Search

Krasniqi: Mijëra bujq sivjet përfituan 50 milionë euro grante dhe subvencione

208

Në vazhdim ju sjellim intervistë e plotë:

Ballkani.info: Çka po synon Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me politikat e veta?

Mevludin Krasniqi: Objektivi kryesor i politikave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, është zhvillimi i bujqësisë sipas modelit evropian, për të siguruar një bujqësi të qëndrueshme dhe konkurruese. Gjithashtu krahas kësaj, Ministria e Bujqësisë përmes investimeve të saj, mbështetjes së sektorit të bujqësisë e synon edhe ngritjen e kapaciteteve të fermave dhe agro bizneseve vendore , me një qëllim që prodhimet të arrijnë t’i plotësojnë standartet evropiane.

Ballkani.info: Na flisni për subvencionet dhe grantet, meqenëse janë baza e Ministrisë së Bujqësisë, kush dhe sa kanë përfituar? 

Mevludin Krasniqi: Paraprakisht dua të theksoj se mbështetja që u është dhënë ndër vite, nga ana e ministrisë por edhe partnerëve ndërkombëtar që mbështesin bujqësinë ka sjellë produktivitet të lartë, produktivitet që vërehet në sektorin e bujqësisë dhe gjithashtu ka ndikuar direkt edhe në ngritjen e kapaciteteve dhe cilësinë e prodhimeve vendore. Kur jemi te grantet dhe subvencionet, Ministria e Bujqësisë, vazhdon t’i mbështesë përmes pagesave direkte subvencionimin të gjithë fermerët, janë të caktuara edhe këta që arrijnë në bujqësi, blegtori, pemëtari dhe në të gjitha sektorët, dhe vetëm në vitin 2018 e them se dhjetra mijëra përfitues kanë përfituar mbi vlerë të përgjithshme afërsisht 25 milionë euro. E sa i përket granteve, ka qenë i hapur aplikimi dhe në të gjtiha masat në sektorin e të mbjellurave, gjërsisht në bujqësi, në blegtori, në industrinë e përpunimit, në qumësht, në pemë dhe të tjera d.m.th., edhe këtu diku 20 milionë euro grante janë kontraktuar dhe sipas informatave që sot unë i posedoj, në Republikën e Kosovës kanë arritur  të përfitojnë diku 600 fermerë grante të ndryshme, në sektorë të ndryshëm.

Këtë vit edhe 3 milionë euro do të ndahen grante nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me USAID, ku ministria e Bujqësisë financon 3 milionë euro për pemët e imëta dhe për bimët mjekësore aromatike . Kjo thirrje, gjerësisht për këtë grant për pemët e imëta dhe bimët mjekësore aromatike është në proces deri më 3 dhjetor, ku edhe ju bëj thirrje të gjithë të interesuarve që të inkurajohen t’i bëjnë projektet dhe të aplikojnë që të përfitojnë edhe në këtë sektor.

Ballkani.info: A është rritur prodhimi bujqësor?

Mevludin Krasniqi: Në bazë të statistikave që i kemi është rritur prodhimi bujqësor në Republikën e Kosovës, falë këtyre investimeve që ndër vite po i bën Ministria e Bujqësisë, po edhe fatkorët ndërkombëtar duke qenë një bashkëpunim i jashtëzakonshëm, ne synojmë që viteve që vijnë të rritet edhe më shumë rendimenti i kulturave bujqësore dhe i aktiviteteve tjera që ndërlidhen në industrinë e përpunimit pemëve , perimeve, të mishit apo gjetiu. Kur jemi te rritja e prodhimit gjithashtu statistikat dhe të dhënat që i kemi ne, por edhe doganat e Kosovës, tregojnë që njëkohësisht kemi një trend mjaftë të mirë të rritjes edhe të eksportit të produkteve bujqësore gjërësisht të prodhimit vendor. Edhe pse nuk jemi aty ku dëshirojmë, mirëpo është një trend mjaft pozitiv dhe pritjet janë edhe më të mëdha që produktet vendore përveç në tregun vendor të Republikës së Kosovës, edhe më fuqishëm të jenë në tregjet e Bashkimit Evropian dhe në tregjet e rajonit .

Ballkani.info: Ditë më parë është bërë edhe pyllzimi, si ka shkuar i gjithë procesi?

Mevludin Krasniqi: Aktivitetet për pyllzim kanë vazhduar edhe këtë vit edhe pritet që për vitin 2018 deri në fund të nëntorit të përfundojë ky proces. Në pranverë në bashkëpunim me FAO-në janë pyllzuar 70 hektarë , dhe tani deri në fund të nëntorit pritet të përfundojë edhe pyllzimi edhe 300 hektarëve tjerë anekënd Kosovës në të gjitha regjionet e Kosovës, dhe besoj që këtu do të arrijmë synimin që vitin e ardhshëm të dyfishohet sipërfaqja që do të pyllzohet.

Ballkani.info: Këtë vit ka pas më pak raste të raportuara të djegieve të pyejve , dhe më shumë raste të raportuara të dëmeve në tokat bujqësore të shkaktuara nga faktori natyror. A janë përgjegjësi direkte e Ministrisë së Bujqësisë që këto raste të trajtohen dhe të ndihmohen?

Mevludin Krasniqi:  Shkatërrimin e pyejeve dhe djegien e tyre e ka shkaktuar edhe faktori njeri, besoj që qytetarët çdo ditë e më tepër në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, po rritet vetëdijësimi se ky është është vendi ynë dhe natyra është e të gjithëve bashkë.

Fushatë vetëdijësuese thuajse ka çdo ditë nga stafi i ministrisë, gjerësisht stafi i pyjeve edhe nëpër regjione por edhe nëpër komuna punon me komunitetin në këtë drejtim , ka këtu edhe angazhime edhe të grupit të qytetarëve që janë të organizuar në OJQ të ndryshme etj., që në bashkëpunim me bëjnë aktivitete të tilla.

Ballkani.info: Cilat janë planet dhe objektivat e Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2019?

Mevludin Krasniqi: Mendoj që planet do të jenë vazhdimësi, gjithmonë në harmoni me politikat e përbashkëta bujqësore edhe të Bashkimit Evropian, duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi, Ministria e Bujqësisë pretendon që të shënojë edhe më shumë progres, angazhimi nuk do të mungojë do të vazhdojë çdo ditë në mbështetje të bujqëve, fermerëve dhe të prodhuesve vendor, me qëllimin e vetëm për t’iu lehtësuar aktivitetin, për t’iu lehtësuar sfidat me të cilat ballafaqohen, kuptohet këtu nevojitet edhe një bashkëpunim edhe ndër-sektorial brenda intitucioneve të Republikës së Kosovës, që bashkë të ia dalim suksesshëm. Investimet do të vazhdojnë , përkrahja institucionale do të vazhdojë dhe synojmë që t’a rritim edhe më shumë cilësin përmes angazhimeve tona në bashkëpunim edhe me invesitorët tjerë që e ndihmojnë këtë sektor, natyrisht edhe me bizneset e Kosovës të ecim bashkë përpara.

Intervistoi: Mihane Hoxha / Ballkani.info




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *