spot_img
HomeTURIZËMValbona, parajsa që ndodhet mes alpeve shqiptare

Valbona, parajsa që ndodhet mes alpeve shqiptare

spot_img

Mes alpeve shqiptare fshihet një vend përrallor, e bukura Valbonë. Shumë kisha dëgjuar për këtë zonë, por asnjëherë nuk kisha shkuar. Në perceptimin tim, Valbona dukej larg, me rrugë të pashtruara dhe turizëm me plot mungesa, por gabohesha. Atje jam befasuar me shërbimin, njerëzit dhe padyshim natyrën. Do të flas më vonë për këtë çështje sepse dua ta nis rrëfimin tim nga fillimi.

Udhëtimi drejt Valbonës

Nga Tirana u nisëm me një grup kolegësh e miqsh, me një minibus rreth orës 5:30 të mëngjesit. Na kishin thënë se do kalonim nga Kosova, pasi rruga ishte shumë e mirë dhe më e shkurtër. Gjatë udhëtimit nuk patëm asnjë problem. Pas dy orësh u ndalëm për të pirë një kafe dhe për të konsumuar mëngjesin. Qëndruam shumë pak, sepse pas disa orësh, në Bashkinë e Bajram Currit do të zhvillohej një ceremoni për çeljen e sezonit turistik. Kaluam doganën shqiptare dhe kosovare pa asnjë vonesë. Kur mbërritëm, ceremonia sapo kishte filluar. Ishte shumë e shkurtër. Një këngë e nja dy valle me motive popullore dhe më pas vizitorët u ftuan të shohin muzeun e qytetit. Ishte një godinë e madhe, por e varfër. Kishte shumë pak gjëra për të parë. Bëmë disa fotografi dhe shkuam në Valbonë. Më thanë se atje do të zhvillohej ceremonia madhështore. Nga qyteti, Valbona ishte vetëm 23 km larg dhe rruga ishte e shtruar dhe për pak minuta do të mbërrinim. Teksa furgoni ynë ecte, unë nuk e ndieja. Isha e mpirë nga kjo bukuri që më shikonin sytë.

Kudo kishte gjelbërim, pemë të larta dhe dëgjohej cicërima e zogjve. Lumi i Valbonës është i kristaltë dhe të mrekullon. Rrihte me shpejtësi, a thua se për ku po nxitonte. Doja të bëja disa fotografi, por nuk kishim kohë. Makina vazhdonte që të ecte për të na çuar në destinacion. Pas kaq shumë kohësh mushkëritë po mbusheshin me ajër. Ndihesha e lehtë. Kur zbritëm, pashë një luginë të madhe, që rrethohej nga majat e thepisura të maleve. Aty do të zhvillohej ceremonia. Ishte e gjelbër dhe me plot lule. Qielli ishte i pastër, pa re. Rrezet e diellit të ngrohnin. Aty nuk kishte nxehtë. Hidhja sytë lart dhe shikoja madhështinë e maleve të mbuluara më dëborë. Kushedi prej sa kohësh ajo qëndronte aty, e pa shkrirë. Krijonte një panoramë surreale. Çfarë kontrasti! Mali me dëborë dhe ne që ishim veshur me mëngë të shkurtra. “Aty ka borë që nuk është shkrirë për 50 vjet”, më tha një banor zone. U dashurova me këtë vend. Nuk e përshkruaj dot atë që ndjeva. Di të them vetëm që këtu gjeta parajsën. Në luginë ndodheshin disa shtëpi prej druri, të cilat shërbenin për pritjen e vizitorëve. Më thanë se në dy anët e kësaj lugine përtej maleve ndodhen edhe lugina të tjera, njëra më e bukur se tjetra, ku ndërthuren lumenjtë e kulluar, me bjeshkët e majat, me liqenet alpinë, me plantacionet e boronicave dhe shpellat e rralla.

Ceremonia e hapjes së sezonit

Ishte kryetari i Bashkisë, Besnik Dushaj, ai që hapi ceremoninë. Ai falënderoi vizitorët që ishin të pranishëm në një ditë kaq të veçantë për turizmin vendas. “Tash jemi këtu në Valbonë, në gjirin e kësaj parajse të krijuar nga Zoti. Mirë se erdhët në vendin e njohur të mikpritjes shqiptare, në Valbonë dhe Malësinë e Gjakovës! Siç e shihni edhe vetë, sot jeni në një nga trevat malore, e pasur me bukuri të rralla, e përzgjedhur kohët e fundit si më e bukura në planet. Por unë dua t’u them se Tropoja është turistike, është e bukur, në çdo cep të saj, nga Brisa në Padesh, nga Curraj Epër në Bytyç e Berishë, nga Valbona në Fierzë. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për të identifikuar potencialin turistik të zonës. Dhe një ndihmesë të madhe në këtë drejtim na kanë dhënë Shoqatat e Turizmit të Alpeve, Këshilli i Qarkut të Kukësit dhe veçanërisht Fondacioni Gjerman GIZ, të cilat i falënderoj në emër të Bashkisë së Tropojës dhe kërkoj që të vazhdojnë mbështetjen në njohjen, shfrytëzimin dhe leverdinë ekonomike që ka kjo zonë nga turizmi”, tha Dushaj.

Pas përfundimit të fjalës përshëndetëse nisi edhe festa. Daullja është instrumenti që nuk mund të ndahet nga vallet e zonës së Tropojës. Valltarët e vegjël, duken aq të lehtë kur hedhin këmbët por edhe të rëndë njëkohësisht. Këtë lloj muzike nuk është se e kam dëgjuar shpesh. Nisa ta kërceja, por e ngatërrova me Napolonin. Të tjerët qeshin me mua por edhe unë me veten. Pavarësisht kësaj, nuk ulesha sepse më shijonte. Njerëzit më shikonin çuditshëm, por nuk më interesonte. U ula deri kur nuk pata më fuqi. Vëmendjen ma tërhoqi shumë, simulimi i dasmës tradicionale. Aty u përshfaqën traditat e Tropojës dhe Hasit. Nusja ishte e zonës dhe dhëndëri nga Hasi. E sollën tek dasma me kalë dhe më pas ajo qante se po largohej nga shtëpia e nënës. Shoqet dhe të afërmet i këndonin. Sa kureshtare që isha ta ndiqja të tërë këtë rit. U magjepsa. Disa minuta më vonë, erdhi dhëndëri me krushqit. Edhe ky kishte hipur në kalë. Dasma drejtohej nga i zoti i shtëpisë. Ai i qerasi miqtë me duhan e kafe dhe më pas kënduan të gjithë së bashku. Dasma përfundoi me respekt nga të dyja palët e plot urime për çiftin. Ishte diçka që nuk përshkruhet nga mënyra si u realizua. Pas përfundimit të valleve e këngëve, njerëzit do të shijonin panairin e ushqimeve.

Panairi i ushqimeve tradicionale

Kjo ishte një pjesë që nuk duhej humbur. Restorantet e zonës kishin prezantuar ushqimet e tyre tradicionale. Kisha dëgjuar shumë për flinë, por kurrë nuk e kisha provuar. Aty shkova me vrap dhe rrëmbeva një copë. Ishte shumë i shijshëm. I shihja petët dhe ishin bosh. Pyeta se nga vinte ajo shije. Përgjigje nuk mora, por di të them se më pëlqeu shumë. Gjithashtu, aty kishte raki, djathë bio, boronica, mjaltë, reçel e çdo gjë tjetër. Pas kësaj, njerëzit do të shkonin të rehatoheshin në hotel.

Akomodimi në hotel

Në zonë kishte shumë hotele dhe restorante. Kjo të jepte mundësinë që të zgjidhje vendin më të bukur ose çmimin më të arsyeshëm. Zgjodhëm hotelin. Godina ishte e ndërtuar e tëra me gurë dhe dru. Si fillim, i zoti i hotelit kishte ndërtuar vetëm një godinë përpara 5 vjetësh, por me rritjen e kërkesave ai ka bërë disa të tilla. Ushqimi ishte shumë i mirë. Tek hoteli ynë ishte një burim uji që gurgullonte. Sa afër e ndieje natyrën me këtë zhurmë. Ndërkohë, degët e pemëve shtatlarta binin në ballkonin tim. Sytë nuk shihnin gjë tjetër përveç gjelbërimit, dëgjohej kënga e zogjve dhe uji që rridhte aty pranë. Vizitorët duhet të marrin masat sepse në Valbonë, nuk ka valë për telefonin. Aty shkëputesh nga gjithçka që ke lënë në qytet. Kafenë e pimë në një restorant aty afër. Pronari i tij ka jetuar në Gjermani, ku edhe është martuar me një gjermane. Përpara 6 vjetësh është kthyer në atdhe dhe ka ngritur biznesin e tij. Thotë se shteti duhet të jetë më i vëmendshëm për investimet në zonë. Ai flet edhe për turistët. “Turistët më të shumtë janë nga Gjermania. Unë nuk kam lidhje me agjencitë turistike. Ata vijnë të orientuar nga miqtë e tyre që kanë qenë më parë në Valbonë. Kemi turistë nga e gjithë Europa, por gjermanët e duan shumë këtë vend. Ata rikthehen Valbonë, për ta rishijuar”, thotë pronari i restorantit.

Kthimi me traget nga Komani

Kthimin e bëmë me traget nga liqeni i Komanit. Pamja ishte e mrekullueshme. Trageti lëvizte mbi ujë dhe malet e larta të magjepsnin. Përballë shikoje gjelbërim dhe diku-diku ndonjë shtëpi. Mendoja shpesh se si mund të jetojnë njerëzit në një zonë kaq të izoluar. Aty buzë liqenit shikoje varka të vogla, pa njerëz. Kam përshtypjen se mund të ishin të banorëve të zonës që gjuanin peshk. Mbi liqen kishte mbeturina, të hedhura nga turistët. Nuk më la një shije të mirë kjo situatë. Por e harrova shpejt sepse pamja që të ofronte trageti ishte shumë e bukur. Pas dy orësh zbritëm dhe na duhej që pjesën tjetër për në Tiranë ta bënim me furgon. Rruga këtu linte për të dëshiruar, sepse prej vitesh nuk janë kryer investime. Pavarësisht kësaj, do të rikthehem në Valbonë për të përjetuar të njëjtën ndjesi. Jam e bindur se kushdo që ka qenë këtu, ka një dëshirë të ngutshme për të ardhur sërish. Ky udhëtim më largoi nga rutina dhe stresi i përditshëm. /Gazeta-shqip.com

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme