Ai tregon se ka mjaftueshëm para të imëta në treg, por moskthimi i tyre është krijuar si problem artificial dhe duhet të trajtohet nga institucionet qeveritare.

“Po, ka mjaftueshëm centë dhe duhet të ketë mjaftueshëm centë. Mendoj se është krijuar një problem artificial i cili duhet të trajtohet edhe në nivel të Qeverisë, MF-së, Bankës Qendrore, ATK-së”, porosit Kaçaniku.

Sipas të dhënave të BQK-së në treg janë mbi 1.42 milionë copë monedha euro të të gjitha llojeve, prej të cilave mbi 1.3 milionë copë apo 92 për qind kanë qenë të llojeve 1, 2, dhe 5 cent./tesheshi.com/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme