spot_img
HomeBUJKUBlegtoriUshqyerja e lopëve qumështore

Ushqyerja e lopëve qumështore

spot_img

Ushqimin për kafshë e përbejnë lëndët organike dhe inorganike me origjinë bimore dhe shtazore, si dhe shtesat, premiksat (materiet minerale, vitaminat, materiet sintetike dhe kombinimet e tyre).

Të gjitha këto përdorën për të ushqyerit e kafshëve nga të cilat me tretje lirohen dhe absorbohen lëndët ushqyese të nevojshme për mirëmbajtje, riprodhim si dhe për prodhimin e produkteve blegtorale nga kafshët.

Të ushqyerit e lopëve me ushqime cilësore ka ndikim të madh në profitabilitetin e fermave për prodhimin e qumështit. Për të pasur një prodhimtari optimale të qumështit, ushqimet duhet të jenë të pasura me lëndë ushqyese, të trajtuara mirë që nga faza e mbjelljes e deri në kohën e konsumimit nga kafshët, racionet duhet të jenë mirë të balancuara. Me sigurimin e sasisë dhe cilësisë së ushqimit lopët qumështore mund të prodhojnë qumësht në bazë të kapacitetit gjenetik që kanë, të cilësisë së mirë, dhe të mbajnë mirë shëndetin e tyre.

Për balancimin e racioneve ushqyese së pari duhet të kemi njohuri sa i përket lëndëve ushqyese, përqindjen e tyre, ndarjen e ushqimeve në grupe dhe se si kontribuojnë ato në të ushqyerit e kafshëve Përbërja e lëndëve ushqyese varet nga shumë faktorë. Kjo përfshinë kualitetin dhe shkallën e plehërimit të tokës, kohën e korrjes apo kullotjes, përgatitjes së ushqimit dhe kushteve klimatike. Mesatarja e përbërjes së disa ushqimeve të freskëta është e paraqitur në tabelën 1 dhe 2. Këto tabela paraqesin një udhëzues praktik në balancimin e racioneve.

Tabela 1. Shembuj të ushqimeve voluminoze dhe përbërja e tyre ushqyese për kg të produkteve të freskëta (g/kg)

Tabela 2. Shembuj të ushqimeve të pasura me energji dhe proteina dhe përbërja e ushqimeve në kg të ushqimeve të freskëta (g/kg)

Disa shembuj të përpilimit të racioneve për lopët në fazën e laktacionit:

Shembulli 1.

Për 17 kg qumësht

Sanë e livadheve 10 kg

Sanë e jonxhës 4 kg

Koncetrat 3 kg

Shembulli 2.

Për 25 kg qumësht

Sanë e livadheve 2 kg

Sanë e jonxhës 3 kg

Silazh misri 25 kg

Koncentrat 6.5 kg

Kërkesat për lëndë ushqyese për lopët qumështore

Kërkesat për lëndë ushqyese dhe niveli i konsumit ndryshon në mënyrë të konsiderueshme gjatë fazës se laktacionit të lopës. Konsumi ditor i lëndës së thatë dhe kërkesat për prodhim të qumështit nuk janë gjithmonë në balancë nga pikëpamja e kërkesave ushqimore, pra periudha e laktacionit duhet të ndahet në katër faza.

Faza e parë

Lopët janë në kulmin e dhënies se qumështit në mes ditëve 30 dhe 40 pas pjelljes, gjersa marrja e lëndës së thatë ditore arrin kulmin e konsumimit në mes ditëve 60-80. Prej kohës së pjelljes deri te arritja e kulmit të prodhimtarisë së qumështit, një lopë me prodhimtari të lartë është në periudhën e saj me të vështirë për të plotësuar nevojat ushqimore, veçanërisht për energji dhe proteina.

Mungesa në konsumimin e lëndës së thatë në krahasim me prodhimtarinë e qumështit rezulton me mungesë të energjisë dhe mund të shkaktojë humbjen e peshës trupore gjatë fazës së parë të laktacionit. Racionet ushqimore të pasura me celulozë ndihmojnë në parandalimin e çrregullimeve metabolike.

Faza e dytë

Në mes ditëve 90 – 200, marrja e lëndës së thatë është e mjaftueshme për nevojat e energjisë për prodhim të qumështit dhe rritje. Lopa qumështore rifiton peshën e humbur trupore gjatë fazës së parë. Racionet e pasura me energji kanë efekt me të vogël në prodhimin e qumështit sesa në periudhën e parë.

Duhet të kemi kujdes në dhënien e ushqimeve të pasura me energji (misër), sepse ekziston rreziku i trashjes së tepërt të lopëve nga fundi i laktacionit.

Faza e tretë

Nga dita e 200 e me lartë prodhimi i qumështit bie akoma dhe konsumimi i lëndës se thatë në ditë vazhdon të mbetet e lartë, që rezulton me marrje të tepërt të energjisë mbi kërkesat. Gjatë kësaj periudhe, lopët në prodhimtarinë e qumështit duhet të ushqehen me racion me energji me të ulët për të parandaluar sindromën e trashjes së lopës. Është e këshillueshme të largohen fare ushqimet me energji të lartë, sikurse është misri, silazhi i misrit etj. Është e rekomandueshme që lopët të ushqehen me racione me sasi të mëdha të ushqimeve voluminoze dhe me ushqime me përmbajtje të vogël të karbohidrateve të degraduara lehtësisht.

Faza e katërt

Periudha e katërt konsiston në periudhën e tharjes, në këtë faze lopët duhet të ushqehen me racione të cilat janë me sasi të ulët të energjisë por me sasi të mjaftueshme të mineraleve dhe vitaminave, e cila redukton rrezikun e mbi-trashjes.

Rekomandohet që lopët të ushqehen me ushqime fibroze dhe me përmbajtje të vogël të energjisë. Pak para pjelljes (10 ditë), lopët duhet të përgatiten për prodhimin e qumështit duke e rritur nivelin e ushqimit.

Ushqimet voluminoze në racion nuk duhet të ndërrohen me ushqime tjera voluminoze pas pjelljes. /Gazeta Bujku / Këshillabujqesore.com

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme