spot_img
HomeBUJKUVrugu i patates dhe domates

Vrugu i patates dhe domates

spot_img
(Late Blight of Potato and Tomato)
Vrugu i patates dhe i domates (Phytophthora infestans) shfaqet në gjethe, kërcej, fryte  të domates dhe në kokrra të patates në fushë dhe kështu ndikon në rënien e rendimentit dhe të cilësisë. Dëmi që shkakton kjo sëmundje në bimë varet shumë nga kushtet klimatike, nga temperatura dhe lagështia, që mbizotërojnë gjatë periudhës së vegjetacionit.
Simptomat
Simptomate sëmundjes shfaqen në gjethe, kërcell, lule, fryte e ndonjëherë edhe në zhardhokë. Simptomat e para shfaqen në gjethet e poshtme të bimës, në formë njollash me ngjyrë të verdhë, më vonë të murrme, të cilat  gjatë motit me lagështi zmadhohen, pa ndonjë kufizim të caktuar, përfshijnë një pjesë të madhe të gjethes, e cila nekrotizohet. Përmes bishtit të gjethes miceli depërton në kërcell dhe ndonjëherë ndikon në tharjen e bimës. Përreth njollës nekrotike formohet një zonë e verdhë, ndërkaq në nënfaqe të gjethit, gjatë lagështisë shfaqet një shtresë  përhime e mykut me konidiofore dhe konide. Gjatë motit të thatë, gjethet e infektuara përdridhen, kanë njolla me ngjyrë të mbyllur, që nuk zgjerohen, pa organe të riprodhimit. Simptomat e sëmundjes shfaqen edhe në kërcellin e bimëve të ndjeshme, në formë të njollave me madhësi të ndryshme, me ngjyrë të verdhë në të mbyllur. Indi i infektuar nuk ka elasticitet të mjaftueshëm, lehtë thyhet, bimët e infektuara rëndë tërësisht thahen.

Në zhardhokë të patates, shenjat e sëmundjes duken si njolla në formë të çrregullt, ngjyrë të mbyllur, me indin e brendshëm të zbutur. Indi i infektuar nga veprimi i mikroorganizmave saprofitë kalbet. Gjatë infektimeve të mëvonshme, në zhardhokë duken njolla të lokalizuara, ku sigurohet dimërimi në formë të micelit. Në qoftë se zhardhoku i infektuar prehet, atëherë pjesa e infektuar, lehtë dallohet nga indi i shëndoshë, me ngjyrë të mbyllur dhe të ujësuar. Pjesët e infektuara teren, marrin ngjyrë tërësisht të mbyllur, ndërsa gjatë ruajtjes në magazina, transhe dhe në depo vazhdojnë të kalben.
Në fryte të domates, kërpudha Phytophthora infestans shkakton simptoma në formë të njollave me ngjyrë të mbyllur, madhësi të ndryshme, duken si të ziera, lehtë bien në tokë dhe për një kohë të shkurtë kalben. Frytet me infektim të vogël, pas vjeljes, nuk mund të ruhen për një kohë të gjatë në depo, sepse kalben. Simptomat në gjethe, kërcell dhe në lule të domates, janë të ngjashme me ato që janë përshkruar për pataten.

Patogjeni dhe cikli i sëmundjes

Shkaktare e vrugut të patates dhe të domates është kërpudha Phytophthora infestans, me micel të thjeshtë njëqelizor pa septe, gjendet në indin e infektuar në mes të qelizave, ndërsa nga qelizat e afërta ushqehet me haustore. Miceli i kërpudhës, pas përfundimit të periudhës së inkubacionit, formon konidiofore me konide që dalin përmes gojëzave. Mënyra e formimit të konideve është specifike. Në majë të degëzuar të konidiofores formohet konidi, degëza vazhdon të rritet, zgjerohet dhe vepron në lirimin e konidit, kurse në vazhdim të degëzës formohet konidi tjetër.
Konidet mbijnë në dy mënyra: drejtpërdrejt formojnë tubin gjerminativ ose më shpesh shndërrohen në sporang me tetë zoospore që kanë nga dy flagjela. Mënyra e mbirjes së konideve varet në radhë të parë nga temperatura dhe lagështia. Është konstatuar se në temperatura të ulëta 10-15°C konidet shndërrohen në sporang, ndërkaq në temperaturë mbi 15°C mbijnë drejtpërdrejt dhe formojnë tubin gjerminativ. Konidet mbijnë në pikë të ujit, formojnë hifen infektuese, e cila depërton në gojëza ose pas formimit të apresoriumit depërton në kutikulë. Në praninë e micelit qelizat bimore dëmtohen dhe thahen, ndërkaq kërpudha përhapet në qeliza dhe inde të afërta, pas përfundimit të periudhës së inkubacionit, formon konidiofore me konide. Në temperaturë 18°C dhe lagështi relative 100%, Phytophthora infestans përfundon inkubacionin brenda 7-8 ditësh, me një aftësi të madhe  riprodhuese (SHATTOCK 1988).

Infektimi i zhardhokëve të patates mund të shkaktohet gjatë vegjetacionit me konide që shpëlahen nga gjethet e bimëve me anë të shiut. Zoosporet që lirohen nga sporangu depërtojnë në indin bimor përmes lëndimeve ose lenticeleve. Miceli zhvillohet në indin ndërqelizor. Këto organe bimore mund të infektohen pas vjeljes nga konidet që gjenden në sipërfaqe të kokrrës me prejardhje nga gjethet e patates. Kokrrat e infektuara rëndë kalben, kurse ato me infektim të lehtë shërbejnë si vendstrehim për micelin dhe njëherësh paraqesin burim të infektimit parësor.

Zhvillimi i vrugut të patates dhe domates varet nga kushtet e ambientit të jashtëm, në radhë të parë nga lagështia dhe temperatura. Organet e riprodhimit Phytophthora infestans, i formon në lagështi të lartë relative dhe në temperaturë 16-22°C. Në lagështi të ulët relative më pak se 80% kanë vitalitet të dobët. Dimërimi i kërpudhës sigurohet në zhardhokë të patates në formë të micelit. Gjatë infektimit të lehtë miceli futet në brendi të indit përçues të njomëzave të patates që ende nuk kanë dalë në sipërfaqe të tokës. Më vonë miceli përfshin pjesën mbitokësore të bimës, formon konidiofore me konide. Këto organe lirohen përmes gojëzave, përhapen me anë të erës apo shiut, në gjethe të patates shkaktojnë infektime të reja.

Masat e luftimit

Vrugu i patates dhe i domates mund të luftohet me sukses me përdorimin e kombinuar të masave agroteknike dhe kimike. Meqenëse Phytophthora infestans, dimëron në zhardhokë të patates në formë të micelit, atëherë duhet pasur kujdes që për mbjellje të përdoret fara e shëndoshë. Bimët e vetë mbira të patates, që janë burim i infektimit, zhduken në mënyrë mekanike ose me herbicide përkatëse. Për mbjellje, përdoren kultivarë të qëndrueshëm të patates dhe të domates.

Për mbrojtje të patates përdoren fungicidet në bazë të bakrit ose ditiokarbamatet

Trajtimi i patates dhe i domates me fungicide, gjatë motit me lagështi, duhet të përsëritet një herë në javë. Në mungesë të lagështisë, infektimet nga kërpudha nuk mund të shkaktohen, prandaj edhe trajtimet me fungicide janë të rralla. Trajtimi i parë bëhet kur bimët kanë lartësi 15-25 cm.
Në disa vende me bujqësi të  zhvilluar, zbatohet me sukses metoda e vrojtim- sinjalizimit të shfaqjes së kërpudhës patogjene Phytophthora infestans.

IADK ka vendosur një stacion meteorologjik i cili regjistron parametrat kryesor klimatik dhe programi i veçantë bënë përpunimin e të dhënave dhe sinjalizon momentet kur paraqitet rreziku për përhapje të infeksioneve nga kjo sëmundje. Fermerët këshillohen që të përcjellin Ueb-faqen zyrtare të IADK-së (www.iadk.org) në të cilën do të vendosen njoftime dhe mesazhe në ditët kur do të ketë sinjale për rrezikun e përhapjes së sëmundjes, dhe momentin më të përshtatshëm për mbrojtjen e bimëve me fungicide.

Gazeta Bujku e boton me leje të iadk.org

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme