Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në kuadër të projektit “Të Rinjtë në Agrobiznes”, ka nënshkruar sot kontratat me tetë përfitues, të cilët janë biznese ekzistuese dhe fillestare të udhëhequra nga të rinjtë.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se qëllimi i këtij projekti është që të krijojnë pavarësi në punë për të rinjtë.
“Qëllimi i programit tonë është që tetë përfituesit e parë vërtetë të dëshmoni sukses. Fokusi kanë qenë të rinjtë, e në veçanti vajzat. Po e konfirmoj se së shpejti do të përfitojnë edhe 50 të rinj të tjerë nën-grante, në mënyrë që të krijojmë pavarësi në punë. Ju jeni gjenerata e cila duhet ta kuptoni që e ardhmja në regjonin tonë është bujqësia, toka dhe prodhimi. Tashmë puna është lehtësuar shumë dhe tregu është më i madh si regjion i madh. Urime e suksese në punë”, ka thënë Haziri.
Përndryshe, Haziri ka nënshkruar kontratat me Xhan Ismaili, Adonis Jonuzi, Qëndrim Kadriu, Ermira Bajrami, Labinota Hoxha, Kadri Rahimaj, Ferdeze Rexha dhe Ardit Syla. /Gazeta Bujku