spot_img
HomeEKONOMIRritja e pagave rrezikon investimet kapitale

Rritja e pagave rrezikon investimet kapitale

spot_img

Ligji për pagat, i cili është miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës, do të kërcënojë stabilitetin buxhetor, konsiderojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Buxheti i Kosovës për këtë vit arrin shumën në 2,3 miliardë euro. Nga kjo shumë, rreth 616 milionë euro janë paraparë për kategorinë paga dhe mëditje, por në këtë shumë nuk janë llogaritur ndryshimet që kanë ndodhur pas miratimit të Ligjit për paga. Në bazë të këtij ligji, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pagat u janë rritur rreth 70 për qind të punonjësve në sektorin publik.

Pavarësisht kësaj rritjeje, zyrtarë të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se përveç shumës së rregullt prej rreth 616 milionë euro për paga dhe mëditje, me buxhet është paraparë edhe një shumë tjetër shtesë si kontingjencë brenda Ministrisë së Financave dhe për këtë arsye nuk do të ketë asnjë problem për zbatimin e Ligjit për paga.

Përderisa Ministria e Financave nuk jep ndonjë shumë financiare për Ligjin për pagat, anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë se shuma që nevojitet për zbatimin e këtij ligji, llogaritet të jetë nga 90 deri në 120 milionë euro.

Naser Osmani, nga ky komision, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se nga shuma e përgjithshme e buxhetit për këtë vit, 1,4 miliard euro janë paraparë për kategoritë paga dhe mëditje dhe asistenca sociale. Kjo shumë e mjeteve, sipas tij, është e papërballueshme për një buxhet të tillë dhe për një vend me ekonomi të dobët. Osmani shprehet se kjo ndarje buxhetore në vitet vijuese do të tkurrë investimet kapitale.

“Ligji për paga hyn në fuqi në muajin e nëntë të këtij viti. Në Ministrinë e Financave, janë të ndara si pozicion buxhetor 32 milionë euro që parashihen për ligje të reja, që nënkupton edhe Ligjin për paga. Kështu është kalkuluar që të mbulohen tre muajt e mbetur dhe më pas për vitin 2020 do të bëhet një ndarje e re, që parashihet të mbulohet krejt kjo rritje e pagave që ka ndodhur. Është krijuar një situatën që në të ardhmen të reduktohen investimet kapitale, në mënyrë që të rritet shtylla e pagave dhe mëditjeve”, tha Osmani.

Në anën tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, shpreh shqetësimin lidhur më miratimin e Ligjit për pagat, pasi ngritja e vazhdueshme e pagave në sektorin publik, thuhet se kërcënon stabilitetin buxhetor.

Në një komunikatë për media të këtij subjekti ekonomik, thuhet se “kalimi i Projektligjit për paga kërcënon stabilitetin financiar të vendit, për shkak të rritjes enorme të shpenzimeve për paga dhe skema sociale, në dëm të investimeve kapitale, por edhe për shkak se rrezikon të thellojë deficitin buxhetor”.

Në të njëjtën kohë, vijon komunikata e Odës Ekonomike Amerikane, marrja e vendimeve me efekte afatgjata, në kushte të presionit, pa dialog gjithëpërfshirës, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e sektorit privat, cenon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Sidoqoftë, deri te miratimi i këtij ligji, punonjës të shumtë në sektorë të ndryshëm publikë, me anë të grevave kanë kërkuar pozicion më të lartë në këtë ligj, respektivisht rritje të pagave.

Kurse, kontribuuesit kryesorë të buxhetit të shtetit janë Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës. / REL

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme