spot_img
HomeBUJKUPesta evropiane

Pesta evropiane

spot_img

Nga Dr. Agim Nelaj

(Sëmundja e larvës së hapur; Sëmundja e kalbëzimit të larvës) shkaktohet nga një bakter Streptococcus pluton, por tani është riemëruar Melissococcus pluton. Nuk është sporifikues. Bakteret e tjerë që bashkëshoqërojnë sëmundjen janë Bacillus alvei dhe Eurydice, të cilët nuk janë përcaktues në sëmundje. Prek larvat e moshës 3-4 ditëshe (ende të pavulosura). Me përfundimin e ciklit, larva vdes e bashkë me të humbet forcën edhe shkaktari. Nëse shoqërohet me bacillus alvei, kthehet në spore.

Njohja me sëmundjen

Kjo sëmundje, së bashku me sëmundjen e Larvës së fryrë, nozematozën dhe atë të Larvës së ngurtësuar, lidhen me stresin e bletëve. Në disa vende, sëmundja është një kërcënim shumë më serioz se pesta amerikane. Paraqet rrezik sepse shfaqet më shpesh në kohën që familja është në pikun e punëve.

Nga një vëzhgim sipërfaqësor i hojeve të prekura, këto paraqiten lara-lara dhe mund të jenë të shpuara si në pestën amerikane. Vdekja ndodh në fazën larvore (në ditët 3-5). Larvat e punëtoreve, meshkujve, dhe mbretëreshës janë njëlloj të ndjeshme ndaj pestës evropiane. Larvat e vdekura janë gjetur në pozicione të ndryshme.

Paraqitja normale e bardhë e sedeftë, ndryshon në një të bardhë të turbullt, pastaj të verdhë dhe në fund kafe. Ka erë kosi, shkaktuar nga mikrorganizma të tjerë bashkëshoqërues. Përmbajtja në qelizë është kalbëzuese, nuk është ngjitëse si te pesta amerikane. Kur larva merr ngjyrën kafe, trakea dallohet me ngjyrë të çelët argjendi, menjëherë nën lëkurë. Është shenjë karakteristike e pestës evropiane. Sëmundja përhapet lirshëm nëpërmjet kornizave dhe pajisjeve të kontaminuara. Ajo, zakonisht, shfaqet më rëndë në pranverë dhe vazhdon gjatë verës, kur nektari dhe poleni janë të bollshëm.

Megjithatë, shpërthimet e sëmundjes në fund të verës dhe fillim të vjeshtës nuk janë të pazakonta. Në 10 vitet e fundit pesta europiane është bërë një sëmundje serioze në disa vende. Kjo ka ndodhur ngaqë nuk i është kushtuar vëmendje. Bletari nuk i sheh larvat e sëmura ose i sheh rrallë, sepse bletët i pastrojnë larvat e prekura, para se të shfaqen shenjat e sëmundjes. Në vitet e vështira, kur mungesa e ushqimit është e theksuar, sëmundja mund të shfaqet në fund të verës larvore.

Modeli i rregullit të hedhjes së vezëve të mbretëreshës ka humbur, dhe grupmoshat e ndryshme janë të shpërndara në të gjithë kornizën. Era e larvave të dekompozuara ndryshon sipas llojeve të baktereve, që kanë pushtuar larvat e vdekura.

Larvat që rriten në kushte të pafavorshme janë më të ndjeshme ndaj sëmundjes. Sëmundja mund të jetë stinore; zakonisht ndodh gjatë dhe menjëherë pas reshjeve. Pakësohet gradualisht popullimi i familjes dhe ngrihet përsëri në muajin tetor. Bie ndjeshëm prodhimi i mjaltit.

Grabitqaret luajnë rol të rëndësishëm në përhapjen e saj. Larvat e reja vdesin brenda katër-pesë ditësh qysh nga çelja e vezëve…

Diagnoza diferencuese 

Vendoset në bazë të analizave laboratorike. Me syrin e lirë të bletarit mund të diferencohen disa shenja karakteristike. Ajo prek larvën e pavulosur, që, fillimisht, vendoset në mënyrë të çrregullt në qelizë, ku qëndron në fund të saj përmbys. Era karakteristike e kalbjes dhe veçimi nga qeliza e larvave të vdekura, larva të thara etj. Për shkak të ngjashmërisë, sëmundja duhet të diferencohet me: ftohjen e larvave në pranverë, parapestën dhe pestën amerikane.

Trajtimi

Familjet që dyshohen për sëmundje (pjelljet jo të rregullta), por jo për shkak të mbretëreshës apo mungesës së polenit, duhet të mjekohen mirë kundër pestës evropiane. Bari më i efektshëm për profilaksinë dhe mjekimin është streptomicina 600 mg për familje, në sherbet 2:1, tre aplikime në çdo javë. Efektin më të mirë streptomicina e jep kur përdoret së bashku me norsulfazolin (0.5 g – 1g), në sherbet 2:1. Barna të tillë si Streptomicina, Penicilina dhe Terramycina janë përdorur për kontrollin e sëmundjes. Menjëherë pas përmirësimit të gjendjes, ndërrohet mbretëresha, e cila duhet të hiqet dhe familja duhet përtëritur. /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme