spot_img
HomeBUJKUKultivimi i sallatës  

Kultivimi i sallatës  

spot_img

Sallata (Lactuca sativa), e cila në disa regjine tek ne njihet edhe si marule, është bimë perimore mjaft e vjetër, të cilën e kanë kultivuar edhe popujt e lashtë të Mesdheut.

Është bimë njëvjeçare e familjes asteraceae, tek e cila për ushqim përdoren gjethet e saj.

Gjethet e sallatës dallohen kryesisht me përmbajtje të lartë, të materieve minerale dhe vitaminave

Ka përdorim të gjerë në të ushqyerit e njeriut, kryesisht si, E freskët në sallata të ndryshme.

Tek ne kryesisht kultivohet në fushë të hapur, por në kohë të fundit vërehet një tendencë e theksuar e kultivimit të sajë në lloje të ndryshme të mjediseve të mbrojtura kryesisht gjatë periudhës dimërore (nëntor-mars), pasi relativisht mire u përballon temperaturave të ulëta.

Në fushë të hapur kultivohet gjatë vjeshtës dhe pranverës (zakonisht si para ose post kulturë e ndonjë kulture kryesore perimore). Kjo përveç efekteve tjera mundëson edhe një shfrytëzim racional të tokës.

Përhapja mjaft e gjerë e sallatës së gjelbër (jo vetëm tek ne por pothuajse në gjithë botën), mund të mund të shpjegohet me faktin se ka kërkesa shumë modeste ndaj kushteve të kultivimit dhe vegjetacion të shkurtë.

Kërkesat ndaj kushteve të mjedisit

Sallata është bimë e klimës së freskët dhe me lagështi. Temperatura optimale për mbirje të fares së sallatës është 12-15 0C. Mbirja mund të filloj edhe ne temperature 2-4 0C, por në raste të këtilla mbirja mund të zgjasë shumë.

Temperaturat e larta mbi 25 0C, sidomos nëse ato përcillen me thatësi, kanë ndikim mjaft të dëmshëm në rritjen dhe zhvillimin e bimëve dhe cilësinë e fryteve (gjetheve) të sallatës. Pas ndërrimit të fidanëve Kërkesat për dritë janë mjaft të theksuara. Në kushte të mungesës së dritës së mjaftueshme, zgjatet shumë vegjetacioni i bimëve të sallatës, formohen koka jo uniforme dhe krijohen kushte më të favorshme për rritjen e vlerës së nitrateve në gjethet e sallatës.

Kërkesat ndaj tokës

Tokat më të përshtatshme për kultivimin e sallatës janë tokat mesatarisht të lehta deri në mesatarisht të rënda. Tokat e rënda janë të pa përshtatshme për kultivimin e sallatës.

Toka në të cilat kultivohet sallata duhet të jenë të lehta, me plleshmëri të mire dhe me lëshueshmëri të mire të ujit.

Para ë gjithash tokat aluviale janë tokat më të përshtatshme për kultivimin e sallatës. Sallata preferon toka me reaksion neutral deri të dobët acidik, me vlerë të ph 6-7.

Qarkullimi bimor

Në qarkullim sallata vjen pas bimëve që plehërohen me pleh organik. Ajo reagon mjaft mirë nëse kultivohet pas bimëve që janë plehëruar me sasi të konsiderueshme të plehrave organik (spec, domate etj), apo edhe pas bishtajoreve dhe drithërave. Duhet mënjanuar mbjelljen pas kulturave tek të cilat janë përdorur herbicidet në bazë të atrazin-it, në të cilat sallata është e ndjeshme mjaft shumë, madje edhe në sasi shumë të vogla (Matotan).

Kërkesat për lagështi

Kërkesat më të mëdha për lagështi janë në fazën e formimit të kokave, kur lagështia në tokë duhet të jetë në kufijtë 65-75 % të KFU.

Kërkesat për materie ushqyese

Duke patur parasysh faktin se sallata ka periudhë relativisht të shkurt vegjetative (më së shpeshti 60-80 ditë), materiet ushqyese jo vetëm që duhet të jenë në sasi të mjaftueshme, por ato duhet të jenë edhe në gjendje lehët të shfrytëzueshme nga ana e bimëve. Andaj nëse përdoren plehrat organike (pasi që sallata preferon toka të pasura me materie organike), duhet përdorur vetëm plehu i dekompozuar mirë (“i djegur”), në sasi 2-3 kg/m2. Kjo sasi e plehut hidhet gjatë përgatitjes së tokës.

Vlerat orientuese të plehrave mineral të cilat jepen para mbjelljes (gjatë përgatitjes së tokës së bashku me plehrat organik) janë: 40-80 g N, 50 g P2O5, dhe 120-150 g K2O/ 10 m2.

Mënyrat e Kultivimit

Sallata dallohet me vegjetacion të shkurtë. Kultivimi i sallatës bëhet në fushë dhe në lloje të ndryshme të mjediseve të mbrojtura. Pavarësisht mënyrën e kultivimit, ajo kultivohet përmes fidanit. Cilësia e mirë e gjetheve të sallatës, varet, nga kultivari dhe kushtet në të cilat kultivohen bimët e sallatës. Cilësia më e mire arrihet kur bimët e sallatës prodhohen me kombinimin e aplikimit të drejt të masave preventive mbrojtëse dhe aplikimi i drejt i masave agroteknike.

Afatet e mbjelljes- Gjatë kultivimit të mjediseve mbrojtëse, afatet e mbjelljes varen nga cikli i përgjithshëm i kultivimit të perimeve në lloje të ndryshme të mjediseve të mbrojtura, lloji i objektit, kërkesat në treg etj. Në shumicën e rasteve preferohet që mbjellja të bëhet në mënyrë suksesive (çdo 10-15 ditë). Gjithashtu duhet patur parasysh faktin se kultivarët e sallatës që kultivohen në serra kanë periudhë vegjetative 60-70 ditë (nga mbirja në vjelje). Ndërkaq në rastet kur janë kushtet e papërshtatshme të kultivimit (sidomos në temperatura shumë të ulta), periudha vegjetative mund të zgjatë edhe 90 ditë.

Në qoftë se respektohen kërkesat e bimës së sallatës ndaj kushteve agroekologjike dhe sidomos zgjedhja e hibridit të përshtatshëm për periudha të caktuara kohore, sallata mund të kultivohet gjatë gjithë vitit, qoftë në fushë të hapur apo mjedise të mbrojtura.

Përgatitja e fidanit

Për prodhim në fushë të hapur fidanët prodhohen në lehe gjysmë të nxehta, kurse për prodhim në serra, përgatitja e tyre bëhet në serra.

Pavarësisht prej vendit ku prodhohen fidanët, është me rëndësi që ata të jenë të shëndoshë, i kalitur mirë dhe që të ndërrohet së bashku me substratin që mbështjell sistemin rrënjor (jo me rrënjë “të zhveshura”).

Prodhimi i fidanit për kultivim të vonshëm mund të bëhet në fushë, në lehë të ftohta. Në këto raste përdoren 1,5 – 2,5 gr farë/m2. Zakonisht për këtë lloj të kultivimit nevojiten 500 – 600 gr farë për të prodhuar fidan për sipërfaqe prej 1ha.

Gjatë prodhimit tradicional të fidanëve në lehë të nxehta, trashësia e shtresë së substratit varësisht nga periudha kohore në të cilën këta prodhohen. është 10-15 cm.

Për formimin e substrateve ushqyese shfrytëzohet torfë me shtesë të vermikulitit apo ndonjë minerali tjetër.

Për prodhim të fidanëve përdoret substrati i dezinfektuar me përmbajtje të elementevet të nevojshme për këtë fazë të rritjes dhe zhvillimit të bimëve Në temperature optimale fara e sallatës mbinë për 4-6 ditë. Fidani për ndërrim zakonisht arrin për 25-35 ditë (varësisht nga kushtet e kultivimit).

Gjatë përgatitjes së fidanit, duhet kushtuar kujdes, sigurimit të temperaturës, lagështisë dhe mbrojtjes preventive nga sëmundjet dhe dëmtuesit. /Gazeta Bujku

Pemëtaria Speciale / Zyra bashkëpunuese MASHT/DANIDA

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme