Search

Zëvendësimi i kimikateve për pastrim me produkte të pa dëmshme

180

Nga Blerta Kryeziu Thaqi – Kimiste

Mënyra e jetesës në ditët e sotme është e paimagjinueshme pa kimikatet, por prodhimi dhe përdorimi i tyre duhen bërë me një kujdes të veçantë dhe me përgjegjësinë më të madhe për mjedisin dhe për shëndetin e njeriut.

Sot në treg ekzistojnë një numër i madh i produkteve për pastrimin e brendshëm të shtëpisë. Neve na jepet mundësia të zgjedhim mes detergjenteve specifike, ekologjike, ekonomike, me emër firme të njohur që i dihen përbërësit apo të panjohur. Jo të gjitha llojet e kimikateve janë të dëmshme, ka një numër të madh të detrgjentëve që nuk përmbajnë kimikate të dëmshme, por ka lloje të tjera që në përmbajtje kanë një koktej kimikatesh të panjohura. Neve na mbetet të bëjmë zgjedhjen e duhur.

Deri më sot janë identifikuar më shumë se 10 milionë përbërje kimike (natyrore ose të prodhuara nga njeriu). Rreth 100.000 prej tyre prodhohen për t’u shitur dhe çdo vit në treg futen 200 deri në 300 kimikate të reja.

Vlerësimet kanë treguar se prodhimi botëror i kimikateve është rreth 400 milionë ton.
Europa është një nga rajonet më të mëdha në botë për prodhimin e kimikateve, duke arritur deri në 38% të prodhimit botëror.

Ky numër i madh kimikatesh janë të pranishme në shumë produkte që vijnë në kontakt me ne çdo ditë, të tilla si pastrues shtëpiakë, dezinfektues, alkool për pastrimin e duarve, zbutës rrobash dhe madje edhe në kozmetikë. Por efekti që ato kanë për njerëzit është një mister.

Kimikatet e ndryshme pёrmbajnё fosfor, enzima, amoniak, naftalinë, fenol dhe sodium nitilotriacetat. Tё gjithё këto me emra tё pakuptueshёm qё shkaktojnëё kruarje, njolla, tharje tё lëkurës, madje edhe ngacmin me traktit respirator.

Meqenëse disa kimikate më të forta janë toksike, ato mund të kontribuojnë gjithashtu në rënien e fertilitetit njerëzor që po shihet në dekadat e fundit, si dhe rritjen e nevojës për teknologjitë ndihmëse riprodhuese si është fertilizimi in vitro.

Mirëpo kur bëhet fjalë për pastrimin e shtëpisë, duhet të kujtojmë se “mjetet” më të mira për t’u përdorur janë ato të dikurshme, kur nëpër shtëpi gjeje vetëm produkte të thjeshta e natyrale, kjo është mënyra më e sigurt dhe më e shëndetshme.

Bikarbonati i natriumit (soda e bukës) është njëra prej tyre bashkë me limonin, vajin dhe uthullën. Derivat i acidit karbonik, ajo njihet si një pastruese e fuqishme. Është në gjendje të neutralizojë substancat alkaline dhe ato acide. Kjo e bën atë një pastrues natyral, që mund të përdoret shumë mirë për të luftuar bakteret. Për më tepër është shumë ekonomike dhe në shtëpi mund të përdoret për mënyra të ndryshme:

– për pastrimin e tenxhereve dhe pjatave shumë të ndotura: për të larguar yndyrën e vështirë shtojini një lugë bikarbonat natriumi dozës normale të shamponit të enëve.

– për pastrimin e çelikut dhe porcelanit: duke mos qenë gërryes arrin të heqë në mënyrë të shkëlqyer formacionet gëlqerore dhe njollat, për shembull nga lavamani i kuzhinës.
– për larjen e rrobave: shtoni një lugë sodë në çdo larje në lavatriçe bashkë me detergjentin në mënyrë që të ndalet krijimi i formacioneve gëlqerore të rrobat. Në këtë mënyrë rrobat me ngjyrë e ruajnë ngjyrën, ndërsa të bardhat nuk marrin ngjyrë

– për pastërtinë e frigoriferit: përgatisni një solucion me ujë të ngrohet dhe sodë (2 ose tri lugë për një litër ujë) dhe fshijeni frigoriferin me një leckë. Nuk ka nevojë për shpëlarje. Mund të përdoret edhe në vazon e luleve të freskëta e të sapo këputura, për të “jetuar” më gjatë.
– për pastrimin e çezmeve në banjo apo kuzhinë përdoreni një cop limoni, lëreni të qëndrojë disa minuta pastaj pastrojeni me leckë të lagur.

– për pastrimin e xhamave të dushit përgatisni një përzierje me një kapak uthull dhe një lugë krip.
– në vend të sprejit që përdorim për mbledhjen e pluhurit, shishen e zbrazet të spërkatësit mbusheni me ujë dhe gjysmë lugë gjelle uthull do të jetë dezinfektuesi më i mirë kundër bakterieve.
– gjatë bllokimit të tubacioneve të lavamanit përzieni gjysmë filxhani sodë bikarboni dhe një filxhan uthull (kujdes mos qëndroni me fytyrë përmbi për shkak se është përzierje e acidit me bazë). Kjo përzierje ka një efekt të fortë që shërben si zhbllokues i tubacioneve.

Këto produkte janë më ekonomike dhe shumë më të  shëndetshme. /Gazeta Bujku




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *