spot_img
HomeLAJMET E FUNDITPërfitimet shëndetësore nga konsumimi i spinaqit

Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i spinaqit

spot_img

Spinaqi, një super ushqim nga grupi i perimeve të gjelbra, është një burim i shkëlqyer i vitaminave, mineraleve dhe fitokemikave të dobishme, nëse hahet i papërpunuar ose i gatuar.

Luan rol në mbrojtjen e shëndetit të syve

Spinaqi kryen shumë funksione në trupin e njeriut, falë përmbajtjes me vitaminë A, që është e njohur për rolin e saj në mbrojtjen e shëndetit të syve dhe përmirësimin e shikimit. Për të pasur më shumë efekt, duhet që spinaqi të kombinohet me ushqime që përmbajnë yndyrë. Karotenoidet janë lëndë ushqyese të tretshme në yndyrë, të cilat nuk mund të absorbohen siç duhet në mungesë të yndyrës.

Posedon fuqi anti-astmatike

Spinaqi është i pasur me folatë, një vitaminë që mund të ofrojë përfitime shtesë shëndetësore anti-astmatike. Spinaqi është gjithashtu një burim i mirë i ushqyesve të tjerë në luftë kundër astmës, sepse përmban dhe magnezin, vitaminën C, vitaminë E dhe vitaminë B6.

Spinaqi i papërpunuar luan rol në uljen e kolesterolit

Një studim i botuar në revistën Food Chemistry, në vitin 2007, krahasoi kapacitetin in vitro të acidit biliar të lidhjes së tetë perimeve, duke përfshirë këtu edhe spinaqin, në gjendjen e tyre të papërpunuar, të papjekur. Nga të gjitha perimet e testuara, spinaqi doli në krye të listës për kapacitetin e acidit biliar, që tregon se kjo perime ka një potencial shumë të madh për uljen e kolesterolit.

Përfitime të tjera kardiovaskulare

Kolesteroli i lartë është faktori më i madh i rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare. Potenciali i spinaqit për zvogëlimin e kolesterolit, nuk është dobia e vetme kardiovaskulare. Siç u përmend dhe më lart, spinaqi është i mbushur me folatë, një lëndë ushqyese që është treguar efikase në kontrollimin e niveleve të larta të homocisteinës, një tjetër faktor i njohur i rrezikut për sëmundjet e zemrës. Spinaqi është gjithashtu një burim i mirë i magnezit, i cili ka një efekt relaksues në arteriet dhe vitaminë K, e cila ndihmon në parandalimin e depozitimit të kalciumit në muret e enëve të gjakut.
I dobishëm për lëkurën

Spinaqi përmban një gamë të gjerë antioksidantësh, të tillë si karotenoide, vitaminë C dhe vitaminë E, të cilat mendohet se ngadalësojnë formimin e rrudhave, duke ngadalësuar plakjen dhe shenjat tjera në lëkurë.

Spinaqi ndihmon në parandalimin e kancerit 

Një studim i publikuar në edicionin e nëntorit të vitit 1997, në revistën Cancer Epidemiology, Biomarkers&Prevention zbuloi se gratë që hanin spinaqin e papërpunuar të paktën një herë në javë, kishin një rrezik të reduktuar për kancerin e gjirit. Edhe marrja e spinaqit të gatuar duket se kishte një efekt mbrojtës, por efekti nuk ishte aq i fortë sa në rastin e spinaqit të papërpunuar. Hulumtuesit, gjithashtu, zbuluan se spinaqi, brokoli, marulja, domatja, portokalli dhe lëngu i portokallit, karota, selino dhe zarzavatet, si burimet kryesore dietike me përmbajtje të luteinës, mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut nga kanceri i zorrës së trashë.

Efektet anësore

Spinaqi është i pasur me oksalate, një anti-lëndë ushqyese që mund të shkaktojë komplikime tek disa njerëz, veçanërisht te ata me probleme të veshkave. Për më tepër, disa ekspertë besojnë se dietat që janë jashtëzakonisht të larta në oksalate, por të ulëta në kalcium, mund të çojnë në probleme të lidhura me mungesën e kalciumit, pasi oksalatet mund të pengojnë aftësinë e trupit për të absorbuar kalciumin. /Gazeta Bujku

Përgatiti: Ajshe Leka / konsulente për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme