Search

Punët në bletari gjatë muajit shkurt

190

(Për kushtet klimatike të cilat mbretërojnë në Kosovë dhe viset të cilat kanë kushtet klimatike të ngjashme)

Temperaturat e ulëta, reshjet e borës si dhe fillimi i lëshuarjës së vezëve nga mëma e bletëve, janë karakteristika që e dallojnë këtë muaj në lëmin e bletarisë. Ky muaj është i dalluar me reshje të borës dhe temperatura të ulëta e që shpeshherë vjen edhe gjer tek stagnimi i zhvillimit të shoqërive të bletëve, ndërsa shoqëritë e dobëta dobësohen edhe më tepër e disa edhe vdesin.

Bletët më të vjetra gradualisht vdesin e ato zëvendësohen me bletët e gjeneratës së parë nga vezët e muajit janar. Në shumicën e ditëve temperaturat janë nën zero e ka edhe mjaft ditë me temperaturë mbi -10 °C . Këto ditë të ftohta shpeshherë zgjatin edhe gjer në fund të muajit kur fillon ngrohja e ajrit duke iu falënderuar rrymave të nxehta të ajrit të pranverës.

Harxhimi i ushqimit gjatë muajit shkurt është më i madh krahasuar me muajin janar, për arsye të mbajtjes së mikroklimës në zgjua për zhvillimin e larvave të reja dhe ushqimit të tyre. Gjatë këtij muaji preferohet të hiqet materiali izolues (letra) nëse është e lagur dhe sipas nevojës i shtohet edhe ndonjë shtresë.

Në pjesën e dytë të këtij muaji ndodh që të paraqiten intervale kohore me ndonjë ditë të nxehtë me mbi +10 °C. Ndodh që gjatë pjesës së dytë të muajit shkurt të kemi më shumë ditë me diell dhe kështu nxiten disa bimë dhe drunj që të japin pjalmin e pare e që është shumë i mirë se ardhur për zhvillimin e zgjoit.

Këto ditë  bletarët është mirë që t’i shfrytëzojnë për pastrimin e koshereve pa i hapur nga lartë, por vetëm duke e hequr fundin-dyshemenë e kosheres. Kjo bëhet më qëllim që mos t`i ftohim larvat dhe mos ta çrregullojmë punën në zgjua e njëherit mund ta vlerësojmë gjendjen e zgjoit.

Gjatë pastrimit të dyshemesë së kosheres mund të vlerësojmë me sa vijon:

  1. Në bazë të grimcave të dyllit në dysheme e vlerësojmë sa është harxhuar ushqimi;
  2. Në bazë të grimcave të dyllit dhe bletëve të vdekura, konstatojmë se ku gjendët tufa e bletëve dhe qarkullimi – lëvizja e tyre gjatë dimrit.

Nëse në dysheme-fund vërejmë se ka më tepër bletë të vdekura, mund të konstatojmë se zgjoji nuk ka dimëruar mirë, dhe nga pesha e katit mund të shohim se sa ushqim përafërsisht ka zgjoi.

Nëse dyshemeja ka lagështi dhe myk me sasi më të madhe atëherë e dimë se ventilimi në zgjua nuk ka qenë i mirë.

Në bazë të zhurmës dhe zukatjes së shtuar mund të konstatojmë se a e kemi mëmën e bletëve në zgjua apo jo.

Nga dyshemeja mund të vërejmë se rastësisht e kemi ndonjë dëmtues në koshere (minj,hardhuca apo insekte), të cilët duhet t`i eliminojmë.

Nëse në dysheme vërejmë gjurmë të barkëqitjes së bletëve atëherë kjo është shenjë se në zgjua është e mundshme ta kemi sëmundjen e Nozemozës.

Nëse dyshemeja e kosherës është e pastër atëherë kjo është shenje se zgjoji ka dimëruar mirë dhe është i shëndetshëm dhe me tipare të mira higjienike.

Në fund mund të konstatojmë se dyshemeja-fundi i kosheres është një tregues i mirë për gjendjen e përgjithshme dhe atë shëndetësore të shoqërisë së bletëve.

Preferohet që ushqimin e ngurtë – pogaçen tua japim bletëve në rastin e parë gjatë muajit shkurt, kur temperatura të jetë mbi 10 °C. Nëse temperaturat janë rreth 14°C, atëherë mund ta kryejmë edhe një kontroll të shpejtë dhe ta verifikojmë situatën sa i përket: mëmës së bletëve, larvave, ushqimit, nozemozës e tj. Numri i rrugicave mes kornizave të mbuluara me bletë na tregon për forcën e shoqërisë, shpërndarjen e mbarësimit-larvave, kualitetit të mëmës së bletëve etj.

Nëse bletët e mbulojnë pjesën e epërme, është shenjë se rezervat e ushqimit janë të vogla. Të gjitha këto veprime duhet të kryhen me shpejtësi me qëllim që larvat mos të ftohen e që pasojat do të ishin të mëdha. Preferohet që në bletishte, e posaçërisht në afërsi, para koshereve të shpërndajmë kashtë apo tallë ose ta heqim boren. Kjo bëhet për arsye që bletët kur të dalin në fluturim pastrues mos të bien në tokë apo borë, sepse atëherë ato e kanë shumë vështirë të ngrihen prap dhe të hyn në koshere.

Nëse bletari e konstaton së zgjoji nuk ka sasi të mjaftueshme poleni-pjalmi, preferohet që atë t`ia japë bletëve përmes kornizave rezervë,nëse i ka, apo përmes pogaçeve me polen.

Rëndësi të veçantë duhet t`i kushtojmë ventilimit dhe atë ta kontrollojmë kur këtë e mundësojnë kushtet klimatike. Hyrja në koshere duhet të jetë e hapur në gjerësi, së paku 10 cm., nuk ka rrezik nga të ftohti, por mundësohet qarkullimi më i lehtë i ajrit të freskët.

Nuk është e tepërt që edhe një herë të theksojmë se edhe gjatë këtij muaji si edhe muajve të tjerë duhet të krijojmë kushte për qetësi maksimale në bletishte./Motilokal.com