spot_img
HomeLAJMET E FUNDITVështrim mbi degradimin e pyjeve në Kosovë dhe rekomandime për shfrytëzim të...

Vështrim mbi degradimin e pyjeve në Kosovë dhe rekomandime për shfrytëzim të drejtë të tyre

spot_img

Duke marrë parasysh rrethanat të cilat e karakterizojnë zhvillimin e shoqërisë Kosovare, në veçanti zhvillimin ekonomik, si në të kaluarën por edhe tani, mbrojtja e mjedisit me theks të veçantë mbrojtja e pyjeve mbetet çështje e neglizhuar dhe në të shumtën e rasteve e nënshtruar ndaj interesave të ngushta biznesore që fatkeqësisht ka rezultuar që ato të mbesin më tepër objekt degradimi.

Ky shkrim i imi në kuadër të Sektorit për Mbrojtjen e Tokës, Ujit dhe Ajrit të Organizatës OMM “GJETHI”, ka për qëllim që tani, në rrethanat e reja të krijuara, mbrojtja e mjedisit në Kosovë të filloj të formësohet në një koncept të mirëfilltë dhe afatgjatë zhvillimor. Pas një periudhe të mbi-shfrytëzimit dhe keq administrimit të burimeve natyrore, pyjore e kullosore, qoftë për motive politike apo social-ekonomike, konsiderojmë se duhet të merret me shumë seriozitet shqetësimi për mbrojtjen e pyjeve. Kjo për shkak edhe të trendit në rritje të ndryshimeve klimatike si pasojë e shkatërrimit, shpyllëzimit dhe djegies së sipërfaqeve pyjore, të cilësuara si një ndër pasuritë më të rëndësishme të cilat duhet të mbrohen për të ardhmen e planetit dhe njerëzimit.

Në fakt, ne flasim shumë për pyjet dhe burimet tona natyrore, por të dhëna të mirëfillta mbi gjendjen aktuale të mjedisit në përgjithësi dhe pyjeve në veçanti akoma nuk kemi, ashtu si edhe nuk janë të dukshme veprimet konkrete në teren. Prandaj, ne si shoqëri civile synojmë që të hapim tema dhe të ngrisim shqetësimet tona se si të identifikohen dhe zbatohen alternativa për një mjedis të mbrojtur. Nga të dhënat zyrtare del se vendi ynë është relativisht i pasur me pyje e burime natyrore të shumëllojshme, por shpesh nga fotografimet apo imazhet satelitore si dhe vizitat në terren fondi ynë pyjor në shumë pjesë të territorit na paraqitet me shkurre, i dëmtuar dhe djerrinë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) është autoriteti më i lartë përgjegjës për pylltari në Kosovë. Në nivelin qendror janë dy njësi kryesore përgjegjëse për pylltari:

• Departamenti i Pylltarisë (DP) dhe,
• Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK).

Sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes publikimit të “STRATEGJIA PËR ZHVILLIMIN E PYLLTARISË 2010 – 2020”,publikim i cili jep vlerësimin për resurset pyjore në tërë territorin e Kosovës përmes të ashtuquajturit Inventarizim i Pyjeve, është bërë një përmbledhje si në vijim:

• Rreth 379 200 ha janë klasifikuar si toka pyjore përmes interpretimit të fotografimit nga ajri dhe anketimeve në terren. Ndërsa, 85 600 ha janë klasifikuar si toka pyjore përmes interpretimit të fotove, por nuk janë anketuar për shkak të pengesave nga minat dhe pengesave tjera logjistike. Prej sipërfaqes totale të tokave pyjore që kanë qenë të anketuara dhe jo të anketuara, 278 880 ha janë klasifikuar si toka pyjore publike dhe 185 920 ha si toka pyjore private. Kjo sipërfaqe totale (464 800 ha) është pak më e madhe (6-8%) krahasuar me matjet e mëparshme;

• Pyjet me specie fletore mbulojnë më shumë se 90 % të tokave pyjore. Llojet dominuese të fletorëve janë bungu dhe ahu. Pyjet me specie halore mbulojnë 7 % të tokave pyjore dhe aty dominojnë bredhi, hormoqi dhe pisha;

• Vëllimi total në këmbë në pyjet publike është vlerësuar të jetë rreth 33.5 milion m3. Prej këtij vëllimi, 25.9 milion m3 janë drunjë me diametër >7 cm, në lartësi të gjoksit. Në pyjet private, vëllimi total në këmbë është vlerësuar rreth 19.5 milion m3 prej të cilave 14.5 milion m3 janë drunjë me një diametër >7 cm;

• Rritja vjetore e drunjve në sipërfaqet e anketuara dhe të cilët janë me diametër >7 cm, në lartësi të gjoksit, është kalkuluar të jetë 1.165 milion m3. Ndërsa për sipërfaqet e pa anketuara (85 600 ha) që në masë të madhe gjenden afër fushave të minuara apo pjesëve të pavizituara, duket e arsyeshme që të mos përfshihet kjo rritje në bazat për prerje të lejueshme vjetore; Është një sipërfaqe e konsiderueshme e tokave pyjore të zhveshura (20 000 – 30 000 ha). Disa prej këtyre sipërfaqeve janë të eroduara dhe kanë një shtresë të rrallë në krye të dheut. Përpos një fertiliteti të dobët, një pjesë e konsiderueshme është e përshtatshme për pyllëzime;

• 40% e tokave pyjore publike dhe 29% e tokave pyjore private u janë nënshtruar aktiviteteve të pakontrolluara apo ilegale të shfrytëzimit. Krahasuar me të gjitha standardet e aplikuara, këto shifra janë mjaft të larta. Situata është shumë kritike sidomos në pyjet halore, ku ekzistenca e sipërfaqeve të gjera pyjore është vënë në rrezik, nëse nuk merren masa të menjëhershme. Rezultatet e inventarizimit gjithashtu konfirmojnë që pyjet e ulëta, veçanërisht ato publike i shtrohen një shfrytëzimi të tepërt. Po ashtu, rezultatet tregojnë, që shumë pyje të reja dhe ato me moshë mesatare kanë nevojë urgjente për intervenime menaxheriale, duke filluar prej pastrimit/rrallimeve para-komerciale deri te rrallimet komerciale.

Bazuar në ndryshimet klimatike që paraqesin tendecë në rritje, përpos që mbrojtja e pyjeve është një prej formave të mbajtjes nën kontroll të këtyre ndryshimeve, njëkohësisht aty mbrohen edhe vlerat multidimensionale të ekosistemit. Prandaj, me shumë të drejtë ekspertët mjedisor e shohin shpëtimin pikërisht tek pyjet meqë ato janë konsumuesit më të mëdhenj të dyoksidit të karbonit dhe që kanë ndikim evident në pakësimin e këtij gazi që konsiderohet si njëri ndër faktorët kryesor në shkaktimin e efektit serrë.Në të kundërtën, degradimi i tyre shihet si një nga faktorët që do të ndikoj në rritjen e këtyre ndryshimeve klimatike.

Vlera e pasurisë pyjore për nga rëndësia ekonomike është gjithashtu një faktor i rëndësishëm jo vetëm që rregullon furnizimin me ujë, shumëllojshmërinë biologjike, burimin i ajrit të pastër, tokës së shëndoshë dhe ushqimit; paraqet oazën natyrore me interes në prodhimin e shumëllojshmërisë së barishteve me bazë mjekësore dhe zonën rekreative me vlera kulturore e turistike; por ofron edhe drurin si material i rigjenerueshëm dhe me shumë vlera të tjera ekonomike. Ne si organizatë joqeveritare kemi për qëllim kryesor të japim ndihmesën tonë në ruajtjen e mjedisit,në mbrojtjen e vlerave natyrore gjatë zhvillimin rajonal,mbrojtjen e florës dhe faunës,vlerësimin e diversitetit biologjik,menaxhimin e zonave të mbrojtura,rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe vendimmarrësve,si dhe të ndërmarrim masa mbrojtëse kur është e mundur dhe e nevojshme për mbrojtjen e specieve të ndryshme dhe habitateve të tyre kritike. Detyra e jona është gjithashtu të integrojmë ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit në të gjitha çështjet tjera,që kanë ndikim në burimet dhe pasuritë natyrore në vend. Do të mundohemi të jemi edhe pjesë e proceseve të përmirësimit të problematikave të tjera të lidhura me mbrojtjen e Natyrës.

Këtu do të mundohem të paraqes rëndësinë e pyjevenë dy aspekte shumë domethënëse për vetë Natyrën dhe Njeriun:

• Kostoja në aspektin e shërbimit ndaj ekosistemit dhe ;
• Kostoja në aspektin e vlerës ekonomike.

Në aspektin e shërbimit ndaj ekosistemit, pikëpamjet e reja shkencore i japin rëndësinë dhe vlerën kryesore pyjeve si gjenerator të prodhimit të oksigjenit, kontribuues në mbrojtjen nga erozioni, në mbrojtjen e rezervave ujore, në ruajtjen e biodiversitetit, etj. Thënë më thjesht, përmes këtij ekosistemi të mbrojtur arrihet të bëhet filtrimi i ujit dhe ajrit që ne thithim. Pra, kjo është kostoja e përfitimit që sjellin pyjet si kosto e vërtetë financiare. Këtë aspekt munde ta ilustrojmë gjithashtu edhe përmes një studimi të financuar nga Komisioni Evropian i cili ka përllogaritur se humbja financiare që rezulton nga humbja e kapitalit natyror të pyjeve në nivel global, shkon nga 2-5 triliardë dollarë amerikanë në vit, shumë kjo që është disa herë më e madhe sesa humbja prej 1.5 triliardë dollarësh nga kriza e fundit financiare që preku botën së fundmi.

Siç u pa më lart, në aspektin financiar, vlerat ekonomike që sjellin pyjet janë të shumta, por gjendja e rëndë sociale në vend ka ndikuar që shumë familje ta kenë prerjen ilegale të pyjeve dhe shitjen e tyre si të vetmin burim të ekzistencës. Të dhënat flasim se rreth 42 % e territorit të Kosovës janë sipërfaqe pyjore, përderisa, sipas inventarizimit të paraqitur më lart, gati gjysma e këtyre pyjeve janë shfrytëzuar në mënyrë ilegale dhe të pakontrolluar. Pra, për shkak të keq-menaxhimit të pyjeve dhe përdorimit joefikas të kulturës drusore përgjatë këtyre viteve të fundit, ato kanë qenë objekt i krimit ekonomik e për pasojëkjo është manifestuar kryesisht me prerjen ilegale të tyre dhe zjarret shpeshherë të qëllimshme, me ç’rast Kosovës i janë shkaktuar dëme në vlera dhjetëra milionëshe.

Në mungesë të alternativave tjera për ngrohje, pyjet vazhdojnë të shfrytëzohen në mënyrë të pakontrolluar si burim i rëndësishëm energjie.Shembulli ilustrues në vijim do të analizojë dhe paraqes mundësinë e përfitimit në të mira materiale që mund të ketë Kosova nëse kjo pasuri trajtohet jo vetëm si lëndë djegëse:

Përmes procesit industrial të quajtur Distilimi i Thatë i Drurit mund të përfitohen këto produkte: gazrat (dyoksidi i karbonit, monoksidi i karbonit, metani), produktet në gjendje të lëngët, mbetjet e ngurta dhe qymyri pluhur. Produktet e gaztë dhe të lëngët ndahen si një përzierje e avullit dhe gazit, dhe kur përzierja ftohet atëherë përfitohet një destilat. Pastaj ky destilat i përfituar konvertohet në të ashtuquajturin acid i drurit dhe bitum ose katran i drurit. Acidi më tej mund të trajtohet për të përfituar acid acetik, metanol, dhe produkte të tjera të paraqitura në tabelën si më poshtë: Mesatarisht me këtë proces mund të përfitohen 32–38 % qymyr, 45–50 % produkte në gjendje të lëngshme dhe 16.5– 18 % produkte në gjendje të gaztë (shih Tabelën 1).

Tabela 1. Rendimentet e produkteve më të rëndësishme prej distilimit të drurit produktet Rendimenti i produktit (%) nga destilimi komplet i drurit.

Mështekna Pisha

Qymyr …………… 31.80 37.83
Dyoksidi i karbonit …………… 9.96 10.13
Monoksidi i karbonit …………… 3.32 3.74
Metani …………… 0.54 0.59
Hidrokarburet e pangopura …………… 0.19 0.23
Acidi Acetik …………… 7.08 3.50
Metanoli…………… 1.60 0.88
Acetoni …………… 0.19 0.18
Metil acetati …………… 0.02 0.01
Katran i tretshëm …………… 8.15 8.03
Mbetje të katranit …………… 7.93 11.79
Uji …………… 27.81 22.27

Krejt në fund mund të thuhet se për arritjen e qëllimeve tona si organizatë e cila është në shërbim të mbrojtjes së ambientit, ndër prioritet kryesore është edhe mbrojtja dhe menaxhimi i duhur me kulturën e pyjeve mbi bazën e parimeve të qëndrueshme për kthimin e pyjeve në një burim vlerash dhe në funksion të zhvillimit të prioriteteve që kanë të bëjnë me përmirësimit e mirëqenies dhe të mjedisit jetësor të shoqërisë sonë kosovare./Gazeta Bujku

—-

Autor: Valdet Teneqja 
Autori ndjek studimet e doktoratës në Kimi.

Foto: Ekrem Kyqyku

https://web.facebook.com/ommgjethi/photos/a.251760995204189/327624610951160/?type=3

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme