spot_img
HomeBUJKUVlera ushqyese dhe përbërja kimike e perimeve

Vlera ushqyese dhe përbërja kimike e perimeve

spot_img

Rëndësia e perimeve në të ushqyerit e njeriut, është e njohur edhe nga popujt e lashtë, të cilët përveç për ushqim, disa lloje të perimeve i kanë shfrytëzuar edhe për shërimin e sëmundjeve të ndryshme.

Perimet edhe pse kanë vlerë të ulët kalorike, në të ushqyerit e njeriut paraqesin ushqim të pazëvendësueshëm.

Perimet kanë rëndësi të madhe në të ushqyerit racional të njeriut, për shkak të vlerës së lartë biologjike. Në të ushqyerit e njeriut, perimet janë të rëndësishme nga fakti se përmbajnë elemente mjaft të rëndësishme dhe të domosdoshme për organizimin e njeriut (proteina, sheqerëra, kripëra minerale, vitamina etj.).

Të ushqyerit e rregullt të njeriut nënkupton përdorimin në ushqim të produkteve sa më të llojllojshme, në sasi optimale dhe mirë të balancuara në mes veti. Perimet kanë shije të këndshme (si pasojë e përmbajtjes së sheqernave, acideve organike, materieve aromatike etj.). Ato aktivizojnë veprimin e gjëndrave të ndryshme në organizmin e njeriut, shtojnë oreksin, ndihmojnë mjaft mirë në tretjen e disa ushqimeve, të cilat treten me vështirësi nga organizmi i njeriut etj.

Llogaritet se njeriu për ushqim optimal, mesatarisht duhet të përdorë rreth 400 g perime në ditë. Rritja e pjesëmarrjes së perimeve në të ushqyerit të njeriut (në raport me brumet), është tregues i rritjes së standardit të një popullate.

Sot në përmasa botërore, përparësi e madhe i jepet ushqimit të shëndoshë natyral. Shumica e nutricistëve rekomandojnë që në strukturën e të ushqyerit 35 për qind të marrin pjesë drithërat (produktet e tyre), 15 për qind qumështi dhe prodhimet e tij, 10 për qind mishi dhe përpunimet e tij, 15 për qind yndyrat dhe vajrat, 12 për qind perimet, 3 për qind pemët, 10 për qind sheqernat e koncentruara. Në qoftë se nga çdo grup i lartpërmendur, përdoren për ushqim lloje të ndryshme, supozohet se fitohet një raport optimal i të ushqyerit. Vetëm pjesërisht perimet mund të zëvendësohen me pemë.

Tek numri më i madh i perimeve, përmbajtja e lëndës së thatë sillet në kufijtë 5-10 për qind (perimet gjethore, frutore, lakrat). Perimet frutë-rrënjore përmbajnë mesatarisht 10-15 për qind lëndë të thatë. Përqindje më të lartë të përmbajtjes së  lëndës së thatë ka hudhra (rreth 30 për qind), e më të voglën trangulli, përafërsisht 3-4 për qind.

Në përgjithësi perimet përmbajnë sasi jo shumë të mëdha të proteineve. Më të pasura me proteina nga perimet, janë ato të fam. Leguninoze. Proteinat, të cilat ndodhen tek perimet kanë cilësi të mirë dhe përmbajnë pothuajse të gjitha aminoacidet esenciale. Perimet përmbajnë edhe një numër të madh të enzimeve, të cilat mjaft mirë ndikojnë në tretjen e ushqimit. Përmbajtja e yndyrës tek perimet është mjaft e ulët, pothuajse nuk kalon 0,5  për qind. Sasi të lartë të yndyrës përmbajtjen farërat e kulturave perimore. Sheqernat tek perimet përbëjnë afro 50 për qind të lëndës së thatë. Mesatarisht perimet (varësisht nga lloji, kultivari dhe kushtet e kultivimit), përmbajnë mesatarisht (3-8 për qind) sheqerna.

Nga vitaminat, rëndësi më të madhe ka vitamina C, të cilën organizmi i njeriut nuk është në gjendje të sintetizojë, andaj duhet marrë përmes ushqimit. Perimet janë ndër burimet kryesore të vitaminës C në natyrë.

Mungesa e vitaminës C dhe të atyre nga B kompleksi, vjen në shprehje tek shumica e njerëzve, më shumë në pranverën e hershme (kur ka mungesë të perimeve të freskëta në ushqim), që për pasojë ka paraqitjen e lodhjes dhe zvogëlimin e aftësisë mbrojtëse (imunitetit) të organizmit të njeriut.

Vitamina A, tek perimet sikurse edhe tek bimët tjera të gjelbërta ndodhet në formë të provitaminës A. (karotën). Më të pasura me beta karotën (karotën), janë karota, speci, perimet gjethore, fasulja e njomë etj. Vitamina C (acidi askorbik), më së shumti ndodhet tek speci, lakrat, spinaqi, domatja etj.

Perimet janë mjaft të pasura edhe me materie aromatike, acide organike, vajra eterike dhe materie minerale. Në këtë drejtim, perimet paraqesin burim mjaft të rëndësishëm të materieve minerale për organizmin e njeriut.

Llogaritet se 15-30  për qind të nevojave për hekur, kalium fosfor dhe kalcium, organizmi i njeriut i plotëson duke i përdorur për ushqim kulturat e ndryshme perimore. Më të pasurat me materie minerale janë perimet gjethore (sidomos lakrat). Spinaqi përveç që përmban përqindje mjaft të lartë të materieve të përgjithshme minerale (afër 1800 mg/100 g masë të freskët, është i njohur për përmbajtje të lartë të hekurit (afër 4 mg/100g). Gjithashtu është i njohur roli i mikroelementeve, të cilat marrin pjesën në formimin e hormoneve, vitaminave dhe acideve nukelike.

Në kohë të fundit, përveç materieve të dobishme (madje të domosdoshme) që përmbajnë perimet, rëndësi mjaft e madhe u jepet edhe përmbajtjes së disa materieve të dëmshme tek perimet. Para së gjithash, këtu mendohet në përmbajtjen e nitrateve dhe nitriteve. Perimet, të cilat akumulojnë më së shumti nitrate janë sallata, spinaqi, panxhari i kuq, rrepa, rillka, kolerabi.

Shumë pak nitrate akumulojnë speci, domatja, trangulli, bizelja, qepa. Përveç llojit (nganjëherë edhe kultivarit brenda llojit), në akumulimin e nitrateve ndikojnë edhe një mori faktorësh të tjerë

si ata klimatikë dhe agroteknikë. Andaj gjatë kultivimit të perimeve, përveç qëllimit për arritjen e rendimenteve të larta duhet patur kujdes edhe në cilësinë e prodhimit, përmes aplikimit të drejt të plehërimit (sidomos me N) dhe masave të tjera, gjatë kultivimit në serra (ndriçimi dhe temperatura optimale etj.).

Sipas FAO-së, doza e lejuar ditore e nitrateve është 5 mg/kg të peshës trupore. Edhe pse perimet përmbajnë sasi relativisht të mëdha të nitrateve, efekti i dëmshëm i tyre është më i vogël për arsye të përmbajtjes së vitaminave dhe enzimeve (të cilat në masë të madhe e neutralizojnë  veprimin e dëmshëm të tyre), në krahasim me nitratet që gjenden në ujëra, apo në produkte të përpunuara. /Gazeta Bujku 

Perimtaria / Zyra bashkëpunuese MASHT/DANIDA

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme