spot_img
HomeBUJKUBujqësia e së ardhmes, sa afër e sa larg

Bujqësia e së ardhmes, sa afër e sa larg

spot_img

EIMA International 2018 në Bolonja bëri bashkë 1950 kompani që operojnë në sektorin e makinerive bujqësore dhe kopshtarisë, duke pasur si kryefjalë të saj “bujqësinë dixhitale”. E ndërsa në bregun tjetër të Adriatikut, inovacioni dhe teknologjia po ndikojnë gjithmonë e më shumë mënyrën sesi zhvillohet sektori, Shqipëria mbetet ende peng i parcelizimit të lartë dhe një teknologjie modeste. Bizneset shqiptare të pranishëm në takimet B2B, falë zyrës së Agjencisë Italiane të Tregtisë në Tiranë, shprehen se IPARD është mundësia e duhur për të ndryshuar realitetin e bujqësisë në vend por, që kjo të ndodhë, ka nevojë për ndryshime thelbësore.

Nga Nertila Maho

Në disa fshatra të thellë, ende mund të shohësh teksa toka punohet me parmendë që tërhiqet nga kafshët. Një realitet ky që nuk është tipik vetëm për Shqipërinë, mund ta shohësh të reflektuar edhe në vende të tjera në zhvillim, ku bujqësia mbetet në fazë embrionike apo si një aktivitet mbijetese, në mungesë të alternativave të tjera në fshat. Përballë kësaj tabloje, matanë Adriatikut, në një event kushtuar bujqësisë, kryesisht makineri bujqësore, mund të shohësh sesi teknologjia dhe inovacioni aplikohen në mënyrë të përsosur në këtë sektor. Sigurisht, bujqësia në vende si Italia, Holanda apo më gjerë në vendet e Amerikës Latine, ka një tjetër dimension.

Nuk flitet për mbijetesë apo raste sporadike suksesi, por për një model të suksesshëm sektori që qëndron fort si kolonë e rëndësishme e ekonomisë me eksporte të konsoliduara. Mjaftojnë pak minuta në EIMA International 2018 për të kuptuar se këtu ka shumë pak gjëra me të cilat mund të krahasosh vendin tënd në aspektin e zhvillimit sektorial.

Është panairi më i madh ndërkombëtar për makineritë në bujqësi dhe kopshtari. Nëse nuk afrohesh pranë stendave të kompanive më të mëdha europiane apo botërore, shumë mirë ato që sheh mund të të japin idenë e “Transformers”, një nga sagat hollivudiane ku makineritë shndërrohen në robotë. Por kur merr informacionin e plotë kupton se thjesht teknologjia e aplikuar nga vendet e zhvilluara në sektorin e tyre bujqësor është në funksion të rritjes së eficencës, prodhimit dhe fuqizimit të fermerit, duke e kthyer sektorin në lider.

Këtë vit, kryefjalë e Panairit EIMA 2018 ishte “Bujqësia dixhitale”. Simona Rapastella, Drejtore e Përgjithshme e FederUnacoma s.u.r.l, që është edhe organizatore e panairit, u shpreh se “Teknologjia dixhitale ishte protagoniste kyçe këtij eventi jo vetëm përmes lançimit të hapësirës tematike të EIMA Dixhital që i kushtohej sistemeve të saktësisë kompjuterike dhe elektronike, software-ve për makineritë bujqësore, njësive të kontrollit dhe droneve bujqësorë, por edhe përmes iniciativave kulturore, konferencave gjithëpërfshirës apo mësimeve të nxjerra nga përvoja”.
Nga data 7-11 nëntor, edicioni i 43 i EIMA International tërhoqi në mjediset e tij në Bolonja 317 mijë vizitorë, me një rritje 11% në raport me eventin e shkuar të mbajtur në vitin 2016.

Numri i operatorëve të huaj u rrit me të paktën 50 mijë apo 15% më shumë se në vitin 2016, ndërkohë që morën pjesë si ekspozitorë 1950 industrialistë, që zunë një sipërfaqe prej 375 mijë m². Për Alesandro Malavolti, president i FederUnacoma, panairi i Bolonjës ishte një sukses që përtej industrisë së mekanikës bujqësore ka befasuar me nivelin teknologjik. “Këto makineri janë të fuqishme dhe në të njëjtën kohë të rafinuara si dhe miqësore me mjedisin dhe sigurinë, çka duket se ka shërbyer edhe si një magnet sidomos për pjesëmarrjen e të rinjve në këtë edicion”, tha ai.

Dy tendencat e reja që po përvijohen në bujqësi, siguria në punë dhe rinia

Pavarësisht nivelit të zhvillimit që ka bujqësia nga njëri vend në tjetrin disa tendenca mbeten të njëjta. Së fundmi, në Shqipëri është folur disa herë për të rinj që po kthejnë sytë nga bujqësia e madje ka të parashikuar brenda skemave të mbështetjes masa që synojnë pikërisht afrimin e këtij kontingjenti drejt sektorit.

Duket se ky orientim i rinisë në bujqësi nuk është një fenomen shqiptar, është një tendencë globale ku më shumë e ku më pak në secilin vend. Një nga çështjet ku u vu veçanërisht theksi në hapjen e EIMA 2018 ishte pikërisht si po orientohet rinia drejt bujqësisë.

“Tendenca e sipërmarrësve të rinj në bujqësi apo atyre që po orientojnë studimet drejt këtij sektori për t’u përfshirë si profesionistë në industrinë e makineri bujqësore, në shitje apo rrjete të asistencës, po rritet çdo ditë, ashtu sikurse interesi për shkolla profesionale të këtij grupi dhe studentë me interes për trajnime specifike”, u shpreh Rapastella në prezantimin e saj mbi tendencat që do të shërbenin si boshte diskutimi. E ndërsa për këtë pjesë, edhe Shqipëria ka një lloj tendence të tillë, ajo ku mbetemi ende larg është tendenca e dytë. Këtë herë theksi u vu te siguria në punë në sektorin bujqësor duke nënvizuar se është e rëndësishme që të promovohet gjithmonë e më shumë rritja e vëmendjes në mënyrë që fermerët, kontraktohet dhe përdoruesit e pajisjeve bujqësore të kenë përfitim të lartë dhe risk të ulët në aktivitetin e tyre të përditshëm.

“Siguria në bujqësi, dashuria për jetën” është tashmë një fushatë që do të vijojë dhe që nisjen e pati në panair. Fushata synon marrjen e disa masave në funksion të sigurisë si: përdorimi më i mirë i fondeve publike për të blerë makineri të gjeneratës së fundit, zbatimi i një ligji që detyron nxjerrjen nga qarkullimi të makinerive shumë të vjetra, monitorimi i tregut për të parandaluar marketimin e mekanikës që prodhohet në vende që nuk përmbushin standardet e sigurisë së Bashkimit Europian, trajnime teknike për operatorët dhe rrënjosjen e një kulture për sigurinë.

Prezantohet traktori i parë hibrid me naftë dhe energji

E ardhmja në sektorin e bujqësisë synohet që të orientohet drejt makinerive që janë miqësore me mjedisin. Për herë të parë në EIMA 2018 u prezantua traktori i parë hibrid që përdor energjinë dhe karburantin, duke pasur ndikim sa më të ulët në mjedis dhe që përdor më pak karburant se traktorët tradicionalë. Ky traktor, sipas ekspertëve, kërkon më pak mirëmbajtje dhe garanton produktivitet më të lartë krahasuar me traktorët e ngjashëm tradicionalë. Prodhimi i Carraro Agritalia bëri debutimin e parë ashtu sikurse edhe droni i Aermatica 3D, i cili ka një histori të gjatë diskutimi në shtetin fqinj dhe që në disa raste u konsiderua si një kapitull i mbyllur.

Ky dron konsiderohet si një mjet efikas për shpërndarjen e pesticideve në toka dhe të mbjella, duke eliminuar ekspozimin në kushte të vështira. Një tjetër risi në pajisjet e këtij viti ishte një spërkatës pneumatik, që ul dukshëm sasinë e pesticidit që shpërndahet në ambient, duke mos prekur targetin final. Ky spërkatës i zhvilluar nga kompania CIMA fitoi çmimin Blu, që u jepet risive teknologjike të dizajnuara për mbrojtjen e mjedisit. Në total në EIMA 2018 ishin 28 makineri të cilësuara si inovacione teknike dhe 45 makineri të përmendura si në zhvillim.

As vendet e BE-së nuk e mbajnë dot ritmin e direktivave

Jo të pakta janë rastet kur vendet që synojnë Bashkimin Europian ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë një etje për të përafruar legjislacionin me çdo direktivë të re. Rezultati është që kemi një legjislacion të avancuar, por që në shumë raste mbetet i pazbatueshëm në realitetin që haset në terren. Kjo deri diku është e kuptueshme po të kemi parasysh që edhe vetë vendet e Bashkimit Europian ankohen se ndryshimi i direktivave dhe normativave në afate të shkurtra u krijon atyre kosto të jashtëzakonshme.

Presidenti i FederUnacoma, Alessandro Malavolti, u shpreh se nga ana e BE-së duhet të ketë një racionalizim të mënyrës sesi bëhet ndryshimi i direktivave. “Normativat ndryshojnë çdo 2-3 vjet dhe kemi nga një të re. Kjo sigurisht na krijon kosto të shtuara në biznes dhe në teknologji. Mendojmë se shtrirja e ndryshimeve duhet të jetë pak më afatgjatë në logjikën e planeve të biznesit që kemi ne, duke mos na krijuar surpriza”, tha Malavolti.

Agjencia Italiane e Tregtisë ICE, përmes zyrës së saj në Tiranë, bëri pjesë të EIMA 2018 edhe Shqipërinë, duke përfshirë në grupin e të ftuarve disa prej bizneseve që operojnë në vend në sektorin e bujqësisë dhe kryesisht atë të mekanikës. Në dy ditët e para të panairit u zhvilluan një seri takimesh Bussines to Bussines mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja, pjesë e panairit ndërkombëtar. Takimi vjen në një moment vendimtar, në kushtet kur Shqipëria pritet të çelë shumë shpejt thirrjen e parë për programin IPARD II me aplikime që do të pranohen nga data 30 nëntor deri më 30 janar. Bizneset shqiptare pjesëmarrëse në event nënvizojnë se pikërisht njohja me fazën ku ndodhet sot tregu global dhe me operatorët kryesorë prodhues bëjnë seleksionimin e teknologjive më të përshtatshme për tregun shqiptar, i cili sigurisht nuk mund të përballojë fjalën e fundit të teknologjisë në mekanikën bujqësore, por ama që ka nevojë për teknologji të avancuar dhe specifike.

Flet Fatos Pogoni, Pogoni sh.p.k

“Me sytë tek IPARD II, presim të ketë ndikim te tregu”

Programi IPARD II shihet nga operatorët e tregut të mekanikës bujqësore si një shpresë për të ndryshuar dinamikën e zhvillimit të tij. Nëse aplikimet do të bëhen drejt nga ana e fermerëve dhe planet e tyre do të miratohen, në finale do të ketë edhe integrim të pajisjeve të reja.

Fatos Pogoni, administrator i Pogoni sh.p.k, pjesë e bizneseve shqiptare në Panairin EIMA 2018 shprehet se pas krijimit të një lloj përvoje me IPARD Like dhe disa programe të ngjashme, faza e re ku do të hyjë vendi me IPARD II është vendimtare. Thjesht duhet të krijohen kushtet e duhura, të informohen fermerët dhe të qartësohen procedurat në mënyrë që procesi të avancojë, duke sjellë përfitim për gjithë zinxhirin dhe ekonominë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se më 30 nëntor hapet thirrja e parë për aplikimet në programin IPARD II. A prisni të ketë ndryshime në sektor, falë këtij programi?

IPARD-Like, pra faza e parë e IPARD-it që shërbeu edhe si formë teksti, ishte ai që bëri që ne si tregtarë të mjeteve bujqësore të kthenim sytë nga mjetet e reja. Ne e nisëm operimin në vitin 2000 dhe deri në 2004 importonim mjete të përdorur nga Japonia, Greqia dhe Italia. Kur ka nisur IPARD-Like kemi nisur të shesim traktorin e parë të ri apo pompat dhe plugjet që përdoren në bujqësi. Duke pasur parasysh që me IPARD-Like ka pasur shumë më pak para në dispozicion por që ne arritëm të kishim zhvillime në treg, presim më shumë nga IPARD II, sepse sot kemi edhe përvojën. Dua të sjell në vëmendje edhe programin SARED, i cili i dha një tjetër hov sektorit.

Sektori ka një lloj zhvillimi të ngadaltë, por po ecim përpara dhe këtë mund ta vlerësojmë edhe me faktin që kemi kaluar nga mjetet e lira tek traktorët gjermanë dhe italianë. Kemi pasur mundësi të ecim dhe të fusim teknologjinë e përparuar, por jo të fundit, sepse tregu shqiptar ka probleme të shumta, ka konkurrencë të madhe dhe parcelizim të lartë që e kufizojnë. Sot ka nevojë për rregullim të tij në gjithë zinxhirin, por këtë e bën konsumatori. Duhet të funksionojë i gjithë sistemi, në mënyrë që fermeri të vijë me përvojën, informacionin dhe nevojën për të kërkuar atë që i përshtatet dhe këtë ia sugjeron agronomi apo tekniku. Të gjitha janë hallka që duhet të funksionojnë. Fitimet në sektor janë të vogla dhe në shumë raste kërkesa mbetet edhe peng i procedurave të ndërlikuara që kemi ne në aspektin ligjor siç është për shembull rasti i TVSH-së.

Mund të na jepni disa detaje më shumë rreth kësaj çështje që lidhet me TVSH-në te mjetet bujqësore?

Në fakt, ne kemi marrë një angazhim nga ana e institucioneve që do të zgjidhet ky ngërç që ka nisur prej 5 vitesh lidhur me TVSH-në tek mjetet bujqësore. Në shkurt të vitit 2013 është miratuar ligji i TVSH-së dhe në dhjetor 2014, qeveria, Rama e rikaloi dhe ku specifikohej se fermerëve iu lejonte importimin e mjeteve bujqësore pa paguar TVSH, duke paraqitur disa dokumente, por flasim për import, mall të futur në doganë dhe të blerë nga jashtë, por specifikisht nga fermerët. Ndërsa fjala tregtar që na përfshin ne të tjerëve që jemi kompani shitje, na ka detyruar që të importojmë duke paguar TVSH dhe t’ia shesim fermerit me TVSH-në që detyrohemi të paguajmë.

Deri diku, diskriminohemi ne si tregtarë shqiptarë, pasi fermeri e ble nga jashtë. Kompanitë në këto kushte kanë gjetur si zgjidhje alternative hapjen e kompanive të tjera në vende fqinje si në Kosovë dhe Maqedoni, pikërisht për të shmangur këtë pjesë diskriminuese që parashikon kuadri ynë i ligjit. Ne shpresojmë që kjo të korrigjohet në mënyrë që edhe vetë shteti shqiptar të përfitojë në arkën e tij të ardhura që deri më sot i kanë përfituar fqinjët përfshirë edhe Greqinë.

Për t’ju kthyer dhe një herë IPARD II, çfarë mendoni se duhet të kihet parasysh apo ku duhet të vihet theksi, duke qenë se është lakuar shpesh pjesa që përthithja e fondeve është e vështirë?

Unë kam marrë pjesë në shumë takime informuese që zhvillohen për këtë program, thjesht për të marrë informacionin dhe për t’ua transmetuar fermerëve atë pjesë që është e nevojshme. Ne si treg i makinerive bujqësore mund të përfitojmë nga programi vetëm kur fermeri ka fituar dhe ka nënshkruar kontratën, por që fermeri të arrijë në këtë pikë, është një rrugë e gjatë informimi.

Përtej aspekteve të tjera, ajo që shoh unë si problematikë është certifikata e tokës. Ne si vend nuk mund t’i diktojmë Komunitetit Europian që ai të heqë dorë nga kriteri i certifikatës së tokës. Ky do të jetë problem i madh dhe i vetmi që shohim, pasi çdo gjë tjetër tek IPARD është e zgjidhshme edhe kur fermerët nuk kanë pjesën e tyre të financimit.

Ka sot një bashkëpunim me sektorin bankar dhe fonde të vëna në dispozicion, që e lehtësojnë këtë kriter kurse pjesa që lidhet me certifikatën e tokës është e paqartë. Duket sikur ka një lloj konfuzioni edhe te vetë institucionet për këtë pjesë. Shohim që ka një lloj skepticizmi dhe shqetësimi, por nëse të gjithë palët angazhohemi për të mbështetur fermerët dhe për të krijuar grupe pune, ndoshta kjo mund të jetë më produktive. Duhet t’ju gjendemi pranë sepse është e vetmja mënyrë për të thithur aplikime. Sot, situata në terren tregon se fermerët nuk kanë asgjë të qartë vetëm përmes promovimit që është bërë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

Kjo lidhet disi edhe me precedentët e mëparshëm që mund të jenë krijuar nga skema kombëtare. Pastaj IPARD flet për vlera të larta që, deri diku, shihen me hije dyshimi nga ana e fermerëve, plus dhe kohëzgjatja për përmbylljen e procedurave mund të ketë ndikimin e saj, në mënyrën sesi shihet program. Në finale, në e shohim IPARD si levën që mund të ndryshojë situatën në bujqësinë shqiptare dhe me ndikim të rëndësishëm në ekonomi.

Nëse kjo nuk ndodh, fermerët tanë do të rrinë te rutina e tyre e mbijetesës dhe nuk duhet ta shohim këtë sektor si diçka për mbijetesë, por për të fituar. Ndaj edhe theksi duhet të vihet te zgjidhja e ngërçit me atë kushtin e vërtetimit të pronësisë. Tek dokumentacioni i nevojshëm për aplikim thuhet që duhet të paraqitet certifikatë pronësie nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ose vërtetim pronësie, lëshuar nga ZRPV. Vërtetimi i pronësisë është për zonat e paazhurnuara dhe programet për këto zona kanë lejuar një vërtetim që lëshohej nga bashkia, pra zyra kadastrale e qarkut, e shoqëruar me një hartë nga një topograf i licencuar. Ky dokument ka vlejtur si dokument që vërteton se (X) fermer ka (X) tokë. Ne kemi sugjeruar që për çdo dokument që kërkohet, të lëshohet një format tip nga institucionet, në mënyrë që të ketë sa më pak mundësi për konfuzion dhe që fermerët dhe konsulentët të dinë se ku të orientohen.

Flet Petrit Telegrafi, Shoqata e Vajit të Ullirit

“Jemi ende larg, por kemi potencial që mund ta shfrytëzojmë”

Shqipëria sigurisht që mbetet ende larg realitetit europian të mënyrës sesi zhvillohet bujqësia apo agropërpunimi, por ama nëse ka diçka për të cilën të gjithë biem dakord është fakti që nuk i mungojnë potencialet për t’u zhvilluar. Për inxhinierin Petrit Telegrafi, nga Shoqata e Vajit të Ullirit, vendi ynë duhet të shohë me kujdes mundësitë që i ofrohen. “EIMA International është një nga panairet më të mëdha dhe të specializuar në botë për makineri bujqësore dhe padyshim Italia zë një nga vendet kryesore.

Sigurisht kjo i mundëson asaj edhe një sektor të plotësuar nga prodhimi deri në tavolinë, si dhe zgjidhje interesante për prodhimin e energjisë përmes biomasës. Ne si një vend mesdhetar me shumë aspekte që na bashkojnë, jemi shumë larg këtij realiteti, por nuk është se na mungon potenciali. Sot për shembull është momenti i duhur pasi gjithmonë e më shumë po funksionojnë skemat mbështetëse dhe një program si IPARD, që mendoj se do të ketë efekt. Ndoshta jo që në thirrjen e parë, pasi ka probleme shumëvjeçare që nuk mund të zgjidhen menjëherë por, në afatgjatë, do të ketë patjetër”, shprehet Telegrafi.

Ai nënvizon se panaire të kësaj natyre i shërbejnë edhe biznesit shqiptar të kuptojë se cilat janë risitë më të fundit në sektor, përfitimet që vijnë nga teknologjia e avancuar por sigurisht e ndihmojnë edhe për të analizuar ide të reja. “Pashë nga afër shërbimin për ullishtarinë dhe gjithë elementet e kujdesit për këtë pjesë, aspektin e përpunimit, por edhe mënyrën e trajtimit të mbetjeve ku hyn prodhimi i energjisë nga biomasa. Kishte një vëmendje të shtuar jo vetëm për energjinë, por edhe industrinë farmaceutike dhe pajisjet laboratorike të lidhura me sigurinë ushqimore”, nënvizon ai. Një nga elementet që duhet pasur parasysh sipas z.Telegrafi është aplikimi i masave rregulluese në sektor në vendin tonë, në mënyrë që të garantohet që të gjitha hallkat të funksionojnë normal. Shteti, nga ana tjetër, duhet të shohë pjesën e subvencioneve, një alternativë që e aplikon edhe Europa duke qenë se nuk është e thjeshtë të investohet në kaq shumë makineri, pra kostot nuk janë të thjeshta të mbulohen vetëm nga fermeri.

Flet Luan Ahmetaj, Euromedalb

“Bujqësia vuan mungesën e theksuar të makinerive”

Kompanitë e huaja po shprehin interes gjithmonë e më të madh për të eksploruar tregun shqiptar, të paktën në lidhje me mekanikën bujqësore, një fushë pa ndonjë zhvillim domethënës. Për Luan Ahmetajn, President i Euromedalb, sot përzgjedhja e teknologjisë së përshtatshme sipas tipologjisë që kanë fermat shqiptare dhe bujqësia në tërësi, është sfida e vërtetë që kanë operatorët e tregut.

Ajo duhet të përshtatet me kushtet ekonomike të fermerëve, por edhe me objektivin që ka Shqipëria për të prodhuar në standarde dhe për të rritur eksportet. Sot, realiteti tregon mungesë të theksuar të makinerive në bujqësi.

Cilat janë problemet kryesore me të cilat përballen bujqësia shqiptare përsa i përket mekanikës bujqësore?

Fermat tona janë me sipërfaqe të vogla dhe kemi mungesë të theksuar të makinerisë bujqësore. Natyrisht, tek ne mungojnë dhe kooperativat apo Shoqatat e Bashkëpunimit Bujqësor, çka mund të llogaritet si një mangësi për të marrë dhe për të shfrytëzuar teknologjinë e avancuar. Ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë ato makineri që kanë fuqi më të vogël dhe që mund të përdoren edhe në bazë të fuqisë, por edhe në bazë të kostos që i përgjigjen fermerëve tanë. Mendoj që ishte një mundësi shumë e mirë që patëm këtë organizim para IPARD, që është një program, ku një vend të rëndësishëm e zë mekanika bujqësore dhe teknologjitë bujqësore.

Kjo do të na ndihmojë që aplikimet të përshtaten sa më mirë me teknologjinë në treg. Sigurisht, fermerët do të kenë mbështetjen tonë në përgatitjen e plan-bizneseve, duke u ofruar asistencë me ekspertët tanë për t’i orientuar drejt teknologjive më të avancuara dhe më efikase për fermat tipike shqiptare në gjithë rajonet e vendit. Shumë e rëndësishme është që të shihet aspekti teknologjik edhe te fusha e mbrojtjes së bimëve, krasitjes, atë të përpunimit agroushqimor, linjave të paketimit e me radhë. Të gjitha këto shkojnë për shtat me objektivin tonë të prodhimit të produkteve me standarde dhe eksporteve konkurruese. Duke pasur parasysh këtë objektiv, ne si kompani e re po shohim mundësinë e bashkëpunimit me kompani italiane dhe në fusha të tjera, jo vetëm në mekanikën bujqësore.

Çfarë duhet pasur parasysh sipas jush në kuadër të programit të IPARD, thirrja e parë e të cilit hapet së shpejti?

Po mendoj që, së pari, një nga kushtet e dobishme është që fermerët të mos jenë të vetëm, por të organizohen në grup kulturash apo shërbime të tjera në sektorin bujqësor. Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR, nga ana tjetër, duhet të përfshijnë sa më shumë ekspertë dhe specialistë të bujqësisë që njohin mirë teknologjinë dhe skemat e aplikimit për subvencionim në kuadër të IPARD. Përgatitja e plan-bizneseve apo projekteve teknike duhet të bëhet me kujdes dhe ne të gjithë si aktorë tregu jemi të gatshëm t’ua ofrojmë këtë asistencë fermerëve që të përfitojnë realisht nga këto skema.

Një mangësi tjetër që gjykoj se përbën problem është fakti që jo të gjithë janë të pajisur me certifikatë pronësie dhe që automatikisht i skualifikon nga programi. Disa nga rajonet e vendit do të jenë të përjashtuar, sepse nuk kanë përfituar nga Ligji 7501, por kanë shkuar si trashëgimtarë. Do të jetë e vështirë të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm.

Ministria dhe qeveria duhet të shohë këtë proces që t’ju jepet përparësi, në mënyrë që fermerët të mos mbeten jashtë këtyre skemave, por të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme dhe afatgjatë. Nevojat janë të mëdha dhe fondet janë disponibël. Por ajo që na lë pas është plotësimi i kërkesave që shpesh nuk plotësohen si efekt i vendimeve të ndryshme të ndërmarra herë pas here nga qeveritë për titujt e pronësisë./Monitor.al

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme