spot_img
HomeLAJMET E FUNDITGështenja e sotmja dhe e ardhmja e sajë

Gështenja e sotmja dhe e ardhmja e sajë

spot_img

Nga Shpend Nikoçi

Gështenja, burimi natyror i rinovueshëm i t’ardhurave të fermerëve që siguron mbijetesën dhe shkollimin e fëmijëve të tyre, sot gjendet në “Emergjencë Ekologjike”!

Edhe gështenja e Tropojës, si të gjitha gështenjat e Europës dhe të botës është në “Listën e kuqe të specieve të kërcënuara për zhdukje” e vlerësuar nga Instituti Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës.

Kultivari i vjetër tradicional i gështenjës së Tropojës, i destinuar për prodhimin e frutave, që gjendet në pemët e vjetra, gjendet në gërhamat e fundit të jetës së tyre biologjike! Humbja e këtij kontigjenti të pemëve shënon shuarjen e kultivarit autokton të ekosistemit agro-pyjor, me origjinë natyrore në Tropojës që është ekosistemi më i madh në Ballkan dhe me homogjenitetin gjenetik më të lartë në Europë!

Sot ekziston mundësia për ta ruajtur këtë kultivar, pasi sot kemi rezervën biologjike riprodhuese! Nesër, kur të humbim materialin biologjik riprodhues të këtij kultivari, do të jetë tepër vonë.           Degradimi vegjetativ dhe bio-gjenetik i ekosistemit nga faktorët patologjik dhe natyror, si dhe regresi i përshpejtuar i ekosistemit natyror të gështenjës së Tropojës, thërret ndërgjegjen qytetare të fermerëve që të marrin përgjegjësitë morale, teknike dhe juridike të ruajtjes dhe rikthimit të trashgimisë gjenetike të kultivarit tradicional!

Shteti ka detyrë të sigurojë mbështetjen me specialistë të aftë dhe me përvojë për të administruar ekosistemin, për ta drejtuar dhe trajtuar me shërbime teknike ekosistemin për të siguruar trashëgiminë gjenetike të kultivarëve autoktonë, por edhe komuniteti i fermerëve ka detyrë të angazhohet dhe të mobilizohet që kashnjeteve të tyre të gështenjës t’ua kryej shërbimet kulturore dhe sanitare të nevojshme duke zbatuar kërkesat teknike të luftimit të sëmundjeve, të kurimit dhe mjekimit me medikamentet e rekomanduara si dhe spërkatjen e sipërfaqes pyjore me solucionin kërpurdhavrasës për frenimin e përhapjes së patogjenit.

Grupi i aktivistëve vullnetarë që militojnë në shoqatën “Gështenja e Tropojës” i drejtohet komunitetit të fermerëve të gështenjës së Tropojës me këtë thirrje :  Shiheni me kujdes gjendjen në të cilën ndodhen gështenjat tuaja! Studiojeni, analizojeni, dhe kur të bindeni, besojeni se kultivari tradicional i gështenjës së Tropojës është në kufirin në mes ekzistencës dhe shuarjes !

Grupi i vullnetarëve të gështenjës dhe ekspertëve mjedisor të pa varur inkurajojnë fermerët për ruajtjen e materialit biologjik riprodhues natyror dhe nxisin ripërtëritjen natyrore të gështenjës.   Duhet mbrojtur me çdo kusht ky kultivar ! Janë shuar shumë specie, raca dhe kombe mbi dhe por ky kultivar po të shuhet nuk mund të rikthehet më dhe shkakton një humbje të madhe jo vetëm për fermerët e Tropojës, por edhe për “Fondin Gjenetik të Specieve” të biodiversitetit Europian.

Amerika tash 100 vjet nuk po arrin ta rikthejë gështenjën Amerikane të shkatërruar nga patogjeni i Cryphonetria Parasitica! Ne nuk duhet të pretendojmë se jemi më të zotët se Amerika!

Kashnjetet e Gështenjës historikisht kanë qenë pronë private. Ato janë dhe do të jenë përgjithmonë pronë private, pronë e fermerëve të gështenjës. Këto kashnjete fermerët i kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre. Është mbrojtur pronësia private mbi këto kashnjete ndër mote edhe në vitet e errëta të pushtimit otoman Turk që u desh të mbrohen me luftë dhe gjak . U mbrojt prona nga pushtuesi otoman, që njohu pronësinë private mbi kashnjetet dhe u paguan taksat ! Qeveritë që pasuan që nga qeveria e Ismail Qemalit… e Zogut e njohën kashnjetin si pronë private deri në reformën agrare të qeverise moniste, që e shtetëzoj edhe gështenjën si të gjitha pronat e tjera që u shtetëzuan deri në vitin 1990.

Me rënien e sistemit monist, kashnjetet e gështenjës të gjendura në mungesë të plotë të ruajtjes, administrimit, drejtimit dhe trajtimit teknik, u administruan nga ish pronarët e kashnjeteve sipas kufijve të vjetër , edhe pse qeverisja e asaj kohe nuk bëri transferimin e pronave nga shteti – tek pronari privat dhe ligji 7501 nuk pati akses në transferimin e pronave që përfshiheshin në ekosistemet agro- pyjore dhe pyjore.  Nuk është përgjegjësia e fermerëve që nuk disponojnë certifikate pronësie për kashnjetin e tyre. Shteti ka për detyrë ti pajisi fermerët me dokumentin e pronësisë.

Edhe gështenja si të gjitha pronat e tjera në sistemin monist u shtetëzua, por në vitin 1990 me ndryshimin e sistemit politik është shfuqizuar edhe vendimi i shtetëzimit të pronave dhe kjo pronë si të gjitha te tjerat që ishin administruar nga ndërmarrjet bujqësore, e cila u shpërbë, u morën nga pronaret në kufijtë e vjetër. Edhe kashnjetet e gështenjave u morën nga fermerët pronar, sipas kufijve të vjetër. Si të gjitha pronat tjera që u shtetëzuan nga regjimi monist, edhe gështenja e shtetëzuar u shfrytëzua dhe u shtrydh nga ai sistem, u grumbulluan dhe u tregtuan frutat e gështenjës që çan me sukses në tregun ndërkombëtar, u shfrytëzua lënda drusore e gështenjës që u përdor për prodhimin e shtyllave për telefonizimin dhe elektrifikimin e vendit, për ndërtimin e infrastrukturës rurale, si kopshte, çerdhe, stalla, kosha dhe objekte social ekonomike, u grumbullua dhe u morë humusi i ekosistemit për pasurimin e tokave bujqësore.

Ky fakt vërteton se ekosistemi agro-pyjor i gështenjës është shfrytëzuar edhe jashtë kapaciteteve dhe mundësive reale të shfrytëzimit.  Mbështetur në kartën e lirive edhe të drejtave themelore të njeriut i ratifikuar edhe nga qeveria Shqiptare kur Shteti shfrytëzon pronën e qytetarit dhe gjatë përdorimit e dëmton atë , shteti detyrohet të ja rehabilitojë dhe t’ia rikthejë pronën në gjendjen e mëparshme kur është shtetëzuar. Neni 44 i Kushtetutës – Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore. Bazuar sa sipër, Shteti ka detyre të rehabilitoje ekosistemin agro-pyjor të gështenjës dhe t’ia dorëzojë fermerit, të cilit ja kishte shtetëzuar. Kërkesës së vazhduar të fermerëve për formalizmin e kësaj pasurie dhe zgjidhjen e statusit të pronës, Qeveria Shqiptare kishte një projekt për dhënien me qira dhe me tenderi të kësaj prone. Pra – Pronën private që fermerët e kanë trashëguar nga baballarët e tyre, Shteti ynë po e len pa zgjidhur statusin e pronës, në informalitet, pa e regjistruar në regjistrin e pronave në asnjë nga format e pronësisë, po e le pa asnjë shërbim teknik dhe mbrojtje.

Nga të dhënat e grumbulluara me fermerët e gështenjës Tropojë 100 % e të intervistuarve kërkojnë ta kenë prone private dhe ta administrojnë vet kashnjetin. Koha për të kërkuar pronësinë e kashnjeteve është tani. Për ta arritur zgjidhjen e statusit të pronësisë të gjithë fermerët duhet të bashkohen, të unifikojnë qëndrimet dhe të moderojnë veprimet për të siguruar mbështetjen e pushtetit qendror në kërkesën legjitime për formalizmin e ekosistemit të gështenjës dhe zgjidhjen e statusit të pronës, dhënien e statusit të mbrojtjes, për të siguruar mbrojtje të veçantë dhe rehabilitimin e dëmtimeve të shkaktuara nga sëmundjet, bimët parazitare, faktorët natyror, prerjet abuzive dhe zjarret gjatë periudhës së tranzicionit që u lan pas dore , pa mbrojtje , drejtim dhe trajtim teknik. I gjithë komuniteti i fermerëve të rrethit tonë janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të gjendjes së vështirë që po kalon ekosistemi i gështenjave të Tropojës. Gjendja vegjetative, bio-gjenetike dhe fito-patologjike e kashnjeteve të gështenjave të komunitetit tonë gjendet e rënduar seriozisht! F

aktorët që ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes biologjike dhe të humbjes së trashëgimisë gjenetike të kultivarit tradicional të ekosistemit janë – sëmundja e kancerit të lëvores, dëmtues dhe bimët parazitare, zjarret, prerjet abuzive, dëmtimet nga faktorët natyror si furtuna, stuhitë, bora dhe akulli, prerjet abuzive dhe degradimi biologjik natyror për shkak te moshës . Të gjitha pemët që dëmtohen duke pësuar vdekjen biologjike nga këta faktor, eliminohen sipas metodës tradicionale të prerjes rrah dhe nga cungjet e prera lindin llastar të cilët shkaktojnë konvertimin në cungishte të kashnjeteve me pemë të larta – Trungishte, pemë tradicionale të prodhimit të frutave.  Çfarë kuptojmë me termin Konvertim?

Një Kashnjet gështenje, (Pemishte Natyrore e Kultivuar)  me prejardhje farore, e vlerësuar sipas klasifikimit silvikulturor si trungishte, me status të prodhimit të frutave, të konvertohet në pemë me prejardhje llastarore, sipas klasifikimit silvikulturor vlerësohet cungishte, që humbet statusin e prodhimit të frutave dhe menaxhohet për prodhim të lëndës drusore nuk mund të justifikohet pa shkaqe të argumentuara teknike, është një regres i pa falshëm, një degradim fatal, një degjenerim gjenetik i vlerave të species, një falimentim i shkencës dhe teknikës dhe një kapitullim i qeverisjes në menaxhimin e burimeve natyrore të rinovueshme. Të lejohet ky regres, të miratohet në heshtje ky konvertim në kohen kur gështenja ka treguar një rezistencë të lakmueshme natyrore ndaj patogjenit virulent të Cryphonetria Parasitica, kur është konfirmuar shkencërisht një zbutje e intensitetit të patogjenit virulent dhe është instaluar në rrugë natyrore patogjeni hypovirulent.

Dy  janë shkaqet që çojnë në konvertimin e kashnjetit: 1. Prerjet e pemëve të gështenjës si rezultat i prerjeve abuzive, prerjeve të ligjshme, të nevojshme, të lejuara për shfrytëzim dhe të paligjshme për trafik të lëndës drusore nga kontrabandistët, nga eliminimin i pemëve që pësojnë vdekjen biologjike si rezultat i sëmundjeve, dëmtuesve, bimëve parazitare dhe gjysemparazitare, eliminimin i të cilave realizohet sipas metodës klasike të prerjes rrah, si dhe nga shërbimet kulturore që i kryhen kashnjetit duke rralluar pemët që konsiderohen të tepërta të cilat priten rrafsh me token. Fuqia e lartë ekologjike që ka specia gështenjë, ku pema përpiqet që të rikuperojë pjesen e humbur të pemës , nga cungjet e prera lindin llastarë.

Fermerët duke mos e patur trajnimin e duhur për menaxhimin e kashnjetit, si dhe në mungesë të administratorit apo drejtuesit teknik që këshillon dhe udhëzon fermerët, këta llastarë nuk eliminohen, por as nuk u bëhet përmirësimi gjenetik i tyre nëpërmes shartimit dhe ata vazhdojnë rritjen. Këta llastarë konkurrojnë në rritje fidanët e mbjellë apo të mbirë nga farat, pasi llastarët e cungjeve e kan infrrastrukturen rrënjësore të ndërtuar nga pema amë e prerë, që e favorizon rritjen e këtyre llastarëve dhe këtu fillon gabimi. Këta llastarë që konkurrojnë në rritje fidanët me origjinë farore, preferohen nga fermerët dhe ju jepet prioritet duke u përzgjedhur si pemët e perspektivës! Kjo është forma klasike dhe e vetme e konvertimit të kashnjeteve (Pemishteve Natyrore të Kultivuara) për prodhimin e frutave të gështenjës, në “Pyllë të Egër” me prejardhje llastarore (cungishte) e cila humbë statusin e prodhimit të frutave dhe menaxhohet për prodhim të lëndës drusore.

2. Zjarret në ekosistemin e gështenjës! Dihet se zjarret shkaktojnë dëme shkatërruese në gështenja! Kur zjarri shkakton vdekjen biologjike të pemës, pjesa nëntokësore e pemës aktivizohet për rikuperimin e pjesës mbitokësore të humbur nga zjarri dhe nga sistemi rrënjësor lindin llastarë të rijnë për të rifituar pemën e mëparshme! Edhe pemët e ardhura në këtë formë, shkaktojnë konvertimin ne cungishte të kashnjeteve.

Duhet të pranojmë se vet evolucioni natyror çon në një rritje të diversitetit gjenetik të gështenjës me tendencë për tu përshtatur në mënyrë spontane me kushtet e reja eko-mjedisore të krijuara . Shumë fermerë të ndryshëm  me inisiative individuale janë përpjekur që ti kryejnë disa shërbime kulturore pemëve të kashnjetit me njohurit e tyre, pa asnjë asistencë teknike , këshillim apo drejtim teknik.

Fermerë të nderuar!

Më lartë thamë se  Gështenja është në “Listën e kuqe të specieve të kërcënuara për zhdukje” e vlerësuar nga Instituti Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës. Kashnjetet tona që përbëjnë ekosistemin natyror të gështenjës së Tropojës janë në gjendje biologjike dhe patologjike shume të rënduar, si rezultat i sëmundjeve, dëmtuesve, bimëve parazitare dhe gjysëmparazitare, nga degradimi biologjik natyror, zjarrit, nga faktoret natyror si furtunat stuhitë, bora dhe akulli. Të gjithë këta faktor shkaktojnë konvertimin ne cungishte. Konvertimi në cungishte shkakton ndryshimin e strukturës silvo-tenike të ekosistemit, siç është forma e qeverisjes, e menaxhimit, e trajtimit dhe administrimit te kashnjeteve . Ekosistemi agro-pyjor i gështenjës ka qënë i përbërë nga pemë të larta tradicionale për prodhimin e frutave, trungishte, me prejardhje nga farat , të vlerësuara sipas klasifikimit silvikulturor pyje të lartë dhe qeverisen sipas metodave të pyjeve të lartë. Konvertimi në cungishte konsiston në krijimin strukturave të reja pyjore me prejardhje nga llastaret e cungjeve që formojnë pyje të ulët – cungishte, që qeverisen si pyje të ulët, humbin statusin e prodhimit të frutave dhe menaxhohen për prodhim të lëndës drusore të hollë dhe të mesme, edhe pse prodhojnë një sasi të vogël frutash për të siguruar ekzistencën e species – trashëgiminë natyrore të sajë.

Kjo është një ndër arsyet që kultivari tradicional i gështenjës së Tropojës gjendet i kërcënuar për zhdukje pasi materiali riprodhues natyror i kultivarit tradicional po pakësohet nga dita në ditë. Personeli teknik i shoqatës ka njoftuar dhe shpallur “Emergjencën Ekologjike” duke theksuar se konvertimi në cungishte po shkatërron trashëgiminë gjenetike të kultivarit autokton. Një dukuri e re ka filluar të shfaqet ne ekosistemin tonë. Janë krijuar kultivar të rijnë të hibridizuar natyralisht me përshtatshmëri më të lartë me kushtet e reja mjedisore të krijuara si rezultat i ngrohjes globale, si me eko-pedologjinë dhe kërkesat për lagështirë, me kërkesat më të ulëta për pjellorinë e tokave të cilat gjate këtyre dekadave janë përshkuar disa herë nga zjarret dhe për pasojë kanë pësuar një varfërim të tejskajshëm duke humbur një pjesë të lëndës organike aq të domosdoshme për bimësinë.

Këta kultivar të rinj të hibridizuar natyralisht kanë një ndryshueshmëri të lartë gjenetik referuar kodit gjenetik të subspecies për arsye të prejardhjes së tyre nga prindër me përkatësi dhe prejardhje të ndryshme. Stafi inxhiniero-teknik i shoqatës “Gështenja e Tropojës” pasi ka studiuar dhe vlerësuar në hollësi gjëndjen bio-vegjetative dhe fito-patologjike të ekosistemit, shkallën e dëmtimeve nga faktorët biotik dhe abiotik, ka identifikuar faktorët dhe shkaqet që e kanë çuar në këtë gjendje dhe ka hartuar strategjinë e rimëkëmbjes së ekosistemit dhe rikthimin e kutivarit tradicional që përfshihen në “Planin e zhvillimit perspektiv të ekosistemit”! /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme