spot_img
HomeBUJKUBimëDisa sëmundje të grurit dhe masat për luftimin e tyre

Disa sëmundje të grurit dhe masat për luftimin e tyre

spot_img

Sëmundjet kërpudhore që prekin kryesisht rrënjën, qafën e rrënjës e kërcellit

Kalbëzimi i rrënjëve të të lashtave (Ophiobolus graminis. Sacc, Gaeumannomyces graminis).

Është shumë i përhapur në tokat e mbjella me grurë. Shkakton kalbëzimin e rrënjëve dhe bazës së kërcellit të bimës së grurit. Indet e prekur marrin ngjyrë të zezë të shëndrritshme. Patogjeni ruhet në tokë në formën e micelit apo të talosporeve në mbeturinat bimore për një periudhe 1-2 vjet. Me anën e ujit miceli nga bimët e parazituara kalon në bimët e grurit për rreth, ku fillimisht prek rrënjët. Prekjet nga kjo sëmundje kryhen gjatë gjithë ciklit të zhvillimit të grurit por ajo favorizohet nga temperaturat e freskëta të tokës (12-18° C) ose nga mungesa e elementëve ushqyes. Mjaft të favorshme për zhvillimin e saj janë tokat me pH acid.

Masat e luftimit – Ndërmjet mënyrave të ndryshme për luftimin e kësaj sëmundje parësore është qarkullimi bujqësor si dhe plehërimi i ekuilibruar i grurit, punimi i thellë i tokës, kullimi sa më i mirë i ngastrës së grurit etj. Përdorimi i metodës kimike kundër këtij paraziti bazohet kryesisht në dizinfektimin e farës para mbjelljes së tij me preparate të tillë si baytan, frumidor 200 gr/kv farë. Me mjaft efektivitet kundër kësaj sëmundje janë edhe përdorim i varianteve rezistente të grurit.

Fusarium roseum sp.Cerealis ku bëjnë pjesë F.graminearum, F.culmo rum, F.avenaceum

F.graminearum (forma e përsosur Giberella zeae) prek grurin menjëherë pas mbirjes duke çuar deri në shkaterimin e filizave të sapombira. Patogjeni mund të prekë edhe kallirin (në lulëzim) duke shkaktuar rrudhosjen e kokrrave ku prodhon micelin ngjyrë trëndafili të kërpudhës. Prekja fillestare e grurit mund të ndodhë nga infektimi i farës, nga hamullorja ose nga toka.

Sëmundja prek edhe misrin në formën e kalbëzimit të kërcellit apo kallirit. Në rastin e parë simptomat fillojnë me një vyshkje të papritur dhe gjethet marrin ngjyrë të gjelbërt të zbehtë që kthehet më vonë në ngjyrën e kashtës duke u pjekur parakohe. Në kallinjtë e prekur formohet pushi karakteristik në ngjyrë të kuqe trëndafili. Lëpushkat e kallirit janë të bashkuara lehtë dhe më vonë në të formohet masa e zezë e cila përfaqëson formimin e periteceve.

F.culomorum – Prek filizat e reja të grurit gjatë mbirjes duke shkatërruar një pjesë të tyre. Pjesa tjetër e bimëve të prekura tregojnë njolla kafe në bazën e koleoptilit ose tek rrënjët. Këto simptoma në këtë fazë janë të ngjashme me atë të F.avenaceum apo F.nivale. Zhvillimi i këtij paraziti favorizohet nga mbjelljet e thella, tokat e lagta, acide e të rënda, nga kullimi i keq etj.

Bimët të cilët përballojnë prekjet e hershme më vonë u nënshtrohen kalbëzimit të qafës e të rrënjës. Simptomat në këtë rast janë në një çngjyrosje kafe e këllëfit të gjethes bazale ose një kalbëzim më i theksuar i bazës së kërcellit në ose rreth nivelit të sipërfaqes së tokës. Kjo është cilësuar shpesh si faza e kalbëzimit të qafës së rrënjës. Bimë të tilla prodhojnë kallinj me pak kokrra dhe shumë vëllezër përfundojnë steril.

Sëmundja prek edhe kallirin e cili mund të marri ngjyrë të kuqe rozë. Nga kallinj të tillë merren kokrra të prekura nga parasite.

Favenaceum (Giberrella avenaceum) – Nuk i shkatërron filizat e reja por ato janë të zhvilluara dobët e më të shkurtër. Këllëfi i gjethes bazale të filizit të prekur është në ngjyrë kafe. Patogjeni transmetohet me anën e farës dhe me anën e tokës dhe përhapet me micel ose konide të marra nga era nga mbeturinat e kulturës mbi sipërfaqen e tokës. Sëmundja prek edhe kallirin dhe ngjyra e saj karakteristike është si e kajsisë. Sidoqoftë prekjet në fazat e hershme të zhvillimit të grurit janë më të rëndësishme.

Masat e luftimit – Përdoren masat me karakter agroteknik si qarkullimi bujqësor, punimet e thella, kullimet e ngastrës së grurit etj. Rëndësi të veçantë në luftimin e këtij paraziti ka dizinfektimi i farës me preparate të tillë si baytan, frumidor etj, 200 gr/kv farë pasi ai transmetohet edhe nëpërmjet farës.

Hiri (Erysiphe graminis Sp.graminis) forma e papërsosur Oidium moniliades

Është ndër sëmundjet më të përhapura të grurit sidomos në zonat me klimë të lagësht dhe ku temperaturat mesatare variojnë nga 15-22 ° C. Prek gjethin, kërcellin dhe kallirin. Infeksionet e para mund të kryhen nga askosporet e çliruara prej kleistoteceve ose nga miceli, konidet.

Sporet kur mbijnë japin një zgjatim të vogël në formë gypi që me autostoret depërton qelizat epidermike, ndërsa jashtë në sipërfaqe zhvillojnë mykun apo pushin ngjyrë të bardhë i përbërë nga konidioforet prej të cilëve kanë origjinën kinidet.

Këto të fundit që shërbejnë për infeksione dytësore, të transmetuara nga era mund të përhapin  infeksionin në bimët e tjera të paprekura bile edhe në distanca të largëta.

Në kushtet e favorshme, mbirja, infeksioni dhe sporifikimi i dytë kryhen brënda 10 ditëve. Nga fundi i vegjetacionit të bimës së grurit pushi karakteristik me ngjyrë të bardhë merr ngjyrë kafe ose gri dhe mbi këto formohen kleistotecet me anë të cilave ruhet kërpudha. Patogjeni mund të ruhet edhe me anën e micelit në gramore spontane apo me anën e konideve. Prekjet e rënda të hershme mund të ulin numrin e vllezërve si pasojë ulet numri përfundimtar i kallinjve. Prekjet e vona ulin sipërfaqen e gjelbërt të gjethes në kohën e mbushjes së kokrrës, si pasojë kemi dhe ulje të prodhimit.

Masat e luftimitMasat agroteknike ndikojnë mjaft në luftimin e patogjenit. Gjithashtu edhe përdorimi me kriter i plehrave azotike ndikon mjaft në kufizimin e sëmundjes pasi plehërimet e tepërta me këto plehra favorizojnë mjaft zhvillimin e këtij paraziti.

Përveç masave agroteknike një ndikim mjaft të mirë në luftimin e hirit japin trajtimet kimike me preparate të tillë si frumidor 3 kg/ha, tilt 0.5 kg/ha, impact 1 lit/ha, bayleton 0.5 kg/ha etj.

Tharja e gjetheve të grurit

(Septoria tritici, forma e përsosur Microsphaerellagraminicola)

Humbjet e shkaktuara nga ky patogjen mund të arrijë deri 40 %. Simptomat e para në gjethe duken që në fazën e 3-4 gjetheve në formën e njollave të rrumbullakta deri eliptike në ngjyrë të gjelbërt deri në të verdhë të hapët të cilat më vonë kthehen në kafe të hapët. Këtu formohen trupat frutore të kërpudhës, piknidet. Moti i freskët dhe me reshje të zgjatura janë favorizuese për përhapjen e sëmundjes. Në prekjet e hershme ulet numri i kokrrave ndërsa në ato të vonshmet pesha e 1000 kokrrave.

Masat e luftimit – Ndër preparatet kimike më të efektëshme kundër S.tritici përmendim frumidor 3 kg/ha, etj. Tilt 0.5 Impact 1 l/ha. Rëndësi kanë edhe masat agroteknike si plugimi i thellë i tokës në ngastrat që një vit më parë kanë qenë të prekura nga ky parazit, plehërimi i balancuar duke evituar dozat e tepërta të azotit etj.

Ndryshku i verdhë (Puccinia striiformis)

Sëmundja prek kryesisht gjethet por mund të prekë edhe kallirin në formën e shiritave të verdhë paralel me nervaturat. Prekjet e para fillojnë që në fazën e ngritjes duke u rritur mjaft në kallëzim. Infeksionet kryhen nga uredosporet apo miceli i kërpudhës deri nga fundi i vjeshtës dhe ato ngelin në qetësi gjatë gjithë dimrit.

Patogjeni ndikon në uljen e numrit të kokrrave. Në kushte të favorshme humbjet e prodhimit mund të shkojnë më shumë se 40 %.

Masat e luftimit – Megjithëse shumica e varieteteve të grurit janë rezistente ndaj kësaj sëmundje, në rast prekje të forta nga ky patogjen rekomandohen trajtime me fungicide maneb 1 kg/ha, bayleton 0.5 kg/ha, tilt 0.5 kg/ha, horizon 1 kg/ha etj.

Ndryshku i zi (Puccinia graminis sp. Tritici)

Është specia më e rrezikshme se dy speciet e tjera të ndryshqeve. Njëkohësisht është me ngrohtësi dashëse se dy ndryshket e tjera.

Temperatura optimale e zhvillimit është 20°. Mbi këtë kufi uredesporet e humbasin fuqinë mbirëse të tyre.

Simptomat janë tipike, për sa i përket ngjyrës së pustulave të cilat në fillim janë në ngjyrë rozë e më vonë në të zezë. Ato kanë një gjatësi nga 0.8- 25 mm dhe mund të bashkohen në mes të tyre në formën e zgjatur paralel me nervaturat. Për kushtet e vendit tonë transmetimi i patogjenit nga një vit në tjetrin kryhet pa ndihmën e bujtësit të ndërmjetëm për shkak të temperaturave relativisht të larta gjatë dimrit.

Kokrrat e grurit të ngelura për toke, pas shirjes, mbijnë dhe ato infektohen nga grurërat e prekura me pjekje të vonshme ose ato të zonave malore apo gramore e të egra.

Bimët e infektuara në këtë mënyrë shërbejnë si burim infeksioni për grurin e mbjellë në vjeshtë gjë që bën të mundur dimërimin e kërpudhës në formë miceliale.

Masat e luftimit – Ashtu si dhe për ndryshket e tjerë një rëndësi të veçantë në luftimin e parazitit ka përdorimi i varieteteve rezistente.

Ndikim të mirë kundër këtij patogjeni kanë dhe trajtimet me fungicide si maneb apo mankozeb 4 kg/ha, tilt 0.5 kg/ha, frumidor 3 kg/ha etj.

Ndryshku i murrëm (Puccinia recondita sp. Triticina = P.triticina

Simptomat e sëmundjes janë prania e disa pustulave me ngjyrë ndryshku që s’janë gjë tjetër veçse uredosporet e kërpudhës. Format dimëruese të patogjenit janë uredosporet dhe miceli të cilët ruhen në mbeturinat e bujtësit.

Prek sidomos pjesën e sipërme të gjethit e këllëfin e tyre duke pasur një maksimum zhvillimi në fazën e kallëzimit. Zhvillohet në temperatura nga 2-30°C me një optimum 13- 18°C. Për mbirjen e sporeve është e nevojshme një lagështi e lartë atmosferike.

Masat e luftimit – Ndërmjet masave agroteknike kundër këtij paraziti përmendim plehrimin e ballancuar si dhe përdorimin e varieteteve rezistente. Me mjaft efektivitet janë edhe përdorimi i preparateve kimike si maneb ose mankozeb 4 kg/ha, tilt 0.5 kg/ha, horizon 1 kg/ha etj.

Urthi i grurit. (Tilletia foetida = T. levis – T. caries = T. tritici- T. controversa )

Kallinjtë e prekur njihen lehtë, në qoftë se shtypen me gishta ato lëshojnë masën e pluhurt të zezë e cila vjen erë si ajo e peshkut të prishur.

Në pjekje kallinj të tillë njihen që larg sepse qëndrojnë drejt, se janë të lehtë ndërsa ato të shëndoshët përkulen nga pesha e kokrrave.

Zakonisht kërcelli i një bime të infektuar është më i shkurtër se ai i një bime të painfektuar. Humbjet në prodhim si pasojë e prekjeve nga ky parazit në përgjithësi janë 10-15 %, por në rast të prekieve të rënda mund të arrijnë deri 70 %. Sëmundja ndikon sidomos në cilësinë e kokrrave të grurit.

Masat e luftimit – Ndër masat agroteknike më të efektshme kundër këtij patogjeni janë: qarkullimet bujqësore, mbjellja e farës së pastër, etj. Dizinfektimi i farës me preparate të tilla si baytan, frumidor 200 gr/l kv farë etj, vincid 200 gr/l kv farë etj., mbetet mënyra më e rëndësishme për kufizimin e parazitit.

Bloza e grurit (Ustilago tritici=Ustilago nuda)

Simptomat e para të sëmundjes duken në fazën e kallzimit të grurit. Patogjeni prek bimën e grurit në fazën e lulëzimit me anën e klamidosporeve nga të cilat zhvillohet miceli i kërpudhës që qëndron në embrionin e kokrrës së grurit. Gjatë mbirjes së farërave të tilla të infektura nga sëmundja njëkohësisht zhvillohet edhe miceli i parazitit i cili pushton të gjithë organet vegjetative të bimës së grurit. Disa ditë para daljes së kallirit nga miceli zhvillohet masa e zezë e përbërë nga klamidosporet të cilat të transportuara nga era kryejnë infeksione të reja.

Masat e luftimit – Si mënyrë më e mirë për luftimin e kësaj sëmundje rekomandohet përdorimi i varieteteve rezistente si dhe dizinfektimi i farës me preparatet e rekomanduar dhe për Tilletia spp. /Gazeta Bujku

Mbrojtja e bimëve  / Zyra bashkëpunuese MASHT/DANIDA

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme