Search

Taksa mund ta sfidojë anëtarësimin e Kosovës në OBT

130

Qeveria e Kosovës thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike për të aplikuar për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) dhe pret që këtë proces ta përmbyllë gjatë këtij viti. Me gjithë optimizmin e Qeverisë, njohës të sektorit të ekonomisë konsiderojnë se taksa aktuale që Kosova u ka vënë Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, mund të jetë pengesë serioze për këtë anëtarësim.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, pohojnë se në këtë organizatë po shqyrtohet mundësia për të aplikuar si shtet vëzhgues për një periudhë, fillimisht pesëvjeçare.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë është hartuar edhe dokumenti i quajtur ‘Memorandumi mbi Regjimin e Tregtisë së Jashtme’, dokument ky, i cili përfshin më vete politikat tregtare dhe ekonomike të një vendi që aspiron të bëhet anëtar i Organizatën Botërore të Tregtisë.

“Prandaj, mund të them se nga aspekti teknik jemi të gatshëm të aplikojmë gjatë këtij viti, por, siç dihet, aplikimi në organizata ndërkombëtare, siç është rasti i OBT-së, kërkon një koordinim me partnerët tanë strategjikë, që në njëfarë forme të ndihmojë Qeverinë e Republikës së Kosovës që të lobojë te vendet që ne mund të kemi dyshime për votën apo përkrahjen e tyre për anëtarësim”, thotë Dervisholli.

Organizata Botërore e Tregtisë e ka selinë në Gjenevë të Zvicrës. Funksioni i saj është nxitja dhe vënia në zbatim e ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

Ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se situata aktuale në Kosovë, në të cilën po zbatohet taksa doganore 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, nuk është e favorshme për aplikim.

Profesori Gazmend Qorraj, ligjërues i lëndës Ekonomia e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, në Fakultetin Ekonomik, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendim i Qeverisë së Kosovës është kundërshtuar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe për këtë arsye, Kosova, sipas tij, duhet të jetë e sigurt se për anëtarësim, në momentin e aplikimit.

“Momentumi aktual nuk është aq i volitshëm, sepse edhe BE-ja edhe mekanizmat e tjerë e kanë një adut shumë të fuqishëm për problemet që janë me taksën. Për këtë, institucionet e Kosovës duhet të jenë më serioze, sepse Kosova nuk e ka atë fleksibilitetin të aplikojë çdo vit. Do të thotë, kur të vendoset të aplikohet, mos të bëhet sa për diskurs politik, por në njëfarë forme të ketë një garanci,vendosmëri dhe parapërgatitje që të dilet i suksesshëm”, thekson Qorraj.

Republika e Kosovës ka disa marrëveshje për tregti të lirë me vendet rajonale dhe evropiane, por jo të gjitha këto kanë dhënë efekte pozitive për ekonominë e vendit, thotë profesori Qorraj.

Për këtë, ai thotë se anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë mund të vlerësohet në dy aspekte të ndryshme.

“Është aspekti institucional që mund të konsiderohet, aspekt politik dhe aspekti ekonomik. Sa i përket aspektit institucional, do të ishte një hap pozitiv që Kosova të ishte anëtare e OBT-së për arsye të shumta, për thyerjen e barrierave të ndryshme me vendet e ndryshme që janë anëtare të kësaj organizate”.

“Por, sa i përket aspektit ekonomik, mendoj që Kosova edhe me anëtarësimin në CEFTA ( Marrëveshja për tregti të lirë) ose marrëveshja e MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim Asociimit), sipas analizave të institucioneve vendore, rezultojnë se Kosova nuk ka mundur ta shfrytëzojë tregun rajonal, por edhe atë të Bashkimit Evropian”, shprehet Qorraj.

Ndërkaq, Sytrime Dervisholli nga MTI-ja, vlerëson se Kosova edhe nga aspekti ekonomik, por edhe ai politik, mund të përfitojë nga të qenë anëtare, qoftë vëzhguese apo me të drejta të plota e Organizatës Botërore të Tregtisë. Këto efekte, sipas saj, do të vërehen në një periudhë afatmesme.

“Tregu i Kosovës është relativisht i vogël, që mund të jetë konkurrues në tregun rajonal, ka vështirësi të jetë konkurrues në tregun e Bashkimit Evropian, për shkak të procedurave dhe standardeve. Mirëpo, Kosova qëndron në pozicion më të favorshëm në sektorët e shërbimeve dhe po llogaritemi si një vend me perspektivë në sektorin e shërbimeve”.

“Kurse, në aspektin politik, nëse i thuhet një investitori të huaj që Kosova është pjesë e një mekanizmi global, siç është OBT-ja, sigurisht që krijohet një imazh më i mirë dhe besueshmëri për investitorët potencialë”, shprehet Dervisholli.

Organizata Botërore e Tregtisë ka filluar punën në vitin 1995. Nga shtetet e rajonit, në vitin 2012, Mali i Zi është bërë anëtar i plotë i kësaj organizate.

Kurse, Kazakistani në vitin 2015 është bërë anëtari i fundit, i 162-ti i Organizatës Botërore të Tregtisë, pas 20 vjetësh sa ka zgjatur procesi i negociatave. /REL




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *