spot_img
HomeBUJKUZëvendësimi i mbretëreshës

Zëvendësimi i mbretëreshës

spot_img

Nga Dr. Agim Nelaj

Është procesi me të cilin një mbretëreshë e vjetër zëvendësohet nga një e re. Kjo mund të ngjasë për shkak të moshës së vjetër, sëmundjeje apo dështimi. Mbretëresha e vjetër e ul ndjeshëm prodhimin e feromoneve. Zëvendësimi mund të jetë i detyruar, si p. sh. në rastin kur mëmës i është dëmtuar një këmbë ose krah. Ama nuk do të jetë në gjendje të vendosë vezët e saj në fund të hojes. Punëtoret do ta zbulojnë këtë dhe mandej do të marrin masa për zëvendësimin e saj. E rëndësishme në prodhimin e mëmave është mosha e larvës.

Larvat treditëshe nuk japin mëma cilësore. Larvat e ditës së parë nxjerrin mbretëresha më të mira. Kjo lidhet me disa faktorë. Larvat disaditëshe (larvat e punëtoreve) janë të ushqyera, jo me pelte mbretërore cilesore, specifike, siç ushqehen larvat e mbretëreshës. Hojza e mbretëreshës parapërgatitet, bëhet gati që më parë. Ai ka tjetër hapësirë dhe ndërtim. Ndërtimi i hojzes së mbretëreshës mbi hojet e larvës së bletës punëtore nuk krijon kushte të mira zhvillimi, prandaj ndodh të dalin mbretëresha më të vogla, jo shumë të zhvilluara. Koha më e përshtatshme për prodhimin e mbretëreshave është pas kullotës kryesore.

Nga të dhënat më të fundit të studiuesve del se prodhimi i shumë mëmave në një familje është me pasoja për cilësinë e tyre. Nëse një familje shërben për prodhimin e mëmave gjatë kësaj periudhe, vetëm ato të breznisë së parë janë cilësore. Mbretëreshat duhet të trashëgojnë disa cilësi: duhet të prodhohen nga familje, fuqia e të cilave është dëshmuar prej disa vitesh; të mos jenë agresive dhe të mos shfaqin instinktin e roitjes; të jenë të pastra nga sëmundjet dhe, në periudhën e nxjerrjes së mëmave, familja të ketë jo më pak se dhjetë rrugë mizë . Kur një mbretëreshë e re është aktive, punëtoret do ta largojnë mbretëreshën që ka “mbretëruar” deri atëherë. Asgjësimi i mbretëreshës me termin e njohur colloquially, ka kuptimin “përqafim prej vdekjes”, kjo behet me eutanazi,(vdekje e bute pa dhimbje).

Bletë punëtore i grumbullohen përreth e vendosi ne mes e fërkojnë dhe si efekt i ngrohtësisë dhe shtergimit të butë, ajo pa e ndjere vdes nga mbinxehja. Kjo metodë (pak me ashpër) përdoret edhe për të vrarë grerëzat e mëdha dhe grabitqare që hyjnë në zgjua. Ajo mund të përdoret edhe kundër një mbretëreshe të huaj, që përpiqet për të marrë përsipër familjen i ekzistuese. Shpesh, ky është një problem për bletarët që dëshirojnë të fusin një mbretëreshë për zëvendësim. Literatura nuk jep të dhëna të plota mbi përcaktimin e saktë të procesit të përgatitjes së hojeve për zëvendësimin e mbretëreshës. Shumëllojshmëria gjenetike në familjet e bletëve mendohet se i jep përparësi mbijetesës. Kjo do të thotë se të gjitha familjet nuk bëjnë pothuajse asgjë saktësisht njësoj. Për të qenë më përgjithësues, le të shtjellojmë rrugën e ndjekur deri në daljen e mbretëreshës zëvendësuese. Duhet theksuar se roitja është forma më e parapëlqyer e familjes për riprodhimin e mbretëreshës mbi baza më të rregullta (Walt Wright). Zëvendësimi, është një proces që jo gjithnjë kryhet mbi rregulla të sakta, si në rastin e nxjerrjes së mbretëreshave ne procesit të roitjes.

Studiuesit e shohin zëvendësimin si një lidhje të dobët në formatin e mbijetesës së përgjithshme të familjeve të bletëve. Për ta sqaruar këtë ka mjaft të dhëna, të cilat mundësojnë të kuptuarit më praktik të kësaj ideje. Familjet kanë mbretëreshën ekzistuese gjatë dimrit.

Mbretëresha e dimëruar është inaktive për disa kohë. Kjo përbën një shenjë për bletët punëtore. Ato tashmë janë përgatitur paraprakisht për të rritur një mbretëreshë për zëvendësim. Familja që vendos se mbretëresha nuk i plotëson kërkesat, menjëherë fillon procesin e zëvendësimit. Pas ngritjes së gotave zëvendësuese, kujdesi për mbretëreshën e vjetër bie.

Bletët punëtore nuk e lejojnë atë të ndërhyjë në këtë proces. Nëse mbretëresha e vjetër “këmbëngul”, atëherë ajo veçohet. Bletët punëtore parapëlqejnë të vazhdojnë në këtë gjendje derisa mbretëresha e re të çiftohet dhe të fillojë hedhjen e vezëve. Ky proces shtrihet pothuajse për një muaj. Bletarët e dinë sa i vështirë është ndërrimi i mbretëreshave; procesi duhet të ruajë disa parametra, përndryshe mund të dështojë. Po qe se ndërrimi bëhet kur ka kullotë të bollshme, atëherë mbretëresha përshtatet me lehtësi në familje.

Vështirësia qëndron kur ka mungesë kullote. Në kësi rastesh, familja ushqehet me sherbet sheqeri 1:1, 4-5 ditë para. Mbretëresha e vjetër e dallon procesin zëvendësues si një kërcënim, por ajo është e paaftë më tej, ngaqë aktiviteti i saj është ndërprerë që në fillim të procesit. Kupat (gotat) e zëvendësimit, shpesh, i gjejmë të vendosura në “qendër” të folesë. Edhe pse ndodh kështu, kjo nuk është gjë normale. Për të shmangur ndërprerjen e këtij procesi nga mbretëresha ekzistuese, ato vendosen, si zakonisht, jashtë zonës ku udhëton ajo. Një nga vendet më të pëlqyera është zona e hojeve të polenit. Kjo në një zgjua Langstroth, ndërtohet, zakonisht në fund të kornizës. Kupa e mbretëreshës ka ngjyrë më të çelët se ajo e huallit, shenjë se është gatitur nga dylli i ri.

Një nga arsyet që familja e bletëve luzmon (roit), është mbushja me pjellë e gjithë hojeve të gatshme. Bletari mund ta mpakë roitjen, vetëm duke shmangur faktorët predispozues. Kjo lidhet me kujdesin që ai duhet të tregojë për të siguruar disa kushte të nevojshme për mbarështimin normal të familjes. Por në asnjë mënyrë nuk mund ta pengojë, nëse shenjat kanë filluar. Familja mund të roisë përsëri 2-3 herë radhazi. Ruajtjen e llojit dhe shumimin, bleta, për mijëra vjet, e ka bërë me roitje. Në kushtet e mbarështimit modern, roitja natyrore është një pengesë. Bletari duhet të jetë i vëmendshëm, ndonëse është periudhë punësh të vrullshme. Gjithsesi, mpakja e roitjes lidhet me punën e tij. Në kulmin e kullotës kryesore, roitja sjell jo vetëm humbje të prodhimit, por edhe të bletëve.

Bletarë të kujdesshëm, që e ndjekin ecurinë e familjeve në stinën e pranverës, duke parë mbipopullimin në një zgjua, e shfrytëzojnë fare mirë këtë për ndarje familjesh (formim familjesh të reja). Në këtë kohë, numri i bletëve është aq i madh, saqë ka vështirësuar mundësinë e qëndrimit në zgjua. Pra, kemi dy faktorë: mungesën e hapësirës së lirë në zgjua dhe mungesën e kullotës. Por mund të ndodhë dhe e kundërta. Në mungesë të kullotës, mbizotëron instinkti i ruajtjes së energjisë dhe ulet ndjeshëm shumimi numerik i familjes. Bletët kujdestare pakësojnë të ushqyerin e mbretëreshës, e cila ul shtrimin e vezëve. Familja ul veprimtarinë e saj. Shenjat e para të roitjes fillojnë dy javë para se të luzmojë. Për mbretëreshën ka pak interesim. Ky është çasti kur mbretëresha ekzistuese vendos vezë në kupa të parapërgatitura për mbretëreshë, të cilat janë ngritur në anë të kornizave. Vendi i ngritjes së kupave gjatë roitjes, bën dallim nga kupat zëvendësuese të mbretëreshave, të cilat ngrihen mbi hoje të larvave të bletëve punëtore. Në literaturë ka mendime të ndryshme, ka dhe keqinterpretime për problemin e mbretëreshave të vjetra, të dështuarave që do të roisin. Në fakt, familja tregon shumë kujdes, që të sigurohet se mbretëresha e vjetër është në gjendje të mirë për të trajtuar rojin dhe për të ngritur një familje të re në një strehë tjetër. Nëse bletët punëtore që do të luzmojnë arrijnë të bashkë pranojnë atë qe nuk është në gjendje t’i drejtojë dhe t’i organizojë, ato do të vendosin ta zëvendësojnë. Studiuesit që janë marrë gjatë me procesin e roitjes, sqarojnë se familja e bletëve, që përgatitet për një gjë të tillë, problemin e parë dhe më të rëndësishëm ka mbretëreshën. Një familje me mbretëreshë të metë (e dështuar), nuk ka asnjë arsye të përgatitet për roitje. Fakti është që mbretëresha ekzistuese nuk “vidhet”, të marrë luzmën e bletëve dhe të largohet. Ajo përgatit roitjen, përgatit nxjerrjen e mbretëreshës së re dhe nga familja nuk largohet para se të bëhet gati dalja e pasardhëses.

Në literaturë, termi “qelizë”, zakonisht, i referohet një strukture roji, në të cilën po përgatitet të dalë një mbretëreshë. Kjo mund të jetë jo shumë e qartë për bletarët e rinj, sepse këto qeliza nuk janë gjithmonë njëlloj dhe janë në pozicione të ndryshme. Hojet e larvave tё meshkujve janë, shpesh, në afërsi të qelizave të roit, por nuk duhet të ngatërrohen me to. Pjelljet mashkullore zakonisht ndodhen të grupuara në anë të kornizës. Ato janë më të mëdha sesa pjelljet e bletëve punëtore. Sipërfaqja e tyre ngjan si “guralec” ose si “kalldrëm” .Gjithsesi, sipërfaqja e tyre është e rrumbullakët, ndërsa e bletëve punëtore është e sheshtë. Gjatë pranverës, bletarët, shpesh, kërkojnë për kupa roi, në mënyrë që të përcaktojnë nëse zgjoi po përgatitet për luzmim. Ku dallohet një kupë roji nga kupa e zëvendësimit?

Qelizat e mbretëreshave janë të ndryshme, kur kanë përfunduar së ndërtuari. Duken si një lënde lisi me madhësi 2.5 cm dhe qëndrojnë vertikalisht. Një qelizë roi e përfunduar plotësisht, tregon se është tepër vonë për të ndaluar roitjen. Bletari duhet ta njohë për ta identifikuar, para se ajo të ketë përfunduar, në çastin kur është ende kupë. Në trajtën e tyre të papërfunduar ato janë quajtur “kupa” ose “gota mbretëreshe”. Gota përgatitet që mbretëresha ekzistuese të hedhë vezë për të nxjerrë një mbretëreshë të re. Termi “kupa e mbretëreshës”, shpesh, përdoret nga bletarët për të shënjuar një produkt të prodhuar komercialisht që përdoret për të rritur mbretëresha.

Qëllimi i tyre është i njëjtë: një vend për të hedhur një vezë, ku zhvillohet një mbretëreshë. Vetëm se ato janë bërë prej druri ose ndoshta prej dylli. Një kupë e varur në mes të kornizës është, zakonisht, një qelizë mbretëreshe për zëvendësim ose “emergjente”. Një kupë e varur jashtë, në pjesën e poshtme të një kornize, është, zakonisht, një qelizë për lulëzim. Bletët punëtore, duke pasur nevojë për ta zëvendësuar mbretëreshën, fillojnë të ushqejnë me pelte mbretërore një larvë të re, të zgjedhur. Ato ndërtojnë një kupë zëvendësimi rreth huallit të larvës së bletëve punëtore, kupë që merr pamjen e një lënde lisi të varur. Kupa e roit ndërtohet posaçërisht për riprodhimin e mbretëreshës. Ajo përgatitet për roitje dhe nuk ka për qëllim të zëvendësojë mbretëreshën, por për të ngritur një mbretëreshë të re, e cila do të qëndrojë në familje si pasardhëse e mbretëreshës që luzmon. Pra, do të kemi dy mbretëresha, njëra e re e zgjoit dhe tjetra, ekzistuesja, që do të largohet me rojin. Zëvendësimi është rruga natyrore që ndjekin bletët për nxjerrjen e një mbretëreshe të re në të njëjtin zgjua, pa ndërhyrje nga bletari. Në përgjithësi, kjo ndodh në pranverë, në verë apo në muajt e parë të vjeshtës. Procesi i zëvendësimit ndryshon nga ai i roitjes, i cili është i lidhur me shumimin. Familja punon të krijojë mbretëreshë të re, kur shfuqizon mbretëreshën e mëparshme. Zëvendësimi i mbretëreshave është rrjedhojë e një nevoje, një thirrje fiziologjike e familjes.

Mbretëresha zëvendësuese bëhet nevojë, kur bletët janë të pakënaqura me veprimtarinë e mbretëreshës aktuale dhe vendosin për ta zëvendësuar atë. Mbretëresha, në mënyrë të dukshme, nuk bën pikërisht atë që bletët presin prej saj. Bletët punëtore “dinë” më shumë për gjendjen e mbretëreshës së tyre, sesa mund të dimë ne. Ne, e shumta fare, kërkojmë ta gjejmë atë, për ta vëzhguar nga jashtë. Me sa duket, bletët e përcaktojnë dështimin e mbretëreshës shumë herët, përmes substancave të veçanta kimike ose feromoneve të prodhuar nga mbretëresha. Duke qenë të pranishme për një periudhë të gjatë në zgjua, bletët shoqëruese të saj janë pajtuar me te.

Bletët e marrin këtë nëpërmjet kontaktit, pastrimit dhe të ushqyerit, për ta shpërndarë në gjithë zgjoin. Prania e këtyre feromoneve pengon formimin e qelizave për nxjerrjen e mbretëreshës zëvendësuese, si dhe zhvillimin e vezoreve të bletëve punëtore. Bletët e vlerësojnë mbretëreshën e tyre në varësi të cilësisë së feromoneve që ajo prodhon. Nëse bletët marrin një sasi të mjaftueshme çdo ditë, ato mund të perceptojnë se mbretëreshën e kanë aktive. Një mbretëreshë e shëndetshme, pra aktive, e pengon zëvendësimin e saj. Feromonet duhet të kenë jo vetëm sasi, por dhe një cilësi të tilla, që të jetë e pranueshme për veprimtarinë e familjes. Mbretëresha e vjetër zëvendësohet me një të re, edhe për shkak të dallimeve në moshën e sekretimit. Madhësia e familjes është një tjetër arsye zëvendësimi. Një mbretëreshë mund të sekretojë feromone të mjaftueshme për të furnizuar një familje të vogël. Një familje e madhe ka më shumë gjasa për ta zëvendësuar mbretëreshën e saj, sesa një familje e dobët; ndoshta, për shkak se feromonet janë në raport të zhdrejtë me numrin e madh të pjesëtarëve të familjes.

Ndryshe nga bletët, që e ndjejnë shumë më herët nevojën e zëvendësimit, bletari është tepër i vonuar në përcaktimin e aftësisë së mbretëreshës, të cilën e spikat vetëm gjatë kontrollit të pjelljeve. Ai nuk mund të shpegojë të gjitha hollësitë (nivelin e feromoneve) të mbretëreshës vetëm duke vlerësuar modelin e pjelljeve. Ndoshta, për bletarin, një hedhje e mirë e vezëve është diçka pozitive, por mund të mos jetë i mjaftueshëm prodhimi i feromoneve, për të kënaqur veprimtarinë e jetës së familjes, e parë kjo për të ardhmen. Mbretëresha mund të jetë infektuar me shkaktare semundje.,Por arsyet kryesore lidhen me paaftësinë, mund të përmendim: gjendjen trupore, moshën e vjetër, varfërimin e qeses së spermave, plogështinë në rolin e saj si mbretëreshë (zhvilluar nga larva të vjetra), pamjaftueshmërinë e feromoneve etj..

Sistemi ekologjik i ngarkuar me pesticide, akaricide, antibiotike etj ka bere qe mbretëresha ne vitin e dyte ti bjeri aftësia riprodhuese me pak se 70%. Bletët punëtore e bëjnë “diagnozën” më parë se familja të ketë shfaqur shenjat e dukshme për syrin tonë. Familja e bletëve riprodhon mbretëresha në tre raste: mbretëresha roji, mbretëresha zëvendësuese dhe mbretëresha emergjence. Qelizat e formuara plotësisht (të mbyllura) të mbretëreshës të japin përshtypjen, pak a shumë, të një lënde lisi, me madhësi 25-29 mm.

Mbretëresha e re kalon tri fazat e saj në qelizë. Ajo zhvillohet nga veza në larvë dhe më tej, në pupë. Bletët kujdestare ushqejnë me pelte mbretërore të gjitha fazat e zhvillimit. Ushqimi i veçantë (peltja mbretërore) prodhon një bletë femër me trup më të madh, me organe riprodhuese të zhvilluara. Kur larva është gati për peltezim (gati për të marrë formë), mbyllet kupa me dyllë. Kur mbretëresha e virgjër është e gatshme të dalë, ajo hap rrugën duke çarë fundin e qelizës. Bletës mbretëreshë i duhen 15-16 ditë për t’u zhvilluar dhe për të lënë qelizën. Kjo, në varësi të temperaturës.

Bletët punëtore, zakonisht, ngrenë disa mbretëresha në të njëjtën kohë. Mbretëresha e parë (vergjinë) që del nga qelia e saj, menjëherë sulmon për vdekje mbretëreshat e tjera, ndërsa ato janë ende brenda qeliza. Nëse ka më shumë se një mbretëreshë në një familje, ato do të luftojnë derisa të asgjësojnë njëra-tjetrën. Pas rreth 4-7 ditësh, mbretëresha e virgjër “fitimtare”, është e gatshme të çiftohet. Mbretëresha e fekonduar mund të fillojë hedhjen e vezëve pas 3-5 ditësh… vazhdon. /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme