spot_img
HomeBUJKUNjihuni me pemën e bukës gështenjën

Njihuni me pemën e bukës gështenjën

spot_img

Emertimi: Gështenjë (Castanea sativa)

Thirret: k’shtojë (në Pejë, Deçan, Junik), gishtaja (Llap-Gollak), kështejë (Shqipëri e Veriut, Shkodër, Pukë, Dibër, Mirditë, Mat), k’shtejë (Vuthaj), K’shtajë (Tropojë, Gjakovë),Gështenjë, (oskë, Pogradec, Korçë, Berat, Gjirokastër, Përmet) dhe është anëtare e familjes Fagaceae.

Prejardhja e emrit: Emri Gështenjë vjen nga gjuha latine – Castanea dhe rrjedh nga qyteti kastanoni Thesalisë në Greqi. Ky emër bën referencë në Kastanon, një qytet i Thesalisë, i njohur në antikitet për cilësinë e gështenjave. Nuk është provuar akoma se qyteti e ka marrë emrin e gështenjës, apo gështenja të qytetit që e rrethon. Castanea ishte emri i lashtë para emërtimit – Gështenjë, Sativus në gjuhen latine do të thotë e “kultivuar”. Gështenja është quajtur “Pema e bukës”, pasi zëvendësoi bukën në momentet e mungesës se saj. “Pema e jetës”, pasi mbrojti jetët njerëzore nga uria gjatë luftërave dhe “Pema e Lavdisë”, pasi kontribuoj me lëndën drusore dhe me t’ardhurat nga shitja e frutit për rindërtimin e vendeve pas luftërave.

Prejardhja e pemës: Nga paraardhësit me farë, nga ku përftohen pemë që trashëgojnë vlerat e larta gjenetike.

Nëpërmes shartimit, ku ruhet trashëgimia gjenetike, por edhe mundë të bëhet përmirësimi gjenetik i species.

Nga llastarët e cungjeve që në mënyrë virtuale çojnë në degjenerimin gjenetik dhe konvertimin gradual në cungishte të species amë.

Origjina e pemës: Natyrore dhe Artificiale 

Origjinë natyrore konsiderohet kur pema apo pylli kanë origjinën e lindjes në rrugë natyrore, ndërsa origjina artificiale konsiderohet kur pema apo pylli i krijuar kanë ardhur duke i mbjellur fidanët në gropat e hapura enkas, për të lindur një pemë ose për të krijuar një masiv të ri, në një ambient të ri ekologjik, ku nuk ka patur më parë pemë të këtij lloji, apo për të plotësuar hapësirat dhe boshllëqet e krijuara në masivin ekzistues.

Forma e zhvillimit: Gështenja rritet në formën e drurit madhështor, me një trung gjigand dhe me kurorë të gjerë, por rritet edhe në pyll ku formon trung të drejtë dhe cilindrik dhe kurorë më të vogël në majë të pemës , njëkohësisht rritet edhe anës arave, livadheve, pranë shtëpive, objekteve të ndryshme social-kulturore, fetare, në kopshte, oborre e veçuar duke rezervuar hije të këndshme në kopshte dhe oborre, falë bujarisë dhe pamjeve piktoreske që ofron. Në vjeshtë, frytet e saj të ngrënshëm sjellin kënaqësi gjatë të shijuarit.

Lartësia e rritjes: Në pyll rritet deri 30 metra e lartë, ndërsa kur gjendet e veçuar rritet deri 20 metra lartësi, pasi në praninë e dritës dhe ajrimit të bollshëm , merr prioritet zgjerimi dhe fuqizimi i kurorës, duke shtuar numrin e degëve, për të arritur një rendiment maksimal të prodhimit të frutave.

Diametri: Në trashësi, pemët e moshuara arrijnë dimensione që variojnë nga shifrat e vogla deri në ato të habitshme deri në të pabesueshme, ku në kushte ekologjike optimale, pemët me moshë disa shekullore, arrijnë diametra nga 2 deri në 6 metra diametër dhe më shumë

Mosha –  Sa jeton? Gështenja është pema më jetëgjatë që rritet në Evropë, pema që gëzon vegjetacion të shëndetshëm dhe në kushte të mira ekologjike jeton më gjatë se1000 vjet.

Rritja: Konsiderohet si pemë me rritje mjaft të shpejtë, në kushte të favorshme klimaterike dhe tokësore, vetëm pak lloje drusore e konkurrojnë. Në moshën 60deri 70 vjeçare masivi i gështenjave i gjendur në kushte optimale ekologjike, arrijnë të prodhojnë aksione të fuqisë lëndore prej 500 deri 600 metro kub për hektarë, me cilësi të pa arritshme teknike dhe teknologjike nga llojet e tjera drusore, ku materiali drusor i llojit gështenjë i zotëron në rrugë natyrale ato veti teknologjike që lënda drusore e llojeve të tjera i arrijnë nëpërmes proceseve të trajtimeve trajtimeve hidro-termike, teknologjike dhe industriale.

Trungu: (pjesa mbitokësore e pemës) – Pema e rritur në pyll, formon një trung të drejtë, të gjatë cilindrik, pa nyje, të rregullt, ndërsa kur pema gjendet e veçuar, e ekspozuar plotësisht në diell dhe nën ndikimin e faktorëve natyror, formon një trung jo të rregullt, të shkurtër, shpesh të deformuar, me nyje, duke marrë prioritetin zhvillimi dhe zgjerimi maksimal i degëve të kurorës.

Kurora: Pema që gjendet në pyll ka një kurorë të vogël, në majën e drurit, me pak degë dhe ato jo shumë të zhvilluara, ndërsa kur pema gjendet e veçuar ka kurorë të gjerë dhe të plotë me degë të fuqishme, të zhvilluara dhe të dendura.

Degët: Gështenja e ndodhur në masivin pyjor i ka degët të rralla, jo shumë të fuqishme dhe të zhvilluara si pasojë e mungesës së ndriçimit diellor të mjaftueshëm dhe ajrimit të nevojshëm, ndërsa pema e veçuar i ka degët të shpeshta, të alternuara, të lidhura fuqishëm me aksin kryesore, të fuqishme, të cilat përbëjnë një kurorë madhështore dhe të rezistueshme.

Gjethet: Në formë heshtake, të dhëmbëzuara, me majë të mprehtë, me shkëlqim të errët në pjesën e sipërme ndërsa me ngjyrë me të hapët në pjesën e poshtme, me madhësi nga 20 deri 26 centimetra të gjata dhe 7 – 10 centimetra të gjëra.

Lulet: Mashkullore të verdhë në catkins të gjata, lule femra të vogla dhe që s’bien në sy, lulëzojnë në Qershor-Korrik, mbartin një aromë karakteristike, shpesh të rëndë për disa njerëz, shumë produktive dhe të kërkuara nga bletët. Gështenja i çel lulet vonë në kohën më optimale për bletët, kur pothuajse të gjitha lulet tjera kanë përfunduar lulëzimin dhe është ndër lulet më produktive dhe me rendiment për mjaltë.  Mjalti i prodhuar nga lulet e gështenjës, është me ngjyrë më të errët, me shije pak më të ithët, i reziston më shumë kristalizimit, ka veti më të larta kurative dhe vlera ushqimore se mjalti i luleve të tjera, mjalti i cili zotëron rekorde të larta kurative dhe shëruese.

Frutat: Janë një akenë me perikarp, me ngjyrë kafe, me shkëlqim, jashtë dhe brenda. Forma është pak a shumë sferike, me njërën anën te rrafshuar dhe tjetra konveks, përfundon në një tufë, me zgjatje të vogël në formë pishtari, ndërsa në projeksion të tufës, një pjesë e rrafshuar me ngjyrë të bardhë që quhet hilum. Këto karakteristika morfologjike janë të rëndësishme për njohjen e varieteteve të gështenjave.

Lëvorja: Zakonisht degët e reja kanë lëvore të lëmuar, me shkëlqim, me ngjyrë gri-kafe. Lëvorja e degëve të vjetra është me ngjyrë hiri në të bardhë dhe është e pasur me njolla tërthore. Lëvorja e trungut është e trashë, me të çara gjatësore nga lart – poshtë, shpeshherë e mbuluar me myshk me ngjyrë më të errët.

Rrënjët  (pjesa nëntokësore e pemës): Sistemi rrënjësor i gështenjës është pjesa me inteligjente e organizmit të pemës, është një impiant gjigant, gjithmonë i gjallë e eksplorues që operon në thellësi të tokës për të ushqyer dhe për të mbajtur në këmbe të fiksuar dhe të qëndrueshëm në pozicion vertikal pemën.

Funksioni i parë është ai mekanik , i cili bën të mundur qëndrimin e trungut në pozicion të drejtë dhe të qëndrueshëm ndaj faktorëve atmosferik, si era, bora, akulli, si dhe vet pesha e kurorës së pemës, duke kryer kështu funksionin mekanik të përforcimit, të centrimit dhe lidhjes së trungut me tokën.

Funksioni i dytë është ai fiziologjik: Rrënja është e pajisur me qeliza druri që kanë aftësi të gërmojnë token dhe shkëmbin për të shtrirë rrënjët deri në burimin e ushqimit dhe këtë ushqim kane për detyrë të thithin dhe t’ia përcjellin pemës deri në gjethen e fundit. Ky ushqim përcillet nga qeliza në qelizë në gjithë lartësinë e pemës deri në 30 metra. Kjo makineri vërtet gjigante e çon ujin dhe lëndën ushqimore aq lartë sa as pompat me të fuqishme nuk kanë kaq fuqi sa energjia e rrënjës së gështenjës i cili bën të mundur thithjen e lëndëve ushqyese, minerale dhe të ujit nëpërmes tyre.

Toka: Preferon toka të thella, të freskëta, me prejardhje shtufore dhe flyshe, u shmanget tokave me përmbajtje të lartë gëlqere dhe me lagështi i pëlqejnë tokat silicore, neutrale deri në acide me ph. 4.9 deri 6.9 si dhe tokat aluvionale.

Lagështia : U shmanget toka shumë te lagështa dhe shumë te rënda. Ajo i përballon mjaft mirë thatësirës, por rritet më shpejt në toka të freskëta. Preferon ato zona ku sasia e reshjeve vjetore janë 800 deri 1200 mm, që në sezonin veror bien së paku 250 mm reshje.

Klima: Preferon klimë mesdhetare, nga ku formon zonën fito-klimatike Castanetum. Në shpatet kodrinore malore, me toka të pasura dhe të freskëta, me ekspozim diellor të zonës mesdhetare, gjen kushte optimale për rritje dhe zhvillim.

Temperatura: Përballon dimra të acartë, duke pësuar dëme vetëm kur temperaturat kalojnë ekstremin – 40 gradë c, ashtu siç përballon verë të nxehtë dhe të thatë. Është e ndjeshme ndaj ngricave të hareshme të vjeshtës dhe atyre të vona të pranverës, të dyja i shkaktojnë dëme të konsiderueshme dhe për këtë arsye zgjohet më vonë në pranverë se llojet tjera drusore.

Letargjia: Pushimi vegjetativ, zgjohet nga letargjia më e fundit në të gjithë drurët pyjor, sa që shpesh herë mendohet të jetë tharë.

Lartësia mbi nivelin e detit: Nga 300 metra deri në 900 metra mbi nivelin e detit që formon zonën fito-klimatike Castanetum, por është konstatuar se i ka thyer këta kufij gjatë dekadave të fundit dhe veçanërisht drejtë zonës fagetum, ku konsiderohet në kufirin normal të sajë deri në 900 metra, mbi nivelin e detit.

Kundrejtimi : Toleron në kundrejtim, mjafton të gjejë kushtet tokësore optimale, por më i pëlqyer dhe i preferuar është kundrejtimi Jug- Lindor, por edhe në atë Jug-Perëndimore e hasim të instaluar, pa përmendur rastet e veçanta të instalimit të gështenjës në shpate më kundrejtim Veri – lindor apo Veri – Perëndimor.

Ekspozimi diellor: Pema e Gështenjës duron hije, por rritet  lulëzon dhe prodhon fruta mjaftueshëm edhe në dritë të plotë.

Ripërtëritja: Ripërtërihet – me farë, nga ku përftohet pyll i lartë, trungishte me drurë të lartë, që mbartin vlerat më të larta gjenetike të paraardhësit dhe ruhet trashëgimia gjenetike e species bazë,

– nëpërmes shartimit, bashkimit fiziologjik të indeve të dy specieve, ku ruhen dhe trashëgohen vlerat gjenetike , si dhe është e mundur të përmirësohen ato .

– si dhe me llastar të cungjeve, nga ku përftohet pyll i ulët, me pemë me përmasa dendrometrike më të vogla dhe karakteristika silvo- biologjike me parametrat teknik nën nivelin e species bazë. 

Kërcënimi : Pema ndjehet e kërcënuar nga sëmundjet fungale, si kanceri i lëvores, shkaktuar nga Crythonetria parasitica dhe sëmundja e bojës shkaktuar nga (phytophora cambiovora) si dhe nga dëmtuesit, mizë gruri, curculio elephas, Pammene Fasciana, Mole cigane, Cydia splendana ,Dryokuriphilus, etj nga një numër sëmundjesh dhe dëmtuesish, që nuk paraqesin një rrezikshmëri të larte pemën dhe ajo e absorbon efektin dëmtues të tyre, në saje të rezistencës natyrore që vetë pema mbartë. Por më shumë është e rrezikuar nga aktiviteti pa kontrolluat i njeriut.

Patologjia: Është rezistente ndaj sëmundjeve, veçanërisht ndaj kancerit të lëvores dhe më pak ndaj sëmundjes së bojës. Gështenja sulmohet ndonjëherë edhe nga sëmundje të tjera më pak të rrezikshme se të parat , nga insekte , nga dëmtues dhe bimë parazitare të dëmshme por i përballon me sukses në sajë të rezistencës natyrore befasuese që zotëron.

Shumimi i gështenjës                

Shumimi i gështenjës bëhet me dy mënyra; Në mënyrë natyrale me farë dhe me llastarë.

Shumimi i gështenjës me farë në mënyrë natyrale konsiston në mbirjen e farave të gështenjës që bien për tokë ose përhapen nga brejtësit , zogjtë apo vërshimet e ujërave. Shumimi i gështenjës në këtë mënyrë bëhet spontanisht dhe i pa kontrolluar, ku mundë të mbijnë çdo lloj fare e mbetur në tokë dhe i gjen kushtet për mbirje dhe kështu do të përftojmë një masiv shumë heterogjen, me një divirsitet të lartë gjenetik.

Shumimi me llastarë konsiston në shtimin e pemëve me prejardhje nga llastarët e cungjeve të prerë apo të djegur. Pema me këtë prejardhje degjeneron vlerat gjenetike të species amë.

Në mënyrë atrificiale

Shumimi në mënyrë artificiale konsiston në: shumimi nëpërmes mbjelljes së fidanëve të rritur në fidanishte, nëpërmes shartimit.

Shumimi sipas metodës tradicionale, nëpërmes mbjelljeve të farave direkt në pyll, në vendin e tyre të përhershëm.

Shërbimet kulturore: Gështenja ka nevojë për shërbime që në moshë të re, si për pastrime, rrallime, krasitje të degëve të nënshtruara dhe të thata, atyre të infektuara nga sëmundjet etj.

Përdorimi i frutit: Fruti përdoret për ushqim të freskët, i pjekur, i zier, i tharë, i përpunuar, pluhur, miell, i gatuar, si dhe përdorimi në industrinë ushqimore të ëmbëlsirave dhe i gatuar bukë.

Përdorimi i gjetheve: Të thara për çaj, kundër sëmundjeve në rrugët e frymë marrjes, reumatizmës, kollës së mirë, dhimbjeve të barkut dhe diarresë, ndërprerjen e gjakderdhjes, hipertensionit, sëmundjeve kardiovaskulare etj.

Përdorimi i dytë fito-terapik, shfrytëzon aftësitë bakteriologjike dhe astringjentë për trajtime të jashtme apo për t’u kujdesur për lëkurën e trupit ose kokës, dhimbjen e plagëve: Përgatitja e njëjtë, aplikohet mbi plagë, mbron kundër infeksioneve dhe ndihmon në shërim.

Përdorimi i lëvoreve: Të thara, si çaj kundër variceve, çlirimin e venave, sëmundjeve të frymëmarrjes, gjakderdhjes, barkut etj. Lëvorja grumbullohet në verë nga degët 1 dhe 2 vjeçare, ku pas zierjes përdoren 3 gota në ditë.

Përdorimi luleve: Lulet përdoren për kurim të shumë sëmundjeve, me anën e çajit të luleve të thara, si dhe prodhimin e një shamponit të shkëlqyer, të shndritshme dhe transparentë për flokët.

Përdorimi i lëndës drusore: Druri i gështenjës është druri me gamën më të gjerë të përdorimit, duke i plotësuar të gjitha nevojat e njeriut nga djepi, tek varri, nga ndërtimi dhe meremetimi i shtëpive deri tek industria e ndërtimit të anijeve, nga thurja e gardhiqeve deri tek urat dhe hekurudhat, falë cilësive teknologjike shumë të mira në përpunim dhe zdrukthëtari dhe rezistencës shumë të lartë natyrore që zotëron ky dru, duke u përdorur në ambiente të hapura, në tokë dhe nën ujë.

Përmbajtja e lartë e acidit tannic pengon degradimin bio-teknologjik të lëndës drusore të gështenjës, duke i ruajtur vitalitetin dhe një bilanc të mirë ekologjik. Rezistenca e lartë ndaj kushteve atmosferike e bën të mundur përdorimin e këtij druri edhe në ambiente të hapura, në ndërtime urash, ambiente sportive, ambiente të kultit si dhe çdo lloj ngrehinash të tjera.

Vitaliteti i drurit të gështenjës për dekorim, aftësitë e larta hidro-termo- izoluese dhe pastërtia e tij krijon një atmosferë të veçantë në dhomë.

Forma e pronësisë: Njihet si pronë private, por pronarët nuk zotërojnë asnjë dokument pronësie siç është: certifikata e pronësisë, apo TAPI, ku, përdoruesi apo kultivuesi i gështenjës, ta vërtetojnë pronësinë mbi kashnjetin e tij me dokument.

Administrimi: Kjo pasuri me vlera të larta nuk mbulohet nga shteti me administrim shtetëror apo komunal, si dhe personel të shërbimit teknik. 

Drejtimi teknik: Nuk ka administrim shtetëror, komunal, qeverisje apo drejtim teknik.

Kush duhet ta drejtojë këtë pasuri 

Do të ishte normale që gështenja të qeveriset, drejtohej dhe trajtohej teknikisht nga punonjës të specializuar në profilin pyjor, sepse ata i kanë njohuritë e nevojshme tenike për pemët e gështenjës, ata dinë se çfarë shërbimesh do gështenja në çdo fazë të rritjes dhe zhvillimit të sajë, ata dinë të bëjnë identifikimin e drurëve të infektuar nga dëmtuesit dhe sëmundjet, në ç‘fazë zhvillimi është sëmundja dhe si do të trajtohet dhe kurohet në këtë fazë, ata dinë se ç‘farë shërbimesh kulturore, pastrime, rrallime, krasitje dhe punime të tjera duhet t’u kryejmë pemëve të gështenjës, sepse ata janë kompetent dhe të përgjegjshëm për drejtimin dhe administrimin e gështenjës.

Ka ardhur koha që kjo kulturë me këto vlera kaq të larta , të ndahet nga administrimi mesjetar , duke ju nënshtruar një drejtimi teknik dhe menaxhimi të integruar , të bërë nga profesionist të specializuar.

A mundë të përhapet gështenja 

Gështenja është një prej llojeve drusore që përhapja e sajë varet krejtësisht nga njeriu. Në qoftë se njeriu është i interesuar ta shtojë sipërfaqen me gështenjë, pra ta shtojë këtë pemë, atë e ka plotësisht në dorë dhe lehtësisht të realizueshme. Mjafton dëshira dhe vullneti për të shtuar sipërfaqen me gështenja dhe ekziston mundësia e zgjerimit të gështenjës dhe me një kosto fare minimale. Për shumë vite është konsideruar e dyshimtë dhe e pashpresë përpjekja për shtimin e sipërfaqes dhe përhapjen e gështenjës. Studimet e fundit konfirmojnë atë që tashmë ishte sugjeruar kohë më parë nga dijetarët e shquar se gështenja gjen kushtet ekologjike optimale për rritje dhe zhvillim në të gjithë zonën mesdhetare – Castanetum.

Rritja e shpejtë, kapacitet e larta të prodhimit, diversiteti i produkteve, jetëgjatësia e lartë dhe mbi të gjitha vlerat e larta të frutave, janë arsyet themelore që kanë ndikuar në përhapjen e specieve që nga kohërat e lashta./Gazeta Bujku

Autor: Shpend Nikoçi

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme