spot_img
HomeBUJKUDobitë e lajthisë

Dobitë e lajthisë

spot_img

Lajthia si një bimë e hershme në kontinentin aziatik dhe atë evropian ka bashkëjetuar në simbiozë për mijëra vjet me njeriun.  Druri i saj u ka shërbyer njerëzve për të bërë strehët apo shtëpitë e tyre, veglat e punës, shkopinj mbrojtës, për gjueti,  mjetet e luftimit, për të bërë gardhet e kopshteve, banesave, ndërsa fruti si ushqim për njeriun, dhe gjethja një ushqim i mirë për bagëtinë, etj.

Lajthitë në Shqipëri, por dhe në botë, janë mbjellë si bimë antierozionit, si bimë dekorative anës trotuareve dhe rrugëve. E përshtatshme është për të krijuar një brez të gjelbëruar në anët e rrugëve dhe autostradave si dhe për të parandaluar rrëshqitjen e dherave. Për këtë qëllim mund të mbillet anës lumenjve, përrenjve të rrëmbyeshëm e veçanërisht në liqenet natyralë e artificialë si një tampon rreth tyre  për t’i mbrojtur nga ndotjet e ndryshme. Lajthishtat sot shërbejnë për të planifikuar një strategji në menaxhimin dhe ruajtjen e habitateve të një rëndësie te veçantë pyjore për kafshët e egra. Lajthia me që ka një vegjetacion më te gjatë se bimët e tjera thith më shumë gazi karbonik nga atmosfera dhe si rrjedhojë rrit dhe sasinë e lëndës organike ne tokë.

Lajthia mbillet dhe si bimë zbukuruese 

Druri lajthisë       

Më kujtohet kur ishim të vegjël se shkopin e peshkimit ose kallamin e bënim me dru lajthie, gjithashtu dhe një pajisje për peshkim me dorë ku në majë të shkopit vendosej një pirun ose diçka e mprehtë. Me drurin e lajthive bëheshin dhe hosteni, bastunet ose shkopinj të ndryshëm, etj. Shkopinjtë e lajthisë ishin të përshtatshëm për shule në bostane, për të bërë lesat për mbjelljen e grurit, lesa të ndryshme, madje dhe gardhet e kopshteve apo shtëpive. Deri nga mesi shekullit që lamë pas, me të tillë gardhe duke i lyer me baltë bëheshin dhe banesat në zonën fushore, të ngjashme me banesat me qerpiç. Shufrat e lajthive me që kanë një farë elasticiteti përdoren edhe për të bërë kosha e punime të ndryshme artistike. Në lashtësi është përdorur edhe për të bërë harqet e luftimit ose shigjetat..

Me drurin e lajthisë mund të bëhen edhe mobileje, voza druri, objekte artistike si pipa cingaresh, çibuqe, etj.. Druri lajthisë është gjithashtu dhe një dru ideal për djegie, megjithëse siç thuhet, “nuk ka duk”, digjet shpejt, por prodhohet qymyr druri me një cilësi të mirë.

Nga Aborigjenët e Kanadasë[1] druri i lajthisë është përdorur si varëse rreth qafës, ose si byzilikë. Kjo praktikë vitet e fundit ka fituar një popullaritet të madh në Kanada, madje edhe SHBA. Thuhet se druri i lajthisë i vendosur rreth qafës ose si byzilikë ka veti të neutralizojë aciditetin e tepërt në trupin e njeriut. Shumë sëmundjet si: migrena, urthi, artriti, probleme të lëkurës, ulcerat, kapsllëku, dhimbje barkut, dhe shumë sëmundje të tjera tek njeriu, janë të lidhura drejtpërdrejt me çekuilibrimin PH-it.

Gjethja

Gjethja e lajthisë është një ushqim i mirë për bagëtinë, veçanërisht për të imtat. Përmban proteina(19%), yndyra (5%), vitamina C, karotinë, lëndë regjëse, etj. Në mjekësinë popullore gjethet e thara( 2 lugë kafe gjethe në një gotë ujë), ky  lëng përdoret si qetësues për sëmundjet e zorrëve, si astringjent dhe sëmundjet e lëkurës. Lulet e lajthisë janë prodhuese të herëshm të polenit për bletët, në një kohë që vështirë se gjen lule të tjera. Për disa poleni lajthisë mund të jetë dhe alergjik.

Fruti

Bimën e lajthisë që kur njeriu nisi ta kultivojë është ç’frytëzuar më shumë padyshim për vlerat e frutit të  saj, si ushqim. Kokrrat e lajthisë përmbajnë disa lëndë ushqimore që janë tepër jetike për shëndetin dhe zhvillimin e trupit të njeriut si: proteina, karbohidrate, beta-sitosterol, vitamina, kripëra minerale dhe antioksidantë. Përmbajnë vitamina B kompleks si riboflavin, thiamin, niacin, pyridoxine, dhe acidit pantothenic. Ka përmbajtje te lartë mineralesh si kalciumi, , zink, kalium, hekur dhe mangan. Ngrënia e njëqind gram kokrrave mund të sigurojnë 328 kalori. Sipas një hulumtimi, lajthitë përmbajnë 20 herë më shumë antioksidantë se Vitamina C dhe 50 herë më shumë se Vitamina E!

Sot tregtohet me guaskë ose i qëruar në qeska. Këto është mirë të konsumohen të freskëta(brenda vitit).  Lajthia është përdorur e bluar për miell për të bërë bukë ose në industrinë ushqimore për biskotat e ndryshme. Kokrrat e saj në formë paste dhe të përziera me kakao bëhen çokollata të ndryshme, nga më të shijshmet e më të mirat, siç është “nutella” e kërkuar shume në tregjet e sotme. Nga kokrrat e lajthisë nxirët dhe vaj që mund të përdoret për gatim, etj. Vaji ose gjalpi lajthisë ka një aromë të këndshme. Kokrrat e lajthisë si aromatike i përdorin edhe në përgatitjen e kafesë, likerërave e pijeve komerciale.

Përveç këtyre lajthia sjell edhe dobi mjekësore për trupin e njeriut. Një dietë me lajthi ose produkte të saj mund të përmirësoi shëndetin, madje edhe mund të shërojë sëmundje të veçanta. Qarkullojnë shumë receta në mjekësinë popullore që përgatiten me pjesë nga bima e lajthisë. Dioscorides, një mjek i Greqisë së Lashtë para 2000 vjetësh shkruan se:

“Në se hani për një kohë të caktuar  lajthi me mjaltë shërohet kollitja kronike. Lajthia e gatuar dhe e përzier me piper të zi shëron ftohtët. Në se flokët nuk kanë rritje natyrale, lyerja me vaj të prodhuar nga lajthia  do të bëjë që flokët të kenë përsëri një rritje normale.”

Disa nga përfitimet mjekësore qe rjedhin nga aplikimi i nje diete me lajthi janë:

1. Parandalon aneminë në gratë shtatzëna si dhe defektet nervore tek foshnjat. Lajthia është shumë e pasur me Foletë(Acid Folik) ose vitamine B kompleks, gjithashtu dhe me vitaminën E. Këto parandalojnë shpërbërjen e qelizave të kuqe të gjakut si dhe forcojnë sistemin imunitar., parandalohen ethet të ftohtët dhe sëmundje të tjera të periudhës së gjirit.

2. Antikanceroze. Tek lajthia gjendet një komponim me emrin Beta-Sitosterol që besohet se eleminon krijimin e qelizave kanceroze për kancerin e gjirit dhe prostatës. Një lloj tjetër i vitaminës E (alfa-tokoferol) që gjendet tek kokrrat e lajthisë, sipas disa studimeve, ulin rrezikshmërinë e kancerit të fishkëzës se urinës deri në 50%.

3. Parandalon atakun e zemrës. Lajthitë janë të pasura me yndyra të pangopura të cilat janë jashtëzakonisht të dobishme për zemrën. Acidi oleik që ndodhet në lajthi ul kolesterolin e keq dhe ngre kolesterolin e mirë në gjak. Konsumimi i rregullt i lajthive ul kolesterolin me 27%. Sipas një studimi te studiueseve amerikanë , njerëzit të cilët konsumojnë lajthi rregullisht kanë 50% më pak rrezik ndaj atakut të zemërs. Lajthitë përmbajnë magnez që ndihmon për të rregulluar ballancimin midis kaliumit dhe kalciumit që është kryesore për presionin e gjakut.

4. Përmirëson funksionimin e sistemi nervor. Lajthitë janë të pasura me vitaminë B6, e cila ndikon në shpejtësinë dhe efikasitetin e impulseve elektrike, duke bërë të mundur sistemin nervor të funksionojë si duhet. Kokrrat e lajthisë janë gjithashtu të rëndësishme në sintezën e neurotransmetuesve si: serotonin melatonin, dhe epinephrine. Në një studim i kohëve të fundit i botuar në revistën “Neuroscience”, lajthitë janë testuar për cilësitë e tyre neuroprotektive. Një dietë me lajthi përmirësojnë shëndetin në moshat e thyera, përmirësojnë kujtesën dhe pengojnë ankthin. Është e njohur, sipas kësaj reviste, se lajthia ndihmon në zhvillimin e trurit gjatë shtatzënisë. Lajthia ndihmon për të parandaluar çrregullimet degjenerative nervore tek të rriturit dhe foshnjat.

5. Parandalon mbipeshën. Lajthitë janë stimuluese të mëdha për metabolizmin në trupin e njeriut. Ata që konsumojnë lajthi kanë nivele të lartë të humbjes së peshës për shkak të rritjes së metabolizmit. Thiamina ose vitamina B1, që ndodhet me shumicë tek fruti lajthisë luan një rol të madh në mbajtjen e një metabolizmi të mirë. Ajo ndihmon të konvertohen karbohidratet në glukozë, e cila është burim i energjisë. Thiamina gjithashtu ndihmon në formimin e qelizave e kuqe të reja të gjakut, të cilat janë kryesore për ruajtjen e energjisë. Të dhënat studimore tregojnë gjithashtu se mangani mund të ndikojë në uljen e mbipeshës sepse përmirëson enzimat e tretjes së ushqimeve. Proteinat, fibra dhe përmbajtja e lartë e lëndëve yndyrore të mira, që ndodhen në lajthi, sigurojnë një ndjenjë ngopje, e cila pengon mbi ngrënien dhe shmang urinë për një kohë relativisht të gjatë.

6. Përmirëson shëndetin e lëkurës dhe flokëve. Përmbajtja shuma e lartë e vitaminës E në lajthi mund të kontribuojë në ruajtjen e një lëkure dhe flokë të shëndetshme, sepse përmirëson lagështinë e rrit elasticitetin. Si antioxidant i fuqishëm Vitamina E, mund të ndihmojë në parandalimin e dëmtimeve nga rrezet UV ose tymi i duhanit, së bashku me faktorë të tjera që mund të sjellin kancerin e lëkurës, apo të plakjes së parakohshme. Vitamina E përdoret, për trajtimin e puçrrave dhe rrudhave, për aftësinë e saj që ka për rigjenerimin e qelizave të lëkurës.

7. Kohët e fundit sipas disa studiuesve Anglezë, një dietë me lajthi ul rrezikun e kancerit pankreatik tek gratë.

Autor: Koço Mosko

Gazeta Bujku e boton me leje te http://bota-bujqesore.blogspot.com/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme