Search

Miliardat e Kosovës në tregjet botërore

144

Më shumë se 2.5 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të grumbulluara nga Trusti i Pensioneve dhe procesi i privatizimit, por paratë mbahen të ngrira në institucionet në tregjet e jashtme ndërkombëtare, si dhe në ato financiare në Kosovë.

Nga kjo shumë, mbi 1.8 miliard euro janë kursimeve të qytetarëve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Përqindja më e madhe e këtyre mjeteve janë të investuara në tregjet e Gjermanisë, Japonisë, Anglisë, Francës dhe në tregjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurse, vetëm nga Fondi i Mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, deri në fund muajit maj të këtij viti, Agjencia e Privatizimit ka arritur që të grumbullojë më shumë se 730 milionë euro, të cilat janë të deponuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Nga Fondi i Mirëbesimit parashihet të kompensohen kredituesit potencialë të ndërmarrjeve shoqërore.

Kurse, në Buxhetin e Kosovës nga ky fond janë transferuar mbi 326 milionë euro, thuhet në një përgjigje nga zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar kthimin e këtyre mjeteve në Kosovë dhe gjetjen e mënyrave për lejimin e qarkullimit të tyre. Ata thonë se Kosova vazhdimisht kërkon donacione dhe investime të huaja, kurse vetë institucionet e Kosovës mbajnë të ngrira mjete në tregjet financiare ndërkombëtare.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se qarkullimi i këtyre mjeteve në tregun e Kosovës duhet të realizohet me urgjencë, sidomos një pjesë e mjeteve të Trustit të Kursimeve. Ai thotë se me ndryshimin e bazës ligjore, këto mjete mund të investohen sigurt në sektorë, të cilët mund të ndikojnë në hapjen e vendeve të reja të punës.

“Jam ithtar i asaj që ndryshimet ligjore të bëhen sa më shpejt. Jo ndoshta të gjitha, gjysma mund të mbesin në tregjet e huaja, por gjysma tjetër duhet të investohen në Republikën e Kosovës me vendime të organeve shtetërore, me qëllim që të rritet oferta e parasë në Republikën e Kosovës. Por, ashtu besoj se mundësitë e humbjes në tregun vendor janë shumë të vogla”, thotë Bektashi.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Ismail Kastrati, njëherësh ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, thekson se një pjesë e këtyre mjeteve duhet të investohen për projekte kapitale. Ai përmend mundësinë e ndërtimit të termocentralit, “Kosova e Re”.

“Kam qenë dhe jam ithtar i asaj që mjetet të kthehen në tregun e Kosovës. Jo të gjitha, por ato që mund të angazhohen në Kosovë. Ka mundur të ndërtohet termocentrali ‘Kosova e Re’ me mjetet e Fondit të Trustit. Ku kthimi i mjeteve është i sigurt”, thotë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Fushë tjetër ku mund të investohen Fondi i Trustit dhe ai i Privatizimit, sipas ekspertëve, është sistemi bankar. Ky sistem, thotë Kastrati, vazhdimisht është treguar stabil dhe i qëndrueshëm.

“Mund të plasohen në bankat komerciale të Kosovës, bankat pastaj mund të zbusin kamatat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vend. Ka shumë mundësi, por duhet të analizohet situata”, shprehet Kastrati.

Edhe Bektashi thotë se futja në funksion e mjeteve të Trustit dhe Fondit të Mirëbesimit, do të ndikon edhe në uljen e kamatave për kredi në bankat komerciale në Kosovë.

“Por, edhe përfitimi nga përdorimi i atyre mjeteve do të sjellin të ardhura dhe përfitime më të mëdha se në tregjet e jashtme. Por, automatikisht do të ndikonte edhe në uljene interesit të normave të kamatave kredive”, theksoi Bektashi.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Trustit të Kursimeve Pensionale, tashmë kanë deklaruar se kthimi, apo vënia në qarkullim e këtyre mjeteve, nuk mund të bëhet për shkak të pengesave ligjore. /REL




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *