spot_img
HomeBUJKUNdjeshmëria e perimeve ndaj morrave (Afideve) në serrë

Ndjeshmëria e perimeve ndaj morrave (Afideve) në serrë

spot_img

Nga Agr.Ma.Sc. Agon Dërmaku – Agrimatco Kosovo Company

Përshkrimi gjeneral i morrave të bimëve (afideve)

Morrat e bimëve (Aphididae), bëjnë pjesë ne klasën Insecta, rendi Homoptera dhe familja Aphididae. Janë të përmasave të vogla disa milimetërshe. Aparatin gojor e kanë për shpuarje dhe thithje. Në kokë kanë antena ku në të shumtën e rasteve 6 segmentëshe.

Mund të zhvillojnë 10-25 gjenerata gjatë vitit në temperaturë optimale 20-25 shkallë Celsius. Janë një nga grup-dëmtuesit më të rëndësishëm të bimëve bujqësore që kultivohen në mjediset e mbrojtura. Afidet kanë cikël jetësor shumë të komplikuar dhe karakterizohen nga një polimorfizëm i theksuar. Partenogjeneza është tipari më zotërues i afideve nga pikëpamja biologjike. Pasardhësit që dalin nga femrat themeluese fillojnë menjëherë të ushqehen me lëngun e bimëve. Ata zhvillohen shumë shpejtë dhe pas kalimit të shpejtë nëpërmjet katër moshave maturohen duke u kthyer ne insekt të rritur. Afidet (morrat e bimëve) mund të shkaktojnë dëme në bimë në disa mënyra. Nimfat dhe insektet e rritura ushqehen me lëngjet e gjetheve të bimëve të ndryshme dhe çrregullojnë bilancin hormonal dhe proceset e rritjes. Kështu, ndërpritet rritja dhe gjethet përkulen ose thahet e gjithë bima kur infeksioni ndodh shpejtë dhe është i rëndë.

Përshkrimi i disa morrave (afideve) që  i hasim më shumë në sera

Prek së pari bimët e familjes Solanaceae, Specin, Domaten, Patëllxhanin, Pataten, etj. Insekti i rritur ka ngjyrë të gjelbër, me kokë dhe kraharor me ngjyrë të errët. Sifonet janë me ngjyrë të gjelbër të hapur. Femrat me krahë kanë breza të errët që duken qartë në gjatësi të abdomenit (barkut).

Prek së pari trangullin, por edhe specin, domaten, etj. Është i përhapur kudo, por preferon vendet e ngrohta. Gypat (sifonet) në fund të barkut i kanë me ngjyrë të zezë që e dallon nga morrat e tjerë. Ngjyra e trupit e verdhë në të gjelbër të errët në vartësi të temperaturës, burimit të ushqimit dhe dendësisë së popullatës. Individët e rritur kanë ngjyrë të gjelbër të errët, ndërsa ata të vegjëlit me ngjyrë të verdhë të hapur.

Prek shumë bimët e familjes Solanaceae. Kanë gjatësi 1.2-1.3 mm, ngjyra e trupit e gjelbër në të bardhë, e verdhë e lehtë, dhe deri në të kuqe. Vezët dimëruese qelin nga janari deri në prill. Disa brezni zhvillohen në bimën strehuese dimërore (Pjeshka). Konsiderohet si bartësi më i madh i virusëve, dhe kapaciteti i tij për dëme në krahasim me afidet tjera është shumë më i madh.

Hulumtimi

Hulumtimi është bërë në rajonin e Prishtinës, ku në eksperiment janë përfshirë tri kultura të kultivuara në serrë: Speci, Domatja dhe Trangulli.

Qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë numërimi i morrave të bimëve në gjethet, përkatësisht në kundërfaqen e gjetheve të këtyre kulturave dhe gjithashtu për ta parë ndjeshmërinë e këtyre perimeve ndaj tyre.

Në tri termine gjatë vegjetacionit me metodën e rastit janë zgjedhur nga pesë bimë në tri përsëritje nga secili lloj (spec, trangull dhe domate), prej të cilave janë kontrolluar nga 10 gjethe me anën e zmadhuesit-lupës. Me këtë rast janë numëruar morrat në kundërfaqen e gjetheve dhe pas çdo numërimi janë marrë shënimet e duhura. Numërimi i morrave të bimëve është bërë në tri termine apo afate kohore gjatë vegjetacionit. Numërimi i parë, pikërisht në kohën kur këto perime ishin në fazën e prodhimit të frutave, numërimi i dytë ka qenë pas një jave, dhe numërimi i tretë prap pas një jave.

REZULTATET E HULUMTIMIT

Gjatë këtyre hulumtimeve është konstatuar se morrat e bimëve si dëmtues mjaft të rrezikshëm dhe shumë të përhapur te kulturat e ndryshme bujqësore kanë qenë prezent në tri kulturat e kultivuara në serrë, te trangulli, domatja dhe speci. Pas numërimit të morrave të gjetheve në kundërfaqen e këtyre tri kulturave janë konstatuar morrat e bimëve në numër të ndryshëm.

Nga grafitet e mësipërme mjaft qartë shihet se speci gjatë tërë vegjetacionit ka qenë kultura e cila është prekur më së shumti nga morrat e bimëve në raport me dy kulturat e tjera. Edhe dëmet e shkaktuara sipas vrojtimeve tona kanë qenë më të larta te kultura e specit krahasuar me dy kulturat e tjera. Dëmet e shkaktuara janë si rezultat i të ushqyerit të morrave të bimëve me aparatin gojor të tipit shpues-thithës, me ç’rast në gjethe janë shfaqur përdredhje të gjetheve dhe shenja të zverdhjes së tyre.

Pas përpunimit statistikor të rezultateve të fituara shihet se ekzistojnë dallime statistikore të niveleve të ndryshme të sinjifikacionit sa i përket prekjes së kulturave të ndryshme perimore

Përsëritja (A) Kultura (B)
Trangulli Domatja Speci
1 16.00 8.00 61.00
2 17.00 4.00 195.00
3 10.00 3.00 132.00
Mesatarja (A) 14.33* 5.00* 129.33*
 
Lsd 1% 117.4295
5% 77.5155

Morrat e bimëve sipas llojit të perimeve (ANOVA)

Kështu speci ka qenë kultura më e prekur me morra të bimëve ku mesatarja gjatë tri termineve të monitorimit ka qenë 129 individë, ndërsa më së paku ka qenë e prekur domatja me gjithsej 5 individ dhe se këto dallime janë sinjifikante. Pra kultura e specit në raport me trangullin dhe domaten dukshëm preket më shumë me morra të bimëve dhe themi se speci në përgjithësi është kulturë perimore, e cila preket më shumë nga këta dëmtues. Nga ana  tjetër nuk janë konstatuar dallime statistikore sinjifikante në mes të trangullit dhe domates sa i përket morrave të bimëve dhe se dallimet e konstatuara janë vetëm dallime të rastit.

Rekomandimet  dhe masat e luftimit

Masat parandaluese janë vendimtare për kontrollin e infestimit në serra. Sot menaxhimi i integruar i dëmtuesve është mënyra më e mirë e parandalimit të dëmtuesve dhe uljes së shkallës së infeksionit nga dëmtuesit.

Për monitorim të morrave të bimëve përdoren metoda të ndryshme prej të cilave si më efikase janë: kurthet e verdha me ujë, grackat e verdha ngjitëse, shkundja e bimëve, numërimi i morrave në bimë dhe gjethe, fshirja me brushë, etj. Këto metoda ndihmojnë për vendosjen e pragut kritik dhe marrjen e vendimit për menaxhimin e dëmtuesve.

Për shumicën e morrave të bimëve është 30 individë/gjethe, ndërsa për llojin Myzus persica 5-10 individë/gjethe.

Masat agroteknike

Përdorimi i llojeve rezistente, qarkullimi bimor, monitorimi i rregullt me kurthe ngjitëse të verdha, punimi i tokës me disk dhe shkatërrimi i mbetjeve të kulturës janë të rëndësishme për kontrollimin e morrave bimor për të zvogëluar lëvizjen e tyre në kulturat e afërta.

 Masat biologjike

Në grupin e predatorëve më të rëndësishmet janë mollëkuqet e ndryshme (Familja Coccinellidae) kurse nga parazitët disa insekte të vogla nga rendet diptera dhe hymenoptera . Mollëkuqet janë grup shumë i dobishëm i insekteve predatorë, të cilët ushqehen me morra të bimëve. Një mollëkuqe e vetme mund të konsumojë deri në 5000 morra gjatë gjithë jetës së saj. Predatorë të tjerë janë edhe miza e luleve nga familja Syrphidae po ashtu edhe predatori i morrave të bimëve Aphidoletes aphidimyza dhe Aphidius colemani.

Masat kimike

Për luftimin e morrave të bimëve (afideve) kemi në treg produkte të ndryshme si lëndët aktive: acetamiprid, Imidakloprid, deltametrin, tiakloprid, chlorpyrifos, cypermetrin, pirmiphos-metil, lambda-cyhalothrin, methomyl.etj./Gazeta Bujku

 

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme