spot_img
HomeLAJMET E FUNDITEnët plastike dhe rreziqet e tyre

Enët plastike dhe rreziqet e tyre

spot_img

Jeta moderne ka mbizotëruar në shumë mënyra jetën, njeriun, natyrën dhe ambientin, duke prodhuar kështu një botëkuptim të ri dhe mënyrë jetese të re. Ritmi i shpejtë i jetës së ditëve të sotme ka rritur përdorimin e ushqimeve të paketuara dhe si rrjedhojë, kanë ardhur në rendin e ditës çështje, si kushtet e përshtatshme të ruajtjes së ushqimeve, paketimi i përshtatshëm dhe zgjedhja e enëve të përshtatshme për ruajtje.

Sa keq që enët plastike, që janë përdorur aq shumë prej vitesh, po na paraqiten me fytyra të reja, në sajë të produkteve që ndryshojnë dhe zhvillohen dita ditës. Të qenit praktik, fakti që zënë më pak vend dhe, çka është më e rëndësishmja, fakti që janë të lira, ka bërë që të hyjnë menjëherë në çdo kuzhinë. Bile enët plastike përdoren shumë edhe në industrinë e ushqimit për ruajtjen dhe paketimin e ushqimeve.

Lënda bazë e plastikës është gazi natyror, nafta dhe qymyri. Gjatë prodhimit këto produkte mund të përdoren direkt, por mund të përdoren edhe së bashku me disa lëndë shtesë. Në sajë të këtyre lëndëve shtesë, mundësohen disa veti, si: fleksibiliteti, qëndrueshmëria, rezistenca ndaj temperaturës ose rezistenca ndaj rrezeve ultraviolet. Dhe këto përdoren në shumë produkte. Për shembull, paketat e çajrave bimore, që ne i pimë për të shëndetshme, janë të përbëra nga këto materiale. Uji i nxehtë është një tretës (solvent) i mirë, prandaj përveç çajit pluhur që ndodhet në paketë e tret (shpërbën) edhe paketën. Kështu, së bashku me çajin e dobishëm futen në trup edhe një sërë lëndësh toksike/helmuese. Kjo do të thotë që, kur lëndët plastike përpunohen, së bashku me këto lëndët shtesë kalojnë në trupin e njeriut si lëndë toksike, për arsye se shumica e tyre përmbajnë metale të rënda.

Lëndët kimike, që ndodhen tek enët plastike u kalojnë ushqimeve kur kontaktojnë me to. Ky kalim ndryshon në bazë të temperaturës së ushqimit. Me rritjen e temperaturës rritet dhe kalimi i lëndëve kimike, me uljen e saj ulet dhe kalimi. Për këtë arsye, veçanërisht ushqimet e nxehta dhe të yndyrshme, nuk duhet të ruhen në enë plastike. Kalimi i këtyre lëndëve varet edhe nga lloji i plastikës. Enët plastike kanë kode me numrat nga një deri në shtatë. Më të dëmshmit e këtyre kodeve, që përdoren për të klasifikuar plastikët, janë numri tre, gjashtë dhe shtatë. Dëmet kryesore janë reaksionet alergjike, dëmtimet e mëlçisë dhe kanceri.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, dega Shëndeti Publik në Universitetin Osmangazi (Eskishehir/Turqi), Prof. Dr. Selma Metintash, e ka shprehur me këto fjalë rrezikun kancerogjen të gotave plastike, të cilat përdoren gjerësisht në ditët e sotme:

“Kur brenda gotave plastike vendosim pije të nxehta rreth 70-90 gradë, nën ndikimin e nxehtësisë gota fillon të shpërbëhet në monomeret e saj, çka përbën një situatë të rrezikshme.”

Prof. Dr. Metintash, duke shpjeguar që monomeret përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut, tregon: “Këto monomere janë lëndë të rrezikshme kancerogjene. Gotat me shkumë janë më të qëndrueshme ndaj temperaturës. Por lëngjet me temperatura më të larta mund ta shpërbëjnë edhe këtë material. Këto grupe monomerike kalojnë në pije dhe me anë të gojës realizohet futja e këtyre lëndëve toksike në trup. Deri tani dihet që pijet e nxehta shkaktojnë disa reaksione kimike në gotat plastike. Njerëzit që pinë për një kohë të gjatë nga gotat prej shkume dhe plastike, mund të përballen me rrezikun e kancerit.”

Në lidhje me fermentimin e kosit në enë plastike, dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore në Universitetin “19 Maj” (Turqi) Prof. Dr. İsmail Gymrykçyollu, tërheq vëmendjen duke thënë: “Për të fermentuar kosin e hedhim qumështin e valuar në enë plastike. Qumështi që hedhim në enë është 100 gradë, pra sikur të ishte ujë i vluar. Në 100 gradë një pjesë e enës plastike shpërbëhet dhe kalon në qumësht. Ndërsa acidi i kosit e shpërbën edhe më tepër plastikën dhe këto lëndë të shpërbëra kalojnë në kos. Për këto arsye, enët plastike nuk duhen përdorur në asnjë mënyrë për të fermentuar kos.”

Gymrykçyollu thekson edhe faktin që qeset plastike janë gjithashtu të dëmshme për shëndetin, veçanërisht ato me ngjyra. Prandaj këshillon që të mos vendosim ushqime, veçanërisht në qeset e zeza. Gymrykçyollu shpjegon se mund ta kuptojmë që një qese është jocilësore nga era e keqe ose nga fakti që lëshon bojë kur e fshijmë me një pecetë të lagët.

Është vënë re që lënda kimike BPA, që përdoret në prodhimin e plastikëve, kalon nga shishet e pijeve në trupin e njeriut. Rreziku që bartin enët plastike që përdorim çdo ditë, duke filluar nga biberonët e fëmijëve deri te shishet plastike të ujit, mund të arrijë përmasat e një skandali në bazë të këtyre të dhënave shkencore.

Është vënë re që fetuset në barkun e nënës, të porsalindurit dhe fëmijët e ekspozuar ndaj BPA-së kanë shfaqur probleme në zhvillim dhe në sjellje. Bashkë me ujin dhe ushqimet që konsumohen në shishe ose ambalazhe të prodhuara prej polikarbonati, marrim edhe BPA e cila shkakton: probleme të prostatës, të zhvillimit të trurit, të zemrës, çrregullime të enzimave të mëlçisë dhe diabet. Polikarbonati shkakton te fëmijët që ushqehen me biberon, pjekuri të parakohshme seksuale dhe rënie serioze të prodhimit të spermës. Sepse BPA imiton hormonin estrogjen dhe kthehet në hormon femëror. Tek të rriturit përbën një rrezik për kancer të gjirit.

Një çështje tjetër shumë e rëndësishme në lidhje më enët plastike është fakti që ato kurrë nuk duhen përdorur në mikrovalë për të ngrohur ushqimet. Në të kundërt, në atë temperaturë, lëndët kimike të enës do të kalojnë në ushqim. Gjithashtu enët me kapak plastik, po të ngrohen në mikrovalë, ka rrezik që lëndët kimike të shpërbëhen me anë të avullit dhe të pikojnë në ushqim. Kjo gjë bëhet shkak që ushqimi të konsumohet bashkë me lëndët toksike.

Shumë studime të reja, të ngjashme me studimet e mësipërme tregojnë që duhet të qëndrojmë larg enëve plastike. Dihet që enët plastike qëndrojnë në det për rreth 400 vjet dhe në tokë rreth 800 vjet pa u tretur duke lëshuar vazhdimisht toksina (helme) në det e në tokë. Fakti që plastika tashmë përdoret nga gota, pjata, luga e piruni deri te qeset e pazarit, e bën atë të domosdoshme për jetën tonë. Por gjithsesi, pavarësisht se plastika tashmë është një teknologji e përhapur në një fushë shumë të gjerë, ne duhet të mundohemi sa të jetë e mundur të zgjedhim enët prej xhami, porcelani, druri dhe çeliku. /Revista Vesë /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme