spot_img
HomeBUJKUKultivimi i specit

Kultivimi i specit

spot_img

Speci është bima kryesore perimore në Kosovë si për nga sipërfaqet ashtu edhe për nga rëndësia ekonomike. Forma dominuese e kultivimit të specit është kultivimi në fushë të hapur. Edhe pse prodhimi kryesor i specit është i lokalizuar në regjionin për rreth Drinit të bardhë (Anadrini, Lugu i Beranit, Deçani, Peja, Klina, Prishtina, Anamorava) megjithatë speci në sipërfaqe të vogla kultivohet pothuajse në çdo regjion në Kosovë (natyrisht ku kushtet klimatike e lejojnë këtë).

Për nga sipërfaqet që zë speci është bima kryesore perimore në Kosovë. Sipërfaqet e përgjithshme me perime në vitin 2006 kanë qenë 14,500. Nga kjo sipërfaqe 4,449 ha apo rreth 30,68 % e sipërfaqeve të përgjithshme me perime kanë qenë të mbjella me spec.

Jo vetëm për nga aspekti i sipërfaqeve por edhe për nga niveli i përdorimit në ushqim nga ana e popullatës dhe rëndësia ekonomike speci është bima kryesore perimore.

Përshkrimi botanik

Speci është bimë barishtore njëvjeçare e familjes solonaceae.

Sistemi rrënjor i specit është i vendosur mjaft cekët në tokë dhe ka aftësi thithëse relativisht të dobët. Kërkesat e mëdha të kësaj bime ndaj lagështisë, regjimit ajror materieve ushqyese etj, mund të shpjegohen (përveç tjerash) me zhvillimin e dobët të sistemit rrënjor dhe me aftësinë thithëse relativisht të dobët. Edhe aftësia regjeneruese e sistemit rrënjor nuk është e madhe.

Kërcelli i specit është mjaft i degëzuar, barishtor, në bazë i drunjëzuar dhe me kënde. Degëzimet e kërcellit janë të shumta dhe dalin në kënde të ndryshme ndaj kërcellit kryesor. Nga ky degëzim caktohet edhe forma e përgjithshme e bimës.

Speci karakterizohet nga ritme të shpejta rritjeje dhe zhvillimi. Periudha e hershme e rritjes është e shkurtër dhe përfundon kur maja e rritjes ndërpret rritjen. Pengimi i zhvillimit të majës së rritjes stimulon zhvillimin e sythave anësorë të kërcellit kryesor, të cilët gjenden poshtë nyjës së degëzimit të parë dhe i japin bimës një pamje kaçubore. Sythat ndryshojnë për nga shpejtësia e lulëzimit të tyre, në varësi nga pozicioni i tyre në kërcellin kryesor. Sa më pranë majës së rritjes të ndodhen, aq më shpejt ndodh lulëzimi.

Degët anësorë të formuara nga sythat me moshë më të re, formojnë lulet e para vetëm pas 4-5 gjethesh. Diferencimi i luleve tek speci nuk është i ndikuar nga gjatësia e ditës. Shumica e kultivarëve lulëzojnë në ditë me gjatësi 10 ose me shumë orë. Faktori më i rëndësishëm për diferencimin e luleve është temperatura e ajrit dhe në mënyrë të veçantë temperatura e natës.

Kërkesat ndaj kushteve klimatike

Kushtet klimatike kanë rëndësi të madhe dhe në perimtari paraqesin kërkesën parësore për kultivimin e perimeve. Temperatura, drita dhe uji janë faktorë kryesorë dhe nëse këta faktorë janë në favor dhe në sasi çfarë i kërkojnë perimet në përgjithësi dhe speci në veçanti rendimenti nuk do të mungojë, nëse kësaj i kanë parapri edhe të gjitha masat tjera agroteknike siç janë: Lëvrimi më kohë dhe cilësorë përdorimi i plehrave në sasi të nevojshme, ujitja cilësore të formës pikë-pikë për objektet e mbrojtura dhe në formë shiu për specin e kultivuar në sipërfaqe të hapura.

Kërkesat ndaj nxehtësisë

Speci është bimë e klimës së nxehtë. Prodhimtaria më e mirë mund të arrihet vetëm gjatë verës së nxehtë, krahas lagështisë së mjaftueshme. Kërkesat e specit për nxehtësi dallojnë varësisht nga faza e rritjes dhe zhvillimit në të cilën ndodhet bima. Në bazë të hulumtimeve të shumta është vërtetuar se temperaturat optimale për rritjen dhe zhvillimin e bimës së specit sillen në kufijtë 25 ± 5 – 70C.

Fara fillon të mbijë në 130C, ndërkaq temperatura optimale për mbirje është 250C. Temperaturat e ulëta nën 150C, sidomos nëse ato shoqërohen me mungesë të dritës, mund të sjellin deri tek rënia e luleve. Deri në fazën e frytifikimit gjatë ditëve me diell, temperatura duhet të jetë 22-25oC, ndërkaq gjatë natës 16-18oC. Gjatë fazës së frutifikimit (formimit dhe rritjes së fryteve), preferohet që temperatura të jetë 25-28oC gjatë ditës dhe 18-22 gjatë natës.

Gjatë kohës me vranësira, preferohet që këto temperatura të jenë për 5-7oC më të ulëta. Speci ka kërkesa të mëdha edhe ndaj temperaturës së tokës. Ndërrimi i fidanëve duhet të filloj kur temperatura e tokës të arrijë 22-23oC, për arsye se në tokë të ftohtë bimët e specit ngelin në rritje.

Kërkesat ndaj dritës

Speci është bimë tipike me kërkesa të mëdha për dritë (heliofite), duke filluar nga fazat e hershme të rritjes së bimëve. Në kushte të mungesës së dritës bimët e specit zgjaten, etiolizohen dhe lulet dhe frutat e porsaformuara bien. Për këtë arsye duhet pasur kujdes që gjatë prodhimit bimët të kenë në diskonim dritë të mjaftueshme. Kjo është me rëndësi sidomos tek prodhimi në mjedise të mbrojtura. Në fushë të hapur, duhet të kemi kujdes që bimët të mbillen (ndërrohen) në distanca optimale.

Kërkesat ndaj lagështisë

Kërkesat e specit për lagështi janë mjaft të theksuara në të gjitha fazat e rritjes dhe zhvillimit të bimëve, ndërkaq në anën tjetër sistemi rrënjor i specit është relativisht dobët i zhvilluar në raport me pjesën mbitokësore, e cila ka transpiracion mjaft intensiv. Andaj ujitja e rregullt e bimëve është njëri ndër parakushtet më të rëndësishme për arritjen e rendimenteve të larta. Deri në kohën e frutifikimit, lagështia në tokë është e preferuar që të jetë afër 70% të kapacitetit fushor ujor, ndërkaq në kohën e frutifikimit 80%. Pra rritje me të hovshme të masës mbitokësore (kërcelli, gjethet dhe frutat) te speci kemi kur lagështia e tokës mbahet në nivelin e 70- 80 % të kapacitetit ujor tokësor dhe lagështia e ajrit sillet prej 60-80%. Ujitja me pika përfaqëson mënyrën më të përshtatshme të ujitjes së bimëve. Nëpërmjet ujitjes me pika prodhuesi ka mundësi të kontrollojë me saktësi dozat e ujit dhe të plehrave që u duhen dhënë bimëve. Për pasojë, rritet mundësia për të realizuar prodhime të larta dhe me cilësi më të mirë. Andaj në prodhimin intensiv të specit është e preferuar që çdo herë të përdoret ujitja pikë-pikë.

Kërkesat ndaj materieve ushqyese

Speci sikurse edhe shumica e bimëve tjera perimore, është kulturë intensive e cila jep një masë të madhe vegjetative dhe të frytit. Duke pasur parasysh këtë të dhënë është e nevojshme që speci gjatë gjithë vegjetacionit të në disponim sasira të mjaftueshme të materieve ushqyese dhe në gjendje lehtë të shfrytëzueshme nga ana e bimëve. Duke marrë parasysh kërkesat mjaft të mëdha të specit për lëndë ushqyese, vegjetacionit relativisht të gjatë si dhe kultivimin në kushte të ujitjes, është e nevojshme që speci të plehërohet në sasira të mjaftueshme me plehra organik dhe mineral. Nga plehrat organik rëndom përdoret plehu i stallës dhe atë në sasi 30 – 50 t/ha. Sasirat orientuese të lëndëve ushqyese, në formë të materieve aktive, për rendimentin e planifikuar prej 35 – 40 t/ha, do të ishin: 130 – 150 kg N/ha, 80 – 100 kg P2O5/ha dhe 150 – 250 kg K2O/ha. Afatet e dhënies së plehrave mineral, duhet të adaptohen mënyrës së prodhimit, kultivarit dhe qëllimit të prodhimit.

Kërkesat ndaj tipit të tokës

Për prodhimin e specit më të përshtatshme janë tokat e rrafshëta, të thella, të lëshueshme, të nxehta dhe të pasura me materie ushqyese. Tokat aluviale paraqesin tokat më të përshtatshme për prodhimin e specit. Bima e specit është mjaft e ndjeshme me reaksion neutral deri në të dobët acidik. Nuk i përballon reaksionit alkalik. Në prodhimin e specit për shkak të ndjeshmërisë dhe kërkesave specifike që i ka kjo kulturë, duhet gjithsesi të kultivohet në qarkullim me kulturat tjera e kurrsesi në monokulturë. Parakulturat më të mira për specin janë leguminozet një dhe shumëvjeçare, drithërat etj. /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme